Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë autorizimin që gjenerali Wesley Clark të dëshmojë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Mbrojtja e Thaçit ka bërë të ditur se Clark ka marrë autorizimin për të dëshmuar në mbrojtjen e tij dhe pritet të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes.
Në parashtrimin e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiç, thuhet se Clark nuk mund të udhëtojë drejt Hagës përpara datës 17 nëntor 2025 dhe për këtë arsye pritet që dëshmia e tij të fillojë më 18 ose 19 nëntor.
Gjithashtu, mbrojtja ka kërkuar nga trupi gjykues që të caktohet edhe data 21 nëntor për seancë shtesë në rast se është e nevojshme për finalizimin e dëshmisë së Clark.
Po ashtu, mbrojtja ka kërkuar ndryshimin e listës së provave të dorëzuara, duke shtuar në të edhe deklaratën e Clark.
Në parashtrimin e saj, mbrojtja thekson se Clark do të dëshmojë për përpjekjet e NATO-s për zbatimin e marrëveshjes së tetorit 1998 midis Richard Holbrooke dhe Sllobodan Millosheviçit.
Përveç kësaj, ai do të flasë për dhunën pas kthimit të refugjatëve kosovarë dhe do të sqarojë shkaqet e saj gjatë verës së vitit 1999.
Në dokument thuhet se Clark do të përshkruajë edhe ndërveprimet e tij me UÇK-në, delegacionin kosovar në Rambuje dhe në veçanti me Hashim Thaçin, për të cilin ka deklaruar se “nuk kishte kontroll mbi UÇK-në”.
Sipas parashtresës, Clark do të japë vëzhgimet dhe përshtypjet e tij mbi mungesën e strukturës dhe organizimit të UÇK-së, si dhe mungesën e çdo komandimi apo kontrolli funksional.
Ai gjithashtu thekson se Thaçi ishte një figurë politike pa përvojë ushtarake dhe se do të ishte e padrejtë t’i atribuohej atij keqadministrimi i veprimeve të të tjerëve.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ata po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.