Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka dhënë edhe një tjetër provë se për të firmosur dekretet e mazhorancës nuk ka nevojë për shumë kohë. Vetëm pak orë pasi Kuvendi miratoi ligjin për pagat e magjistratëve, Presidenti dha pëlqimin për hyrjen e tij të menjëhershme në fuqi dhe më pas e dekretoi.
Mazhoranca e kishte votuar ligjin në orët e para të mëngjesit, ndërsa Begaj nuk priti procedurën normale, duke i hapur rrugë zhbllokimit të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Opozita e cilësoi dje Begajn “rojen e godinës së Parlamentit” dhe tha se dekretimi pa një qëndrim publik mbi përplasjen institucionale ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po ushtrohet roli kushtetues i kreut të shtetit. “Kushtetuta e ka konceptuar Presidentin e Republikës si një figurë mbi palët, me një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrit institucional dhe në përballimin e krizave kushtetuese.
Pikërisht për këtë arsye, në momente të përplasjeve ndërmjet institucioneve, qytetarët presin nga Presidenti qëndrime të qarta dhe ushtrimin e plotë të kompetencave që i jep Kushtetuta.
Injorimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi, nëse konstatohet, nuk mund të reduktohet në një debat teknik mbi pagat e gjyqtarëve. Po aq serioze është edhe situata e krijuar nga vonesat në trajtimin e tyre financiar. Këto çështje kërkojnë zgjidhje në përputhje me Kushtetutën, jo një përshkallëzim të konfliktit ndërinstitucional.
Në këtë situatë, dekretimi i ligjit pa një qëndrim publik të Presidentit mbi përplasjen institucionale dhe mbi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po ushtrohet roli i tij kushtetues.
Kushtetuta i ka dhënë një rol shumë më të rëndësishëm: të jetë mbi palët dhe të garantojë funksionimin kushtetues të shtetit. Për fat të keq, Presidenti i Republikës nuk perceptohet më si arbitër dhe garant i ekuilibrit kushtetues, por si një institucion që thjesht formalizon vendimmarrjen e mazhorancës. Institucioni i Presidentit nuk është Drejtor Thesari dhe as roje e godinës së Kuvendit. Bajram Begaj po”, shkruan Bardhi.
Joshja e Ramës
Por firma e fundit nuk është historia më e madhe. Ajo thjesht hap edhe një herë një dosje që shkon pas në kohë, te pasuria e Bajram Begajt dhe te mënyra se si ajo është shtuar si me magji. Në deklarimet e bëra publike ndër vite figurojnë disa pasuri, mes tyre apartament 166 metra katrorë me garazh në Tiranë, një tjetër apartament rreth 100-107 metra katrorë, pjesë e një objekti 270 metra katrorë në Llogara, tokë 1500 metra katrorë në Lundër, një dyqan në Kashar etj. Po ashtu janë deklaruar llogari bankare, investime dhe të ardhura të ndryshme. Në këtë listë është edhe apartamenti në Tiranë që është bërë objekt debati publik. Në deklarimet e pasurisë thuhet se prona ishte blerë nga prindërit në vitin 1999 për 2.5 milionë lekë dhe më pas i ishte dhënë Begajt me një çmim simbolik. Pikërisht kjo pasuri, së bashku me mënyrën e deklarimit të saj, është përdorur më pas në denoncimet publike ndaj Presidentit. Avokati Arben Llangozi ka ngritur pretendime për fshehje pasurie dhe ka kërkuar që këto çështje të verifikohen nga institucionet kompetente.
Tre vilat
Më pas, emri i familjes Begaj është lidhur edhe me pretendime të tjera për pasurinë. Në dhjetor 2025, avokati Llangozi ngriti publikisht pretendimin se në zonën e “Barka Resort” po ndërtoheshin tre vila që dyshohej se i përkisnin familjes së Presidentit, dy për djemtë dhe një për përdorim personal. Sipas pretendimit të bërë publik, ndërtimet po kryheshin në hapësirën ku ishte parashikuar një fushë basketbolli. Dhe pikërisht këtu historia e pasurisë bashkohet me marrëdhënien politike që ka prodhuar prej vitesh debat rreth Bajram Begajt. Sepse ndërsa mbi pasurinë janë ngritur denoncime dhe pyetje, në Presidencë është krijuar një model tjetër: kur mazhorancës i duhet një firmë, Begaj rrallëherë e ka vonuar. Dje kjo u pa sërish.
Begaj nuk e ka për herë të parë
Kjo mënyrë veprimi nuk është shfaqur vetëm sot. Në maj 2023, Kuvendi i kërkoi Begajt të dekretonte me procedurë urgjente ligjin për rritjen e pagave të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë. Presidenti e firmosi, madje duke kërkuar që dokumenti t’i dërgohej për firmë paradite pasi më vonë do të udhëtonte drejt Gjermanisë. Presidenca kishte dhënë përgjigje për dekretimin para se votimi të kishte përfunduar.
Dekreti për Tiranën
Begaj veproi po njësoj edhe kur Edi Ramës iu desh të bënte lojën me zgjedhje të parakohëshme në Tiranë pasi mori një kompetencë që sia njeh kushtetuta për të shkarkuar Erion Veliajn.Dekretimi i zgjedhjeve të parakohshme të Tiranës, për në 9 nëntor 2025 u bë nga presidenti në kundërshtim me nenin 115 të ligjit themeltar të shtetit, që e pezullon procesin në rastet kur kryebashkiaku i shkarkuar ankohet në gjykatën kushtetuese. Vendimi i mëpasëm i kësaj të fundit tregoi se dekreti i Begajt ishte i gabuar.
Heshtja për protestat
Ndërkohë, vendi ka mbi tre muaj protesta, Begaj nuk ka folur për situatën. Protestat kanë marrë vëmendje ndërkombëtare dhe kanë prodhuar edhe rezoluta të Parlamentit Evropian. Edhe në këtë rast Presidenti ka zgjedhur të mos përplaset publikisht me pushtetin. Prandaj zhvillimi i fundit nuk është një histori më vete. Është kapitulli i fundit i një serie episodesh që kanë vite që grumbullohen që vulos faktin se Begaj është “ushtar” besnik i Edi Ramës.