Konsiderohet parashikuesi më i famshëm i të gjitha kohëve, e megjithatë, shumë pak merrte vesh nga astrologjia. Sekreti i tij? Të shkruante sa më shumë që të ishte e mundur. Dhe të përdorte një gjuhë “plot tym”.
“Një truk i vogël që shkaktoi një dëm të madh ishte një pamflet, në pamje të parë i parrezikshëm, që u shpërnda në sasi të mëdha nga agjentët tanë, të lëshuar edhe nga avionët. I shtypur në frëngjisht dhe i paraqitur si botim nga profecitë e Nostradamusit (dhe në fakt përmbante disa prej tyre), libërthi parashikonte shkatërrime të mëdha nga “makinat fluturuese që lëshonin zjarr”, ndërsa jug-lindja e Francës do të ishte e imunizuar nga kjo katastrofë. Ndërsa po përgatisja këtë broshurë, unë e imagjinoja efektin e tmerrshëm që do të kishte. Të gjitha përpjekjet e autoriteteve franceze për të parandaluar eksodin e popullsisë drejt jug-lindjes së vendit, ishin të kota”. Ky kujtim i Valter Shelenbergut, kreu i Seksionit të Gjashtë (inteligjencës së jashtme) të Reichssichersheitshauptamt (zyra qëndrore për sigurinë e Rajhut gjerman), përmban ndoshta një nga misteret më të frikshme të Luftës së Dytë Botërore.
Në muajt e parë të konfliktit kundër Francës (verën e vitit 1940), gjermanët përdorën si një armë sekrete profecitë e Nostradamusit (1503-1566), astrologut më të famshëm të të gjitha kohërave. Gjermanët bënë që të besohej, se ai kishte parashikuar pushtimin e vendit nga “Gjermania e Madhe”, dhe se vetëm lëvizja drejt drejt jugut do t’i kursente nga masakrat. Kur nazistët sulmuan Parisin, nga veriu në drejtim të Kanalit të La Manshit, ata i gjetën rrugët e zbrazta nga refugjatët, tamam siç dëshironin.
Instrumenti politik
Që propaganda dhe manipulimi ndihmojnë në fitimin e betejave dhe luftërave, kjo është e njohur; por që disa mijëra broshura të nxisnin zhvendosjen masive të popullsisë, ky është një fenomen që tronditi edhe vetë ideatorin e asaj maskarade. Statagjema e Shelenbergut ishte sigurisht e zgjuar, por nuk do të kishte qenë aq efektive, në rast se nuk do të mbështetej tek reputacioni shumëshekullor i Nostradamusit.
Mjaftoi përmendja e disave vargje të manipuluara, që njerëzit t’u besonin verbërisht atyre profecive. Parashikimet e astrologut janë në fakt kaq të paqarta, sa mund të jenë subjekt i interpretimeve të ndryshme (në këtë shkrim do të paraqesim disa prej tyre). Kështu, që prej shekullit XVII-të, profecitë e Nostradamusit filluan të përdoren për qëllime politike. Dhe gjithmonë në një nivel të lartë, në oborret më të rëndësishme të monarkive të Evropës.
Hebre, por jo shumë
Mishel de Nostredame, që e latinizoi emrin e tij në Nostradamus u lind në San Remi të Provansës në 14 dhjetor 1503, në një shtëpi në rrugën “Viguer”. Dishepulli dhe biografi i tij, Zhan Ajme de Shavinji, shkroi se parashikuesi i ardhshëm u lind në mesditë, por ky dokumentim i përpiktë është vetëm një haraç pas vdekjes së mjeshtrit, të cilit i ishte përshtatur si orë e lindjes, koha kur dielli mbërrinte kulmin në meridian.
Nostradamusi ishte me origjinë hebreje, por paraardhësit e tij qenë konvertuar në katolikë, dhe vetë ai e injoronte gjuhën hebreje, megjithëse shumë komentatorë vënë në dukje se disa prej njohurive të paraqitura në parashikimet e tij, i kishte mësuar nga Kabalaja. Mishel de Nostredame mbërriti në Avinjon në vjeshtën e vitit 1518, ku studio gramatikë dhe retorikë, të ashtuquajturat arte liberale, të cilat në atë kohë përbënin përgatitjen thelbësore për hyrjen në universitet.
