Një kamer në fshatin Leshicë të Përmetit mundi të fiksojë për herë të fundit 66-vjeçarin Agron Çumani, para se të humbte çdo kontakt me familjen dhe të zhdukej përfundimisht pasditen e 4 nëntorit.
Policia dhe familja kanë nisur kërkimet vullnetare, deri në kufi me Greqinë por pa rezultat. Disa banorë të fshatit Lëshicë tregojnë se e kanë parë 66-vjeçarin të ecë i qetë me një thes në duar, ashtu si në këto pamje, raporton TCH
Bashkëshortja e tij, Florida Çunami sqaroi se ditën e martë Agroni ka dalë për të kryer disa analiza dhe që nga ajo ditë nuk është kthyer më.
Çfarë e bën më tronditëse këtë ngjarje janë rrëfimet e banorëve, të cilët tregojnë për Top Channel se vite më parë në të njëjtën zonë, në segmentin e vjetër të rrugës Përmet-Lëshicë janë zhdukur pa lënë gjurmë edhe dy persona të tjerë.
Banorët hedhin poshtë edhe mundësinë e mbytjes së këtyre personave në lumin Vjosë, pasi deri më tani nuk është gjetur asnjë shenjë.
Rritja e kostove të jetesës në qiratë dhe çmimet e ushqimeve, te cilat tani janë mbi mesataren europianë po largojnë pensionistët e huaj që kishin zgjedhur vendin tonë për të jetuar.
Sipas të dhënave të INSTAT grup-mosha mbi 60 vjeç përfaqëson një pjesë të rëndësishme te të huajve në vendin tonë. Vitin e kaluar 3007 persona në këtë grup-moshë ishin me leje qëndrimi në vendin tonë më rënie 15.5% në krahasim me vitin 2023.
Ndonëse numri i përgjithshëm i të huajve me leje qëndrimi është rritur (nga 21,460 në 2023 në 21,940 vitin e kaluar), grup-mosha mbi 60 vjeç është tkurrur si në numër, ashtu edhe në përqindje.
Ulja e këtij grupi lidhet lëvizjen e pensionistëve të huaj drejt vendeve të tjera me kushte më të favorshme për qëndrime afatgjata ose me kosto më të ulët të jetesës.
Të dhënat tregojnë se profili i migracionit drejt Shqipërisë po bëhet më aktiv dhe më i ri në moshë, me rënie të komponentit “rezidencë e përhershme pas pensionit”.
Në grup-moshën deri në 19 vjeç, numri është rritur pak nga 1,891 në 2023 në 1,947 persona në 2024 persona çka përbën rreth 9% të totalit të emigrantëve në vendin tonë. Kjo kategori përfshin kryesisht fëmijë dhe të rinj që jetojnë në Shqipëri si pjesë e familjeve të huaja ose të prindërve që punojnë në vend. Pesha e qëndrueshme e këtij grupi tregon se flukset familjare nuk kanë ndryshuar ndjeshëm.
Grup-mosha 20–29 vjeç është rritur më shumë se çdo kategori tjetër, nga 3,811 persona në 2023 në 4,356 persona në 2024, ose 14%, duke zënë 20% të totalit të personave të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri. Kjo tregon një zgjerim të ndjeshëm të prurjeve të të rinjve, apo punonjës sezonalë apo studentë që po e shohin Shqipërinë si destinacion për studime, punë etj.
Në grup-moshën 30–39 vjeç vihet re gjithashtu një rritje e fortë vjetore me 11.7% me një numër total 5,395 persona në 2024. Kjo grup-moshë zuri 24% të totalit të emigrantëve. Kjo moshë përfaqëson kryesisht njerëz aktivë në tregun e punës, profesionistë që vendosen për periudha të mesme ose afatgjata për arsye ekonomike. Rritja e kësaj grupmoshe tregon se Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë të huaj në moshë pune, të cilët e shohin vendin si një hapësirë me mundësi punësimi ose investimi.
Në kategorinë 40–49 vjeç, numri i të huajve arriti në 4,283 persona në 2024 me zgjerim 10%. Edhe kjo grup-moshë përfshin individë aktivë profesionalisht, shpesh me përvojë të konsiderueshme, që mund të punojnë në sektorë si ndërtimi, energjia apo shërbimet financiare.
