Sipas raportimeve të fundit nga “Tuttosport”, portieri Arijanet Muriç është objektiv i klubit të Juventusit për t’u transferuar në Torino.
Kartoni i lojtarit të Kosovës zotërohet nga Ipswich Town, ndërsa aktualisht ai luan si i huazuar te Sassuolo në Serie A.
Juventus po kërkon opsione të reja për portën dhe 27-vjeçari konsiderohet si një alternativë e përshtatshme.
Vlera e tij në treg sipas “Transfermarkt” llogaritet rreth 7.5 milionë euro pas performancave pozitive në kampionatin italian.
Gjatë karrierës së tij, Muriç ka qenë pjesë e Manchester City-t në Premier League dhe Adana Demirspor në Turqi. Ai mbetet gjithashtu zgjedhja e parë për formacionin e Kosovës.
Kjo lëvizje e mundshme vjen si rezultat i progresit që lojtari ka treguar gjatë muajve të fundit në Itali.
Media britanike Daily Mail i ka kushtuar një artikull një shtetasi shqiptar të akuzuar si vrasës profesionist me pagesë, i cili dyshohet se u fsheh për rreth dy vite në Mbretërinë e Bashkuar duke u paraqitur si bletar, për t’iu shmangur drejtësisë shqiptare.
Sipas Daily Mail, bëhet fjalë për Lorenc Lala, 48 vjeç, i cili akuzohet se ka porositur një vrasje si pjesë e një gjakmarrjeje në Shqipëri.
Ai u arrestua në qershor të vitit të kaluar, pasi autoritetet shqiptare e lokalizuan në Britani dhe lëshuan një kërkesë për ekstradim.
Një vrasës profesionist me pagesë, i akuzuar për porositjen e një vrasjeje si pjesë e një gjakmarrjeje në Shqipëri, do të dërgohet përsëri në vendlindjen e tij pasi ka jetuar dy vjet në Britani pa u zbuluar.
Lorenc Lala, 48 vjeç, pretendoi se ishte bletar kur u arrestua në qershor të vitit të kaluar, pasi autoritetet shqiptare e gjurmuan në Mbretërinë e Bashkuar dhe lëshuan një urdhër për ekstradimin e tij.
Ai dyshohet se ka organizuar një pagesë prej 42.000 paundësh për vrasjen e Albi Bashaliut, si hakmarrje për vrasjen e një personi tjetër në fshatin Gjocaj.
Bashaliu po qëndronte ulur në një makinë duke shitur pula, kur u qëllua për vdekje në vitin 2021. Mësohet se Lala është larguar nga Shqipëria drejt Britanisë, me bindjen se do ishte një vend më i sigurt, jashtë mundësisë së zbatimit të urdhrit europian të arrestit.
Ai mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar me një fluturim të British Airways në gusht 2023, ndërsa bashkëshortja e tij aplikoi më vonë për një vizë si punëtore e kualifikuar në sektorin e kujdesit shëndetësor.
Lala u paraqit sot në Gjykatën e Magjistraturës së Westminster-it, ku pranoi ekstradimin e tij nga Britania drejt Shqipërisë.
Atij iu bë e qartë se pranimi i ekstradimit ishte i pakthyeshëm, por ai dha pëlqimin e tij, duke shmangur kështu një seancë të plotë dëgjimore dyditore.
Lala qëndroi në bankën e të akuzuarve i veshur me tuta gri dhe foli përmes një përkthyesi shqip.
Gjykatësi i distriktit, Sam Goozee, i tha: “Ju tani keni dhënë pëlqimin për ekstradimin në Shqipëri. Unë do ta dërgoj çështjen te Sekretarja e Shtetit (Ministrja e Brendshme) që ajo të urdhërojë ekstradimin tuaj. Ju nuk keni të drejtë ankimi ndaj këtij vendimi. Pasi Sekretarja e Shtetit të marrë vendimin, do të bëhen përgatitjet për dërgimin tuaj në Shqipëri. Ndërkohë, do të mbeteni në paraburgim”.