Në 1521, i riu nga Provansa fitoi titullin e mjeshtrit të artit, pak a shumë si diploma e shkollës së lartë sot. Ende nuk ishte i interesuar mbi astrologjinë apo profecitë:përkundrazi, ishte i përfshirë tek mjekësia bimore dhe farmaci. Asokohe ai mendonte të bëhej mjek, përndryshe nuk do t’i ishte përkushtuar studimit të bimëve medicinale. Në fakt, fakultetet e shkollës mjekësore nuk pranonin studentë që kishin pasur praktikën farmaceutike, siç quhej atëherë një profësion inferior, i padenjë për një mjek.
Megjithatë, Nostradamusi, sikurse shprehej vetë, ia dedikoi “pjesën më të madhe të viteve në moshë të re, farmacisë, njohjes dh studimit të mjeteve për të shëruar; për më shumë vende dhe shtete, nga viti 1521-1529, për të kuptuar burimin dhe origjinën e bimëve dhe mjeteve të tjera në fakultetit kurator”.
Udhëtimi
Astrologu i ardhshëm përshkroi në këtë mënyrë pjesën më të madhe të jug-perëndimit të Francës: Guajenën, Lanzhdoin, Provansën, Dofinën, Lionin… Njohur kultivues të bimëve medicinale dhe dhe farmacistë, disa prej të cilave i përmend në veprën e tij (“Traktati i kozmetikës dhe medikamenteve”). Derisa në vjeshtën e vitit 1529, Mishel vendosi të mos regjistrohet në shkollën mjekësore në Montpelie, më e njohura në të gjithë Mbretërinë.
I riu e kishte kuptuar se kjo nuk do t’i jepte famën dhe nderin që kërkonte. Në 3 tetor 1529, Mishel de Nostre-Dame (kështu firmoset dokumenti që ruhet edhe sot), ku kërkohet regjistrimi në shkollën mjekësore; por rekrutuesi i studentëve, Gijom Rondële, e refuzoi, pasi nxënësi ishte një farmacist dhe “ishte dëgjuar të fliste keq për mjekët”.
Mishel nuk hoqi dorë: ai kërkoi dhe mori mbrojtjen e një tutori, dhe u regjistrua në 23 tetor 1529. Ne nuk e dime se kur Nostradamusi e mori diplomën e tij në mjekësi, për shkak se arkivat e universitetit kanë humbur. Më shumë gjasa, data e saktë është viti 1533.
Atë vit, Nostradamusi shkroi në Azhen të Akitenës, me ftesë të dijetarit italian, Xhulio Çezare Skaljero. Qyteti duhet t’i ketë pëlqyer shumë mjekut të ri, pasi qëndroi aty për 6 vjet. Por pikërisht periudha 1533-1539, është më e errëta e gjithë jetës së tij. Dimë vetëm se në atë qytet ai u martua, por jo emrin e gruas së tij. Biografi i tij i parë, Zhan Ajme de Shavinji, thotë vetëm se ajo ishte një “zonjë fort e nderuar”. Me atë grua pati dy fëmijë, emrat e të cilëve nuk dihen.
Kundër murtajës
Në vitin 1546, Nostradamusi u thirr nga qyteti i Aix në Provansë për të luftuar murtajën që kishte shpërthyer. Nuk ishte për t’u habitur: magjistarët (ose si alternativë njerëzit e Kishës), ishin shpesh arma e vetme, kundër asaj që dukej si një ndëshkim hyjnor. Një vit më pas, epidemia mbërriti edhë në Lion, dhe Nostradamusi u thirr përsëri, në sajë të përvojës së akumuluar tashmë, për t’u përpjekur të shpëtojë qytetin.
