21 janari në SPAK, gazetari: Berisha do merret i pandehur, ka një audio përgjim që i fundos

SPAK ka thirrur ish-kryeministrin Sali Berisha për tu paraqitur në Prokurorinë Speciale më 14 nëntor, ku kreu demokrat do të pyetet me statusin e personit që ka dijeni lidhur me 21 janarin 2011, ku gjatë një demostrate të thirrur nga opozita e kohës u vranë 4 protestues.

Ngjarja është cilësuar si një krim shtetëror, ndërsa SPAK nisi hetimet pas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut dhe më pas të Gjykatës së Lartë, që e detyronte Prokurorinë Speciale të kryente një hetim shterues lidhur me ngjarjen e ndodhur 14 vite më parë.

Lidhur me këtë gazetari Adriatik Doçi, i ftuar në Report Tv, tha se Berisha është përgjegjësi kryesor dhe ka dhënë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve në 21 janar.

“Unë besoj që Berisha është arkitekti i 21 janarit dhe do të merret i pandehur nga SPAK, por s’jam i bindur për vrasje në rrethana cilësuese apo për pengimin e të nxjerrjes së të vërtetës. Ato vrasje janë shpallur në mënyrë të turpshme nga drejtësia në Shqipëri si vrasje nga pakujdesia. SPAK është në kushte komode për të bërë drejtësi. Unë kam bindjet se vrasjet janë bërë me urdhër të Berishës. Pyetja që shtrohet është a do ta provojë SPAK se kush e ka dhënë urdhrin edhe pse unë dyshojë se e ka dhënë Berisha.

Ka një audio përgjim ku Ndrea Prendi urdhëron vartësin që të qëllojë ndaj protestuesëve dhe kjo e fundos Ndrea Prendin sepse kjo është para rrezikut që të dënohet me burgim të përjetshëm. Ai duhet që të tregojë para hetuesve se nga e mori urdhrin. Ndrea Prendi dhe Agim Llupo duhet që të dëshmojnë”, tha ai.

Doçi tha se Berisha fshiu provat për ngjarjen e 21 janarit, ndërsa theksoi se SPAK mjafton që t’i referohet deklaratave që Berisha ka bërë për të vënë drejtësi lidhur me këtë ngjarje.

“Po prap Berisha nuk shpëton nga 21 janari sepse ka penguar edhe drejtësinë, ku gjëja më e rëndë është fshirja e pamjeve filmike në serverin e kryeministrisë dhe kjo është konfirmuar nga ekspertiza e FBI dhe refuzimi i urdhër arresteve ndaj gardës.

Sali Berisha bëri një grusht shteti duke mos njohur organin e akuzës që lëshon urdhër arrestet. SPAK mjafton që të marr ndryshimet e qëndrimeve që ka mbajtur Berishës nga 21 janar deri në 2016, sepse tha janë vrarë me çadra pistoletë, pastaj tha nga garda sepse ishin brenda murit rrethues dhe më pas tha se unë do kisha vrarë edhe Ramën, pra e ka pranuar vet vrasjen”, tha ai.