“Mos i kushtoni vëmendje, ai është një idi○t”/ Pas fyerjes nga Michael O’Leary, Elon Musk mendon të blejë Ryanair për hakmarrje

Tensionet mes njeriut më të pasur në botë, Elon Musk, dhe drejtuesit të Ryanair, Michael O’Leary, kanë shpërthyer për shkak të një konflikti mbi mundësinë e instalimit të terminaleve Starlink në avionët e kompanisë.

Në një intervistë, O’Leary u shpreh: “Mos i kushtoni asnjë vëmendje Elon Musk. Ai është një idiot, dhe nuk kupton asgjë nga fluturimet dhe rezistenca aerodinamike. Antena do të na kushtonte 250 milionë dollarë në vit vetëm për penalitete karburanti. Pasagjerët tanë nuk do ta paguanin atë”.

Reagimi i Musk nuk vonoi. Ai në platformën X e quajti O’Leary “plotësisht idiot”. Më pas, llogaria zyrtare e Ryanair në X ironizoi duke pyetur Musk nëse ka “nevojë për Wi-Fi” pas një ndërprerjeje shërbimi.

Në përgjigje, Musk hapi një sondazh mbi mundësinë e blerjes së Ryanair. Megjithatë, një operacion i tillë nuk do të ishte i lehtë dhe ndoshta do të kushtonte më shumë se blerja e Twitter.

Vlera e Ryanair llogaritet rreth 20 miliardë euro, dhe një ofertë armiqësore do të përfshinte një shtesë prej 30-50 për qind mbi këtë vlerë.

Për më tepër, rregullat e Bashkimit Europian kërkojnë që kompanitë ajrore europiane të jenë të kontrolluara të paktën 50 për qind nga individë dhe entitete brenda BE-së.