Bashkëshortja e Lalës kishte marrë pjesë në një seancë dëgjimore në korrik të vitit të kaluar, por nuk ishte e pranishme sot në sallë.
Harry Perkin, përfaqësues i qeverisë shqiptare, deklaroi më herët: “I pandehuri përballet me 25 vite burg nëse ekstradohet dhe shpallet fajtor. Në dhjetor 2021, Shqipëria e kërkoi për herë të parë. Ai dyshohej për komplot për vrasje, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë. Roli i tij ishte të siguronte mjetet e transportit për grupin kriminal, si dhe armët. Roli i tij ishte i rëndësishëm. Vrasja u krye si pjesë e një grupi të krimit të organizuar, në kontekstin e një gjakmarrjeje në Shqipëri. Ekziston rreziku që i pandehuri të arratisej. Z. Lala nuk u ka dorëzuar oficerëve pasaportë apo kartë identiteti”.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës, Matei Clej tha: “Në këtë fazë, detajet janë të pamjaftueshme për të ndihmuar gjykatën të kuptojë se për çfarë akuzohet ky person. Kjo është një çështje shumë e ekspozuar në media. Zotëria përshkruhet në mediat shqiptare si vrasës profesionist dhe lidhet me disa vrasje. Nëse ai është i përfshirë në këto vrasje, ekziston një nxitje shumë e madhe për ta nxjerrë nga kjo situatë. Qëndrimi im është se lidhja e tij me vrasjen për të cilën akuzohet është shumë e dobët. I pandehuri nuk është dënuar në Shqipëri dhe ka rekord penal të pastër. Ai ka kaluar periudha të shkurtra në Greqi dhe Itali, ku gjithashtu ka pasur rekord të pastër, ashtu si në Mbretërinë e Bashkuar, ku mbërriti në gusht 2023. Ai erdhi këtu pasi partnerja e tij aplikoi për vizë punëtori të kualifikuar në sektorin e kujdesit. Ata udhëtuan së bashku me British Airways; këtë informacion e dha policia kufitare shqiptare më 3 gusht 2023. Bashkëshortja e tij nisi procesin e aplikimit për vizë në maj 2025. Ata pretendojnë se erdhën në këtë vend për përmirësim ekonomik. Ajo ka status punëtore e kualifikuar dhe i pandehuri ndodhet këtu si vartës i saj. I pandehuri ka tre fëmijë, përfshirë një foshnjë. Ai ka punuar si shofer shpërndarjeje. Më parë ka punuar si bletar në sektorin bujqësor në Shqipëri, duke përdorur tokë me qira, dhe gjithashtu ka qenë menaxher hotelesh”.
Tutat Nike Tech të veshura nga Nicolas Maduro kur u arrestua nga forcat speciale amerikane janë bërë virale, me një foto të tij në paraburgim që qarkullon në internet duke shkaktuar trazira në treg, mediat sociale dhe kërkimet në Google.
Në imazh, Maduro shihet i veshur me një kostum sportiv gri Nike Tech, një detaj që nuk kaloi pa u vënë re nga përdoruesit e internetit. Brenda pak orësh, xhaketa “shitur” në faqen zyrtare të Nike në SHBA, me kompaninë që nuk komentoi për këtë çështje, sipas Business Insider.
Sipas të dhënave nga Google Trends, kërkimet për termin “Nike Tech” shënuan një rritje të ndjeshme menjëherë pas publikimit të fotos së Maduros, duke konfirmuar vrullin viral që imazhi fitoi në mediat sociale.
Siç raportoi platforma e analizës së të dhënave PeakMetrics për Business Insider, përmendjet përkatëse në X tejkaluan 5,000 çdo ditë midis 3 dhe 5 janarit, krahasuar me rreth 325 përmendje në ditë në dy muajt e mëparshëm.
Një fotografi e ngjashme u regjistrua në TikTok, ku përdoruesit postuan video satirike, madje edhe imazhe me inteligjencë artificiale të pamjes së Maduros, ndërsa disa me humor shprehën se ishte një “reklamë të paqëllimshme” për Nike.
