Begaj shpalli datën e zgjedhjeve/ Hoxha paralajmëron rrezikun për demokracinë pas vendimit të Presidentit: Pritet të…

Në një postim në rrjetet sociale, gazetari investigativ Artan Hoxha ka reaguar ashpër ndaj dekretit të Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës më 9 nëntor 2025.

Hoxha shprehet se vendimi i Presidentit është një akt politik i diktuar nga mazhoranca dhe i pabazuar në Kushtetutë, duke e cilësuar dekretin si antikushtetues dhe të rrezikshëm për demokracinë.

Gazetari ironizon qëndrimin e Begajt, duke thënë se “nuk është vetëm i ëmbël si sheqeri, por edhe danoç”, duke e akuzuar për servilizëm ndaj kryeministrit dhe se ka përmbushur thjesht një urdhër politik të ardhur nga lart. Sipas tij, ky dekret i hap rrugën një farse elektorale, me një rezultat të parashikuar, që vetëm sa thellon kapjen e institucioneve dhe godet themelet e shtetit ligjor.

Postimi:

Presidenti ynë, si ka thënë vetë, “i ëmbël si sheqeri”, sapo dekretoi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, më datën 9 nëntor 2025…

Jo për gjë, por pashë shumë njerëz të shqetësuar, pasi besuan, se Zoti Bajram, mund të refuzonte(larg qoftë)
kërkesën e kryeministrit, për zgjedhjet në bashkinë më të madhe te vendit.

Jo po ka shkelje kushtetuese.

Jo po gjykata i pezulloi zgjedhjet për Tiranën.

Jo po Erion Veliaj sapo nisi luftën e vërtetë dhe do i pengojë zgjedhjet e udhëheqësit për Tiranën, pas udhëheqësi dora vetë shpalli kandidaturën zyrtare të pushtetit për kryeqytetin….

Jo ore jo, presidentin nuk e kemi vetëm, “të ëmbël si sheqeri”, por e kemi dhe danoç.

I qëndron fjalës së dhënë “bamirësit” deri në fund.

Fundja për atë punë e ka vënë në atë karrige. Që kur e do e mira e pushtetit, t’i thotë dhe burgut hapu…
Ore i ka marrë masat udhëheqësi me kohë, nuk ja lë në dorë rastësisë….

Rëndësi ka, që do kemi zgjedhje në fillim të nëntorit dhe rezultatin e dimë pa u tharë ende boja e stilolapsit të Bajramit mbi dekretin antikushtetues, që do e zhysë dhe më tej në dëshpërim burgun e Durrësit….