Grup-mosha 50–59 vjeç ka shënuar një rënie me 15%, çka tregon se të huajt e kësaj moshe nuk zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri, ndoshta për shkak të moshës afër daljes në pension./Monitor
Kryeministri u dha ultimatum bashkive që deri më 31 tetor të dërgonin hartat e tokave që do “investohen” nëpërmjet “Paketës së Maleve”. 56 kryetarë bashkish refuzuan ta zbatojnë, duke mos firmosur për pazaret që favorizojnë klientët e qeverisë me dhurata prej qindra hektarësh…
Pas grabitjes së bregdetit dhe pronave shtetërore përmes ligjit të “investimeve strategjike”, Edi Rama po shtyn me urgjencë projektin “Paketa e Maleve”, një plan i maskuar si nxitje investimesh për zonat malore, por që në thelb synon tjetërsimin e tokave dhe pyjeve publike e private në favor të një rrethi klientelist. Urdhri për dorëzimin e hartave të tokave u dha më 23 tetor 2025, ndërsa shumica e bashkive refuzuan të firmosin, nga frika se do të mbeten përgjegjës ligjërisht për këtë aferë.
Kryeministri Edi Rama ka kaluar në fazën e presionit të hapur ndaj kryetarëve të bashkive, për të përshpejtuar projektin e ashtuquajtur “Paketa e Maleve”; që në propagandë shitet si “strategji zhvillimi për zonat malore”, por që në realitet është një skemë e re grabitjeje pronash publike dhe private në emër të investimeve strategjike.
Në takimin e zhvilluar më 23 tetor 2025, Rama u ka lënë kryebashkiakëve afatin e fundit deri më 31 tetor për të dorëzuar hartat e tokave dhe pyjeve që do të përfshihen në projekt, duke paralajmëruar ndëshkime politike për ata që vonojnë. Por deri në datën e ultimatumit, vetëm 5 bashki; Tropoja, Elbasani, Belshi, Përmeti dhe Skrapari, e kanë zbatuar urdhrin dhe kanë dërguar dokumentet përkatëse. 56 bashki të tjera e kanë shpërfillur, duke refuzuar të firmosin aktet që do t’i bënin përgjegjës për dhënien “falas” të qindra hektarëve në duart e klientëve të qeverisë.
Presion dhe Task-Forca për “ndarjen kolektive të fajit”
Sipas burimeve të “Pamfletit”, në takimin e 23 tetorit, Rama ka folur me tone ultimative:
“Zgjohuni nga ky gjumë dhe mos kini frikë të firmosni. Çdo konflikt apo përgjegjësi do ta marrë përsipër qeveria. Brenda tetorit duhet të dërgoni hartat e tokave që do miratojë qeveria.”
Por refuzimi masiv i bashkive për të dërguar dokumentet ka treguar se frika e përgjegjësisë penale është më e fortë se presioni politik. Në përpjekje për t’i qetësuar, Rama u ka kërkuar të krijojnë “Task-Forca” lokale, për të ndarë përgjegjësinë në mënyrë “kolektive” mes drejtuesve të bashkive dhe nëpunësve të tyre teknikë, me qëllim që në rast hetimi të mos përgjigjet askush individualisht.
Por edhe ky marifet juridik nuk ka funksionuar, pasi në fund, sipas ligjit, aktet përfundimtare të tjetërsimit të pronave do t’i nënshkruajnë vetë kryebashkiakët, të cilët do të mbajnë përgjegjësi direkte për çdo shkelje ligjore.
“Paketa e Maleve”: grabitja e pasurisë që ka mbetur
“Paketa e Maleve” është skema e re e grabitjes së pasurive shtetërore dhe private, pas asaj që u krye në bregdet dhe mbi ish-pronat e ndërmarrjeve shtetërore e repartet ushtarake. Ashtu si me ligjin për investimet strategjike, që u përdor për të privatizuar tokat bregdetare dhe resortet turistike përmes kontratave “1 euro” dhe Korporatës së Investimeve, tani radha ka ardhur te malet, pyjet dhe kullotat.
Sipas dokumenteve të brendshme të qeverisë, që disponon “Pamfleti”, Rama ka përcaktuar paraprakisht emrat e “investitorëve” që do t’i përfitojnë tokat, përfshirë disa oligarkë dhe kompani të huaja që do marrin 10 vjet përjashtim nga taksat dhe pronësi të plotë mbi tokën. Në shumë raste, këto janë toka private të ndara me ligjin 7501 ose me vendime gjyqësore të formës së prerë, të cilat do të grabiten përmes vendimeve bashkiake të inskenuara si “zhvillim ekonomik”.
Regjistrimet në Kadastër, të bllokuara qëllimisht
Për të lehtësuar procesin, qeveria ka bllokuar regjistrimet në Kadastër, duke penguar pronarët legjitimë të regjistrojnë tapitë e tyre në zonat malore. Kjo është bërë që toka të konsiderohet “pa pronar të identifikuar” dhe të përfshihet në “Paketën e Maleve” si pronë shtetërore që mund të jepet për investim. Në thelb, është një formë moderne e eksproprijimit të paligjshëm, ku shteti grabit tokën për ta dhënë më pas klientëve të pushtetit.
