Bonus fundviti jo vetëm për pensionistët/ Ja 10 kategoritë e tjera që do të përfitojnë

Nuk janë vetëm të moshuarit, ata që përfitojnë shpërblim nga qeveria në fundvit, por edhe shumë kategori të tjera që trajtohen me pension nga shteti, të cilët do të mund të marrin në datën 8- 31 dhjetor bonus 10 ose 15 mijë lekë.

Gjithashtu, nuk do të jetë vetëm shuma mujore e pensionit, faktori përcaktues në vlerën e bonusit. Vendimi i qeverisë ka edhe përjashtime. Në Fletoren Zyrtare është zbardhur dhe ka hyrë në fuqi vendimi për shpërblimin e fundvitit, i cili s’ka pse të tërhiqet me patjetër brenda këtij muaji në datën e paracaktuar me grafik si çdo vit. Ai është i vlefshëm deri në gjysmë të vitit.

Të drejtën për të përfituar shpërblimin në masën e përcaktuar sipas pikave 1 e 2 të këtij vendimi, e kanë edhe ata persona që kanë datë të fillimit të përfitimit, deri në datën 31.12.2024, duke përfshirë edhe këtë datë dhe kanë të drejtë të marrin vetëm një herë këtë shpërblim, pavarësisht se mund të përfitojnë më shumë se një përfitim.

Ky vendim i ka kushtuar qeverisë thuajse 10 miliardë lekë, por kjo e fundit është dakordësuar për të marrë përsipër vetëm një të tretën, pasi 3.6 miliardë do të përballohen nga fondi i kontigjencës për bonusin e pensionistëve, 2.4 miliardë të tjera do të merren gjithashtu nga arka e Sigurimeve Shoqërore, nga fondi për indeksimin e pensioneve dhe 3.7 miliardë lekë do të derdhë vetë qeveria nga buxheti i planifikuar për Sigurimet Shoqërore për vitin 2024.

Vendimmarrja e qeverisë parashikon dyfishimin apo trefishimin e shpërblimit për pensionistët, çka e ka detyruar atë të bëjë rishikimin e fondit të kahershëm prej 3,7 miliardë lekësh me rritje duke nisur nga ky muaj. Nëse mban premtimin për të vijuar me të njëjtin ritëm shpërblimesh, edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm, zëri i bonusit duhet të rishikohet në rritje. Po ashtu, buxheti 2025 duhet të ndryshojë për të reflektuar edhe paratë për bonusin e premtuar të pranverës, zë që nuk është i parashikuar në buxhetin e vitit pasardhës. Në Shqipëri jetojnë 791,257 pensionistë.

Referuar të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në dhjetë vite pensioni mesatar në qytet është rritur me 4,158 lekë dhe në fshat 3,586 lekë. Në dhjetë vitet e fundit qeveria ka shpërndarë çdo fundvit bonus nga 3 deri në 5 mijë lekë për pensionistët. Vendimi u bë me dije vetëm dy ditë më parë nga ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe, i cili nënvizoi se ky është fondi më i madh ndonjëherë dhënë për këtë kategori.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zbuloi detaje të tjera nga ky bonus, të cilin e quajti si më të madhin ndonjëherë në histori dhe se kur të do bëhet shpërndarja.

“Krenar që miratuam bonusin e fundvitit, më i madhi ndonjëherë, për të gjithë 724 mijë e 933 pensionistët, ku 511 mijë e 173 pensionistë me pension 20 mijë lekë do të marrë bonusin 150 euro dhe 213 mijë e 760 pensionistë me pensione mbi 20 mijë lekë përfitojnë bonusin 100 euro. Pensionistë invalidë, gra e burra të ve, fëmijë jetimë, pavarësisht sa pension do marrin, do të kenë bonusin e plotë 15 mijë lekë. Përfshihet edhe një kategori për pensionet e parakohshme të ushtarakëve. Për 5174 pensionet e invalidëve në fshat u rritet pensioni vjetor me 14.5%. Për 2300 pensionet familjare në fshat, ky bonus e ka efektin e tij sikur të rritej pensioni vjetor me 66.3%”.– tha ministri.

Efekti i fondit prej 100 milionë euro të bonusit të fundvitit rrit me 9% mesatarisht një pension prej 15 mijë lekësh për të gjithë vitin 2024. Shpërndarja e bonusit në pranverë është më i madhi ndonjëherë në historinë e vendit. Pagesat do të nisin nga java dytë e dhjetorit për të gjithë pensionistët.

KATEGORITE SIPAS SHUMES:

Kategoritë që marrin 15 mijë lekë bonus:

Personat që përfitojnë pension pleqërie, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë.

Personat që përfitojnë pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social.

Personat që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit financiar, si fëmijë në përkujdesje të Republikës.

Personat që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit të veçantë financiar.

Personat që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar, si veteranë të LANÇ-it, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta.

Personat që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të

Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nuk janë të punësuar në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Personat që përfitojnë pension deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë, sipas ligjit “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”.

Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas ligjit “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”.

Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzetmijë) lekë, sipas ligjit “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”.

Personat që përfitojnë pension për shkak të profesionit të vështirë, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë sipas nenit 5, të ligjit “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

Kategoritë që marrin 10 mijë lekë bonus:

Personat që përfitojnë pension pleqërie, me masë pensioni mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë.

Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, mbi masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas ligjit “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”.

Personat që përfitojnë pension, me masë pensioni mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas ligjit nr. 150/2014, “Për pensionet e punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë”.

Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr. 8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, me masë përfitimi mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë.

Personat që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, me masë përfitimi mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.