“Pati kërkime në tokë dhe në det”, Artan Hoxha për zhdukjen e Martinajt: Qelizat telefonike të fundit janë afër…

Kërkesa e babait të Ervis Martinajt për të shpallur të zhdukur djalin e tij, ka qenë lajm kryesor ditët e fundit, lidhur me këtë zhvillim ka folur sot gazetari Artan hoxha, i ftuar në një studio televizive.

Ai i qëndron pistës se ai është vrarë. Sipas Hoxhës, nga hetimet që janë bërë rezulton se qelizat e fundit telefonike të Martinajt e tregojnë 30 km larg Fushë Kuqes.

“Qelizat e telefonit të Martinajt janë 30 kilometra nga Fushë Kuqja. Kërkime ka pasur në det dhe tokë. Ata që kanë bërë këtë e kanë bërë si për njerëzit e tjerë edhe për ata të Martinajt, pasi ja prenë degët dhe elanë zbuluar. Ja vranë të gjithë. Kërkesa që ka bërë babi ka të drejtë. Ai po rrit fëmijët. Po e pe, këresa ësht bërë ditën që ia ka bërë 43 vjetorin e lindjes”, tha ai.

Këmbimi valutor 23 tetor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 82.8 lekë dhe do shitet me 83.8 lekë.

Ndërkohë monedha evropiane euro do blihet me 96.3 lekë dhe do shitet me 97 lekë.

Franga zvicerane sot në tregun shqiptar do blihet me 103.6 lekë dhe do shitet me 104.7 lekë.

Ndërsa paundi britanik do blihet me 110.3 lekë dhe do shitet me 111.4 lekë.

Grabitja spektakolare në Luvër! Hajduti “ekspert”: Amatorë, i kanë fshehur bizhuteritë brenda… të pasmeve

Katër grabitës realizuan gjatë fundjavës një bastisje të guximshme në Muzeun e Luvrit, duke u larguar me tetë copa bizhuterish me vlerë totale që raportohet afërsisht 102 milionë dollarë. Ngjarja ka shkaktuar një reagim të fuqishëm nga autoritetet franceze dhe një valë spekulimesh mbi mënyrën se si hajdutët mund të kenë kontrabanduar sendet jashtë vendit.

Larry Lawton, i njohur në SHBA si një prej grabitësve më të famshëm të bizhuterive, theksoi për The Post se një nga mënyrat e mundshme për t’i nxjerrë xhevahiret jashtë vendit është fshehja e tyre brenda trupit për shembull në anus një teknikë që sipas tij është përdorur në raste të ngjashme. Lawton përshkroi gjithashtu gabimet e supozuara të autorëve të grabitjes së Luvrit, duke i quajtur “amatorë” që bënë slip-ups të dukshme, si lënien e gjurmëve dhe hedhjen e një kurore historike gjatë arratisjes.

Sipas raportimeve, hajdutët hynë në muze duke u paraqitur si punëtorë ndërtimi dhe përdorur mjetet e punës përfshirë një kamion pune dhe një shkallë por në largim kanë bërë përpjekje për të shkatërruar prova, përfshirë tentativën për të djegur një mjet të përdorur në operacion. Njëra nga pjesët e vjedhura, gjerdani me smerald nga seti i Marie-Louise, raportohet ndër objektet e grabitura.

Policia pariziane po heton ngjarjen intensivisht. Hetuesit kanë gjetur prova të prerjes së një dritareje dhe ballkoni të një galerie, dhe po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar dhe kapur autorët. Burimet thanë se gjatë arratisjes një prej grabitësve la pas një dorezë dhe një tjetër hodhi dhe dëmtoi një objekt të vyer gabime që, sipas ekspertëve si Lawton, rrisin shanset e identifikimit dhe arrestimit.

