Në emisionin “Now” me Erla Mëhillin këtë të mërkurë janë publikuar disa dokumente ku paraqitet sesi hebrenjtë në Shqipëri konvertoheshin në myslimanë dhe në besime të tjera fetare. Në dokumentin e vitit 1940 paraqitet shkrimi i cili tregon sesi një çift hebre ka vendosur të konvertohet në myslimanë.
“Sipas njoftimit të bërë nga kryenyftia e zonës Tiranë, vërtetojmë se zoti Sikfrid dhe zonja e tij me nënshtetësi shqiptare të regjistruar në zyrën civile në Shkodër me vullnetin e tyre të lirë kanë pranuar të përqafojnë fenë islamë duke kryer formalitete të nevojshme fetare kështu quhen pjesëtarë të këtij komunitetit të besimit mysliman dhe me emrat e rinjë qe i kanë pëlqyer,” theksohet në letër.
Historiania, Nevila Nika u shpreh se këto konvertime i përkasin periudhës së luftës teksa theksoi se kjo bëhej që hebrenjtë të mos identifikoheshin nga pushtuesit në vendin tonë.
“Certifikatat e konvertimit janë hapur diçka që e cila vinte për shtat familjeve hebreje për të mos u identifikuar nga pushtuesit. Si ky dokument ke edhe te komuniteti katolik, ortodoks. Ka shumë si këto. Natyrisht kanë bërë edhe falsifikime”, tha ajo ndër të tjera.
Banorja e Big Brother VIP Kosova 4, Elijona Binakaj, ka bërë një rrëfim shumë prekës në dhomën e rrëfimit, duke prekur zemrat e publikut me historinë e saj personale.
Teksa po festonte ditëlindjen e saj të 19-të brenda shtëpisë më të madhe në vend, Elijona u shfaq e vetmuar dhe e emocionuar, duke shpërthyer në lot gjatë rrëfimit të saj.
“Zakonisht për çdo ditëlindje mërzitem, por kur mërzitem e kam të paktën babin ose familjen që ma heqin pak mërzinë. Tani jam krejt vet dhe mosha që do ta mbush po më mundon, sepse motra ime kur i ka pasur 19 vjet ka ndërruar jetë dhe tani unë arrita në moshën e saj. Nuk po më duket fer të jetoj në të… nuk e di”, u shpreh ajo mes lotësh.
Në vazhdim, Elijona shtoi se kjo ditëlindje shënon një tjetër moment të vështirë në jetën e saj pa njerëzit më të dashur.
“Janë bërë katër ditëlindje, tani po bëhet e pesta që e festoj pa nënën dhe motrën”, tha ajo duke qarë.
Historia e Elijona Binakajt konsiderohet si një nga më të dhimbshmet. Nëna dhe motra e saj kishin humbur jetën në një aksident tragjik me autobus në Kroaci, teksa po udhëtonin nga Gjermania drejt Kosovës për vizitë.
Rrëfimi i saj i sinqertë dhe i ndjerë ka ngjallur reagime të shumta nga publiku, i cili ka shprehur mbështetje dhe empati për Elijonën, duke e vlerësuar guximin e saj për të ndarë një histori kaq të dhimbshme në një moment kaq të ndjeshëm.
Belinda Balluku me fletë arresti vazhdon emërimet e pjesëtarëve të bandës, përzë Gazhelin nga “Doganat” dhe emëron besnikun e saj.
Pavarësisht se ndodhet nën hetim të thelluar nga SPAK për disa procedura tenderuese dhe përmendet në një seri dosjesh hetimore që përfshijnë shkelje të rënda ligjore, Belinda Balluku vazhdon të sillet si e paprekshme nga ligji, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në emërime dhe shkarkime në institucionet më të rëndësishme të shtetit.
Sipas burimeve konfidenciale, dyshohet se me kërkesë të drejtpërdrejtë të saj është larguar nga detyra pas afro gjashtë vitesh në krye të Doganave Gent Gazheli, një nga drejtuesit më jetëgjatë të këtij institucioni, për t’i hapur rrugën emërimit të një figure besnike të Ballukut.