Qëllimi politik: para dhe kontroll
Burime nga qeveria pohojnë se Rama po nxit “Paketën e Maleve” për të mbajtur gjallë sistemin e financimit politik dhe për të shpërblyer klientët që e kanë mbështetur financiarisht në fushatat elektorale. “Paketa e Maleve” është valixhja e re e korrupsionit electoral, një mënyrë për të gjeneruar para të pista në emër të “zhvillimit rajonal” dhe për të ruajtur besnikërinë e rrjetit të tij ekonomik e politik.
“Paketa e Maleve” është projekti i fundit i grabitjes shtetërore në një Shqipëri ku çdo ligj, çdo reformë dhe çdo nismë “zhvillimi” përdoret për të shitur pasuritë kombëtare në tregun e klientëve të pushtetit. Kryebashkiakët e kanë kuptuar rrezikun dhe po hezitojnë të firmosin, sepse nesër do të jenë ata që do të përgjigjen para SPAK-ut, jo kryeministri që ua kërkon. Në fund, ashtu si “bregdeti” u shndërrua në mall privat, edhe malet dhe pyjet shqiptare po bëhen monedhë e re politike në duart e Ramës./Pamfleti
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, që kohët e fundit duket më i frymëzuar nga ndjenjat sesa nga politika, ka folur sërish për lidhjen e tij me moderatoren dhe ish-kolegen e partisë, Grida Duma.
Në një intervistë për ‘TAR’, Salianji u pyet se sa krenar është për Dumën, pyetje të cilës ai iu përgjigj pa hezitim: “Jam shumë krenar. Është fat dhe pjesë e botëkuptimit tim.”
Ndërsa i përket martesës, Salianji tha se nuk do të thotë që dy njerëz të jenë bashkë, duhet të jenë të martuar.
“Unë mendoj se si të vjen apo varet se ku të vjen! Besoj se njeriu duhet të jetë jo vetëm i lirë, por duhet të zgjedhë e rrugën e vet. Nuk bën vetëm martesa që dy njerëz të jenë me njëri-tjetrin. Ndërsa në aspektin e bashkëjetesës, nuk mendoj se bën ndonjë ndryshim”, deklaroi Salianji.
Gjithashtu Salianhi tha se beson tek dashuria dhe nuk futet te ata njerëz që mendon se ajo ekziston vetëm në filma.
“Unë futem njerëzit besimtar. Besoj në zot dhe besoj se dashuria ekziston dhe nuk është vetëm në libra. Nuk e shoh si diçka kontratuale! Për mua është e rëndësishme kimia ndjesia, etj”, tha ai.
Një pako e dyshimtë u dërgua në një bazë ushtarake amerikane në Maryland të enjten, gjë që bëri që të paktën 7 persona të sëmuren dhe të dërgoheshin në spital, raporton CNN.
Disa persona u transportuan në Qendrën Mjekësore Malcolm Grow në bazë pasi u hap pakoja, e cila përmbante një pluhur të bardhë të panjohur, thanë tre burime të njohura me hetimin.
Një deklaratë nga Baza e Përbashkët Andrews, e cila ndodhet jashtë Uashingtonit, DC, tha se një ndërtesë në bazë u evakuua pasi një individ “hapi një paketë të dyshimtë”.
“Ekipet e ndihmës së shpejtë të Bazës së Përbashkët Andrews u dërguan në vendngjarje, të cilat përcaktuan se nuk kishte kërcënime të menjëhershme dhe ia kanë dorëzuar vendin e ngjarjes Zyrës së Hetimeve Speciale. Një hetim është duke vazhduar aktualisht”.
Një nga burimet e njohura tha se një provë fillestare në terren nga ekipi i Hazmat nuk zbuloi asgjë të rrezikshme përveç hetimit, dhe përpjekjet për të identifikuar natyrën e substancës së bardhë mbeten në vazhdim.
Shkalla e çdo sëmundjeje të raportuar nga ata që ishin afër paketës nuk dihet ende, por dy burime të njohura me incidentin i thanë CNN se individët e dërguar në spital u trajtuan për simptomat e tyre dhe më pas u lanë të lirë.
Dhoma ku u hap zarfi, e vendosur në një ndërtesë ku ndodhet Qendrën e Gatishmërisë së Gardës Kombëtare Ajrore, mbetet e mbyllur.
Hetuesit po vlerësojnë gjithashtu propagandën politike që ishte përfshirë në paketë, thanë dy burimet.
