Serbëve nuk u del e keqja me fjalët e trajnerit të tyre për tifozët shqiptarët: Nuk ishte “fantastike”! Shihi lojtarët në sy nëse guxon

Mediat serbe janë tërbuar me fjalët e trajnerit të përfaqësues së Serbisë, Dragan Stojkoviç pas barazimit pa gola kundër Shqipërisë në “Air Albania”.

Trajneri pas ndeshjes deklaroi se nuk kishte parë asgjë armiqësore në stadium dhe se kishte përjetuar një atmosferë ndeshjeje fantastike. Fjalë të cilat kanë qenë “shuplaka: të forta për mediat serbe që kishin kaluar gjithë ditën duke u ankuar për provokime, keqtrajtim e kërcënime në Shqipëri. Ndaj edhe portalet kryesore të mediave që ushqejnë prej kohësh ekstremizmin kundër shqiptarëve, nuk kanë kursyer as trajnerin e tyre për këto deklarata.

Kjo shihet qartësisht nga një koment i gjatë i “Kurir” rreth deklaratave të “Piksit”. “FJALË QË NUK DUHET TË THUHESHIN! Atmosfera e urrejtjes së paparë ndaj gjithçkaje serbe në Tiranë është gjithçka tjetër përveçse “fantastike”! Piksi, shiko lojtarët në sy! Nëse guxon!”, titullohej artikulli i medias serbe që cilësonte të papranueshme fjalët e trajnerit të përfaqësueses së saj.

Sizmiologët grekë të shqetësuar pas tërmetit në malin Athos

Sipas Institutit Gjeodinamik, fokusi i tërmetit ishte në një thellësi prej 12.5 kilometrash, dhe epiqendra ndodhej nëntë kilometra në perëndim-veriperëndim të Karjës.

Tërmeti me magnitudë 5.3 ballë të shkallës Rihter që ndodhi të shtunën pasdite në malin Athos shkaktoi shqetësim midis sizmologëve grekë, shkruan Protothema.

Presidenti i Shoqatës Helenike për Parandalimin e Tërmeteve dhe Fatkeqësive, Efthimios Lekas, foli për ERTNews në lidhje me tërmetin e fortë.

Sipas tij, aktiviteti i përsëritur sizmik në çarje, të cilin ekspertët llogaritën se kishte rënë vitin e kaluar, tani po kthehet me dridhje më të forta, gjë që po shkakton shqetësim.

Sipas Kostas Papazahos, profesor i sizmologjisë në Universitetin Aristoteli të Selanikut, për portalin Voria.gr, ky është një tërmet klasik sipërfaqësor që ndodhi në zonën pranë Manastirit Dokiyari. Ai parashikon aktivitet të fortë sizmik në orët në vijim.

“Në të njëjtin vend, patëm një sekuencë që ka vazhduar për disa muaj. Kemi të njëjtën sekuencë mikroseizmike dhe tani ka prodhuar një tërmet me magnitudë 5.3”, tha Papazahos. Sipas tij, sipas raportimeve të para në manastire, si Ksenofoni dhe Karea, nuk u regjistruan dëme të mëdha.

Bëhuni gati/ Temperatura deri në 40°C, i nxehti afrikan përfshin Italinë dhe disa rajone që nga java që vjen

Meteorologu Mattia Gussoni, konfirmon formimin e një blloku atmosferik të nxehtë për ditët në vijim. Bëhet fjalë për një konfigurim të veçantë që do të sjellë shtrirjen e anticiklonit afrikan për mijëra kilometra nga jugu në veri.

Duke filluar nga e diela dhe veçanërisht gjatë javës së ardhshme, në Itali do të mbërrijë vala e dytë e të nxehtit për këtë fillim qershori, shumë më intensive se e para, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 37°C në pjesën më të madhe të vendit.

Sipas Gussonit, kushtet e motit do të mbeten thuajse të pandryshuara për disa ditë: shumë diell dhe mungesë reshjesh në pjesën dërrmuese të rajoneve. “Italia do të ndodhet në zemër të kësaj ‘flluske’ me presion të lartë”, thotë ai.

Që nga e diela, 8 qershor, dielli do të shkëlqejë në pothuajse të gjitha rajonet, megjithatë mbetet rreziku për ndonjë stuhi të izoluar në Alpet qendrore-lindore, e cila mund të shtrihet edhe në fushat e Friulit. Një fazë e re e motit anormal do të nisë javën e ardhshme: përveç shumë diellit, pritet një valë e fortë të nxehti që do të prekë gjithë vendin gjatë pjesës së parë të qershorit.

Temperaturat pritet të jenë disa gradë mbi mesataren klimatike, duke sjellë nxehtësi përvëluese në më shumë se gjysmën e Italisë. Më konkretisht, nga e marta, 10 qershor, priten temperatura deri në 36-37°C në Toskanë, Lacio, Molise, Bazilikatë, Puglia, Siçili, Sardenjë dhe Kalabri – madje deri në 40°C në zonat e brendshme të dy ishujve të mëdhenj.

Në pjesën tjetër të rajoneve, nxehtësia dhe lagështia do të jenë të ndjeshme, me temperatura deri në 33-34°C në qytete si Milano, Bolonja dhe Roma. Këto kushte do të zgjasin gjatë gjithë javës, nga e hëna, 9 qershor, deri të dielën, 15 qershor. “Për momentin, nuk pritet ndonjë ndryshim domethënës në këtë bllok atmosferik – të paktën jo para dhjetëditëshit të fundit të muajit”, shton Gussoni.

“Investoni 5% të GDP, ose filloni të mësoni rusisht”/ Reagon Rutte: Shpenzoni për mbrojtjen

Në samitin e mbajtur ditët e fundit në Bruksel, ministrat pranuan që 3.5 për qind e GDP-së të përdoret për “shpenzimet bazë të mbrojtjes” si: armatime të rënda, tanke dhe avionë.

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s ranë dakord të rrisin ndjeshëm kapacitetet ushtarake për çdo vend anëtar, si dhe për shpenzimin e 5 për qind të GDP-së për mbrojtjen.

Ndërsa 1.5 për qind e GDP-së do të shkojë çdo vit për infrastrukturën ushtarake, mbikëqyrjen dhe fuqinë kibernetike.

“Këto objektiva tregojnë se cilat janë fushat ku aleatët duhet të investojnë në vitet e ardhshme”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Shtetet e Bashkuara ishin ato që nxitën vendet anëtare të rrisin dramatikisht shpenzimet dhe pikërisht ato presin të shohin shumë shpejt një “progres të besueshëm”.

“Kërcënimet me të cilat përballet NATO po rriten dhe kundërshtarët tanë nuk po presin që ne të riarmatosemi, apo që të jemi gati nëse ata bëjnë lëvizjen e parë”, tha Rutte.

Në një prononcim për mediat, shefi i Aleancës tha se rritja e shpenzimeve në 5 për qind është një nevojë urgjente, pasi Rusia mund të sulmojë shtetet anëtare në vitet e ardhshme.

“E kam seriozisht kur e them, pasi në të kundërt bëni mirë të filloni kurset e gjuhës ruse, ose të largoheni në Zelandën e Re”, u shpreh Rutte.

Kapiteni Gjimshiti lë kombëtaren/ Sylvinho nis të mendojë direkt për zëvendësuesin

Sipas rregullave, kapiteni Berat Gjimshiti do të mungojë në ndeshjen kundër Letonisë, pasi ka plotësuar numrin e kartonëve. Lajm i keq për kombëtaren.

Ai u ndëshkua me karton të verdhë në ndeshjen e djeshme me Serbinë (0-0) në “Air Albania”, kështu që në vend të tij duhet të luajë një qendërmbrojtës tjetër.

Për zëvendësimin e tij, Sylvinho ka lënë të kuptohet se alternativat nuk mungojnë dhe se nuk është i shqetësuar.

“Kemi pesë qendërmbrojtës, përfshirë edhe Adrian Bajramin, që po luan shumë mirë”, tha Sylvinho për mediat.

E pushuan nga puna pasi iu zbulua llogaria në ‘OnlyFans’, mësuesja e kopshtit padit babain e njërit prj fëmijëve: Ka paguar të më shihte

Elena Maraga, ish-mësuese kopshti në provincën e Trevisos (Itali), ka paditur babain e një prej ish-nxënësve të saj, i cili dyshohet se ka bërë publike aktivitetin e saj në platformën OnlyFans – veprim që çoi në largimin e saj nga puna.

