Nuk preferoi të prishte pushimet, mungesa e Ronaldos në varrimin e Diogo Jotës zhgënjen tifozët

Diogo Jota dhe vëllai i tij, Andre Silva, u përcollën këtë të shtunë të 5 korrikut në banesën e fundit, pasi ndërruan jetë në një aksident tragjik në Spanjë.

Në ceremoninë mortore para varrimit, morën pjesë figura të shumta të futbollit, të cilët kishin lidhje me Diogo Jotën, te kombëtarja e Portugalisë, por edhe në klubet ku ai kishte luajtur.

Ajo që bëri bujë të madhe, ishte mungesa e kapitenit të Portugalisë, Cristiano Ronaldo. 40-vjeçari nuk ishte i pranishëm në funeralin e dy ish-lojtarëve.

Arsyeja ende nuk dihet, ndërsa në mediat ndërkombëtare aludohet se luzitani është parë me pushime në Mallorca.

Ra në sy gjithashtu edhe mungesa e Mohamed Salah, shok skuadre te Liverpool.

Në ceremoni ishin të pranishëm lojtarët e tjerë të Portugalisë, Bernardo Silva, Diogo Dalot, Joao Cancelo dhe Ruben Neves.

I pranishëm ishte edhe trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez.

Mungesa e Ronaldos është vënë re gjerësisht në mediat portugeze. Gazetari Antonio Ribeiro Cristovao tha se, si kapiten i kombëtares, shumëkush priste praninë e tij.