Lawton, i cili ka kaluar vite si grabitës dhe më pas u reformua, tha se përvojat e tij tregojnë se plaçkat e tilla zakonisht kërkojnë rrugë të komplikuara për t’u hedhur nga vendi i krimit dhe se, pavarësisht gabimeve të kryera, autorët ndoshta janë larguar të gëzuar nga fitorja, për momentin. Ai megjithatë parashikon që për shkak të gabimeve, autorët mund të identifikohen dhe arrestohen shpejt.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Francë dhe në mbarë botën për shkak të zërit të lartë të objekteve të kulture dhe historisë së vjedhura ndërsa hetimet vazhdojnë, policia kërkon dëshmi që do të çojnë te zbardhja e plotë e rastit dhe rikthimi i sendeve të humbura te muzeu.

”TERMET” në qeveri, emërime dhe shkarkime te Arsimi, Mjedisi dhe Bujqësia

Ndryshime të reja janë miratuar nga kryeministri Edi Rama në kabinetin e tij gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave.

kryeministria

Mësohet se Herida Duro është emëruar zëvendësministër i Arsimit dhe Elda Xhumari zëvendësministër i Mjedisit.

Ndërkohë, është liruar nga detyra Arta Dollani, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Roland Kristo, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, lirohet nga kjo detyrë.

Ndryshimet në përbërjen e institucioneve

– Znj. Arta Dollani, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, lirohet nga kjo detyrë.

– Znj. Herida Duro emërohet zëvendësministër i Arsimit.

– Znj. Elda Xhumari emërohet zëvendësministër i Mjedisit.

– Z. Roland Kristo, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, lirohet nga kjo detyrë.

“Vajza ime e kishte frikë”, nëna e 29-vjeçares që u υ ra nga ish-partneri rrëfen tmerrin: Debatuan për çantën e..

Rrëfehet mes lotësh nëna e 29-vjeçares shqiptare, Savannah Kulla, e cila u vra dy ditë më parë nga ish-partneri i saj në Kanada.

29-vjeçarja shqiptare, Savannah Kulla, u qëllua për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj, Anthony Deschepper, në parkingun e një qendre tregtare të martën pasdite.

Sipas mediave kanadeze, krimi ndodhi rreth orës 14:00, kur policia u njoftua për një grua të qëlluar me armë në një qendër tregtare. Viktima u shpall e vdekur në vendngjarje.

Nëna e të resë, Karen Kulla, ka rrëfyer mes lotësh momentet e fundit të vajzës së saj. Ajo tregon se Savannah kishte shkuar për t’u takuar me ish-partnerin, i cili donte të kalonte kohë me vajzën e tyre 17-muajshe. Por takimi përfundoi tragjikisht.

“Thjesht nuk mund ta besoj që ajo ka ikur. Ajo ishte kaq e bukur, e zgjuar dhe ne e donim shumë,” tha nëna e saj.

Sipas dëshmisë së nënës, gjithçka nisi pas një debati për çantën me pelena.

“Dëgjova që ai i tha: ‘Më duhet çanta e pelenave’, dhe ajo iu përgjigj: ‘Do ta marr unë’. Ai iu kthye: ‘E harrove çantën e mallkuar!’ – dhe më pas e qëlloi tre herë,” tregoi ajo.
Karen Kulla tha se vajza e saj kishte qenë e frikësuar prej muajsh.

“Më tha rreth një muaj më parë: ‘Nëse qëndroj me të, ai do të më vrasë’,” – rrëfeu ajo.
Savannah ishte nënë e katër fëmijëve dhe ishte ndarë nga Deschepper disa muaj më parë. Policia kanadeze ka bërë me dije se autori, 38-vjeçar, kishte precedentë penalë dhe ishte në kërkim për sulme me armë zjarri që nga viti 2023.

Pas ngjarjes, policia u përball me autorin, i cili u qëllua për vdekje nga oficerët gjatë ndjekjes.

Nëna e viktimës tregoi gjithashtu se ish-partneri e kishte ngacmuar vazhdimisht në telefon, duke e shqetësuar çdo ditë.

