Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji foli në “Kjo Javë” për garën për Bashkinë e Tiranës. Florjan Binaj, kandidat i pavarur dhe i mbështetur nga opozita kandidon përballë socialistes, Ogerta Manastirliu.
Ish-deputeti i PD tha se Binaj po merr mbështetje masive në kryeqytet dhe këtë ai e shihte edhe nga takimet që ka zhvilluar vetë me qytetarët, duke mbështetur kandidatin e pavarur.
Salianji tha se për shkak të popullaritetit të Binajt, Rama u detyrua të shtynte zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, për të fituar kohë, sipas tij, që të gjejë mekanizmat për këtë përballje elektorale.
“Për mua që në nisje ka hyrë në avantazh, aq shumë sa e ka detyruar të shtyjë zgjedhjet. Pra, Edi Rama i ka shtyrë zgjedhjet për t’i dhënë kohë, që të përdorë të gjithë mekanizmat e vet. Florian Binaj ka energjizuar pjesën gri në Tiranë”, u shpreh Salianji.
Ai tregoi edhe pritshmëritë e kandidatit të pavarur, duke shtuar se të dhënat e nxjerrin atë fitues përballë Manastirliut.
“PS në Tiranë është 48.2%. Të gjitha të dhënat janë që Florjan Binaj të jetë kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës për shkak të mbështetjes masive. Edhe ata që nuk e duan z.Berisha, duke votuar Binajn i japin mundësi për të treguar edhe PD-së, edhe shoqërisë që duhet të ketë ndryshime dhe profile të këtij lloji. është mundësi e artë për qytetarët e Tiranës t’i tregojë të gjithë shoqërisë që një kandidat që nuk i nënshtrohet urdhrave të partive politike por vjen si një nevojë e shoqërisë, por edhe si fakt i angazhimit të madh në kauza publike, të votohet dhe t’i tregohet partive kjo është rruga e duhur dhe boll se na keni lodh”, tha më tej Salianji.
Ervin Salianji shtoi se do të jetë në fushatën e Tiranës në mbështetje të kandidatit të pavarur, duke u angazhuar në Njësinë 6, zonën e Kombinatit e cila njihet si bastion i të majtës.
“Jam dhe do të jem në zgjedhjet e Tiranës, për të mbështetur kandidatin e pavarur Florjan Binaj, një kandidat i shkëlqyer i mbështetur nga opozita. Shoh një mbështetje masive që e shoh tek njerëzit. Ka një padurim të njerëzve dhe pyetja kryesore e tyre është: Kur do të ikë Rama?”, tha Salianji.
“Unë do të jem në fushatë në zonën e Kombinatit, në Njësinë 6. Kam nisur takimet, do të jem në mbështetje të tij në një zonë të caktuar sipas organizimit që ka bërë PD, në mbështetje të kandidatit të pavarur”, përfundoi Salianji.