Në vend të Gazhelit është emëruar Besmir Beja, i konsideruar si njeri i afërt dhe i besuar i ministres, i cili deri më tani ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave. Ky veprim shihet si pjesë e një skeme më të gjerë spastrimesh dhe ripozicionimesh, ku Balluku po konsolidon kontrollin e saj mbi strukturat kyçe fiskale dhe financiare të shtetit, në një kohë kur ndaj saj rëndojnë dyshime serioze penale.
Gazheli, i cili drejtoi Doganat që prej vitit 2020, është “sistemuar” nga qeveria në postin e zëvendësministrit të Mjedisit, një lëvizje që në qarqet politike interpretohet si largim i butë për të shmangur përplasjet dhe për të mos lënë gjurmë rezistence ndaj urdhrave të Ballukut.
Sa shumë paska tredhur Balluku!
Kjo vendimmarrje vjen në një klimë ku, sipas analizës së gazetarit Basir Çollaku, Balluku ka ndërtuar një rrjet të gjerë ndikimi dhe frike, që shkon shumë përtej ministrisë që ajo drejton. Në analizën e tij, Çollaku ngre pikëpyetje të forta mbi arsyen pse, pavarësisht statusit të saj penal dhe fakteve të bëra publike, ajo jo vetëm nuk shkarkohet apo arrestohet, por vijon të ushtrojë pushtet absolut.
“Kur mediatikisht shpërtheu një copëz bisede referuar se ishte bërë mes Ramës dhe Ballukut, në takimin maratonë të tij me të akuzuarën, pas marrjes së saj të pandehur, se ajo nuk ishte si Veliaj, nuk mund të shkarkohej, as të arrestohej, se po të bënin vaki këto, ajo do ta merrte me vete palloshin e gjatë, spekulimet për pavërtetësi zhurmuan pafund. Po sot?! Pyetja është, sa shumë politikanë, gjithë-kuvendarë, pozitarë, grinjarë, prokurorë, gjyqtarë, biznesmenë, kushtetues e mediatikë paska tredhur Balluku? Burra dhe gra pa kokërr dallimi.
Majtas dhe jo vetëm, pa kokërr dyshimi. Rama kryeson listën e kapjes. Pafuqia e tij, lidhet me fakte e prova, ku ai përmendet, porosit, vepron, kërkon ndere e merr vendime, të cilat formalisht i ekzekuton zëvendësja në hetim. Njëherësh tani edhe publikisht, Rama kryeson aksionin kanosës publikisht ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme si dhe asaj Kushtetuese. Këtu del tredhëria si model. Po kapërcehen dy muaj me akrobaci politike dhe burokratike.
Pasi telendisi Kushtetuesen ata u harkuan nga trysnia e Ramës ditën dhe hijet e lëvizjeve të Ballukut natën, për të hequr pezullimin nga detyra, masë e vendosur nga Gjykata e Posaçme. Fitili u ndez. Kjo shërbeu si masë bllokuese ndaj hetimit, për të shkuar në vendimmarrje të tjera. E pandehura po lejohej në zyrë. Nuk munguan veprimet. Tendera të tjerë shpërthyen. Dhjetëra milionë të tjerë euro. Në prag firme janë disa premtime për kontrata qindra milionë euro.
Pa këllqe profesionalo-morale, Kushtetuesja kërkoi kohë mendimtarësh. Fundja vetë vulos e firmos. Kuvendi, shumica rilindase nuk lejonte shqyrtimin e kërkesës së SPAK, për heqje imuniteti dhe arrest të zëvendëses së Ramës. Çështje të palidhura. Peleshi i bindet shefit. Do presim Kushtetuesen. Duket se 28 janari u la si datë, me një bindje se me 22 janar, Gjykata Supreme do të kishte pjekur mendimin e saj të vyer juridik.
Por sërish ata duan kohë. Nuk dinë se çfarë të bëjnë. Aq sa kohë do shef Rama, aq sa do shefe Balluku. Këtej struken nga Rama andej mbahen shënime nga Ambasada. Prokuroria zbulon intimidimin e dëshmitarëve nga zv/kryeministrja. Kjo mund të kishte shërbyer edhe si flagrancë. Prishja e provave ekspozohet radikalisht. Amerikanë dhe evropianë në krah të prokurorisë i kërkojnë Kryeministrit të mos i bëjë presion drejtësisë e mos mbrojë ministren e pandehur.