Baza e Përbashkët Andrews është baza ushtarake përmes së cilës personalitete të rëndësishme si presidenti, zëvendëspresidenti dhe sekretarët e kabinetit udhëtojnë rregullisht për punë zyrtare. Presidenti Donald Trump ishte në Bazën e Përbashkët Andrews të mërkurën.
Qendra e Gatishmërisë së Gardës Kombëtare Ajrore funksionon si një ndërlidhës midis Byrosë së Gardës Kombëtare dhe njësive të Gardës Kombëtare Ajrore në çdo shtet dhe territor.
Urdhër-arresti është lëshuar për një total prej 37 personash, përfshirë ministrin e Mbrojtjes izraelite dhe Shefin e Forcave të Armatosura…
Turqia ka lëshuar urdhër-arreste për akuza për gjenocid kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe zyrtarëve të lartë brenda qeverisë së tij.
Midis 37 të dyshuarve të listuar ishin ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe shefi i ushtrisë, gjenerallejtënant Eyal Zamir, thuhet në një deklaratë nga zyra e prokurorit të Stambollit, e cila nuk e publikoi listën e plotë.
Turqia i ka akuzuar zyrtarët për “gjenocid dhe krime kundër njerëzimit”, të cilat Izraeli i ka “kryer sistematikisht” në Gaza.
Sipas dokumentit të prokurorit turk, Izraeli ka kryer sistematikisht krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza, duke rezultuar në vdekjen e mijëra njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë, mijëra të tjerë janë plagosur, dhe shtëpitë dhe objektet janë bërë të pabanueshme.
Deklarata i referohet gjithashtu “spitalit të miqësisë turko-palestineze”, të ndërtuar nga Turqia në Rripin e Gazës dhe të bombarduar nga Izraeli në mars.
Në të njëjtën kohë, Prokuroria e Stambollit hapi një hetim ex officio për krimet e kryera kundër individëve që morën pjesë në flotiljen që transportonte ndihma humanitare për në Gaza.
Duke kujtuar se 6-vjeçarja Hind Rajab u vra me 335 plumba nga ushtarët izraelitë më 29 janar 2024, deklarata thekson: “që nga 7 tetori 2023, veprime të tilla kanë vazhduar të përshkallëzohen çdo ditë. Sulmi i 17 tetorit 2023 në Spitalin Baptist Al-Ahli mori 500 jetë; më 29 shkurt 2024, ushtarët izraelitë shkatërruan qëllimisht pajisjet mjekësore; më 21 mars 2025, spitali i miqësisë turko-palestineze u bombardua; shumë objekte të tjera shëndetësore u sulmuan gjithashtu në mënyrë të ngjashme; Gaza u vu nën bllokadë dhe viktimave iu mohua qasja në ndihmë humanitare”.
Deklarata vuri në dukje se kjo situatë tërhoqi vëmendjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare dhe se aktivistët në bordin e Flotiljes Global Sumud ishin nisur drejt Gazës për të shpërndarë ndihmë humanitare, por u sulmuan nga marina izraelite në ujërat ndërkombëtare.
Ai shtoi se një hetim ex officio ishte nisur për këtë sulm sipas neneve 12 dhe 13 të Kodit Penal Turk, nenit 15 të Kodit të Procedurës Penale dhe dispozitave të Konventës së OKB-së mbi Ligjin e Detit, për krimet e “torturës”, “plaçkitjes së rënduar”, “dëmtimit të pronës”, “privimit të lirisë” dhe “rrëmbimit ose ndalimit të automjeteve të transportit”.
Në deklaratë thuhet se personat e ndaluar nga Izraeli u dërguan në Turqi me avion më 4, 7, 9 dhe 10 tetor, ku iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore dhe psikologjike në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Stambollit dhe raportet iu dorëzuan zyrës së prokurorit.
“Zyra jonë e Kryeprokurorit Publik mori deklaratat e individëve në cilësinë e viktimave dhe ankuesve, dhe letra iu dërguan Drejtorisë së Sigurisë Provinciale të Stambollit dhe Organizatës Kombëtare të Inteligjencës me qëllim zbulimin e së vërtetës materiale dhe identifikimin e individëve me përgjegjësi penale në incident gjatë hetimit”, tha zyra.
Gjatë hetimit, përfaqësuesit ligjorë të viktimave paraqitën gjithashtu kërkesa në prokurori në lidhje me procesin, dhe Shoqata e Avokatëve Nr. 2 e Stambollit ngriti një padi penale të premten, thuhet në deklaratë.
“Në dritën e provave të marra, është përcaktuar se zyrtarët shtetërorë izraelitë mbajnë përgjegjësi penale për aktet sistematike të ‘krimeve kundër njerëzimit’ dhe ‘gjenocidit’ të kryera në Gaza, si dhe për veprimet e kryera kundër Flotës Globale Sumud”, shtoi ajo.
