Kush është vajza sekrete e Putinit? Zbulimi tronditës që kërcënoi jetën e një gazetari

Një tjetër emër që del në pah është ai i Alisa Kharcheva, një studente 17-vjeçare

Në verën e vitit 2021, një operacion i papritur i shërbimeve sekrete ruse u zhvillua në një apartament në qendër të Moskës. Objektivi ishte Roman Badanin, një nga gazetarët më të njohur të opozitës. Rreth orës 6 të mëngjesit, 6 deri në 8 agjentë civilë të FSB-së trokitën pa pushim në derën e tij, duke mbërritur me një urdhër kontrolli.

Gjatë gjashtë orëve të ardhshme, ata kontrolluan çdo cep të apartamentit të tij me dy dhoma, ndërsa jashtë, policia bastiste makinat e Badanit dhe bashkëshortes së tij. Më vonë, gazetari u shoqërua në komisariat dhe u mor në pyetje për katër orë. Arsyeja? Një intervistë që ai kishte publikuar me një vajzë të re, për të cilën dyshohej se ishte vajza ilegale e presidentit rus, Vladimir Putin.

Pas këtij episodi, Badanin dhe familja e tij vendosën të largohen nga Rusia. Aktualisht, ai jeton në mërgim në Kaliforni me bashkëshorten dhe vajzën e tyre. Së bashku me bashkëpunëtorin e tij të afërt, Mikhail Rubin, kanë publikuar librin “The Tsar Himself: How Vladimir Putin Deceived Us All”. Libri trajton jetën e fshehtë të presidentit rus, përfshirë marrëdhëniet e tij jashtëmartesore, pasurinë e madhe të partnereve të tij dhe metodat represive ndaj gazetarëve që tentojnë të hetojnë për të.

Një nga zbulimet më të bujshme u bë në vitin 2020, kur portali investigativ “Proekt”, i drejtuar nga Badanin, publikoi një intervistë me Elizaveta (Luiza Rozova), një vajzë e re që dyshohet të jetë fëmija i Putinit me Svetlana Krivonogikh, një ish-pastruese me të cilën ai kishte pasur një lidhje në fund të viteve ’90. Analizat biometrike nga Universiteti i Bradfordit në Mbretërinë e Bashkuar zbuluan 70% ngjashmëri mes saj dhe presidentit. Megjithëse emri i babait mungon në certifikatën e lindjes, patronimi “Vladimirovna” shtoi dyshimet.

Pas lindjes së Elizavetës, nëna e saj bleu një apartament luksoz në Monako me vlerë 2.9 milionë paund. Dokumentet e publikuara nga “Pandora Papers” treguan se Krivonogikh zotëronte një pasuri prej mbi 78 milionë paund, përfshirë prona të shumta dhe një jaht.

Libri i Badanin dhe Rubin zbulon gjithashtu lidhje të tjera të Putinit, si ajo me Alina Kabaeva, kampione olimpike në gjimnastikë ritmike. Mendohet se marrëdhënia e tyre ka nisur në vitin 2006 dhe se kanë dy fëmijë. Në vitin 2014, Kabaeva u emërua drejtuese e “National Media Group”, me një pagë vjetore prej 7.7 milionë paundësh.

Një tjetër emër që del në pah është ai i Alisa Kharcheva, një studente 17-vjeçare që pozoi për një kalendar erotik kushtuar presidentit dhe më pas jetoi në një apartament luksoz në Moskë.

Pas publikimit të intervistës me Rozovën, autoritetet ruse bastisën jo vetëm banesën e Badanit, por edhe ato të Rubin dhe gazetarëve të tjerë të Proekt. Ndërkohë që ndodhej me pushime në Marok, Badanin mësoi se ishte shpallur person “i padëshiruar” nga autoritetet ruse një status që hap rrugën për ndjekje penale dhe arrestim.

“Vendosëm që nuk mund të ktheheshim më në Rusi,”- tregon Badanin.

Brenda dy muajsh, ai arriti të nxjerrë jashtë vendit edhe 10 bashkëpunëtorë të tij. Sot, Proekt vazhdon aktivitetin nga jashtë Rusisë dhe mbetet një nga zërat më të guximshëm që sfidojnë regjimin e Vladimir Putin.