Asgjë. Ai nuk e rruan për askënd. Po sa paska tredhur Balluku, kur shihet se për të “Neroni” i qeverisë do të djegë gjithçka? Çfarë ka në ato 16 mijë faqe dërguar në Kuvend? Sa ka më rëndë në mijëra faqe të tjera, me prova shumë më të rënda në prokurori? Pyetjet publike janë shqeto: Përveç Ramës, sa ministra, ish-ministra, deputetë, gazetarë, operatorë mediatikë janë kapur për institucionesh? Kjo nuk është një mesele synetllëqesh. Jo jo. Shkon më larg bisturia. Sa biznesmenë të cilët janë aktorë të rëndë ekonomikë dhe elektoralë janë rrotull e brenda dosjes, ku gjezdisin duart e Ballukut e sms-të e Ramës?
Sa diplomatë e ambasadorë të heshtur, kanë ndonjë mjaltosje gjëkundi nga tendera ndërkombëtarë, të fituar ballukisht? Sa shërbime sekrete lindore, duan zëvendësen e Ramës aty ku është? Sa banda dhe grupe kriminale, organizata të trafikut të kokainës, me investime strategjike miliona euro, duan Ballukun si garanci firmëtare aty në atë karrige? Sa narko-terroristë janë në këtë lojë?
Sa Sinaloa dhe Ndranghteta janë në krah të narko-qeverisë me Ramën dhe zëvendësen në tryezat e tyre? Kjo është një përballje e drejtëpërdrejtë e Edi Ramës në anën narcos, me SPAK dhe mbështetësit e tyre USA-BE. Deri tani Rama i ka mundur. Paligjshmërisht sigurisht. Ky dështim, nëse vazhdon kështu, bën qesharak investimin më të madh në drejtësi, Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme. Të tjerat janë dokrra hini…!”, shkruan Çollaku.
Në këtë kuadër, vijimi i emërimeve, tenderëve dhe kontratave me vlera dhjetëra e qindra milionë euro, ndërkohë që ndaj Ballukut rëndojnë akuza dhe dosje voluminoze në SPAK, shihet si tentativë e hapur për të bllokuar hetimet, për të intimiduar dëshmitarë dhe për të shkatërruar prova.
Pranvera dhe Marjani, një çift i njohur në rrjetet sociale, kanë tërhequr vëmendjen e publikut me lidhjen e tyre, e cila sfidon normat tradicionale.
Ajo që filloi si një histori dashurie, tani është bërë një temë debati për shkak të besimeve të ndryshme fetare mes tyre.Çifti ka ndarë me ndjekësit e tyre momente të përditshme, duke krijuar një lidhje të ngushtë me ata. Megjithatë, Pranvera ka vendosur të reagojë ndaj komenteve negative që kanë ardhur për jetën e saj private dhe martesën me Marjanin, duke theksuar rëndësinë e respektit dhe tolerancës.
Një ndjekës i saj e kritikoi publikisht, duke e quajtur lidhjen e tyre si “imoralitet” për shkak të feve të ndryshme. Pranvera, e cila është myslimane, e mori këtë mesazh si një thirrje për të shpjeguar se feja është një çështje personale dhe se çdo individ ka të drejtën të zgjedhë për veten e tij.
Mesazhi që nxiti reagimin: “Feja është personale”
Reagimi i Pranverës ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Ajo theksoi se besimi është një çështje individuale dhe se nuk ka nevojë për të bërë zhurmë për të. “Feja është shumë personale dhe as nuk është nevoja me e bërtitë, se e ke veç për vete e për askënd tjetër,” shprehet ajo, duke inkurajuar ndjekësit të jenë më të hapur dhe të respektojnë zgjedhjet e të tjerëve.
