Lajmi i FUNDIT! Rrèzohet avioni afer Shqipèrise, ne bord kishte shqíptare

Dy shtetas nga Kosova janë lënduar pasi një avion i vogël sportiv u rrëzua në Liqenin e Mavrovës, në Maqedoninë e Veriut, pasditen e 12 dhjetorit. Autoritetet vendase konfirmuan se incidenti ndodhi rreth orës 12:35, pranë digës “Kanali i Beliçit”, një zonë e frekuentuar shpesh nga pilotë amatorë dhe mjete ajrore sportive.

Sipas Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, në bord ndodheshin dy shtetas të Kosovës — Xh.P., 41 vjeç, dhe D.M., 64 vjeç, i cili ishte edhe piloti i avionit. Të dy arritën të dalin nga avioni pas rrëzimit dhe u transportuan menjëherë në Spitalin e Gostivarit për trajtim mjekësor. Gjendja e tyre mësohet se është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.

Piloti D.M. ka deklaruar para policisë se gjatë fluturimit avioni ka pësuar një defekt në motor, çka e detyroi të kryente një ulje emergjente mbi sipërfaqen e liqenit. Manovra e tij e shpejtë dhe e kontrolluar besohet se shmangu pasojat më të rënda.

Qendra për Menaxhimin e Krizave bëri të ditur se menjëherë pas marrjes së njoftimit u aktivizuan njësitë e reagimit të shpejtë, përfshirë ekipet e ndihmës së shpejtë, policinë dhe ekipet rajonale të menaxhimit të krizave, të cilat u dërguan në vendngjarje për të asistuar në operacionin e shpëtimit.

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, avioni i rrëzuar është i markës Piper, një model i njohur për fluturime sportive dhe rekreative, me kapacitet deri në katër persona. Avioni kishte kryer më herët fluturime në hapësirën ajrore të vendit dhe madje kishte marrë pjesë në evente aviacioni, përfshirë një shfaqje ajrore në Shkup në vitin 2023.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar arsyet e sakta të defektit teknik dhe rrethanat e plota të aksidentit.