Nuk munguan as videot “steal the look”, të cilat analizuan koston e veshjes së Maduros, e cila tejkalon 200 dollarë.
Rrobat që ai veshi gjatë transferimit të tij në SHBA i përkasin serisë Nike Tech Fleece dhe përbëhen nga dy pjesë të veçanta: xhaketa Nike Tech Windrunner Fleece, me vlerë 140 dollarë, dhe xhaketa Fleece Jogger, me çmim 120 dollarë.
Ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshm. Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura.
Reshje shiu të herëpashershme dhe me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit që në orët e para të 24-orëshit.
Në Shkodër, Lezhë, Krujë, Kurbin, Durrës, Tiranë, Himarë, Delvinë, Sarandë, Dropull, Gjirokastër, Përmet reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë deri në orët mëngjesit.
Gjatë ditës reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit, hera-herës shtrëngata shiu shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Në orët e pasdites deri në orët e vona të mbrëmjes reshjet e shiut pritet të fitojnë intensitet deri të lartë kryesisht në Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Tropojë, Fushë Arrëz, Durrës, Tiranë, Kavajë, Fier, Berat, Vlorë,Himarë, Delvinë, Sarandë, Dropull, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, hera-herës reshje shiu në formën e shtrëngatave dhe stuhive.
Në orët e mbrëmjes në zonën e Alpeve reshje dëbore me intensitet mesatar ndërsa në verilindje në lartësitë mbi 600-800 metër dhe juglindje në lartësitë mbi 700-900 metërkryesisht në orët e pasdites dhe të mbrëmjes reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar. Mjegull e dendur / mjegullinë dhe shikim ireduktuar për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës.
Temperaturat maksimale parashikohet të arrijnë deri në 16 gradë celcius, ndërsa ato minimale deri në 6 gradë celcius.
Era do të fryjë me drejtim juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare 9 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 18 m/s.
Valëzimi në detet Jon dhe Adriiatik do të jetë i forcës 4-5 ballë.
Një 14-vjeçar në Has u shpallur në kërkim pas kërkesës së familjarëve të tij, pasi ishte larguar nga banesa me makinën e të atit.
Korrespondenti i Top Channel Bekim Lekica raporton se ai është lokalizuar dhe kapur në Mitrovicë.
Uniformat blu bënë me dije se ditën e djeshme 14-vjeçari ka marrë pa leje automjetin e të atit dhe është larguar nga banesa.
Familja ka bërë menjëherë kallëzim ne Komisariatin e Policisë në Has, këta të fundit e kanë shpallur të miturin në kërkim dhe kanë filluar menjëherë kontrollet për gjetjen e tij.
Sipas të dhënave, i mituri mbushi me 79 euro karburant makinën në dalje të Pejës, rrugës për Prishtinë./Top Channel
Mbrëmja e sotme në “Big Brother VIP 5” pritet të jetë vendimtare për ekuilibrat e shtëpisë, e cila tashmë është e ndarë në dy ambiente, duke nxjerrë në pah ndjesi të fshehura dhe tensione të reja.
Sipas promos zyrtare, spektakli i sotëm do të fokusohet te marrëdhëniet e mbetura pezull dhe te pyetja se kush ka të drejtë në konfliktet e fundit.
Por dinamika pritet të ndryshojë sërish, pasi produksioni ka konfirmuar se do të ketë hyrje të reja që do t’i bashkohen garës.
“Shtëpia nuk është më e njëjta. Ndarja e banorëve në dy ambiente nxjerr në pah ndjesi të fshehura,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Përveç surprizave emocionuese dhe debateve të pashmangshme, sonte është gjithashtu një natë e rëndësishme për lojën strategjike, pasi do të zhvillohen nominimet e para, duke vënë zyrtarisht banorët përballë rrezikut të eliminimit.
E ftuara speciale e kësaj radhe në podcastin e Grida Dumës ka qenë motra e saj, Geris. Një figurë që prej vitesh ka zgjedhur të qëndrojë larg kamerave dhe vëmendjes publike, Geris ka vendosur që këtë dalje të parën televizive ta ndajë pikërisht përballë motrës së saj, në një intervistë të veçantë dhe personale.