Harmonia në familje: “Mbi të gjitha kemi dashninë”
Pranvera e sqaroi se, pavarësisht dallimeve fetare, ajo dhe Marjani kanë ndërtuar një marrëdhënie të fortë mbi respektin dhe dashurinë. Ajo nënvizoi se në shtëpinë e tyre mbizotëron një atmosferë harmonike, ku secili respekton besimin e tjetrit. “Unë dhe burri im respektojmë fetë e njëri-tjetrit sepse mbi të gjitha kemi dashninë,” tha ajo.
Mesazhi për fund: Besimi nuk përdoret për përfitime
Në përfundim, Pranvera shprehu krenarinë për imazhin që ata si çift përcjellin, duke përfshirë edhe fëmijën e tyre. Ajo theksoi se asnjëherë nuk e kanë përdorur fenë për përfitime personale, duke besuar se para Zotit, çdo individ gjykohet sipas pastërtisë së shpirtit të tij. Kjo qasje e saj është një thirrje për tolerancë dhe mirëkuptim në një shoqëri që shpesh është e ndarë nga paragjykime.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi zgjedhjet e 11 majit gjatë një fjalimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Por lideri i opozitës u ndërpre nga drejtuesja e seancës, e cila i fiku mikrofonin, ndërkohë që ishte duke u zhvilluar një debat për temën “zgjedhjet në kohë krizash”.
Berisha e nisi fjalimin e tij duke iu referuar kësaj teme dhe ndërhyrjes së Rusisë në proceset zgjedhore, por më pas kaloi në situatën në Shqipëri, ku tha se 28 deputetë kanë hyrë në Parlament me mbështetjen e krimit.
Drejtuesja e seancës: Fjalën e ka zoti Sali Berisha
Sali Berisha: Mendoj se çështja e zgjedhjeve, si në krizë ashtu edhe jashtë krizës, pyetja më themelore është kjo: a ka zgjedhje apo ka një farsë zgjedhore? Zgjedhjet i shërbejnë shtetit të së drejtës, ndërsa farsa zgjedhore ka efektin e kundërt. Unë dënoj fuqishëm ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vendeve të tjera, por jam këtu gjithashtu për të denoncuar dy faktorë të tjerë madhorë që mund t’i shkatërrojnë zgjedhjet. Njëri prej tyre është shteti–parti ose partia–shtet, ashtu siç u tha këtu nga vëzhguesit se në Shqipëri zgjedhjet u zhvilluan në klimën e një shteti partiak. Problemi i dytë madhor është narkoshteti.
Narkoshteti është një gjendje në të cilën droga dhe krimi shndërrohen në vota, dhe votat më pas shndërrohen në krime. 28 deputetë që kanë hyrë në parlament janë mbështetur nga kartelët më të fuqishëm të drogës. Pas kësaj, ata kanë marrë 450 leje për hotele, motele, ndërtesa dhe resorte turistike. Më pas, mandatet e tyre janë përdorur për të bllokuar të gjithë prokurorinë. Prokuroria kërkon të arrestojë dhe t’i heqë imunitetin zëvendëskryeministres. Edi Rama, kryeministri që quhet Ramaduro, e ka bllokuar iniciativën e prokurorisë dhe nuk po e lejon. Pse? Sepse në çdo tre rreshta të këtij dosjeje është emri i tij. E njëjta gjë po ndodh edhe me AKSHI, Agjencinë Kombëtare të Teknologjisë.
Drejtuesja e seancës: Faleminderit shumë.
(Berisha vijon të flasë pa mikrofon)
Drejtuesja e seancës: Mikrofoni gjithashtu është i fikur, nuk ka më përkthim. Faleminderit shumë. Para se të kalojmë te zoti Laszlo Veche, sepse ai kishte një listë tjetër, por tani mund ta marrë dhe ai është gati. Ju lutem, e keni fjalën.
Avokati Idajet Beqiri ka lëshuar një deklaratë të bujshme sa i përket rastit të zhdukjes së Bleona Matës.
I ftuar në “Ftesë në 5” në Top Channel, ai u shpreh se babai i vajzës mund të ketë lidhje në zhdukjen e saj, kjo pasi është treguar prej vitesh shumë indiferent për këtë çështje.