“U përcaktua se të dyshuarit nuk mund të arrestoheshin pasi ata aktualisht nuk ndodhen në Turqi. Me kërkesë të Zyrës së Prokurorit Publik, më 7 nëntor 2025, Gjykata Penale e Paqes në Stamboll lëshoi urdhër-arreste për 37 të dyshuar, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes Yisrael Katz, ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, shefin e Shtabit të Përgjithshëm Eyal Zamir dhe komandantin e Marinës David Saar Salama, me akuzat për “krime kundër njerëzimit” sipas nenit 77 dhe “gjenocid” sipas nenit 76 të Kodit Penal Turk”, njoftoi zyra e Prokurorit.
Në deklaratë shtohet se hetimi po kryhet me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Vitin e kaluar, Turqia iu bashkua çështjes së Afrikës së Jugut, e cila akuzonte Izraelin për gjenocid, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë .
Një armëpushim i brishtë ka qenë në fuqi në territorin e shkatërruar palestinez që nga 10 tetori, si pjesë e planit rajonal të paqes të Donald Trump.
Një ekspert ukrainas i ka dhënë fund spekulimeve rreth një videoje që tregon një qen blu që endet në zonën e kontaminuar të katastrofës bërthamore të Çernobilit, në Ukrainën veriore.
“Ky është absurditet”, u tha Serhiy Kireev gazetarëve në Çernobil.
Kireev, i cili drejton kompaninë shtetërore përgjegjëse për monitorimin e zonës, ”Ecocenter”, konfirmoi se ”nuk ka qen blu në Ukrainën veriore”.
”Qentë janë sterilizuar për të frenuar shumimin e tyre. Ngjyra blu tregon se cilat kafshë i janë nënshtruar procedurës”, shpjegoi ai.
“Ngjyra është e padëmshme për këta qen”, tha Kireev.
Pamjet e disa qenve blu kishin qarkulluar gjerësisht në mediat ndërkombëtare, duke nxitur spekulime rreth efekteve të kontaminimit radioaktiv të zonës.
Shpërthimi i një reaktori bërthamor në termocentralin e Çernobilit në ish-Bashkimin Sovjetik në prill të vitit 1986 konsiderohet katastrofa më serioze në historinë e përdorimit civil të energjisë bërthamore.
Biznesmeni nga Kosova Behgjet Pacolli zbuloi për herë të parë prapaskenat se si ai u përfshi në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Pacolli zbuloi edhe një takim që ishte zhvilluar në zyrën e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku në prani të përfaqësuesit të kompanisë turke që tregon se tenderi ndërkombëtar për këtë koncesion ka qenë fiktiv pasi fituesit ishin të paracaktuar.
Fillimisht Pacollit ka dhënë versionin e tij për mënyrën se si mësoi për këtë investim.
“Ai (Valon Ademi) vjen dhe e shpalos idenë dhe më thotë se është ky koncesion i cili ka dështuar një herë në të kaluarën për shkak se investitorët nuk e kanë parë si fitimprurës, por sipas tij mund të ishte interesant. Ai më tha se donte të hynte, por nuk e kishte mundësinë pasi nuk i kishte as referencat dhe as mundësitë financiare. I kam kaluar dokumentet kompanisë që t’i shqyrtonte nëse ishte me interes.
Nuk kam folur me Ramën, me asnjë. Zonjën Balluku e kam takuar më vonë. Kompania më ktheu përgjigje dhe më tha se ishte me interes ndaj bënë referencën dhe dokumentet bankare. Më thonë se dokumentet janë gati, por më thanë se na mungonte një kompani menaxhuese për shkak se kontrata e koncesionit e kërkonte edhe këtë. Duhej një kompani menaxhuese pas ndërtimit. Kompania ime në Zvicër kontaktoi disa kompani, në Francë, në Gjermani… Mbetën në kontakt me Aeroportin e Munihut dhe ata treguan interes dhe prisnin që ne t’i thërrasim” – tregoi Pacolli.
Më pas është zhvilluar takimi me turqit dhe Ballukun në zyrën e kësaj të fundit, takim nga i cili Pacolli mbeti i pakënaqur për mënyrën se si u trajtua nga ministrja.
“Në këtë kohë marr një telefonatë nga një person në Turqi, të cilin unë e kisha njohur herët në Kazakistan, një i ashtuquajtur Hyseni që më thotë: “Zoti Behgjet unë jam ai” dhe më bie ndërmend kush ishte. Ai më tha se kishte marrë një telefonatë nga Presidenca turke që të udhëtonte në Shqipëri me dy detyra. E para ishte që të ndërtonte një spital dhe e dyta për një aeroport që ata mund të ishin bashkëfinacues. I them: “Pse jo. Është në rregull kjo që të bëhet”.
