The Sun artikull për Brojën: Ka ngjallur shqetësime pasi u pa i përlotur

Ish-ylli i Chelseat, Armando Broja, ka ngjallur shqetësime për mirëqenien e tij, pasi u shfaq duke qarë mes suksesit më të madh të futbollit të vendit të tij.

Sulmuesi i Burnley ndihmoi Shqipërinë të fitonte 1-0 në Andorra të enjten, duke i siguruar vendin e tyre në play-off-et e Kupës së Botës, kështu shkruan gazeta britanike The Sun, që i ka dedikuar një artikull sulmuesit shqiptar i cili mesa duket nuk po kalon një periudhë të mirë.

“Shqipëria, e cila pret fituesen Angli në ndeshjen e tyre të fundit në Grupin K të dielën, nuk ka arritur kurrë në finalet e një Kupe Bote. Broja i lindur në Slough e nisi ndeshjen, por u zëvendësua para orës së fundit, me ndeshjen pa gola. U desh një gol në minutën e 67-të nga Kristjan Asllani i Torinos për të thyer rezistencën e Andorrës së vogël”, shkruan The Sun.

Broja, 26 vjeç, më pas u duk i përlotur dhe i dëshpëruar në stol dhe ndërsa largohej nga fusha në fund të ndeshjes. Shoku i skuadrës Elseid Hysaj i vuri një krah ngushëllues rreth shpatullave të sulmuesit ndërsa ata po largoheshin nga fusha.

Dhe Broja ishte i vetmi lojtar i Shqipërisë që nuk iu bashkua festimeve të ekipit pas ndeshjes me kryetarin e Federatës Kombëtare të Futbollit, Armando Duka.

Zëvendëspresidenti i shoqatës, Lutfi Nuri, u përpoq gjithashtu ta ngushëllonte Brojën përpara se të bëheshin fotot e festimit, vijon artikulli i gazetës britanike.

Burnley i pagoi Chelseat 20 milionë paund për sulmuesin këtë verë, por ai ende nuk ka shënuar në shtatë paraqitje për Clarets.