Gjatë protestës së zhvilluar këtë të hënë përballë Kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se qëllimi kryesor i opozitës është zënia për tre javë e sheshit, duke e cilësuar këtë si formën më të rëndësishme të rezistencës kundër qeverisë.
“Ju garantoj se Partia Demokratike do bëjë gjithçka për frontin më të gjerë të mundshëm në këtë betejë. Ju garantoj se PD-ja do të përdorë të gjitha format e qëndresës, të gjitha format e rezistencës, gjer në largimin e tij. Cila është më e mira, më kryesorja. Zënia për tre javë e këtij sheshi. Kjo është. Këtu duhet të arrijmë ne. Këtu duhet të betohemi ne. Këtu duhet të vijnë njerëzit e betuar për të shpëtuar Shqipërinë. Si opozitë, le të paraqesim para shqiptarëve programin më të shkëlqyer që kemi paraqitur ndonjëherë”, tha Berisha.
“Koha është e guximtarëve, koha është e sakrificës, dhe ne jemi të vendosur për sakrificë sepse jemi në të drejtën tonë,” deklaroi Berisha, duke theksuar se opozita do t’i japë kryeministrit “përgjigjen që meriton”.
Ai akuzoi qeverinë për bllokim të drejtësisë dhe për vazhdim të vjedhjeve, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë. Berisha njoftoi se data 22 do të shënojë nisjen e protestës së përgjithshme kombëtare, ku sipas tij “rrugët e Tiranës do të ushtojnë me thirrjen: largohu hajdut, se koha jote ka marrë fund”.
Kreu i PD-së garantoi se partia do të punojë për krijimin e frontit më të gjerë të mundshëm opozitar dhe se do të përdoren “të gjitha format e qëndresës dhe rezistencës” deri në largimin e kryeministrit nga pushteti.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të angazhuar dhe “të betuar” për të shpëtuar Shqipërinë, familjet dhe të ardhmen e tyre, duke theksuar se opozita ka paraqitur programin më të mirë ndonjëherë, por zgjedhjet, sipas tij, u shndërruan në farsë nga paratë, dhuna dhe terrori politik.