Europa e kuptoi që SHBA e ka lënë vetëm

Jon Henley – The Guardian

Ata u mblodhën duke buzëqeshur, por detyra që kishin marrë përsipër ishte e madhe. Pas dhjetëra samitesh në të cilat një BE hezituese dhe e përçarë nuk kishte arritur të binte dakord për ndonjë plan të përbashkët për përfundimin e luftës në Ukrainë, ky takim, papritmas dhe në mënyrë jetike duhej të ishte ndryshe.

Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Polonisë, Italisë, Spanjës dhe Danimarkës, bashkë me kryeministrin e Britanisë dhe krerët e NATO-s, Komisionit Evropian dhe Këshillit Europian, mbërritën në Paris të tronditur nga një javë historike.

Të hënën e kaluar, nënpresidenti i SHBA, JD Vance, i kishte thënë Europës se “rregullimi i tepërt” i teknologjive potencialisht të dëmshme ishte i gabuar. Dy ditë më vonë, Donald Trump i telefonoi Vladimir Putinit për të nisur bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë për përfundimin e luftës.

Në të njëjtën ditë, sekretari i mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, u tha homologëve të tij europianë në një takim në Bruksel se SHBA nuk ishte më “kryesisht e fokusuar” në sigurinë e Evropës dhe kontinenti do të duhej të merrte drejtimin në mbrojtjen e Ukrainës.

Të premten erdhi grushti i Vance. Një sulm i dhunshëm ideologjik që akuzonte demokracitë evropiane për shtypjen e fjalës së lirë, përkulje ndaj multikulturalizmit dhe largim nga votuesit për shkak të frikës. Harrojeni Rusinë: kërcënimi i vërtetë për Evropën, tha ai, ishte “nga brenda”.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së refuzoi më pas të takonte kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Në vend të tij takoi Alice Weidel, udhëheqësen e ekstremit të djathtë AfD, një parti që agjencia gjermane e sigurisë e mban nën vëzhgim si një kërcënim potencial për demokracinë.

Në 5 ditë, liderët u ndërgjegjësuan forcërisht për tre realitete: së pari, SHBA-ja dhe Evropa duket se nuk i ndajnë më vlerat që, që nga viti 1945, kishin mbështetur aleancën transatlantike. Së dyti, Evropa nuk mund të mbështetej më tek SHBA për ta mbrojtur atë.

Së treti – për pyetjen e menjëhershme për të cilën Evropa po priste me padurim një përgjigje – plani i SHBA, për aq sa ekziston në të vërtetë, nuk dukej se përfshinte një vend në tryezë për Evropën (përfshirë edhe çështjen e Ukrainës).

Samiti i Parisit i së hënës u thirr nga presidenti francez, Emmanuel Macron, sepse, sipas fjalëve të një këshilltari të Elysee, “tani është e nevojshme që evropianët të bëjnë më shumë, më mirë dhe në një mënyrë koherente, për sigurinë tonë kolektive”.

Ata që morën pjesë u konsideruan si më të vendosurit, por edhe më të pasurit, një koalicion jo vetëm i vullnetarëve, por të aftëve – duke përfshirë Britaninë, jo më një anëtare e BE-së, por një kontribuues i madh në Ukrainë dhe një forcë e fuqishme ushtarake evropiane.

Me të mbërritur në Paris, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se siguria e Evropës ishte “në një pikë kthese. Po, bëhet fjalë për Ukrainën, por edhe për ne. Ne kemi nevojë për një mentalitet urgjent. Ne kemi nevojë për një rritje në mbrojtje. Dhe ne kemi nevojë për të dyja tani”.

Por samiti i së hënës ka të ngjarë të jetë i pari nga shumë në rrugën drejt një politike koherente të sigurisë për Ukrainën dhe për Evropën më gjerësisht. Mjedisi i sigurisë së Evropës mund të ketë ndryshuar rrënjësisht, por duket se Evropa jo.

Ajo ka “armiqtë” e saj brenda: qeveritë populiste, të ekstremit të djathtë, miqësore ndaj Moskës, pro Trump-it që do të bllokojnë një politikë të përbashkët sigurie aty ku të munden. Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, nuk humbi kohë duke shigjetuar samitin e së hënës.

Takimi ishte një mbledhje e “liderëve evropianë pro-luftës, anti-Trump, të frustruar” që synonte “parandalimin e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë”, tha ai, duke shtuar se ndryshe nga ata, Budapesti “mbështet ambiciet e Donald Trump … dhe dëshiron paqen në Ukrainë”.

Robert Fico, kryeministri populist i Sllovakisë, gjithashtu u vu në lëvizje. Zyrtarët e BE-së nuk kanë mandat për të përcaktuar rolin e Evropës në ndonjë armëpushim në Ukrainë, tha ai, duke shtuar se diskutimet nuk kishin të bënin me BE-në dhe pjesëmarrja e tyre dëmton besimin tek BE-ja.

Vendet që nuk ishin ftuar në bisedimet e Parisit po ankohen gjithashtu. “Edhe brenda BE-së, jo të gjitha shtetet trajtohen në mënyrë të barabartë” – tha presidentja pro-evropiane e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar. “Kjo nuk është Evropa që ne aspirojmë [ose] Evropa që kërkon të respektohet.”

Udhëheqësit e tjerë i frikësohen ndikimit të një rritjeje të madhe të shpenzimeve të mbrojtjes në politikën e brendshme tashmë të acaruar. Sipas NATO-s, Portugalia, Italia, Spanja, Belgjika, Kroacia, Luksemburgu dhe Sllovenia shpenzojnë të gjitha më pak se objektivi prej 2% i PBB-së për mbrojtjen.

Ka sfida të fuqishme në perspektivë për një huamarrje të përbashkët – të cilën Gjermania, ndër të tjera, e kundërshton fuqishëm – për të financuar nevojat e sigurisë kolektive të Evropës dhe mbi përdorimin e aseteve të ngrira ruse.

Që tani ka ndasi rreth garancive të sigurisë së Ukrainës të pasluftës. Macron ideoi mundësinë e një force eventuale paqeruajtëse evropiane në Ukrainë vitin e kaluar dhe kryeministri britanik, Keir Starmer tha të dielën se Mbretëria e Bashkuar ishte e përgatitur për të vendosur trupa në terren. Suedia ndoqi shembullin të hënën.

Holanda tha se kishte një “jo negative” në lidhje me idenë, por Gjermania tha se ishte “e parakohshme” dhe Polonia – e cila shpenzon më shumë se 4% të PBB-së së saj për mbrojtjen, më shumë se çdo anëtar tjetër i NATO-s tha se “nuk po planifikonte të dërgonte asnjë ushtar polake”.

Diplomatët e BE-së pranojnë se qëndrimi ideologjik brutal, transaksional dhe pa turp i administratës Trump mund të copëtojë unitetin tashmë të brishtë të Evropës. Nëse do të ndodhë apo jo, thonë ata, mund të varet nga procesi i të cilit takimi i Parisit i së hënës është vetëm hapi i parë.