Arrestohet ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është arrestuar. 

Raportohet se në pranga janë vendosur gjithashtu edhe dy persona të tjerë, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla.

Ish-ministri është arrestuar me urdhër të SPAK për hetimet që po kryhen për abuzimet me fondet e Bashkimit Evropian për Agjencinë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Sipas SPAK, Ilir Beqaj ka abuzuar me fondet e BE-së gjatë kohës që drejtonte agjencinë SASPAC. Përmes njerëzve të besuar ku njëri prej tyre është Ermal Kurtulaj, drejtues i projektit Eusair, pranë Agjencisë, ata dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha parash, përmes faturave fiktive për shërbime të pakryera të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj e mori postin e kreut të Agjencisë në nëntor të vitit 2022 dhe e mbajti atë deri në nëntor të këtij viti kur u dorëhoq pasi SPAK nisi hetimet ndaj tij për shkeljet me koncesionin e Sterilizimit.