Dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjellas, do të kenë kosto të ulëta financiare.
Me pranimin e vendit tonë në sistemin SEPA, tashmë po ngrihet sistemi që komisionet të ulen brenda këtij viti.
Komisionet për transfertat e parave nga Europa do të ulen këtë vit, duke iu kursyer emigrantëve shqiptarë dhe bizneseve miliona Euro.
Më 13 qershor 2024, Shqipëria aplikoi në Bashkimin Europian për t’u pranuar në sistemin SEPA, dhe u pranua në 21 nëntor, ndërsa tashmë bankat po punojnë për të ngritur sistemin që mundëson transfertat e parave me kosto të ulët.
Sipas vlerësimeve të kryera nga Banka e Shqipërisë, përfitimet në kosto, kohë dhe siguri janë të mëdha. Në vlerë ato pritet të kursejnë mbi 20 mln euro cdo vit, që shqiptarët i kanë paguar si komisione.
SEPA e njohur ndryshe, si Zona Unike e Pagesave në Euro, është iniciativë e Bashkimit Evropian, e cila u mundëson individëve dhe bizneseve të bëjnë pagesa elektronike në Euro, duke ndjekur rregulla të njëjta ndërmjet vendeve anëtare. Megjithatë, sot zona gjeografike e pagesave shtrihet edhe jashtë vendeve të BE-së.
SEPA është gjithashtu edhe një parakusht për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian.