Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive bën të ditur se në portalin zyrtar të punësimit puna.gov.al janë shpallur 6 mijë vende të lira pune, duke krijuar mundësi konkrete punësimi për qytetarët në të gjithë vendin.
Sipas AKPA, ofertat e punës përfshijnë qindra pozicione në sektorë të ndryshëm dhe janë të hapura për aplikim për të gjitha nivelet arsimore, nga arsimi bazë deri te arsimi i lartë dhe ai profesional.
Qindra pozicione në fusha të ndryshme profesionale janë të hapura, duke përfshirë pozicione, si: ekonomistë, menaxherë, specialistë komunikimi, zhvillues softuerësh, inxhinierë mekanikë, civilë dhe të elektroteknologjisë, si edhe nëpunës zyre dhe finance, drejtues në tregti dhe specialistë të fushave të ndryshme teknike.
Krahas këtyre, tregu ka nevojë edhe për zanatçinj si dhe një sërë profesionesh të tjera që nuk kërkojnë një nivel të lartë arsimor, si punonjës pastrimi, punëtorë ndërtimi, ndihmës kuzhinierë, rrobaqepës, sistemues malli, prodhues këpucësh, si dhe pozicione të tjera në sektorin e shërbimeve dhe prodhimit.
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive thekson se portali puna.gov.al ofron një proces aplikimi të thjeshtë, të shpejtë dhe transparent, duke u mundësuar qytetarëve të krijojnë profilin e tyre, të ngarkojnë dokumentacionin e nevojshëm dhe të aplikojnë online për pozicionet që përputhen me kualifikimet dhe interesat e tyre profesionale.
Përmes këtij portali, punëkërkuesit kanë mundësi të informohen në kohë reale për ofertat e reja të punës. Ndërkohë, bizneset dhe institucionet përfitojnë nga një databazë e gjerë kandidatësh, duke lehtësuar procesin e rekrutimit.
Për individët që hasin vështirësi gjatë aplikimit ose kanë nevojë për orientim, AKPA njofton se mund të drejtohen pranë zyrës së punës më të afërt, ku specialistët ofrojnë asistencë dhe këshillim të personalizuar.
Kjo nismë synon të lehtësojë aksesin e qytetarëve në tregun e punës dhe të lidhë kërkesën e bizneseve me ofertën e fuqisë punëtore.