Gjatë bisedës, ajo ka rrëfyer për jetën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është zhvendosur që në moshë të vogël. Geris ka ndalur te rrugëtimi i saj akademik dhe profesional, duke treguar se fillimisht ishte fokusuar në muzikë, pasi kishte studiuar për kanto, por më pas kishte vendosur të linte këtë fushë për t’iu përkushtuar kriminalistikës.
Një nga aspektet më interesante të rrëfimit të saj ishte përvoja në kuadër të studimeve, ku ajo ka intervistuar të burgosur shqiptarë në burgje amerikane.
Sipas saj, një element që i bashkonte këta individë ishte karizma dhe aftësia e tyre për t’u përshtatur socialisht, një tipar që ajo e lidhte me mënyrën e socializimit në Shqipëri.
Geris: Shqipëria të jep një lloj socializimi kaq të shëndetshme, ulesh, flet e përmend, komunitetet e vogla njihen. Ndërsa në Amerikë nuk mund të njihesh me të gjithë. Pjesë e doktoraturës, të cilët nuk e përfundova ishte që të shkoja nëpër burgje edhe ishte shumë interesante kur i flisje këtyre njerëzve që ishin shqiptarë
Grida: Që ishin shqiptarë të krimit të organizuar dhe që ti mi dërgoje mua, u shfaq ky, u shfaq ky.
Geris: Ishin nga Shqipëria, Maqedonia edhe Kosova. Edhe ishte shumë e bukur ajo gjëja, pasi të shkoje aty duhet të hiqje tualetin, duhet të visheshe me gjëra të mëdha. Do futeshe në atë gjënë që ai personi të ishte komod. Dhe unë dalloja një gjë shumë interesante që kishin ata si avantazh. Meqenëse ishte një avantazh për keq. Shqiptarët ishin karizmatikë. Kam mbarë mbi 47 orë intervista me këta individë. Ishin karizmatikë.
Kur i thoja që çfarë të bëri të vazhdoje këtë rrugë, pasi ishe mirë, pasi në Amerikë ke një standart jetese më mirë se ccfarë ke pasur dhe thoshin:” Mundësitë ishin të mëdha dhe unë brenda natës mund të ndryshoja jetën e të gjithë familjarëve të mi”. Edhe e kam dalluar këtë, ka një socializim shumë të mirë në Shqipëri. Nëse themi që këtu adoleshentët janë më dembelë, pasi aty sa mbushin 18 apo 16 vjeç nisin punën këtu ka diçka që mungon.
Mënyra se si drejtuesit e shteteve në Ballkan reaguan ndaj sulmit amerikan në Venezuelë ka nxjerrë në pah një kontrast në qëndrimet politike mes vendeve të rajonit, por edhe brenda hapësirës shqiptare.
Shqipëria dhe Kosova, dy nga aleatë të zellshëm të Uashingtonit në Evropën Juglindore, u pozicionuan hapur në krah të SHBA, por mënyra dhe niveli i këtij pozicionimi tregojnë dallime domethënëse politike dhe simbolike.
Në Tiranë, reagimi erdhi nga Ministria e Jashtme. Ministrja Elisa Spiropali deklaroi se Shqipëria “qëndron pa mëdyshje përkrah Shteteve të Bashkuara” dhe presidentit Donald Trump në veprimin kundër asaj që ajo e quajti “regjimi narko-terrorist i Venezuelës”. Ajo shtoi gjithashtu mbështetjen për Sekretarin amerikan të Shtetit, duke vlerësuar “udhëheqjen e fortë” të Marco Rubios në “përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale”. Deklarata e qeverisë shqiptare ishte e drejtpërdrejtë dhe pa nuanca, por mbeti e kufizuar në nivel ministror.
