Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë, Inspektor R.XH., 58 vjeç, me detyrë Trup Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pustec, në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.
58-vjeçari dyshohet për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Sipas AMP, inspektori i policisë, duke drejtuar mjetin në rrugën nacionale Korçë – Bilisht mëngjesin e sotëm, është përfshirë në aksident rrugor me dëme materiale, me një mjet tip furgon.
Nga testet e kryera në vendngjarje ka rezultuar se punonjësi i Policisë kishte konsumuar alkool tej normave të lejuara.
Sipas AMP, inspektori në gjendje të dehur ishte duke shkuar për të marrë detyrën.
Materialet procedurale në ngarkim të tij u referuan në prokurorinë e Korçës, për veprime të mëtejshme.