Shqipëria është pranë “play-off”-it të Botërorit 2026 dhe llogaritë kanë nisur. Ndarja në vazo do të përcaktohet nga renditja e FIFA-s pas ndeshjeve të nëntorit dhe do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në shortin e gjysmëfinaleve.
Kuqezinjtë aktualisht renditen në vazon e tretë, por kanë mundësi të kalojnë në të dytën nëse disa rezultate shkojnë në favor të tyre. Shqipërisë i intereson që në Grupin A, Sllovakia të mos renditet e dyta, por të zërë këtë vend Irlanda e Veriut.
Një skenar i tillë do të lejonte kalimin e Shqipërisë në vazon e dytë, duke shmangur kundërshtarë të fortë në raundin e parë. Sllovakia ndërkohë bën tifo për Shqipërinë, për të mos humbur pozicionin e saj aktual.
Vendet që për momentin janë më mirë në renditje dhe ndodhen në vazon e dytë janë Hungaria, Skocia, Çekia dhe vetë Sllovakia. Çdo ndryshim në renditjen e FIFA-s pas ndeshjeve të nëntorit mund të ndikojë ndjeshëm në fatin e kuqezinjve.