Lajmi është konfirmuar nga gazetat italiane Il Gazzettino dhe Corriere del Veneto, të cilat raportojnë se burri në fjalë ka zbuluar profilin e saj në OnlyFans dhe më pas ka shpërndarë imazhet në një grup lokal futbolli, derisa bashkëshortja e tij ia raportoi situatën shkollës ku punonte Maraga.

“Nuk e kam reklamuar kurrë atë profil. Ishte ai baba që më gjeti dhe e përhapi përmbajtjen time pa pëlqimin tim”, është shprehur Maraga për Corriere del Veneto.

Përveç babait, Maraga ka paditur edhe tre përdorues të rrjeteve sociale që e kanë fyer dhe sulmuar publikisht online. “Dosja u dorëzua tre ditë më parë. Pres që lista e padive të zgjerohet,” tha Fabrizio Dumas, përfaqësues i organizatës Cub Treviso.

Në një video të publikuar së fundmi në rrjete sociale, Maraga ka reaguar ashpër ndaj hipokrizisë që, sipas saj, ka përshkuar gjithë këtë histori: “Këta njerëz më kanë gjykuar publikisht, më kanë ofenduar, por ndërkohë kanë paguar për të më parë. Më kanë trajtuar si një prostitutë, por kush është imoral në këtë histori? Unë, që jashtë orarit të punës bëj çfarë të dua me trupin tim, apo ata që konsumojnë dhe më gjykojnë në të njëjtën kohë?”.

Ajo shtoi se ndjen detyrimin të flasë hapur, jo vetëm për veten, por për shumë gra të tjera që, sipas saj, janë dënuar padrejtësisht për zgjedhjet e tyre personale: “Jam e lodhur nga padrejtësitë që kam vuajtur dhe që vazhdoj të vuaj. E bëj këtë edhe në emër të të gjitha atyre grave që janë ndjerë të ndëshkuara për gjëra që burrat i bëjnë pa asnjë pasojë.”

Rasti ka rikthyer në qendër të debatit në Itali çështjen e etikës profesionale, privatësisë dhe gjykimeve morale ndaj grave në platformat digjitale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

U arrestua për kultivim lëndësh narkotike, Enca: E ka krijuar zoti, kush jam unë mos ta respektoj

Këngëtarja e njohur Enca Haxhia ka folur për herë të parë lidhur me arrestimin e saj dy vite më parë, për kultivim të bimëve narkotike në banesën e saj në Lundër. Në një intervistë për emisionin “Goca dhe Gra”, Enca tha se e kishte ndërmarrë veprimin nga kurioziteti dhe dashuria për bimët, por theksoi se më pas e kishte kuptuar gabimin.

“Isha unë një ditë. Do ta bëj këtë gjë për qejf. Ishte komplet nga kurioziteti dhe dashuria ime për bimët. Ajo u rrit, unë e kuptova gabimin tim, dhe kjo çështje ka marrë fund. Zura mend,” deklaroi ajo.

Këngëtarja shtoi se nuk dëshiron ta relativizojë çështjen, por e konsideron të mbyllur nga ana e saj dhe se ka nxjerrë mësimet përkatëse.

Ndërkohë, e pyetur për konsumimin e kanabisit, Enca tha se është një temë delikate për t’u diskutuar në Shqipëri, por pranoi se e konsumon vetëm kur ndodhet në vende ku përdorimi është i ligjshëm, siç është rasti i SHBA-ve.

“Është pak temë sensitive për tu diskutuar në Shqipëri, unë e konsumoj sa herë jam në shtetet që lejohet konsumi. Një shoku im thotë: zoti e ka sjellë në tokë, kush jam unë të disrespektoj zotin të mos e pi atë,” u shpreh ajo me ironi.

Deklaratat e saj vijnë pas një periudhe ku është rikthyer aktivisht në skenë, duke promovuar projekte të reja muzikore.