“Fjalët e mia shkojnë edhe për të atin. S’ka treguar kurrë interes për këtë. Për fat të keq, ai është pjesë e lojës. Këtë ju a them unë me bindje. Hetimet do vazhdojnë dhe jam i bindur se shumë shpejtë do shkojmë te foleja e grerëzave. Problemi është që babai del keq shumë në këtë lojë”, u shpreh avokati.
Ai gjithashtu shtoi se Bleona Matës ka disa opsione pse ajo nuk ka bërë ende asnjë reagim pas 15 vitesh, duke hequr çdo mundësi që ajo të ketë ndërruar jetë.
“Për mua është gjallë. Por çdo gjë ndodh në këtë vend. Ne kemi parë edhe filma. Dikush thotë që pse nuk del vajza të flasë diku. Tani është 21 vjeçe. Si nuk i dërgon fjalë nënës së vetë. Në atë moshë që ka qenë, trysnia që është shtuar mbi të, frika që ka përjetuar, kanë bërë që një pjesë e kujtesës t’i eliminohet. Nga ana tjetër, mos të harrojmë që përdorin dhe medikamente të ndryshme që ta heqin kujtesën. Kjo është një enigmë në kuptimin e parë të fjalës. Nuk ka shpjegim të mos reagonte. Duhet të reagonte patjetër.
Në aspektin e harresës ekstreme. Që ajo nuk di që Bukuria është nëna e saj. Nuk flas për probleme që mund të lidhen me frustimin e saj.
Në Greqi, ku mendohet se ka jetuar, thuajse 1/3 e asaj popullsie janë shqiptarë. Edhe Gjermani e njëjta gjë. Mendohet se ka shkuar nga Greqia në Gjermani.
SPAK-u do i shkojë deri në fund. Çdo version është hedhur. Janë edhe ato mendjet e prishura që e kanë ngrënë arinjtë ose ndonjë kafshë e egër, por do ishte gjetur diçka. Të gjitha janë përralla. Këto më bëjnë të besoj që vajza jeton”, shtoi ai.
Gazeta britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull të gjatë bizneseve që Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner po përpiqen të vënë në vijë në Mesdhe, duke u shfaqur gjithnjë e më shumë si figura kyçe të biznesit global, duke ndjekur nga afër filozofinë e famshme të Donald Trump për “artin e marrëveshjes”.
Ndërsa presidenti amerikan u tërhoq nga përpjekja për të aneksuar Groenlandën, vajza e tij po bënte një lëvizje të madhe në Mesdhe: sigurimin e një marrëveshjeje për zhvillimin e ishullit të Sazanit në Shqipëri.
Ivanka Trump, 44 vjeç, dhe Jared Kushner, përmes kompanisë së tyre investuese Atlantic Incubation Partners LLC, kanë arritur një marrëveshje me qeverinë shqiptare për ta kthyer Sazanin, një ishull i pabanuar dhe ish-bazë ushtarake shkruan “The Telegraph”, në një resort luksoz turistik. Vlera e investimit përllogaritet rreth 1 miliard paund (1.4 miliardë dollarë), duke e shndërruar projektin në një nga investimet më të mëdha të huaja në Shqipëri.
Atlantic Incubation Partners lidhet me Affinity Partners, fond privat investimesh i themeluar nga Kushner pas largimit të Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2020, fond i cili ka tërhequr miliarda dollarë, përfshirë edhe fonde nga Arabia Saudite. Sipas Forbes, pasuria e përbashkët e çiftit Trump-Kushner vlerësohet rreth 1.1 miliardë dollarë, duke i renditur ata si anëtarët e dytë më të pasur të familjes Trump, pas vetë presidentit.
Ivanka Trump vizitoi Shqipërinë për disa ditë, e shoqëruar nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka përqafuar hapur vizionin e investimit luksoz. Rama e ka cilësuar këtë projekt si një mundësi strategjike për zhvillimin e turizmit elitar, duke deklaruar se “Shqipëria ka nevojë për super-luksozin ashtu si shkretëtira ka nevojë për ujë”.