“E thërriste qindra herë në ditë. Ndonjëherë ajo i përgjigjej vetëm për t’i thënë ‘më lër rehat’,” – tha Karen.

Historia e pazakontë ish-talentit shqiptar: Dikur shok me Ronaldon te Juventus, sot punëtor në një kantier ndërtimi

Një ish-shok i skuadrës së Cristiano Ronaldos është bërë viral pasi është parë duke punuar në një kantier ndërtimi. Çendrim Kameraj ishte te Juventusi dhe koha e tij atje përkoi me atë të yllit portugez.

Kameraj, tani 26 vjeç, ishte një lojtar premtues ndërkombëtar i të rinjve si me Kosovën ashtu edhe me Zvicrën. Dhe shtatë vjet më parë ai stërvitej te gjigantët italianë së bashku me Ronaldon dhe Gianluigi Buffon. Karriera e tij u ndërpre pasi pësoi tre këputje të ligamenteve të kryqëzuara, të cilat e detyruan të transferohej në Kosovë. Kohët e fundit ai luante për ekipin e Superligës së Kosovës, KF Dukagjini.

Mbrojtësi tani e ka ndërruar fushën me kantierin e ndërtimit në kërkim të një karriere të re. Kameraj aktualisht punon për një agjenci rekrutimi për firmat e ndërtimit të quajtur ICM Bau AG. Ai shpesh duhet të vizitojë kantiere si pjesë e punës së tij dhe një foto e një udhëtimi tërhoqi vëmendjen e tifozëve të futbollit.

“Jam mirënjohës për gjithçka që kam përjetuar në karrierën time. Do të ishte turp të hidhja poshtë të gjithë këtë njohuri dhe përvojë. U bëra baba, gjë që më ndryshoi përparësitë në jetë. Pas dy dëmtimeve të tilla, kuptova se nuk isha më i njëjti lojtar”, tha Kameraj.

Gjatë kohës së tij me Juventusin, ai ndau një fotografi të famshme të tij me Ronaldon, e cila është parë miliona herë. Ai këmbënguli se ish-ylli i Manchester United është “i thjeshtë” pavarësisht statusit të tij në futboll.

Ai tha: “Me Cristianon, mund të kuptosh pse ai ia doli deri këtu. Disiplina dhe puna e tij e palodhur e dallojnë atë nga të gjithë të tjerët. Ai ishte gjithmonë shumë i thjeshtë dhe madje bënte shaka me mua. Të bën përshtypje kur Ronaldo të thërret me emër”.

Binaj mbledh forcat opozitare, Alimehmeti: Është kandidati i pavarur më i avantazhuar në 35 vite

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka zhvilluar dje një takim të rëndësishëm me përfaqësues të forcave politike opozitare, duke sinjalizuar një bashkim të rrallë të opozitës në një front të vetëm. Koordinatori i Partisë Demokratike për Tiranën, Ilir Alimehmeti, e cilësoi këtë zhvillim si një ngjarje të pazakontë në skenën politike shqiptare.

“U bë shumë kohë që nuk kemi parë një bashkim të opozitës në një krah. Dhe nuk kemi parë asnjëherë një kandidat të pavarur të jetë kaq i avantazhuar në këto 35 vite. Fushata e Binajt është më shumë si një fushatë qytetare, ku ai vetë është në rolin e drejtuesit të shtabit, por ku një rol të rëndësishëm luajnë edhe forcat politike që e mbështesin.

Binaj është kandidati, ai drejton fushatën dhe mban barrën e saj.  Por për t’i dhënë kësaj fushate fuqi logjistike dhe organizative, sidomos në ditën e votimit dhe numërimit, është e nevojshme një urë lidhëse me partitë që e mbështesin, dhe PD-ja është më e madhja ndër to. Mbështetja e Partisë Demokratike nuk është vetëm deklarative, por përfshin edhe logjistikë, resurse njerëzore, vëzhgues dhe numërues në qendrat e votimit, duke ndihmuar në mbrojtjen e votës.

