“Agron, ujë more ujë”/ Momenti kur Gjekmarkaj bie në tokë pa ndjenja, protestuesit i japin ndihmën e parë (Video)

Nënkryetari i PD-së, njëherësh dhe deputet i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka humbur ndjenjat gjatë protestës së opozitës.

Siç shihet nga pamjet, ka qenë një moment paniku kur ai ka rënë, me protestuesit dhe kolegët e tij që kërkonin ndihmë.

Deputeti aktualisht është transportuar në spital, ndërsa ende nuk dihet qartësisht se çfarë ia shkakoi atë gjendje.

Sipas opozitës, ai është sulmuar nga policia. Kreu i PD-së Berisha tha se është dhunuar nga forcat e policisë.

“Tani informohem se kriminelët me uniformë kanë goditur nënkryetarin e PD-së Agron Gjekmarkaj.

Ky është një akt kriminal i porositur direct nga Edi Rama, i cili ndjek me tmerr protestën e opozitës dhe përzgjedh drejtues të saj për t’i targetuar.

E siguroj Edi Ramën dhe Ervinin me 3 mbiemra se do mbahen përgjegjës personal për dhunën fizike ndaj nënkryetarit të PD-së dhe Parlamentit dhe i shpreh atij solidaritetin e madh.

Rama është një hakmarrës i verbër i cili për pushtetin e tij nuk ndalet para asnjë krimi, por opozita do t’i tregojë vendin siç e meriton.

Edhe një herë, dënoj këtë akt të shëmtuar, këtë krim të vërtetë ndaj Gjekmarkajt në mosbindje civile”, tha Berisha.