Mbeti mrekullisht i shëndetshëm dhe në të njëjtin vit, u transferua në Salon po në Provansë, ku vendosi të jetonte përgjithmonë. Në moshën 43-vjeçare, pas një jete shëtitëse, Mishel donte të ngulej diku. Në atë qytet u bë me grua: një vejushë e pasur pa fëmijë, Ana Ponsar. Me të ardhurat nga profesioni i mjekut, por edhe nga një prikë të majme, Nostradamusi bleu një shtëpi në lagjen Ferreiroux. Shtëpia ekziston akoma dhe gjendet me numrin 2, sigurisht në rrugën Nostradamus.
Nostradamusi shkoi në Itali në vitet 1548-1549. Ndoshta bëhej fjalë për një udhëtim shkollor, mbase donte të thellonte disa njohuri, apo të shkëmbente përvoja me mjekët e tjerë. Ne dimë se gjatë atyre dy viteve në Itali (Savona, Milano dhe Xhenova), ai u rekomandonte ilaçe të prodhuara nga vetë, personazheve të ndryshëm nga shtresa e fisnikërisë, çka dëshmonte se tashmë ishte tashmë një njeri i famshëm.
Kthesa magjike
Pas kthimit nga turneu italian, Nostradamusi filloi të botojë parashikimet e tij astrologjike, broshurat vjetore që do të vazhdojnë të publikohen deri në vdekjen e tij, 17 vite më vonë. Broshura që i dha famën e përjetshme e Nostradamusit u botua në 4 maj të vitit 1555 në Lion, nga botuesi Masé Bonhom.
I përbërë nga vetëm 46 faqe të dimensioneve të vogla (8 me 13 cm), broshura është tashmë një vepër shumë e rrallë: njihen vetëm 2 kopje origjinale, të ruajtura në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës në Austri. Me stofin e një njeriu të shkëlqyer në marketing, ai nuk e botoi korpusin e tij profetik vetëm njëherë:e botoi në 3 sezone radhazi (e fundit në 1558), secila me profeci të reja (gjithsej 360 strofa).
Vjen fama
Emri i Nostradamusit bëri shpejt xhiron e oborreve të mëdha evropiane. Si shpjegohet kjo? Pjesërsisht kjo ishte fryma e kohës. Por faktori kryesor, ishte një rrethanë e prodhuar nga mendja krijuese e Mishel:Nostradamus shkroi jashtëzakonisht shumë. Çdo vit publikonte të paktën një almanak astrologjik, apo edhe më shumë. Kështu, prodhimi i bollshëm e vuri në qendër të vëmendjes. Sikurse është lehtësisht e kuptueshme, sa më shumë gjëra të parashikohen, aq më e lartë është mudësia që disa profeci të vërtetohen.
Përveç kësaj, ai i Nostradamusit ishte stil i përkryer profetik, i denjë për orakujt grekë:i errët, i dykuptimtë, aluziv, ku mund të gjendej çdo gjë dhe e kundërta e saj. Në fund, Nostradamusi, ishte mjek, një dijetar i vërtetë, i “çertifikuar” nga një trupë universitare. Njihte gjuhën italiane, latine dhe pak greqisht. Ai fliste pak dhe kishte një pamje të përkorë. Me pak fjalë, mishëronte rolin e plakut të urtë që rrezatonte autoritet; prandaj parashikimet e tij priteshin me respekt.
Sigurisht, armiqtë nuk munguan. Siç ishte rasti i mjekut dhe astrologut Lorenc Videl, që e akuzoi Nostradamusin për mungesë kompetence në astrologji:e quajti “gomar i madh” dhe “bisha e madhe”. “Dikush që nuk kishte parë kurrë një libër astrologjie”-shkruante ai, duke iu drejtuar direkt Mishelit, “nuk do të dinte të bënte gabimet me të mëdha nga ato që bëni ju”. Megjithatë, edhe pse ai kishte armiq të ashpër, Nostradamusi mund të llogariste mbështetjen e shenjtorëve të rëndësishëm në parajsë.