Ka pasur takime koordinuese dhe çdo vendim është marrë në funksion të një strategjie të përbashkët. Secili ka rolin dhe pozicionin e vet në këtë përpjekje, por të gjithë qëndrojmë për të njëjtën kauzë.

Alimehmeti tha se mbështetja e një kandidati të pavarur nga forcat opozitare është një veprim i pazakontë, por i domosdoshëm për kushtet politike në të cilat ndodhet opozita. Kjo është me të vërtetë e veçantë: një kandidat i pavarur që mbështetet nga të gjitha partitë opozitare. Është një model i ri që kërkon të dalë jashtë standarteve të vjetra dhe të përditshme të politikës.

Ne besojmë se kjo është rruga për të sjellë ndryshim real në Tiranë. Binaj tregoi që arriti të bëj bashkë të gjitha partitë opozitare të ndara”, tha ai në mcn.

Miliona euro të vjedhura përmes subvencioneve të BE, 37 të arrestuar në Greqi

37 persona janë arrestuar në Greqi, disa javë pas zbulimit të një prej skandaleve më të mëdha me përvetësimin e  subvencioneve bujqësore të Bashkimit Evropian me vlerë miliona euro nga agjencia për menaxhimin e fondeve evropiane , OPEKEPE .

Operacionet e policisë u zhvilluan në Athinë, Selanik, Janinë dhe Kretë, pas hetimeve të agjencisë evropiane kundër mashtrimit OLAF dhe Zyrës së Prokurorit Publik Evropian. Sipas hetuesve, të dyshuarit mashtronin duke deklaruar tokë bujqësore të rreme, madje edhe në zona arkeologjike, aeroporte ushtarake apo në malin Olimp, për të përfituar fonde që u takonin fermerëve të vërtetë.

Gjatë hetimit paraprak, 324 individë u identifikuan si përfitues të subvencioneve, duke shkaktuar një humbje të vlerësuar prej mbi 19.6 milionë eurosh për buxhetin e Bashkimit Evropian. Dosja e çështjes përfshin 125 të pandehur, të cilët morën subvencione në periudhën 2018 – 2024. Dy javë më parë në një vizitë të saj në Athinë prokurorja e përgjithshme e BE Laura Kovesi e përshkroi OPEKEPE si “akronim për korrupsion dhe nepotizëm”, duke theksuar se sistemi grek kishte dështuar në parandalim, zbulim dhe raportim të abuzimeve.

“Për vite me radhë, kriminelët, të ndihmuar nga nëpunësit civilë dhe zyrtarët e lartë, vidhnin paratë evropiane. Këto para supozohej të ndihmonin fermerët e ndershëm dhe familjet e tyre për të kultivuar këtë tokë të bukur, jo për të paguar për vila, makina sportive dhe kush e di se çfarë tjetër”, deklaroi kryetarja e EPPO, Laura Kovesi.

KE pas zbulimit të skandalit vendosi ndaj Greqisë një gjobë prej rreth 400 milion eurosh. Deri tani organet greke që po hetojnë skandalin kanë sekuestruar  22 milionë euro nga mbi 1,000 llogari bankare të rreme. Vetëm një nga të  dyshuarit në Kretë akuzohet se përvetësoi 2.5 milionë euro.

Agjencia shtetërore greke OPEKEPE, ka menaxhuar më shumë se 3 miliardë euro në subvencione çdo vit për 680 mijë fermerë.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka pranuar se rasti rrezikon besimin e Brukselit dhe të ardhmen e fondeve europiane për sektorin bujqësor, por është zotuar se “cilado qoftë kostoja politike, përgjegjësit do të ndëshkohen”.

Trondit Pëllumb Pelinci, duan të më eleminojnë me …

Pëllumb Pelinci thotë se ka një plan për eleminimin fizik të tij.

