E padëgjuar më parë, Sali Berisha: Ramiz Alia kërkoi të hiqte Fatos Nanon, të kthehej në PS dhe ta…! (RRËFIMI)

Kryedemokrati Sali Berisha në një intervistë për emisionin “Opinion” ka folur për karrierën e tij në politikë, themelimin e Partisë Demokratike ndërsa nuk i kurseu tregimet për zhvillimet në vitet 90 dhe pas saj. Një rrëfim mjaft interesant dhe i padëgjuar më parë ishte kur Sali Berisha foli për Ramiz Alinë, të cilin vendosi ta quajë shkurt, diktator.

Kreu i PD tregoi një moment, kur Ramiz Alia kishte qëllim rikthimin e tij në politikë dhe i dërgonte njerëz Berishës në Presidencë që të merrte drejtimin e PS duke hequr Fatos Nanon. Moment ky, sipas Berishës, kur Fatos Nano ishte sëmurë.

Kryedemokrati Sali Berisha tha se nuk i interesonte aspak kjo pjesë ndërsa shtoi më tej se Ramiz Alia ishte sekretari ideologjik i nismave më staliniste të një vendi por në paraqitje ishte si liberal.

Pjesë nga intervista

Blendi Fevziu: Ju patët takime të shpjeta me Ramiz Alinë në Dhjetor të vitit 1990. Më pas e keni takuar si Kryetar i Partisë Demokratike dhe ai si President i Shqipërisë. Debati juaj në 20 Shkurt në Këshillin e Sigurisë Kombëtare kur u përplasët është i njohur. Në Prill ju hytë në zyrën që la Ramiz Alia. Dua tani pas 35 vitesh, kur ai nuk jeton më. Cili do ishte përkufizimi juaj për Ramiz Alinë?

Sali Berisha: Ai nuk ishte për skenarin rumun. Kishte frikë dhe ai i qëndroi asaj. Nëse të kujtohet, ai më 11 Dhjetor 1990 në mbledhjen e Byrosë Politike, tha që ata kërkojnë kokën time. E thotë, kërkojnë kokën time ata. Në këtë kontekst, unë vlerësoj dy gjëra. Vlerësoj faktin që ftoi intelektualët në përballje, që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Nuk kishte ndonjë detyrim. Nuk ftoi vetëm njerëzit e vet. Ftoi ata që ishin shprehur në të gjitha shkrimet kundër. Ishin Gramoz Pashko, Fatos Nano. Ai këtë e bëri, nuk e mohoj. Kundrejt kërkesave për të futur tanket e spirokolekës, dajës së Edi Ramës, kundër thirrjeve që i bënte në plenium, kundër Mehmet Elezit. Ai orientoi që të pranojmë pluralizmin.

Blendi Fevziu: Ama njeriu, vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij që ishte pluralizmi, sot nuk e dimë e ka ngritur apo nuk e ka ngritur dorën. Ai nuk ka mbajtur qëndrim!

Sali Berisha: Ai absolutisht ishte për pluralizëm burokratik. Ai filloi shndërrimin e levave të partisë në subjekte elektorale. Në takim i them, fillimisht pluralizëm mendimi, po politik, never say never. Ishte i gatshëm t’i quante Partia e Shkrimtarëve, Rinisë, Gruas, dhe e mbyllte pluralizmin këtu. Model i Jugosllavisë dhe në Kinë.

Blendi Fevziu: Në historinë e Shqipërisë, si do të jetë përkufizimi i tij z. Berisha?

Sali Berisha: Diktator. Diktatori u përmbys nga lëvizja popullore. Ai është diktator.

Blendi Fevziu: A i premtuat ju atij që nuk do ta dënonit dhe më pas e çuat në burg?

Sali Berisha: Jo. Nuk kërkoi kurrë, absolutisht. Nuk kërkoi asgjë nga unë.

Blendi Fevziu: Nuk të ka kërkuar asgjë privatisht?

Sali Berisha: Absolutisht asgjë. Të vetmen përpjekje që ka bërë, kur i ndjeri Fatos u sëmur, edhe atij iu rikthye mendja të rikthehej sërish në parti. Nuk është se nuk kishte mbështetës. Tipari i tij i çuditshëm. Ai ishte sekretari ideologjik i nismave më stalinsite të një vendi dhe megjithatë ai në paraqitje ishte si liberal. Habia më e madhe e tij kjo ka qenë. Filloi të manipulojë, të më dërgojë njerëz në Presidencë, mbështetës të tij, që ne nuk mund t’ia lëmë partinë Fatosit se Ramizi e bën. Çpunë kam me partinë tuaj u thoja. Kaq e gjithë puna.