Një familje nga Uellsi jeton prej 40 vitesh në mes të një rrethrrotullimi. Clwyd Howatson, 64 vjeç dhe gruaja e tij Anwen, 60 vjeç, jetojnë në një shtëpi njëkatëshe në mes të një rrethrrotullimi në bypass-in Denbigh A525 në Denbighshire. Rrethrrotullimi u ndërtua rreth shtëpisë në vitin 1980.
Ata thonë se vendodhja e pazakontë nuk i shqetëson por janë të lodhur nga përpjekjet e vazhdueshme për t’ju shpjeguar shoferëve të dërgesave se ku ndodhet saktësisht shtëpia. Shtëpia e tyre ka qenë e rrethuar nga pesë kryqëzime që kur u ndërtua bypass-i në zonën piktoreske të Clwyd në Uells.
Ata shprehen se nuk kanë në plan për t’u zhvendosur. “Ne nuk mund ta nxjerrim Clwyd nga këtu, përveç nëse në arkivolin e tij”, bëri shaka gruaja e tij. “Kam jetuar për 62 vjet këtu dhe ka shumë kujtime të bukura. Më parë, ne jetonim matanë rrugës”, u shpreh Howatson për Daily Mail.
“Ndodhin ndonjëherë aksidente dhe në fillim kur u ndërtua rruga shumë hynin në drejtimin e gabuar, por tani nuk ndodh më. Na pëlqen pamja e maleve dhe nuk kemi fqinjë me të cilët të ngatërrohemi”, shtoi ai.
/abcnews.al