Sipas Pelincit, është një ngritur një celulë ukrainase-ruse, e financuar nga Sorosi, për ta eleminuar. Madje, ai thotë se Rusia po ngre dronë kundër tij.

“Të nderuar bashkëkombas!

Ju shpjegoj skemën e fundit të sofistikuar për eliminimin e personit tim!

Në kuadër të vizitës së Putinit në Hungari me justifikimin e mundshëm e absurd të kalimit të tij nëpërmjet Shqipërisë, vihet re në mënyrë konstante nje skuadrilje dronësh prodhim Sokol Altius, STC Orlan-10 dhe Kronshtadt Orion të cilët patrullojnë mbi Shqipëri!

Burime të inteligjencës ushtarake amerikane INSCOM, me sinjalizuan se qëllimi i vërtetë i ngritjes së këtyre dronëve është eliminimi im!

Ashpërsimi i tonit të Presidentit Trump kundrejt të paskrupulltit Soros ka vënë në lëvizje falanga të rrezikshme që s’njohin Atdhe!

Një celulë ukraino-ruse e financuar nga Sorros me ndihmën e qeverisë shqiptare po merret egzaktësisht me planin e asgjësimit tim!

I mbrojtur nga flota e gjashtë amerikane e dislokuar ne Mesdhé e në veçanti nga destrojeri USS CARNEY, nuk trëmbem e do vazhdoj misionin tim për hedhjen e qeverisë Rama!

Unë jam këtu! Me Ju e për Ju!

Juaji Pelinci”, shkruan ai.

Media evropiane zbulon skandal me presidentin Makron: Është kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian

“Nuk është momenti i duhur, kemi të djathtën ekstreme që po na fryn në qafë. Çdo bisedë për hyrjen e Shqipërisë dhe Malit të Zi në Bashkim është një dhuratë për… Le Pen”

Presidenti francez Emmanuel Macron po pengon procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, përfshirë edhe anëtarësimin e Shqipërisë.

Sipas burimeve diplomatike të cituara nga Politico, Macron – dikur promotori i një Europe të bashkuar dhe mbështetës i vendeve të Ballkanit Perëndimor – ka ndryshuar qëndrim për shkak të presioneve të brendshme politike.

Frika nga rritja e ndikimit të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen dhe protestat e mundshme të fermerëve francezë e kanë bërë presidentin të hezitojë të mbështesë hyrjen e vendeve të reja në BE.

Një aleat i afërt i tij madje pranon se “çdo bisedë për hyrjen e Shqipërisë apo Malit të Zi në Bashkim është dhuratë për Le Pen”, duke e paraqitur Macronin si pengesë të re të integrimit europian — një kthesë e fortë për liderin që dikur shihej si vizionari i Europës.

Të gjitha këto evidentohen te një artikull i gjerë i revistës prestigjioze Politico Europe, artikull i cili ka tronditur skenën politike franceze dhe atë europiane, duke zbuluar se presidenti Emmanuel Macron po përdor çështjen e zgjerimit të Bashkimit Europian — përfshirë anëtarësimin e Shqipërisë — si armë politike për të shmangur rritjen e ekstremit të djathtë në vendin e tij.

Sipas burimeve diplomatike të përfshira në shkrim, Macron dikur konsiderohej “vizionari i Europës”, por sot është kthyer në pengesë për projektet më të mëdha të BE-së. Artikulli thekson se frika nga reagimet e brendshme, veçanërisht nga fermerët dhe votuesit euroskeptikë, e ka bërë presidentin francez të zbusë mbështetjen për anëtarësimin e vendeve si Shqipëria dhe Mali i Zi, me qëllim që të mos i japë terren politik kundërshtares së tij, Marine Le Pen.

Kështu emri i Shqipërisë del në pah në një kontekst të pazakontë — si “rrezik elektoral” për presidentin francez Emmanuel Macron.