Pamjet që po bëhen virale në mediat ballkanike: Tifozi i Shqipërisë puth live gazetarin serb, ja si reagoi ai

Kombëtarja shqiptare ka luajtur mbrëmjen e djeshme një nga sfidat më të rëndësishme për kualifikueset e Botërorit, kundër Kombëtares serbe. Kuqezinjtë luajtën një lojë të bukur, por nuk arritën të merrnin më shumë se një rezultat 0-0.

Për shkak të rëndësisë së takimit dhe situatës së “nxehtë” mes dy kombëtarëve, Tirana ka qenë mbrëmjen e djeshme qendra e shumë mediave ballkanike, të cilat kishin dërguar reporterët e vetë për mbulimin e një ngjarje të rëndësishme sportive.

Megjithatë, pavarësisht situatës dhe “frikës” për incidente, gjithçka në fushë dhe jashtë saj shkoi shumë mirë.

Vëmendjen e mediave ballkanike e ka marrë pikërisht një episod jashtë stadiumit kombëtar, kur një tifoz i kombëtares shqiptare i afrohet gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë gazetarit serb dhe e puth në faqe.

Reporteri i ndërkombëtares Al Jazeera për Ballkanin, Milan Boskovic e ka pritur shumë mirë këtë reagim spontan.

Ai i bën me shenjë moderatorit në studio dhe vazhdon të qesh e të kthejë sytë nga tifozi, që me gjasë mund ta ketë takuar pasi mbylli raportimin nga Tirana. Një mesazh i bukur i tifozit shqiptar, se ne jemi ndryshe, ne jemi për të luajtur futboll e jo për dhunë. (Momenti ne fundit te videos)

‘Pse më ke ngacmuar gr υαn?’ Mësohet motivi i ρΙagosjes me ar më në Allias

Një ngjarje e rëndë u regjistrua mëngjesin e sotëm në kryeqytet, konkretisht në Allias. Një 31-vjeçar u plagos me armë zjarri në zonën e Alliasit në kryeqytet rreth orës 07:50. Shtetasi Korado Teodori, 38 vjeç, plagosi në këmbë me armë zjarri fqinjën e tij, Sandrino Baci, 31 vjeç.

Bëhet e ditur se i plagosuri dhe autori janë komshinj me njëri-tjetrin dhe më herët nuk kanë pasur konflikte. Nga hetimet paraprake dyshohet se i plagosuri i ka ngacmuar bashkëshorten autorit. Sandrino Baci sapo ishte kthyer nga Italia, ndërkohë arma me të cilën është qëlluar ishte pistoletë, e cila ende nuk është gjetur, teksa autori është arratisur menjëherë pas ngjarjes.

Autori Korado Teodori, ka vëzhguar për disa minuta Sandrino Bacin në banesë sapo ky i fundit ka dalë e ka ndjekur deri te rruga aty ku dhe debati ka nisur me tone të ashpra pasi Baci ka mohuar që të ketë ngacmuar bashkëshorten e Korado Teodorit. Pas disa minutash, Teodori e ka qëlluar me armë në pulpën e këmbës dy herë Bacin dhe më pas është larguar.

Igli Tare ndodhej në stadium për ndeshjen Shqipëri-Serbi, te Milani kërkojnë transferimin e portierit të… padëshiruar

Igli Tare ndodhej dje në stadiumin “Air Albania”, për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Serbi. Ky takim ishte i vlefshëm për kualifikueset e Botërorit 2026.

Drejtori sportivi i Milanit po monitoron disa lojtarë ku pjesë e tyre janë edhe Gjimshiti e Vlahoviç, siç raportohet në Itali. Kështu Tare nuk ishte në stadium vetëm për të parë ndeshjen mes dy rivalëve të Grupit K.

Në anën tjetër, Tare këtë të enjte ka takuar agjentët e Svilar. Portieri serb është i padëshiruar aktualisht te përfaqësuesja serbe, pasi edhe ftesa ka munguar. Vetë trajneri Stojkoviç deklaroi se portieri i Romës i ishte shmangur më parë angazhimit me kombëtaren.

Milani e ka seriozisht me Svilar. Për këtë pritet të mësohet oferta ndaj klubit tjetër të Seria A. 25-vjeçari ka kontratë edhe për dy vite me Romën./panoramasport.com.al