Në Kosovë, tabloja ishte ndryshe, pasi reagimi erdhi nga maja e shtetit. Presidentja Vjosa Osmani doli publikisht në mbështetje të operacionit amerikan, duke shkruar se “Kosova qëndron fuqishëm përkrah Shteteve të Bashkuara” dhe Donald Trumpit. Ajo e justifikoi ndërhyrjen duke sjellë madje shembullin e Kosovës dhe duke e quajtur shtet narkotik atë që udhëhiqte deri dje Nikolas Maduro. “Presidenti Trump qëndroi përkrah popullit të Venezuelës dhe u përball me shtetin narkotik të Maduros, duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelet dhe krimi i organizuar. Kjo është se si duket forca dhe udhëheqja amerikane”, shkroi Osmani, duke e lidhur këtë qëndrim me historinë e Kosovës “Kosova e kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane, çlirimi ynë është vetë një dëshmi e saj” shkroi ajo.
Dallimi mes deklaratave që vijnë nga Tirana dhe atyre që vijnë nga Shqipëria kanë një diferencë që nuk mund të shpërfillet. Në Kosovë, krerët më të lartë të shtetit morën përsipër politikisht mbështetjen për SHBA, kurse në Shqipëri, kryeministri dhe presidenti heshtën.
Reagimi iu delegua një niveli më të ulët hierarkik, Ministrisë së Jashtme, duke krijuar përshtypjen e një qëndrimi institucional të kontrolluar, por politikisht të distancuar nga figura kryesore e pushtetit ekzekutiv, që është kryeministri Edi Rama.
Rreth një muaj më parë, në urimin që Rama dhe Begaj morën për festën e pavarësisë në 28 Nëntor, urimet e presidentit të SHBA Donald Trump dhe sekretarit të shtetit, Marko Rubio tingëllonin si paralajmërime dhe përmbanin një kërkesë të qartë për të luftuar kartelet dhe bandat e trafikut transnacional të drogës.
Mungesa e zërit të Edi Ramës bie në sy edhe për faktin se këtë fundjavë, si rrallëherë, u shmang dalja e tij në podkastin e përjavshëm të titulluar “Flasim”. Jo më kot, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ironizoi heshtjen e kryeministrit Edi Rama kur iu referua podcastit “Flasim”, me këshillën se ai duhet të ndryshojë emrin në “Heshtim”.
Kontrasti mes Kosovës dhe Shqipërisë bëhet edhe më i dukshëm kur shihet panorama rajonale. Disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, njësoj si Rama zgjodhën të jenë më të përmbajtur duke lëshuar mesazhe përmes ministrive të jashtme, ndërsa disa të tjerë e kapën shansin për ta përshëndetur arrestimin e Maduros.
Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan nuk reagoi vetë, por ministria e jashtme bëri thirrje për qetësi dhe stabilitet, duke theksuar rëndësinë e “paqes dhe mirëqenies së popullit të Venezuelës” dhe duke u kërkuar palëve të “tregojnë përmbajtje”.
Krejt i ndryshëm ishte reagimi i Greqisë, fillimisht përmes Ministrisë së Jashtme u fol për monitorim të situatës dhe mbrojtje të komunitetit grek, por më pas kryeministri Kyriakos Mitsotakis shprehu qartë mbështetjen e tij për SHBA. “Nicolas Maduro kryesoi një diktaturë brutale dhe represive që solli vuajtje të paimagjinueshme për popullin venezuelian. Fundi i regjimit të tij ofron shpresë të re për vendin”, shkroi ai.
Serbia reagoi në nivelin më të lartë politik, por në kahun e kundërt. Presidenti Aleksandër Vuçiç e shfrytëzoi rastin për të artikuluar një kritikë të ashpër ndaj rendit ndërkombëtar, duke deklaruar se “e drejta publike ndërkombëtare nuk ekziston, rendi i OKB-së ekziston në letër” dhe se “bota dominohet nga ligji i forcës dhe ligji i më të fortit”. Një qëndrim që përputhet më shumë me atë të Spanjës dhe të disa vendeve të tjera të Amerikës Latine.
Heshtja e Ramës duket një përpjekje për ta shmangur ekspozimin personal përballë një Donald Trump gjithnjë e më të paparashikueshëm në politikën e jashtme.