Unë isha më pas në një event në Kazakistan ku ishte dhe ai dhe biseduam. E lamë që të bëjmë një takim në Shqipëri. Kam marrë një telefonatë prej tij më pas dhe më tha që kishte lënë një takim në ministrinë e Infrastrukturës në Shqipëri dhe më pyeti nëse mund të vija dhe unë. Dhe unë shkova. Ishte një ditë me shi. Unë u vonova pak në trafik, por ai më priste para derës së ministrisë. E takova në fund të shkallëve dhe shkuam të ministrja.
Hymë brenda dhe ai u ul përballë ministres. Unë mbeta në një anë tjetër. Unë shihja në fytyrë vetëm turkun dhe shpinën e ministres gjithë kohën. Kuptova që ministrja i propozoi që të marrë pjesë në këtë tender. Ajo i propozoi që të ishin bashkë-financues. Unë në një moment ju them: “Ju jeni duke bërë muhabet. Unë po shkoj. Po e pres këtë mikun tim poshtë në restorant. Përshëndetem me ta dhe dal. Të them të drejtën isha pak i fyer. Ishte hera e parë që shkoj diku dhe dikush nuk më konsideron.
Megjithatë turku erdhi në restorant dhe më tha se do të merrte 60%. I thashë dakord, por unë do të rivlerësoja nëse ia vlente të hyja në minorancë në këtë investim apo jo. Kam folur me kompaninë dhe isha i bindur që të mos hyja në këtë investim. Duke u kthyer në Kosovë, turku më telefonon dhe më thotë që unë do të kisha 60% dhe ata 40%. Megjithatë marrëveshja ishte që 2% i merrte Valon Ademi ndaj në fund ramë dakord që unë të kisha 58%, turqit 40% dhe Valon Ademi 2%” – tha Pacolli.
Një tjetër qeveritar është futur në ‘listën e zezë’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo ishte deklarata e analistit Lorenc Vangjeli në studion e ‘Top Story’ me Grida Dumën.
Sipas Vangjelit dikush nga tryeza qeveritare i ka kthyer përgjigje negative amerikanëve, por këtë infromacion analisti e la ‘në hije’ duke mos dhënë më tepër detaje se për çfarë bëhet fjalë.
Ndërkohë Sali Berisha është një ish-funksionar i lartë i Shqipërisë, i cili është shpallur non grada nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Është vetëm fillimi. Nisur nga hetimet e mëparshme të SPAK, çfarë duket është shumë më pak se çfarë vjen më pas. Ajo që vjen më pas është dhe më e rëndë… një tjetër lëvizje tektonike pritet të vijë. Është një sekret publik që qarkull në Tiranë për një tjetër anëtar të tryezës qeveritare, u ka thënë jo amerikanëve. Kanë shumë instrumente për të ndërhyrë, dhe një nga instrumentet është non-grata”, tha Vangjeli.
Eva Ndoja solli shkëlqim në metropolin e Cyrihut në Zvicër, por paraqitja e saj përfundoi me një skandal.
Këngëtarja 36-vjeçare shqiptare këndoi vetëm për disa minuta në prill të vitit 2024, kur policët bastisën klubin e natës dhe e arrestuan.
Në atdheun e saj, Ndoja është prej kohësh një yll videoklipi i saj më i ri në YouTube është parë miliona herë.
Në rrjetet sociale e ndjekin mbi 130.000 persona, dhe edhe në Zvicër ajo ka shumë fansa.
Drejtuesit e klubit në Brüttisellen duan të përfitojnë nga kjo famë. Klubi i natës ndodhet në një ndërtesë industriale të thjeshtë, pranë nyjës së autostradës.
Ata shtypin fletëpalosje me portretin e Ndojës dhe premtojnë një mbrëmje plot shkëlqim.
Të pranishmit në festë po kremtonin Bajramin, festën myslimane të flijimit. Ishte ora tre e mëngjesit, kur Eva Ndoja dhe një shoqe e saj morën mikrofonin. Pas disa minutash, në klub shpërthen papritur paniku — policët arrestojnë këngëtaren e habitur.
Dyshimi: Ndoja po këndonte pa leje pune. Ajo kalon një natë në paraburgim, dhe prokuroria lëshon një urdhër dënimi ndaj saj. Por Eva Ndoja nuk dorëzohet ajo kundërshton.
Një aksion i madh policor
Rasti i këngëtares çon drejt e në mes të botës së klubeve të Ballkanit. Ka dhjetëra të tillë në Zvicrën qendrore, dhe të gjithë funksionojnë sipas të njëjtit koncept: Balkan beats, koncerte dhe valltare.