Ndërsa Bashkimi Europian diskuton hapjen e rrugës për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, vetë Macron, dikur ndër mbështetësit më të fortë të zgjerimit, është tërhequr pas. Aleatët e tij pranojnë se frika nga rritja e ekstremit të djathtë në Francë dhe reagimet e brendshme, sidomos nga fermerët, e kanë bërë presidentin të shmangë çdo vendim që lidhet me vende si Shqipëria, Mali i Zi apo Ukraina.

“Çdo bisedë për hyrjen e Shqipërisë apo Malit të Zi në Bashkim është dhuratë për Le Pen,” u shpreh një nga bashkëpunëtorët e afërt të Macronit, duke nënvizuar se për momentin politika e brendshme ka mbytur ambiciet e tij europiane.

ARTIKULLI I PLOTË:

Perëndon dielli mbi Macronin si “vizionari kryesor” i Europës

Problemet e brendshme të presidentit francez kanë zbehur ambiciet e tij dhe kanë dobësuar ndikimin e tij në Bashkimin Europian

Nga Clea Caulcutt, Nicholas Vinocur, Giorgio Leali dhe Tim Ross

PARIS — Emmanuel Macron do të mbërrijë të enjten në Bruksel për një samit të rëndësishëm të Këshillit Europian me një reputacion të ndryshuar: nga “njeriu i ideve” të kontinentit, është kthyer në “prishës feste”.

Ndërsa udhëheqësit e BE-së mblidhen për të hartuar strategji përballë krizave ekzistenciale – nga ngritja e së djathtës ekstreme deri te parandalimi i një marrëveshjeje të dëmshme Trump-Putin për Ukrainën – ata nuk mund të mbështeten më tek idetë madhështore të Macronit.

Bisedat me 10 diplomatë dhe zyrtarë të BE-së, të gjithë në anonim për të folur hapur, tregojnë se problemet e brendshme dhe fiksimi i presidentit francez me trashëgiminë e tij e kanë kthyer nga motor i progresit në pengesë për të.

Propozimi i presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, për një “mur dronësh” që do të mbronte qiellin europian nga mjetet ajrore ruse?

Sipas Macronit – jorealist.

Ideja e presidentit të Këshillit Europian, António Costa, për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE duke hequr nevojën për unanimitet?

Jo. Franca nuk heq dorë nga e drejta e vetos.

E famshmja “ta bëjmë planetin tonë sërish të madh”?

Ndoshta një ditë. Por tani nuk është koha për direktivën e kujdesit të korporatave që kërkon nga kompanitë të monitorojnë furnitorët e tyre globalë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe të mjedisit. As për objektivat klimatike të vitit 2040.

Në muajt e fundit, Macron është bërë më i kujdesshëm, duke shmangur çdo propozim që mund të shkaktojë reagim në Francë dhe duke u treguar më i ndjeshëm ndaj ideve që nuk i kontrollon vetë. Franca është përqendruar më shumë në shkurtimin e burokracisë.

Kohët e fundit, presidenti francez ka shtyrë për më shumë kontrolle ndaj migracionit, më pak rregulla, kufizim të përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët dhe lehtësira për industrinë e makinave në objektivat mjedisorë — gjëra që pak kanë të bëjnë me “ëndrrën europiane”.

“Ky Macron është gllabëruar nga problemet e brendshme,” tha një diplomat i BE-së. “Nuk është më kampioni europian që njihnim dikur.”

Jo më i njëjti “Man(u)”

Kur bëhet fjalë për ndryshimet që ka parë BE-ja në dekadën e fundit, ndikimi dhe largpamësia e Macronit janë të pamohueshme. Në fjalimin e tij në Sorbonë më 2017, ai kërkoi një Europë më të fortë që të mos varej nga partnerët e jashtëm, as për mallra e as për mbrojtje.