Herën e fundit që e përmendi emrin e Donald Trump në publik, Rama ishte duke bërë gallatë me presidentin azer, Ilham Aliev dhe atë francez Emanuel Makron për një gafë të Donald Trump që kishte ngatërruar Shqipërinë me Armeninë, ndërsa mburrej për luftrat që kishte mbyllur në pak muaj në Shtëpinë e Bardhë.
Por pa kaluar 24 orë nga kjo shaka e pamenduar gjatë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u detyrua të kërkojë falje për batutat që bëri xhiron e rrjetit X dhe u shndërruan në lajm me miliona klikime në mediat ndërkombëtare./Lapsi.al
TITULLI: Altin Dumani ka në dorë “fatin” e Shkëlzen Berishës, priten zhvillime “bombë” me dosjen e tragjedisë së Gërdecit, gati arrestimi i “sy peshkaqenit”
TEKSTI: Dosja e “Gërdecit” po hyn në një fazë vendimtare, ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dorëzuar së fundmi në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) prova të reja që lidhen drejtpërdrejt me procesin penal të kësaj ngjarjeje tragjike. Në qendër të zhvillimeve të fundit del emri i Shkëlzen Berishës. Bëhet fjalë për një faks, të sekuestruar në Ministrinë e Mbrojtjes, pa numër dhe pa datë, i cili mban shënimin “për z. Shkëlzen Berisha”. SPAK deklaroi disa ditë më parë se shënimi rezulton pjesë e përmbajtjes origjinale të dokumentit të ardhur nga Ministria e Drejtësisë dhe jo një shtesë e mëvonshme.
Shkëlzeni është përmendur me pseudonimin “djali me sy peshkaqeni”, në librin e “Armët dhe çunat”, të gazetarit të njohur të New York Times-it Guy Lawson që rrëfen skandalin e trafikut të armëve shqiptare drejt Afganistanit dhe shpërthimit të frikshëm në Gërdecit. Hetimi po ndiqet nga prokurori Altin Dumani, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e kreut të SPAK, dhe tashmë ka në dorë fatin e një prej dosjeve më të rënda të Shqipërisë post-komuniste, ku 26 persona humbën jetën dhe ku, sipas dëshmive dhe indicieve, të gjitha fijet çojnë drejt familjes Berisha. Juristja Brizida Gjikondi paralajmëroi së fundmi në një intervistë televizive se hetimi mund të prodhojë zhvillime të forta, ndërsa nuk përjashtohet goditja ndaj Shkëlzen Berishës dhe hapja e një zinxhiri përgjegjësish penale që mund të shkojë edhe më lart. Kjo sipas juristes varet nga Altin Dumani.
Çfarë deklaron Gjikondi? “Mos harrojmë që kanë vdekur 26 persona të pafajshëm, si dhe mos të harrojmë edhe diçka tjetër; po bëhen 18 vjet që kur ka ndodhur kjo ngjarje dhe, për më tepër, të gjitha tentakulat çojnë te familja Berisha. Kjo i tregon të gjitha. Është një fakt që të gjithë shqiptarët e kanë ditur pa përjashtim. E dimë të gjithë që edhe zoti Mediu, edhe kush ka qenë ministër i Drejtësisë, dhe të gjitha strukturat kanë qenë në funksion të Shkëlzen Berishës. Por, më në fund, po merret guximi që t’i vihet emër dhe mbiemër atij krimi, që është një nga krimet flagrante që ka ndodhur në Shqipërinë post-komuniste, ku 26 veta kanë humbur jetën.
Është skandaloze, sepse ky fakt dihej, por më në fund tashmë po merr emër dhe mbiemër. A rrezikon që edhe Shkëlzen Berisha të merret i pandehur për Gërdecin? Kjo varet e gjitha nga serioziteti i hetimeve të SPAK-ut, nga prokurori i çështjes, i cili përpara pak ditësh ka qenë edhe kryesuesi i SPAK-ut, zoti Altin Dumani. Gjithçka varet nga aftësia e tij për t’i shkuar hetimit deri në fund; të mos mbetet me një faks dhe me një emër sipër, edhe me ca tabulate telefoni, por realisht me anë të dëshmive të dëshmitarëve. Pavarësisht se ne e dimë që shumë prova janë zhdukur – edhe kamerat, edhe sistemi i verifikimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe shumë prova të tjera janë zhdukur – besoj se një prokuror i aftë arrin të bëjë lidhjen shkak-pasojë. Ai mund të vërtetojë që ai biznes – siç e ka thënë me emër dhe mbiemër i ndjeri Trebicka – ai biznes i demontimit të armëve në mënyrë aq joprofesionale ishte i gjithë biznesi i familjes Berisha, i djalit të zotit Berisha.”
Prapaskenat Gjikondi ka folur edhe për dyshimet se vdekja e Kosta Trebickës ishte aksident apo vrasje. “Nuk do të përjashtoja asnjë pistë, sidomos këtë të dytën. Këtu në Shqipëri ndodhin shumë gjëra, sidomos krime me petk shtetëror, por ndërkohë stimulohen sikur janë aksidentale. Nuk do ta përjashtoja, biles personalisht mendoj që nuk ka qenë aksidentale që gjoja zoti Trebicka, duke shkuar për gjueti, pati atë rrotullimin e makinës në një rrugë, në një lëndinë të drejtë. Kjo ndodhi pas pak kohësh që ai kishte bërë denoncimin në lidhje pikërisht me mënyrën se si po bëhej demontimi dhe shitja e armatimeve të Shqipërisë për në tregun e zi dhe në tregun e trafikimit të armëve”, tha ajo ndër të tjera.
E pyetur nëse prokurorët e SPAK-ut do të arrijnë që këtij hetimi t’i shkojnë deri në fund, a rrezikon Shkëlzen Berisha të merret i pandehur? Dhe nëse do të rrezikojë Shkëlzen Berisha, a do të thotë kjo që i pandehur më pas mund të merret edhe Sali Berisha për Gërdecin, Gjikondi tha: Tani, ne e kemi vënë re që Berisha, në të dy rastet – si me rastin që tani doli “non grata” dhe me problemet që ka me SPAK-un ku çështja e tij për klubin “Partizani” është në GJKKO, si dhe me rastin e djalit të tij – ai patjetër që ka lidhje indirekte me çfarë ka ndodhur me abuzimin e fëmijëve të tij. Ai ka lehtësuar komplet procedurat, por i ka lehtësuar në mënyrë joligjore se si të përfitonin fëmijët e tij në të dy rastet; si Shkëlzen Berisha në lidhje me demontimin e armëve, po ashtu edhe vajza e tij ose dhëndri i tij në lidhje me klubin “Partizani”, por edhe me shumë afera të tjera që janë përmendur. Për procedimin e tyre ose jo nuk kam ndonjë informacion, por klubi “Partizani” dhe Gërdeci janë dy raste flagrante se si Berisha, direkt ose indirekt, ka ndikuar në pasurimin e paligjshëm të fëmijëve të tij, duke vënë në dispozicion shtetin në funksion të tyre. Ndaj, edhe ai faksi me shënimin sipër për zotin Shkëlzen Berisha dhe “Selimi poshtë”, është patjetër një provë e re që SPAK po i jep forcë ligjore dhe formë ligjore. Por mos harrojmë që SPAK është aty për të zbuluar të tjera gjëra. Duhet të ketë kurajën, integritetin dhe dinjitetin t’u vërë emër të gjitha gjërave që kanë ndodhur. Puna është të ketë kurajo të flasë hapur dhe të provojë hapur që edhe zoti Mediu, edhe shumë të tjerë, kanë qenë ndihmës, por jo personazhet kryesorë të asaj që ka ndodhur atje.”/SOT.COM.al
SQARIM: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
E ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast, shkrimtarja Lea Ypi ofroi një vlerësim tejet të kthjellët të asaj se çfarë mund të prodhojë në Shqipëri ndjesia në rritje e braktisjes dhe përjashtimit politik që një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë përjeton.
