“Po lobohet që Berisha të takohet me një ambasador grek, por dhe ai…”, Curi i ashpër: Ditën e protestës takova deputetë të PD në aeroport

Fjalimet zgjatën më pak se sa përplasja me policinë në protestën e të shtunës të Partisë Demokratike. Sulmet ndaj kryeministrisë dhe Kuvendit u shoqëruan me përplasje të deputetëve demokratë dhe policisë.

Vetë kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, u largua drejt selisë blu pasi mbaroi fjalën e tij, ndërsa bulevardi u kthye në arenë përplasjesh mes molotovëve të protestuesve dhe gazit lotsjellës të policisë.

Analisti Arjan Curi u shpreh në Top Story se fabula e protestës së PD-së u shkërmoq nga vetë PD-ja, pasi votoi në Parlament, tre ditë para tubimit, për të çuar Ramën të përfaqësojë Shqipërinë në “Bordin e Paqes”.

“Protesta po vritet nga vetë PD-ja. Nuk mund të thërrasësh njerëzit të shtunën për të rrëzuar Edi Ramën, kur të enjten votove Edi Ramën për të përfaqësuar Shqipërinë dhe të shkojë në Uashington. Nëse PS-ja dhe PD-ja janë me Trumpin, atëherë le të rrinë në këto opozita dhe të luftojnë kush do të fitojë në favor të Trumpit.

Elementi i dytë që vura re ishte udhëtimi që bëri Sali Berisha në Strasburg. Izolim total. Nuk e di ç’kishte bërë një video aty pas asnjë mikrofon përpara. U çudita. Ndoshta gjeti një foltore dhe vajti atje. Nuk mbaj mend të ketë takuar ndonjë ndërkombëtar Berisha pasi është bërë non-grata.

Kam një informacion që po lobohet nga disa deputetë të PD-së që Berisha të takohet me një ambasador grek, por as atij ose asaj nuk po i mbushet mendja.

Të shtunën që këta bënin protestën, unë udhëtova jashtë, dhe eksponent të PD-së ishin në aeroport duke udhëtuar jashtë. Goxha të rëndësishëm. Po mundoheshin të fshiheshin, mos të dukeshin. Shkova dhe i pyeta vetë: ‘Si ka mundësi’.

Edhe gazi që këta u ankuan se ishte i skaduar, edhe ai ishte në ndihmë të protestës së PD-së. Gazi kur skadohet, e humbet atë aftësinë helmuese. Që mos t’i helmojnë shumë, i kanë hedhur gaz të skaduar. Ja kanë hedhur me hatër që protesta të mbante më shumë.

Këtyre i është shkërmoqur e gjithë fabula. ‘Rama ra’, ‘Rama u izolua’, ‘Rama e ka keq me amerikanët’, u shkërmuan. Rama, me dy persona që po drejtojnë botën, priti vajzën e Donald Trump dhe takoi Netanyahun, me këta dy persona, e ka muhabetin më mirë se me çdo tjetër. Në izolim real është Sali Berisha, i cili ndërkombëtaren e vetme që takon jashtë vendit është Albana Vokshi”, tha Curi.

Aksidenti TRAGJIK/ Identifikohet mes υiktimave edhe 29-vjeçari shqiptar, një tjetër mes të plagosurve (Video)

Këtë të martë Greqia është tronditur nga një aksident i rëndë që u mori jetën 7 tifozëve të skuadrës greke PAOK, ndërsa 3 të tjerë mbetën të plagosur.

Për fat të keq, mes viktimave është konfirmuar edhe 29-vjeçari Vasil Palo me origjinë nga Korça, ndërsa mes të plagosurve është një tjetër shqiptar, i identifikuar si Genci Sadiku, sipas informacioneve të marra nga korrespondenti i Top Channel, Aleksandër Marku. Sadiku ka qenë dhe personi që ka njoftuar policinë pas aksidentit.

Të gjithë personat që po udhëtonin në këtë furgon ishin të moshës 25 deri në 30 vjeç.

Sipas autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por është përplasur kokë më kokë me një tjetër kamion.

Helikopterët e emergjencës nuk mundën të ndërhyjnë për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin e qytetit Lugoj.

Ministria e Jashtme e Greqisë dhe ambasada greke në Bukuresht ndodhen në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune, për identifikimin e viktimave dhe mbështetjen e familjarëve.

Klubi i PAOK ka shpallur zi dhe ka njoftuar se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave dhe ndihmën ndaj të plagosurve. Dhjetëra tifozë të tjerë të PAOK që ishin nisur për në Lion janë kthyer në Greqi. Ndërkohë, kërkesa për anulimin e ndeshjes nuk është pranuar nga Federata Europiane e Futbollit.

Ngushëllime për aksidentin tragjik kanë shprehur gjithë liderët e partive greke, por edhe klubet e futbollit të Greqisë./Top Channel

Përjashtimi i Keijsit nga shtëpia, Stelina habit me reagimin e saj

Keijsi u përjashtua nga gara për Çmimin e Madh këtë të martë, kjo pas përsëritjes së gjuhës denigruese që banori ka përdorur kundrejt Kristit.

Stelina, ish e dashura e Keijsit, u shpreh se ky ishte një vendim i merituar dhe se i bëhej qejfi që Keijsi doli, pasi sipas saj, ai nuk i lejonte banorët e tjerë të tregonin vlerat e tyre.

“Patjetër i merituar. Ishte dhe krenar. Patjetër që më bëhet qejfi. Këtu ka shumë njerëz me vlera që nuk po i përcjellin dot vlerat e tyre, sepse Keijsi bërtiste me gishta në vesh dhe nuk i linte të tjerët që t’i tregonin”, tha Stenila.

Nga ana tjetër, Ina iu kthye duke i thënë se për hir të asaj që Stelina dhe Keijsi kanë kaluar, banorja nuk duhet t’i thoshte këto fjalë:

“Para dy javësh ia dije vlerat Keijsit. Ai është një njeri që ka lënë gjurmë në jetën tënde. Të paktën, për hir të asaj që keni kaluar së bashku, nuk duhet ta thoje”./Topchannel

TRAGJIKE/ Ishte shpallur i zhdukur, i mituri dërgohet në spital pa shenja jete

Ka vdekur Zejn Zejnullahu, vogëlushi i cili u gjet pak orë pasi ishte shpallur i humbur nga familja në Gadime të Lipjanit.

Pasi u gjet, ai u dërgua për trajtim në QKUK, por nuk ia doli.

Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga mjekja kujdestare Dafina Basholli.

“Pacienti u pranua pa shenja jete.

Përkundër masave reanimuese, ai nuk ia doli”, deklaroi ajo për Klankosova.tv.

Vetëm 17-vjeç, kush është talenti shqiptar që bindi Spaletin ta grumbullonte në ndeshjen kundër Napolit

Juventusi mposhti me rezultatin 3 me 0 Napolin, në supersfidën e javës në Serinë A.

Mes lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Spaletti për ndeshjen kundër skuadrës së Kontes, ishte dhe një risi nga skuadra Primavera e drejtuar nga Simone Padoin. Bëhet fjalë për talentin shqiptar, Raffaele Huli. I lindur në vitin 2008, portieri i ri është thirrur për herë të parë nga trajneri toskan dhe u ul në stol në vend të Carlo Pinsoglio, i cili pak ditë më parë festoi lindjen e djalit të tij të dytë, Noah dhe sot mungoi për shkak të gripit.

Vetëm 17-vjeç, Huli ka qenë protagonist si në kampionat ashtu edhe në Youth League, duke zhvilluar disa paraqitje të rëndësishme; e fundit pikërisht në kampionat, në Derbin e Italisë kundër Interit. Deri më tani, portieri shqiptar ka luajtur gjithsej 21 ndeshje, duke e mbajtur portën të paprekur në gjashtë raste.

E ardhmja e tij pritet të jetë e ndritur. Talenti shqiptar gjithashtu numëron 4 ndeshje me Kombëtaren U19 të Shqipërisë si dhe 10 me Kombëtaren U17

“Merr armët më vrit”/ Mbyllja e tregut revolton qytetarët në Vlorë, mësyjnë brenda bashkisë

Një situatë e paprecedentë është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Bashkinë e qytetit të Vlorës.

Dhjetëra tregtarë kanë mësyrë brenda bashkisë, pas paralajmërimit për mbylljen e tregut industrial të qytetit.

Tregtarë janë futur me forcë brenda institucionit, në shenjë revolte ndaj vendimeve që po i nxjerrin sipas tyre në rrugë dhe po i lënë pa punë.

“Po na nxjerrin në rrugë, jemi hallexhinj, na lanë pa punë”, dëgjohen të thonë tregtarët, të cilët akuzojnë Bashkinë e Vlorës për mungesë dialogu.

“As s’kam vrarë, as s’kam prerë, as me drogë s’i kam marrë. Vetëm me djersën e ballit,” tha ajo, duke këmbëngulur se nuk do të largohet nga vendi i saj i punës në asnjë rrethanë. “Aty ku jam, aty do të qëndroj dhe nuk lëviz. Merr armët dhe më vrit!”,- thotë një tjetër qytetare për mediat.

Tregu Industrial në Vlorë pritet të mbyllet, pasi bashkia u ka dhënë tregtarëve afat tre ditë për t’u larguar nga ambientet aktuale.

Sipas njoftimit zyrtar, në këtë zonë është parashikuar të ndërtohet një treg i ri, por tregtarët shprehen të shqetësuar se projekti mund të mos realizohet, ndërsa kanë akuzuar autoritetet për mungesë transparence dhe përgjegjësie.

Publikohet fotoja e Gretës me të dashurin, vëllanë e Selinës

Selin dhe Greta janë kthyer në dy banoret më të komentuar që prej javëve të para në shtëpinë e Big Brother VIP, jo vetëm për afrimitetin mes tyre, por edhe për lidhjen që i bashkon jashtë kamerave: vëllai i Selin, i cili është njëherësh partneri i Gretës.

I riu është DJ dhe përdor emrin e artit “ONNO”. Një detaj që bie në sy është prania e ulët e çiftit në publik. Në profilin e ONNO-s nuk shfaqen fotografi të përbashkëta me Gretën, edhe lidhja e tyre është e konsoliduar prej më shumë se një viti.

Por, ditën e sotme është publikuar fotoja e parë e çiftit bashkë. Ata shfaqen të dashuruar duke buzëqeshur. vox news

Humbi jetën në aksidentin tragjik në Gramsh, kjo është infermierja 43-vjeçare! Urdhri i Infermierit në zi: Shërbeu për vite me dinjitet dhe humanizëm!

Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka reaguar me dhimbje dhe trishtim të thellë pas humbjes tragjike të jetës së koleges së tyre, infermieres Dëshira Hoxha, e cila u nda nga jeta si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur dje në një zonë malore të Gramshit (26 janar).

“Dëshira Hoxha ishte një profesioniste e përkushtuar, bashkëshorte dhe nënë e tre fëmijëve, e cila për pesë vite me radhë shërbeu me dinjitet, humanizëm dhe përgjegjësi të lartë profesionale ndaj komunitetit të fshatit Kabash, në Bashkinë Gramsh. Përkushtimi i saj ndaj pacientëve dhe misionit fisnik të infermierisë e bëri atë një figurë të respektuar dhe të dashur, si nga kolegët, ashtu edhe nga banorët e zonës ku shërbente”, shprehet Urdhri për të ndjerën.

Në mesazhin e tij zyrtar, Urdhri i Infermierit të Shqipërisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj, të afërmit dhe kolegët, duke theksuar se “kujtimi dhe vepra e Dëshira Hoxhës do të mbeten të gjalla dhe të paharruara në komunitetin infermieror dhe përtej tij”.

Një humbje e parakohshme që lë pas dhimbje, por edhe një shembull të rrallë përkushtimi dhe humanizmi.

Në aksidentin e djeshëm, pas daljes së kamionçinës nga rruga Gramsh-Poroçan, pranë fshatit Bardhaj, mjeti ra në humnerë me thellësi 70 metra duke u rrokullisur disa herë.

Për pasojë humbi jetën 43-vjeçarja Hoxha dhe u plagosën rëndë mësuesja Albana Boja dhe shoferi Shaban Kotorri, që po trajtohen në spital. Policia Rrugore po vijon hetimet për shkaqet e humbjes së kontrollit të mjetit dhe aksidentit.

Prej 10 vitesh fshihej në Tiranë! Ky është Besim Sherifi që u arrestua te Liqeni i Thatë për vrasje të trefishtë

Besim Sherifi prej 10 vitesh dyshohet se fshihej në Tiranë. Ai përdorte identitetin e një kosovari, dokumente të cilat iu sekuestruan pas arrestimit dhe që dyshohen se mund të jenë të falsifikuara.

Fillimisht, dy muaj më parë, forcat Operacionale kishin marrë informacion në rrugë operative se një person i skeduar për vrasje fshihej në një apartament në zonën e Liqenit të Thatë.

Pasi kanë bërë identifikimin e tij, pala shqiptare ka kërkuar informacion tek autoritetet në Maqedoninë e Veriut dhe kanë konkluduar se 52-vjeçari Besim Sherifi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Pasi Operacionalja ndërhynë në banesën që ai qëndronte me qira, 52-vjeçari u ka thënë nuk jam unë personi që kërkoni. “Nuk kam kryer asnjë vrasje, jam shqiptar kosovar.”

Por sipas burimeve, shenjat e gishtave zbuluan se personi në fjalë ishte Besim Sherifi. Vrasja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në vitin 2007 në fshatin Kopanica, në Shkup ku janë vrarë 3 persona.

Për të gjykata kishte caktuar arrest në burg në mungesë, që sipas legjislacionit penal në Maqenoninë e Veriut parashikon dënim me burgim të përjetshëm.