Me emra të njohur, pronarët e klubeve përpiqen të tërheqin sa më shumë mysafirë në lokalet e tyre. Këngëtarët e vjetër të folklorit kujdesen për ndjenjat nostalgjike të diasporës, ndërsa reperët e egër synojnë publikun e ri.
Por hetuesit besojnë se disa nga këto klube janë shumë më tepër sesa vende argëtimi për të rinjtë nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Kroacia apo Kosova. Sipas organeve të drejtësisë, ato shërbejnë si maskë për biznese të dyshimta, në të cilat përfshihet edhe krimi i organizuar. Këtë e tregojnë disa hetime të mëdha të viteve të fundit.
Megjithatë, është një botë ku hetuesit mezi arrijnë të depërtojnë. Skena është e organizuar mirë, me strukturë hierarkike, e mbyllur dhe e heshtur ndaj të jashtmëve. Për këtë arsye, hetuesit e Cyrihut përqendrohen në goditje të sakta dhe të qëlluara.
Aksione si ai i prillit 2024, kur Eva Ndoja u shoqërua nga policia, janë pjesë e kësaj strategjie. Atëherë hetuesit kontrolluan gjithsej trembëdhjetë klube gjatë dy fundjavave, përfshirë pronarët, punonjësit dhe mysafirët. 47 persona u arrestuan përkohësisht, kryesisht për shkelje të ligjit për të huajt.
Mes tyre kishte disa muzikantë. Në Buchs të kantonit të Cyrihut, hetuesit arrestuan disa këngëtare, një këngëtar dhe një reper, pasi nuk kishin leje pune. Në një lokal në Schlieren, ata shoqëruan edhe pop-starin serb Seka Aleksi? — thuhet se edhe asaj i mungonte leja e punës.
Përveç kësaj, gjatë aksionit policia gjeti në disa lokale armë zjarri, municion, një armë sinjalizuese, shkopinj gome dhe një shkop bejsbolli. Në fund, 70 persona u paditën.
Këngëtarja dhe “asi” i saj i fshehtë në mëngë
E veshur e tëra në të zeza, me syzet e diellit ngritur lart dhe pallton hedhur mbi supe — Eva Ndoja shfaqet, një vit e gjysmë pas incidentit, në sallën e Gjykatës së Qarkut në Uster. Urdhrin penal, që e akuzonte se kishte ushtruar veprimtari fitimprurëse pa leje pune në klubin e natës, këngëtarja nuk e pranoi. Në vend të kësaj, ajo angazhoi një avokat.
Për gjyqin, Ndoja ka udhëtuar nga Gjermania, ku jeton, drejt Zvicrës. Me gjyqtarin flet qetësisht dhe me vendosmëri. Ajo thotë: “Jam këtu sot për ta paraqitur çështjen siç duhet”. Dhe shton: “Kërkoj të drejtën time”.
Megjithëse po këndonte në momentin kur policët hynë në klub, dhe megjithëse organizatorët kishin shpërndarë fletëpalosje me fytyrën e saj për të promovuar mbrëmjen, këngëtarja deklaron: “Unë nuk po punoja atje”.
Ndoja tregon një histori krejt tjetër. Ajo nis disa ditë para Bajramit, në Kosovë. Aty, këngëtarja kishte vizituar një mike të saj të cilën më pas e arrestuan gjithashtu.
Të dyja kishin planifikuar si ta kalonin festën. Sipas saj, mikja i kishte thënë: “Do të shkojmë në Zvicër si të ftuara”. Një i njohur i kishte ftuar.
Sapo mbërritën në Zvicër, i njohuri i dërgoi në klubin e natës në Brüttisellen. Me askënd tjetër nuk kishte pasur kontakt, betohet Ndoja: “Nuk i njihja këta njerëz”. As para nuk kishte marrë as atëherë, as më pas. Dhe për fletëpalosjen me portretin e saj kishte mësuar vetëm kur policët ia kishin treguar. “Sigurisht që u zemërova,” thotë ajo.
Këngëtarja thekson se ndodhej në klub si mysafire, jo si artiste. Ajo dhe shoqja e saj kishin dashur vetëm të vazhdonin festën në një disko. Por atëherë, i njohuri i kishte kërkuar t’i këndonin bashkë një këngë.
Sipas Ndojës dhe avokatit të saj, ajo ishte përdorur në mënyrë të paskrupullt si “karrem” për të tërhequr njerëz në event. Për më tepër, shtojnë ata, nëse një muzikant zviceran do të këndonte si mysafir në një festë, askujt nuk do t’i shkonte në mend se ai po punonte.
