Shqipëria po përballet me një krizë të thellë politike, me në qendër të zhvillimeve zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila aktualisht mban statusin e të pandehurës dhe përballet me akuza penale. Situata ka zhvendosur vëmendjen nga çështjet ligjore drejt një udhëkryqi politik për qeverinë dhe maxhorancën.
Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në një emision televiziv, e cilësoi këtë moment si pikën më të nxehtë të krizës politike në vend, duke nënvizuar se posti i zëvendëskryeministres dhe roli i saj i fuqishëm në qeverisje e rëndojnë edhe më tej situatën.
“Cili është problemi politik i Shqipërisë? Zëvendëskryeministri i vendit, zonja Balluku, është nën akuzë penale, madje dhe më shumë se kaq,” deklaroi Vangjeli, duke theksuar se për tre vite rresht Balluku ka qenë figura më e spikatur në qeveri pas kryeministrit.
Sipas tij, ky është një problem politik që duhej zgjidhur përpara se të transferohej te debati juridik dhe tek pritja për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vangjeli argumentoi se kriza mund të ishte shmangur në dy mënyra: me dorëheqjen me vullnet të lirë të Ballukut ose me shkarkimin e saj nga kryeministri Rama.
Duke komentuar dinamikat politike të ditëve të fundit, ai u shpreh se si kryeministri Rama, ka tendencë të shtyjë betejat e tij drejt fushës së drejtësisë, ndonëse sipas tij nuk është mësuar që pushteti i tij të kufizohet nga një pushtet tjetër.
Vangjeli theksoi gjithashtu se pavarësisht mangësive, sistemi i drejtësisë ka arritur të diktojë axhendën politike në vend, duke ndikuar jo vetëm dy figurat kryesore të politikës, por edhe gjithë shoqërinë shqiptare.
Vangjeli:
Cili është problemi politik i Shqipërisë? Zëvendëskryeministri i vendit, zonja Balluku, është nën akuzë penale, madje dhe më shumë se kaq.
Nëse është kritikë në një fragment, nuk do të thotë se nuk e duartroket në vendin tjetër. Nëse i njeh pavarësinë nga njëra anë, nuk do të thotë se nuk tenton të ushtrojë ndikim mbi të. Është normale kjo gjë. Tani ajo që po them dhe thelbi i kësaj historie është, Shqipëria ka një krizë politike, e madhe apo e vogël, kjo është tjetër histori. Po zëvendëskryeministri i vendit, njeriu numër dy në qeveri, madje dhe më shumë se kaq, se të paktën për nja tre vjet, shqiptarët vërtet kishin votuar Edi Ramën, po qeveriste Belinda Balluku. Ky njeri është nën akuzë, nën akuzë penale, madje, madje është marrë edhe me statusin e të pandehurit.
Nuk ka të bëjë me e dinte s’e dinte Enverit. Në fund fare Enveri është përgjegjës. Ajo që po të them ka të bëjë me tjetër gjë.
Fotografia e të gjithës do të thotë kjo: Shqipëria ka një problem politik dhe ne të gjithë jemi sulur tani çfarë vendimi do marrë Gjykata Kushtetuese e me radhë. Ky është një debat tjetër. Ky problem politik zgjidhej në dy mënyra: me atë të cilën nuk e shkruan ligji, po e ka kodifikuar morali dhe e kodifikon politika. O me largimin me vullnetin e saj të zonjës Balluku, ose me shkarkimin e saj nga kryeministri Rama.
Dhe në këtë mënyrë, kjo gjë, ky debat bëhej nul. Tani le të presim si do vijë kjo histori. Dalim tek pyetja jote edhe njëherë. Dy njerëzit më të fuqishëm në Tiranë, qoftë Rama, qoftë Berisha, padyshim me instikt, i shtyn, i shtyn të të të sulen drejt sinoreve të drejtësisë. Njëri e bën disi më me elegancë, tjetri e bën me arrogancë. Po të dyja palët nuk janë mësuar që pushteti i tyre të kushtëzohet nga një pushtet tjetër. Madje madje edhe të diktohet nga një pushtet tjetër. Dhe madje madje akoma, ky pushtet i tretë, ende me 1 milion e 1 difekte, krejtësisht i papërkryer, krejtësisht i pakolauduar deri në fund, i ka diktuar ata dhe ka diktuar madje dhe axhendën e tyre dhe axhendën e të gjithë shoqërisë shqiptare.
Tunelin e Llogarasë e kam kaluar dhe tani druhem, sepse më kujtohet një nga ato pjesët e përgjimit kur ai inxhinieri grek thoshte që ore nuk i hedhin hekur sa duhet betonit këta, dhe të hapësh tunel nuk do të thotë se është vrimë, të shposh një vrimë. Dhe dhe jo, absolutisht shpresoj shumë që të jetë e gabuar kjo gjë dhe të rrëzohet nesër në gjykatë.