Një tentativë për dhunë dhe eliminim fizik, për fat ka dështuar ndaj Ednri Meksit, pronarit të MCNTV dhe kompanisë McnGet Conected.
Nuk ishte hetimi i policisë, por ndërrimi i planit që tre persona të maskuar me armë dhe shkopinj bejsbolli bënë mëngjesin e kësaj të hëne.
Kur ora shënonte 00:30 të mëngjesit të së hënës, tre personat e armatosur qëndronin në murin rrethues të McnTV në bordin e një autoveture Audi A7 ngjyrë e bardhë. Sapo z. Meksi zbret nga automjeti i tij në oborrin e televizionit, ata e ndjekin nga pas. Sa bëhen gati të veprojnë për të dhunuar apo shkrepur armët, prania e rojes në perimetrin e jashtëm të godinës dhe telefoni që ai nxori për të njoftuar policinë bëri që ata të largoheshin.
Por teksa po shkon në të tretën ditë që kur erdhën keqbërësit, ende askush s’di të thotë nga institucionet e ligjit:
Kush ishin ata tre persona?
Si qarkullohet me maskë, automjet dhe armë në një zonë si rrethrrotullimi TEG e Sauk?
Nga iku makina?
Nga erdhi makina?
Çfarë targë ka makina?
Z. Meksi dhe McnTV i kanë vënë në dispozicion policisë çdo gjë kanë pasur dhe duhet. Nga ana tjetër, në të tretën ditë rezulton se oficeri që ka marrë kallëzimin as e ka referuar në prokurori. As ka njoftuar prokurorin e as ka marrë OK të vijojë me kontrolle, sekuestrim e bastisje.
Ndaj krimit dhe nëntokës askush nuk është imun dhe shpesh ata kalojnë çdo kufi qoftë edhe ligjor, por kur ligji ecën me ritmin e breshkës për të parandaluar krime që rrezikojnë jetën, ky është thjesht një mesazh që inkurajon nëntokën apo çunat me maska./ WebLajm