E gjithë Shqipëria me sytë nga Kristjan Asllani, një gol i tij “garanton” finalen e play-off të Botërorit

Një nga emrat më të rëndësishëm për lojën e Kombëtares shqiptare të futbollit në vitet e fundit është padyshim Kristjan Asllani. Mesfushori është pikë fikse e rreshtimit të kuqezinjve dhe kjo ka bërë që ai të ketë regjistruar 38 ndeshje me fanellën kuqezi që në moshën 24-vjeçare, pjesën më të madhe të të cilave si titullar.

Por Asllani nuk ka qenë vendimtar vetëm me mënyrën se si koordinon ekipin në mesfushë, por edhe me golat e shënuar me fanellën kuqezi. Në fakt, vetëm Bajrami (7) dhe Asani (6) kanë shënuar më shumë gola se ai (4) në periudhën e drejtimit të ekipit nga Silvinjo. Por ndryshe nga dy të tjerët, golat e Asllanit deri tani kanë qenë “garanci” për fitore.

Rezulton se në të 5 rastet ku ai ka shënuar, në 5 ndeshje të ndryshme, në fund Shqipëria gjithmonë ka marrë fitore. Asllani e hapi llogarinë e tij të golave në miqësoren ndaj Armenisë në vitin 2022, në suksesin 2-0. Më pas erdhi goli ndaj Ishujve Faroe në fitoren 2-1, Gjeorgjisë në fitoren 1-0, Letonisë në suksesin 1-0 dhe së fundmi Andorrës në suksesin 1-0.

Me përjashtim të ndeshjes së parë, të gjithë golat e tjerë të Asllanit ishin gola fitoreje për kuqezinjtë, gjë që e ka bërë atë “njeriun e tre pikëve” në kampin kuqezi sa herë që tund rrjetën.