Për të provuar pafajësinë e saj, Eva Ndoja kishte një “as nën mëngë”: ajo paraqet në gjyq një dëshmitare që e mbron — pronaren e klubit të natës.
Më shumë se vetëm pronare klubi
Gruaja, një zvicerane me rrënjë shqiptare, flet shpejt, por pothuajse nuk i përgjigjet në asnjë pyetje të gjyqtarit. Përkundrazi, në një moment e pyet vetë gjyqtarin nëse mund të bëjë ajo pyetje. Përgjigjja e tij: “Jo. Unë bëj pyetjet këtu”.
43-vjeçarja është më shumë se vetëm pronare klubi. Sipas burimeve të mirëinformuara, ajo punon prej vitesh si ndërmjetëse për vajza të reja nga Evropa Juglindore.
Këto vajza duhet të punojnë në klube, në bar, si këngëtare ose si vajza që argëtojnë klientët për të rritur qarkullimin.
Në klub, ato duhet të kërcejnë me veshje provokuese me mysafirët meshkuj, t’i inkurajojnë të pinë dhe t’u shërbejnë pije të shtrenjta.
43-vjeçarja shërben si nyje e rëndësishme lidhëse midis pronarëve të klubeve dhe vajzave që ajo i ndërmjetëson. Ajo mban kontakte edhe me përgjegjës të klubeve që janë përballur me gjykatën. Vetë ajo deri tani nuk është ndjekur penalisht.
E njëjta skemë është vënë re në disa hetime të fundit në Cyrih për klubet e Ballkanit. Gjithmonë bëhet fjalë për vajza të reja nga Evropa Juglindore dhe Lindore, mungesë lejesh pune dhe kushte shfrytëzuese të punës.
Natën kur klubi i saj u kontrollua nga policia, pronarja ishte aty. Gjyqtarit ajo tregoi më pas se nuk kishte lidhje me menaxhimin e klubit. Këtë detyrë e merrte pronari i klubit ajo ishte vetëm pronare e firmës. Në festë ajo takoi Eva Ndojën për herë të parë. “Hitin e saj nuk e kisha dëgjuar kurrë”.
Dhe shton: “Isha e lumtur që kishim një mysafire kaq të famshme”. Edhe pronari ishte i lumtur, prandaj kishte porositur fletëpalosjet.
Pronarja pretendon se disa orë para kontrollit të policisë kishte kuptuar se po ndodhte diçka: “Ishin dy mysafirë që silleshin çuditshëm, nuk i njihja. U thashë: Ju nuk jeni të ftuar”.
Njëri prej tyre ishte shqiptar. Fillimisht i uroi festën, pastaj qeshi dhe tha se ishte nga policia.
Kur policia kontrolloi klubin, ata shoqëruan edhe pronaren. “Më akuzuan se kisha punuar pa leje. Nuk ishte e vërtetë”.
Pas pyetjes së gjyqtarit, ajo përsërit atë që kishte thënë Eva Ndoja: këngëtarja nuk e kishte ditur për fletëpalosjen, nuk kishte pasur kontakt më parë dhe nuk kishte marrë para. Pronarja e klubit thotë për Ndojën: “Ajo është krejtësisht e pafajshme”.
“Kam humbur besimin tek Zvicra”
Eva Ndoja thotë se, për shkak të këtij rasti, ka pasur shumë probleme. Ajo është ndaluar me një ndalim hyrjeje dhe një herë është bllokuar në aeroportin e Cyrihut.
Shoqja e saj, me të cilën kishte kënduar atë mbrëmje, sipas këngëtares e ka pranuar urdhrin penal. Pse e bëri këtë, Ndoja thotë se nuk e di.
Ajo thotë: “Në vendin tonë ka vrasje. Dhe unë vij këtu për një gjë të tillë në gjykatë”. Avokati i saj flet për një proces penal të padrejtë: “Ajo ka humbur besimin tek Zvicra”.
Në fund, 36-vjeçarja triumfon. Gjykata e shpall të pafajshme plotësisht. Gjyqtari thotë se nuk u vërejt asnjë veprimtari fitimprurëse nga ajo, as që kishte ardhur me qëllim për këtë.
Ai shton: “Situata na duket e paqartë, por shteti duhet të vërtetojë fajin dhe jo qytetari pafajësinë”. Këngëtarja merr kompensim për procesin dhe një shpërblim moral rreth 6000 franga gjithsej.
Pasi dënohet vendimi, këngëtarja largohet nga gjykata, nuk kthehet asnjëherë pas.
Vetëm kur ajo dhe avokati ngjiten në makinë, shpreh sërish mendimin e saj. Thotë se shpalljen e pafajësisë e kishte fituar me të drejtë. “Më besoni”./syri