E pyetur nëse ky akumulim i mllefit mes atyre që ndihen të pafuqishëm dhe të padëgjuar mund të transformohet në një lëvizje të re politike apo shoqërore, Ypi u shpreh se hapësira për forca realisht transformuese demokratike në Shqipëri mbetet tepër e kufizuar.
“Sot në Shqipëri ka shumë pak hapësirë për të patur një lëvizje vërtetë transformuese demokratike,” tha Ypi, ndërsa e lidhi këtë jo vetëm me kulturën e brendshme politike, por edhe me pozitën gjeopolitike të vendit. “Fati i Shqipërisë është i lidhur me fatin e Ballkanit dhe me fatin e Europës, dhe sidomos procesi i integrimit në Bashkimin Evropian që është një proces që nuk vihet në dyshim nga asnjë nga aktorët politikë, i vë kufij shumë të mëdhenj dinamikave të brendshme transformuese.”
Sipas Ypit, ky consensus thuajse absolut rreth integrimit në BE, i kufizon së tepërmi dinamikat e brendshme politike: “Ky është një aspekt, pra fakti që ne nuk është se kemi shumë mundësi zgjedhjeje këtu, jemi ose me Bashkimin Europian, ose në një kontekst që ka aq shumë të papritura, sa askush nuk do as ta marri parasysh si skenar të mundshëm hipotetik.”
Përtej gjeopolitikës, Ypi vuri në dukje një problem më të thellë strukturor në jetën politike shqiptare, që është personalizimi i politikës. “E dyta, dhe ndoshta kjo është një pyetje që ka të bëjë më shumë me natyrën e zhvillimeve historike dhe politike në Shqipëri, mendoj që në Shqipëri akoma ka një kulturë të personalizimit të politikës,” theksoi Ypi, ndërsa sugjeron se kjo vjen si pasojë e trashëgimisë së komunizmit por edhe për shkak të modeleve më të hershme historike.
“Po të shikojmë e gjithë, edhe pas rënies së diktaturës, edhe pas vdekjes Enver Hoxhës e gjithë politika shqiptare bashkëkohore, është politikë që lexohet në kontekstin e ndërveprimeve midis 3, 4, 5 individëve të caktuar me emra dhe vazhdimisht edhe akuzat, edhe kritikat, edhe debati publik merr gjithmonë formën që e lidh ndërhyrjen në politikë me gjykimin ndaj këtyre aktorëve si individë.”
Në këtë kontekst, ajo paralajmëron se pakënaqësitë kanë pak gjasa të kristalizohen në transformim demokratik. “Në këtë kontekst politika demokratike kur bëhet personale, kur bëhet individuale, kur lidhet gjithmonë me liderin – ose me liderin e qeverisë, opozitës të një fuqie të tretë politike – dhe kur nuk flitet për aktorët dhe për projektet, nuk mund të jetë politikë demokratike.”
Megjithatë, pavarësisht kësaj diagnose, Ypi e refuzon idenë se Shqipëria nuk ka shpresë. “Shpresa është diçka që lidhet me veprimin dhe për sa kohë që ne i ngremë, shtrojmë probleme, shtrojmë kritika, për sa kohë ka zëra që arrijnë që ta artikulojnë ose që të diskutojnë, ta diskutojnë këtë si problem, nuk besoj që mund të themi që jemi të pashpresë.”
Ajo thekson se demokracia nuk është një arritje e vetme në një moment të caktuar, por një proces i vazhdueshëm. “Demokracia është dithçka që ndërtohet çdo ditë, ndërtohet me ndërhyrjet tona, të secilit nga ne dhe të qytetarëve, të mediave, të gazetarëve etj. Pra është një punë e përbashkët për sa kohë që ne mbetemi të aktivizuar dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë, ta marrim këtë përgjegjësi nuk mund të them që nuk ka shpresë.”
Episodi i plotë i Apostrof Podcast me Lea Ypin publikohet të dielën, ora 17:00, në kanalin e gazetës TemA në Youtube.