Berisha nga Strasburgu: Narkoshteti i Ramaduros rrezikon sigurinë e Europës! Ergys Agasi ka eksportuar të gjitha të dhënat tek klanet kriminale dhe armiqtë e NATO-s!

Gjatë debatit në grupin parlamentar të EPP-së në Strasburg, mbi zgjedhjet në Shqipëri dhe raportin për ‘terapinë konvertuese’, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paraqiti situatën në vendin tonë si një rrezik serioz për sigurinë e Europës, duke e cilësuar atë si ‘narkoshtet’ të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Berisha u shpreh se, kartele të drogës, të lidhura drejtpërdrejt me Ramën, dominojnë tregjet e drogës në Europë dhe se Shqipëria është kthyer në një qendër të madhe të pastrimit të parave përmes ndërtimeve dhe resorteve turistike.

Në një debat tjetër, kryedemokrati Sali Berisha kritikoi ashpër raportin mbi ‘terapinë konvertuese’, duke e cilësuar atë si një praktikë çnjerëzore dhe agresion ndaj fëmijëve.

Ai u shpreh se, në Shqipëri, në kopshte dhe shkolla fillore, po përdoren materiale mësimore që synojnë manipulimin e fëmijëve drejt ndryshimit të gjinisë, duke e lidhur këtë me atë që e quajti propagandë e ekstremit të majtë dhe ndikim të Xhorxh Sorosit.
Sipas kryetarit të PD-së Sali Berisha, kjo qasje synon vendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë në Shqipëri dhe më gjerë.

Ai theksoi se, ndonëse debatet mbi këtë çështje ishin të ndara, në audiencë pati rezerva të mëdha ndaj raportit, i cili sipas tij tentonte të legjitimonte ‘terapinë konvertuese’ ndaj fëmijëve.

Fjala e plotë e Sali Berishës:

“Dje gjatë ditës në debatin e zhvilluar në grupin parlamentar të EPP-së për zgjedhjet në Shqipëri dhe raportin e ‘Terapisë konvertuese’ paraqita para audiencës rrezikun e madh që përfaqëson narkoshteti shqiptar më në krye Edi Rama apo siç quhet rëndom Ramaduro apo Noriega i Europës për sigurinë e vendeve të rajonit dhe vendeve të Europës.

Në fjalën time, paraqita dominimin e tregut të drogës në Europës, marijuanës, heroinës, kokainës nga kartelet e drogës të lidhura direkt me Edi Ramën, të komanduara direkt prej tij, i cili e ka shndërruar Shqipërinë në një parajsë të larjes së parave të tyre, në qindra kulla, ndërtesa, resorte turistike.

Shpreha kërkesën që vendet anëtare të Këshillit të Europës, parlamentet e këtyre vendeve të ngrenë zërin e tyre ndaj këtij rreziku serioz që u vjen nga një vend i vogël i cili ka të gjitha potencialet e mëdha të zhvillimit dhe e ka zhytur regjimi në drogë, vetëm për qëllime elektorale.

Po kështu, tek rreziku i madh që përfaqëson Shqipëria, u ndala tek AKSHI, kopshti familjar i Edi Ramës, në të cilin koordinatori kryesor i karteleve të drogës me anëtarët e familjes Rama, kanë plaçkitur qindra e qindra milionë euro. Por mbi të gjitha Ergys Agasi ka eksportuar të gjitha të dhënat e internetit që ekzistojnë në Shqipëri, tek klanet kriminale dhe armiqtë e NATO-s dhe kjo është një rrezik i madh që Shqipëria shpërndan në rajon dhe Europë.

Mirëkuptimi ishte i plotë nga audienca.

Përveç kësaj mora fjalën në debatin që u zhvillua për raportin mbi ‘terapinë konvertuese’, terapinë ç’njerëzore, një agresion i vërtetë që bëhet ndaj fëmijëve për të ndryshuar gjinitë.

Ftova të pranishmit që të vijnë në Shqipëri, të shohin pasojat e rënda të transformimit të Shqipërisë në republikën e Xhorxh Soros apo në kopshtin e lulëzuar të këtij të fundit, ku fëmijëve në kopsht dhe në shkolla fillore, u jepen tekste, figurina dhe objekte mësimore për t’i manipuluar në drejtim të ndryshimit të gjinisë.
Theksova se, kjo propagandë është propaganda e ekstremit të majtë që synon rivendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë e botë.

Debatet për këtë çështje natyrisht nuk ishin të njëjta, por në tërësi u shprehën rezerva shumë të mëdha për raportin i cili në një farë mënyre kërkonte të legjitimonte ‘terapinë konvertuese’ ndaj fëmijëve për ndryshim gjinie”.

https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Freel%2F1766370770698884%2F&show_text=0&width=267