Kamerat e sigurisë kanë filmuar të gjithë atentatin e ndodhur ditën e sotme në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani (Sheqeri).
Sipas informacioneve, atentati mund të jetë filmuar edhe nga më shumë se një kamerë, pasi zona është e mbushur me të tilla veçanërisht nga bizeset private që ndodhen aty pranë.
Në pamjet e kamerave dallohen atentatorët, ata janë të maskuar me nga ato lloj maskash që dyshohet se janë silikoni. Po ashtu, në pamje dallohet një prej atentatorëve që zbret nga makina dhe në një moment duket sikur i bllokohet arma e krimit. Megjithatë ai vijon të ecë me këmbë dhe qëllon drejt Gilmando Danit duke u siguruar që të kishte ndërruar jetë.
Makina Toyota Yaris, shihet paralel me Mercedesin ku ndodhen shënjestrat e atentatit të rëndë. Në atentat janë përdorur për të qëlluar të paktën dy armë kallashnikov, nga tre që u gjetën në makinën e djegur, dhe një pistoletë.
Pamjet e kamerave janë në duart e autoriteteve që po punojnë për të hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë.