Seanca e djeshme e parlamentit ishte me të njëjtin skenar. Tym, flakadanë, përmbysje karrigesh dhe përplasje të forta me Gardën. Buxheti kaloi me 7 minuta, pa diskutime, pa debate. “Revolucion karrigesh, qesharake”. Kështu e cilësoi kryetari i grupit të PS-së, Bledi Çuçi.
Por në seancën e sotme, ku Sali Berisha, Gazment Bardhi dhe katër deputetë të tjerë nuk ishin për shkak të përjashtimit, PS futi me procedurë të përshpejtuar ndryshimet në rregulloren e Kuvendit.
Pas draftit të dorëzuar në Kuvend për ndryshimet në komisionet hetimore, mazhoranca ka kërkuar ndryshimin e rregullores së Kuvendit nisur nga sjella e disa deputetëve të opozitës gjatë seancave të fundit. PS kërkon ashpërsim të masave disiplinore dhe përjashtimin e deputetëve deri në 60 ditë nga seancat nëse përdorin flakadanë apo kapsolla, si sot.
Jo vetëm kaq. Por Bledi Çuçi u kujdes që t’i kujtonte opozitës përmes mediave edhe atë që ndodh në parlamentin italian duke sjellë shembullin e Vitorio Sgarbit që e nxorën jashtë në ajër duke e ngritur peshë nga krahët dhe këmbët.
“E kemi parë parlamentin italian se si e kapin Zgarbin ata punonjësit, dy prej këmbësh, dy prej duarsh” u tha Çuçi gazetarëve. Mesazhi është i qartë, PS jo vetëm që nuk tërhiqet, por ndodhet në sulm.