Shkrimi mjαΙtë e heΙm në median greke për Shqiρërinë tυristike

Një shkrim në median greke Protothema, dedikuar turizmit në Shqipëri, del të jetë plot helm nacionalist, ku jo vetëm Himara shpallet lehtësisht qytezë greke, por dhe e gjithë bregu i Jonit. Edhe Butrinti madje shpallet grek.

Nga Hoxha te Rama: Turizmi shqiptar nuk është shaka”, titullohet shkrimi, që në nisje ngjan si thjesht raportues dhe promovues, tipik prej atyre që janë botuar këtë verë në media të ndryshme botërore.

“Në vitet ’90, ndoshta edhe më herët, shprehja ‘turist shqiptar’ ishte më shumë një shaka. Regjimi i Hoxhës, i cili shtypte banorët e vendit fqinj, nuk i lejoi shqiptarët të largoheshin prej tij. ‘Turist shqiptar’ do të thoshte diçka inekzistente dhe utopike. Megjithatë, gradualisht situata ndryshoi pas rënies së regjimit komunist. Pati një eksod masiv të shqiptarëve në fillim të viteve 1990 nga vendi në kërkim të një fati më të mirë jashtë vendit.

Qindra mijëra shqiptarë erdhën në Greqi. Disa mijëra ikën në Itali, ku pritja e tyre nuk ishte gjithmonë e përzemërt… Janë gdhendur në kujtesë pamjet e 10.000-20.000 shqiptarëve të hipur në anijen ‘Vlora’ në gusht 1991, mbërritja e tyre në Itali dhe dëbimi i tyre aventuresk prej saj. I njëjti është rasti me tragjedinë e 28 marsit 1997, me fundosjen e një varke shqiptare me emigrantë nga një luftanije italiane në Ngushticën e Otrantos. Pavarësisht gjithë kësaj, grekët akuzohen si racistë nga disa shqiptarë dhe jo italianët. Sigurisht që kanë kaluar 25-30 vjet nga këto ngjarje dhe shumë, nëse jo gjithçka, ka ndryshuar” është nisja e shkrimit, për të vijuar më të njëjtën narrativë, duke bërë dhe krahasime me Greqinë.

“Në vitin 2022 pati një rritje të madhe të turizmit në Shqipëri. Vendi u vizitua nga afërsisht 7.5 milionë turistë (një rritje prej 33% krahasuar me vitin 2021), ndërsa të ardhurat e tij nga turizmi ishin 2.8 miliardë dollarë. Në Greqi në vitin 2022 kemi pasur 27,835,500 ardhje turistësh dhe arkëtime totale prej 17,631,000,000 euro. Dhe këtë vit, megjithatë, shqiptarët po shënojnë një rritje të ndjeshme të turistëve (mbi 30% në tetë muajt janar – korrik) dhe tashmë po marshojnë me shpejtësi drejt shifrës 10 milionëshe. Dhe të mos harrojmë se Shqipëria është një vend me një sipërfaqe prej 28,748 km2, shumë më e vogël se Greqia (131,957 km2).

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Turizmit, në shtatë muajt e vitit 2022, Shqipëria ka pasur rritjen e dytë më të madhe botërore të turistëve (përqindje prej 19%) krahasuar me vitin 2021, gjë që është edhe një shenjë e dinamikës së turizmit të saj”.

Dhe pas këtij mjalti, vjen helmi:

“Në shumë postime të TikTok për të promovuar Shqipërinë, ka peizazhe magjepsëse dhe destinacione të sugjeruara: Shkodra, Berati, Vlora, ​​Himara, Ksamili….

Qyteti antik grek i Himarës(ku e ka antiken Himara?!) të cilin Edi Rama po përpiqet në çdo mënyrë ta kthejë atë në një parajsë turistike. Kjo është e drejta e tij, natyrisht, pavarësisht se kush do të përfitojë nga një gjë e tillë”, shkruhet pabesueshëm.

Po pabesueshëm, vjen nëntitull “Propaganda turke”, poshtë së cilit shkruhet:

“Rama zgjodhi të arrijë qëllimin e tij duke rrëmbyer pronat e grekëve të minoritetit dhe burgosjen e kryebashkiakut të zgjedhur të qytetit, Fredi Beleri. Dhe meqenëse kryeministri shqiptar flet shpesh për ndërhyrjet greke në vendin e tij, le të na tregojë se si i pranon turqit, ndër të tjera, në Konispol, një kilometër nga kufiri i Shqipërisë me Greqinë në Thesproti dhe që të bëjnë propagandë në favor të Turqisë me ‘Mësimet e historisë’ tek çamët. A nuk është ky një akt armiqësor kundër Greqisë?”, shkruan Protothema në mënyrë shabllone, pa sqaruar asgjë konkrete se për ç’propagandë turke bëhet fjalë në Konispol.

Shkrimi, që pa e tepruar duhet thënë “i çmendur”, vijon me shpalljen e Butrintit grek

“Dhe për ta mbyllur çështjen me qytetet e lashta greke të Epirit (Verior) që iu dhanë Shqipërisë: gjetjet nga Butrinti, qyteti më i lashtë grek i Kaonisë paraqiten nga shqiptarët në muzetë e tyre si krijime të kulturës ilire, një kulturë që nuk ka lënë asnjë gjurmë. Natyrisht që turqit po bëjnë diçka të ngjashme me shqiptarët, me monumentet bizantine të Kostandinopojës, monumentet e lashta greke në bregdetin e Egjeut e gjetkë”, thuhet pabesueshmërisht në shkrimin e Protothemas.