Astrologu i të famshmëve
Në dhjetor të vitit1559, Margaret e Francës, motra e Henrit II, dhe burri i saj Emanuele Filiberto i Savojës, udhëtuan nga Parisi në Nisë dhe më pas në Salon për t’u takuar me parashikuesin. Duke u bërë tashmë një astrolog i famshëm, Nostradamusi nuk u kujdes aspak mbi Këshillin V të Lateranos (1512-1517), që ndalonte publikimin e profecive.
Nuk i kushtoi vëmendje as Urdhëresës së Orleansit nga mbreti i Francës (31 janar 1560), që ndalonte botimin e almanakëve, të cilat nuk ishin miratuar më parë nga peshkopi. Tek e fundit, falë njohjeve të tij, Nostradamusi nuk kishte aspak vështirësi në marrjen e autorizimit të peshkopëve, aq sa mund t’i dedikonte një almanak vetë Papa Piut IV në vitin 1562.
Kjo i detyrohet faktit, se klientëve të tij Nostradamusi nuk u predikonte kurrë fatkeqësi. Horoskopët e fisnikëve ishin plot me alarme, por dhe premtime të mrekullueshme. Për dinastinë franceze, Nostradamusi u bë një orakull propagandistik:parashikonte në fakt se e gjithë bota do t’i nënshtrohej një “Monarku të Madh”, dhe se ky do të ishte shteti francez.
“Monarku i Madh”
Kur profeti i Salonit publikoi profecitë e tij, nga viti 1547 ishte ulur në fronin e Francës Henri II, i biri i Fransuasë I, që nga Katerina de Mediçit kishte patur dy vajza dhe katër djem, njëri prej të cilëve ishte Henri. Ne e dimë se Katerina e thirriste Nostradamusin për t’u konsultuar mbi fatin e fëmijëve të saj, dhe ky i fundit shpërblehej me shuma të mëdha.
Ndoshta sepse pikërisht për Henrin, djalin e mamasë, edhe pse ishte fëmija i tretë (dhe që do të zhvillojë një betejë të ashpër për rrëmbimin e fronit, duke u bërë mbret me emrin e Henri III), Nostradamusi kishte parashikuar një perandori botërore. Në fakt nuk qe kështu.
Nëse parashikuesi do të kishte jetuar më gjatë (ai vdiq kur Henri ishte 15 vjeç), do të kishte parë historinë e tij trishtuar:Henri III ishte një mbret me pak vlera, dashnor i luksit të shfrenuar. Jeta e tij do të këputej në moshë të re nga thika e një prifti fanatik, që e vrau për shkak se e cilësonte shumë të tolerant me protestantët.
Gjithmonë në modë
Nostradamusi vdiq në 2 korrik 1566, por për të u hap një epoke të re, ajo e vërtetësisë së vazhdueshme të vargjeve të tij. Në mesin e interpretuesve më të mirë ishte Anatol Le Pejetie në vitet ‘8000, që zbërtheu disa nga anagramat e ndërfutura në lirikat e tij:Rapis ishte për Parisin, Nerfas për Francë, Eiouas për Savojën, Chiren për Henrik, Loin për Lion.
Tek e fundit, çdo epokë, e rizbuloi ndryshe Nostradamusin. Nëse në epokën romantike u cilësua më shumë poet sesa astrolog, në atë pozitiviste lexesit u magjepsën nga bukuria e kodeve të tij. Rezultati ishte krijimi i një shkollë e re të interpretimit:kërkimi i një logjike të brendshme tek centurionet, siç quheshin qindra vargjet e provansalit.
Pra u studiuan si elementë të një mozaiku që duhet rikompozuar, për të zbuluar mesazhin e fshehur. Vargjet u bënë pjesë e një mozaiku që duket absurd, vetëm për shkak të vendosjes së çregullt. Rikompozimi është i nevojshëm për zhbërthimin e parashikimeve të një profeti, që ndoshta dinte pak mbi astrologjinë, por shumë mbi psikologjinë njerëzore.