Konfirmoi romancën, Ola Bruko: Nuk kam qenë e martuar kur jam lidhur me Endrin

Të ftuar në programin “Ndryshe” me Salsano Rrapi dhe Elona Duro kanë qenë këngëtari Endrit Prifti dhe gazetarja Ola Bruko.

Prej disa muajsh tashmë janë zyrtarisht një çift, duke i dhënë fund spekulimeve të vazhdueshme rreth lidhjes së tyre. Pas një periudhe të gjatë përflitjeje në media dhe në rrjetet sociale, ata kanë vendosur të zyrtarizojnë romancën e tyre

Spekulimet për lidhjen e tyre filluan verën e kaluar dhe janë përforcuar gjatë emisionit “Dola te Ola,” ku Endri Prifti dhe vëllezërit e tij ishin jo vetëm këngëtarë, por edhe bashkëprezantues me gazetaren Ola Bruko.

Ky ishte një periudhë e rëndësishme për të dy, që çoi në zhvillimin e një lidhjeje më të thellë dhe më personale. Ola Bruko ka qenë më parë e martuar dhe ka dy fëmijë nga lidhja e saj e kaluar, ndërsa Endri Prifti ka qenë për një kohë të gjatë single.

Tani, ata kanë vendosur të hapin një kapitull të ri së bashku, dhe kjo ka qenë një lajm i pritur dhe i mirëpritur nga miqtë dhe ndjekësit e tyre. Për më tepër, kjo është intervista e tyre e parë publike si çift.

E kërkuan dashurinë tek njëri-tjetri?

Ola: Askush nuk e ka kërkuar.

Endri: Lindi rastësisht pas tri vitesh. Ne kishim emisionin “Dola te Ola” dhe rastësisht.

Ola: Askush nga ne nuk e kërkoi, por për shkak të punës ne qëndronim shumë kohë bashkë. Qëndronim të tre bashkë, edhe me Stefin. Bënim mbledhje pas emisionit, takoheshim gjatë javës se programonim emisionin e radhës e të tjera me radhë.

Kur ishte momenti kur ata e kuptuan se midis tyre po lindte një ndjenjë e bukur dashurie?

Endri: Shën Valentin ka qenë apo Krishtlindje? Një nga këto të dyja.

Ola: Pashkë. (qeshin)

Në rrjet jo të gjithë kanë komentuar pozitivisht rreth lidhjes së tyre dhe në shumë raste Ola ka postuar disa deklarata për t’i nënkuptuar se nuk duhet të komentojnë zgjedhjet e saj. Më tej, Ola sqaroi:

“Nuk dua t’i largoj, më shumë sesa dua të përpiqem t’i bëj të kuptojnë njerëzve që nuk duhet të merren me tjetrin. “Kurrë mos thuaj kurrë”, thotë populli. Çdokujt mund t’i ndodhë një e mirë, apo një e keqe në jetë dhe s’mund ta gjykosh tjetrin pa e ditur historinë. Për shembull mua kanë arritur të më shkruajnë deri aty sa “ty të raftë pika moj vajzë që prishe familjen për Endri Priftin”. Më fal, ku e di ti që unë paskëm prishur familjen për Endri Priftin?

Kjo është shumë e tmerrshme edhe jo për mua. Mua më vrasin, sepse kjo mund të ndikojë tek fëmijët e mi. Mua vetëm kjo më vret. Unë për fëmijët e mi jam gati të vras domethënë. Më falni, mos e merrni sikur, në kuptimin e mirë të fjalës. Kështu që duke qenë se i kam të dy fëmijët adoleshentë dhe të dy fëmijët e duan Endrin shumë. Mezi presin ta takojnë.

Përpiqem të mos i marr në konsideratë, pastaj vjen një moment dhe them “si ka mundësi, çfarë janë këto njerëz që e kanë këtë keqdashësi të madhe brenda vetes?”. Në fund të ditës të erdha të mora burrin ty, ose ku di unë. Që ta qartësojmë njëherë e mirë. Kur unë jam lidhur me Endri Priftin nuk kam qenë e martuar, që të qetësohet kjo dynja njëherë e mirë”.