Thirrja e tij atëherë ra në vesh të shurdhër. Por sot, Komisioni Europian dhe liderët e tjerë të BE-së flasin me të njëjtën gjuhë – për “autonomi strategjike”, për t’u larguar nga varësia ndaj Kinës dhe për të forcuar mbrojtjen europiane përballë agresionit rus dhe tërheqjes ushtarake amerikane.

Macron fitoi nofkën “think-tanker-i i BE-së”, dhe vërshimi i tij me ide e reforma e përcaktoi periudhën e tij të parë si lider ndërkombëtar.

Por në tetor 2025 është e qartë se politika e brendshme dhe trashëgimia personale peshojnë më shumë se vizionet e dikurshme.

Merrni si shembull zgjerimin e BE-së.

Macron shihej si mbështetës i hyrjes së vendeve të reja për ta bërë bllokun më të fortë ekonomikisht e gjeopolitikisht. Ai krijoi në 2022 Komunitetin Politik Europian si “dhomë pritjeje” për kandidatët e ardhshëm dhe një vit më vonë u zotua t’i pranonte “sa më shpejt të ishte e mundur”.

Prandaj, shumë nga aleatët e tij nuk e kuptuan pse Franca kundërshtoi propozimin e Costas për të hequr veton e Viktor Orbánit në disa pjesë të procesit të anëtarësimit. Një deputet i grupit Renew e quajti vendimin “në kundërshtim të plotë” me angazhimet e mëparshme të Macronit. “Është një gabim themelor,” tha ai.

Një aleat i afërt i Macronit tha se presidenti thjesht nuk ka më kapital politik për të shtyrë disa nga ambiciet e veta, veçanërisht ato që ushqejnë euroskeptikët dhe të djathtën ekstreme të Marine Le Pen. “Nuk është momenti i duhur, e djathta ekstreme na fryn në qafë,” u shpreh ai.

“Çdo bisedë për hyrjen e Shqipërisë apo Malit të Zi në Bashkim është dhuratë për Le Pen,” shtoi ai, duke theksuar se fermerët francezë do të ishin të parët që do të protestonin edhe kundër hyrjes së Ukrainës, një gjigant bujqësor.

Ndikimi në rënie

Ndikimi i Francës në Bruksel ka qenë viktimë e kaosit të brendshëm. Macron ka ndërruar pesë kryeministra në më pak se dy vjet dhe ishte gati të kërkonte një të gjashtë pas dorëheqjes së Sébastien Lecornu-t, qeveria e të cilit zgjati vetëm 14 orë. Më pas e riktheu në detyrë, duke shmangur përkohësisht krizën.

Edhe pse qeveritë franceze kanë ndarë ide të ngjashme për çështjet e BE-së, rënia e tyre e njëpasnjëshme e ka lënë Francën gjithnjë e më pak ndikim në Bruksel.

“Nëse ke një qeveri që nuk funksionon për gati një vit e gjysmë, kjo të ul ndikimin në vendimmarrje,” tha një diplomat i BE-së nga një vend tjetër.

Kjo paqëndrueshmëri e vështirëson punën në takimet ministrore dhe pengon përgatitjen e dokumenteve të politikave kombëtare që zakonisht përcaktojnë agjendën.

Ndërsa Macron afrohet drejt fundit të mandatit, mund të ketë ende vizione madhore për Europën, por aftësia e tij për t’i kthyer në realitet është zbehur.

Edhe nëse arrin ndonjë “shpëtim të madh” dhe gjen mënyrën për të mbajtur një qeveri të qëndrueshme me buxhet të miratuar, e vërteta e hidhur për diplomatët dhe zyrtarët në Bruksel është se ndikimi i tij është dobësuar seriozisht. Dhe projekti i tij madhor pro-europian ka marrë fund.

Diplomatët e huaj tashmë flasin për Macronin në të shkuarën dhe për “trashëgiminë e tij”, edhe pse ai nuk largohet nga posti para vitit 2027.

“Ishte diçka e veçantë,” i tha njëri prej tyre POLITICO-s.

Kontribut: Victor Goury-Laffont