Komiteti Shqiptar i Investimeve Strategjike i dha dritën jeshile projektit më 30 dhjetor 2024, pak javë pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale. Plani parashikon ndërtimin e një hoteli luksoz, vilave private dhe infrastrukturës së nevojshme në një ishull që aktualisht nuk ka burime uji të pijshëm. Projekti pritet të hapë rreth 1000 vende pune.
Megjithatë, marrëveshja ka ngjallur polemika, shkruan “The Telegraph”. Deputetë të opozitës kanë ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe tenderim të hapur, ndërsa organizatat mjedisore kanë reaguar ashpër, duke theksuar se Sazani dhe zona e Zvërnecit kanë status të mbrojtur për shkak të vlerave të tyre ekologjike. Dhjetëra grupe i kanë kërkuar qeverisë shqiptare pezullimin e projektit.
Në të njëjtën kohë, aktivitetet e Kushnerit shtrihen edhe në Serbi dhe Lindjen e Mesme, duke ngritur pyetje në Uashington për konflikte të mundshme interesi, për shkak të rolit të tij jozyrtar si këshilltar i Donald Trump.
Pavarësisht kritikave, Ivanka Trump u shpreh entuziaste për vizitën e saj, duke e quajtur Shqipërinë “magjike”. Me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe me ndikimin e tyre në rritje, duket se Ivanka Trump dhe Jared Kushner do të vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërthurjen e politikës, biznesit dhe diplomacisë globale.
Presidenti nigerian Bola Ahmed Tinubu, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Turqi, pësoi një incident gjatë ceremonisë së pritjes në Pallatin Presidencial në Ankara, ku u prit nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
Sipas mediave, ngjarja ndodhi gjatë ceremonisë së mirëseardhjes, në momentin kur presidenti Tinubu po përshëndeste trupat.
Pak çaste më vonë, ai humbi ekuilibrin dhe u rrëzua.
Me ndihmën e të pranishmëve, Bola Ahmed Tinubu u ngrit shpejt në këmbë dhe u konstatua se nuk kishte pësuar lëndime. Pavarësisht incidentit të pafat, programi zyrtar vijoi normalisht pas një vonese të shkurtër.
Bullgarët e kualifikuar largohen nga Gjermania duke vazhduar të punojnë për punëdhënësit e tyre gjermanë nga shtëpia në Bullgari. Më pranë familjeve të tyre, dhe më shumë rrogë neto më të lartë për ata që kthehen.
“Në Bullgari, më mbeten rreth 300 euro më shumë në muaj nga rroga se në Gjermani”, thotë Kristina Borisova. Bullgarja 41-vjeçare u kthye në atdheun e saj në fillim të vitit 2025 pas tetë vitesh në Gjermani. Sot, Kristina jeton në Pomorie, një qytet i vogël në bregdetin e Detit të Zi, dhe vazhdon të punojë për punëdhënësin e saj gjerman si asistente administrative në sektorin e energjisë. Kompania e saj, me seli në Gera, i paguan të njëjtën pagë gjermane, edhe pse ajo punon nga Bullgaria.
Për shkak të taksave dhe kontributeve më të ulëta të sigurimeve shoqërore në Bullgari, Kristina merr në vendlindje më shumë të ardhura neto. Meqenëse ajo gjithashtu nuk paguan qira në Pomorie, por jeton në shtëpinë e prindërve të saj, i mbeten dukshëm më shumë para në fund të muajit pas të gjitha shpenzimeve – pak mbi 700 euro në total. Kjo është shumë, veçanërisht në një vend ku paga mesatare vitin e kaluar ishte 1,300 euro.
Kristina është shumë mirënjohëse ndaj punëdhënësit të saj gjerman që pranoi marrëveshjen e punës në distancë. “Përfitimi financiar është i madh. Por gjëja më e mirë është se jam afër familjes sime”, thotë gruaja bullgare.
Bashkë me familjen në vend të kërkimit të apartamentit
Edhe Radimir Bitsov u kthye në Bullgari pas tetë vitesh në Berlin. Sot ai jeton në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, dhe vazhdon të punojë për punëdhënësin e tij gjerman, një kompani të vogël IT. Radimir u zhvendos në pikun e pandemisë së koronavirusit.
“Atëkohë lindi fëmija ynë. Ishte shumë e vështirë të gjenim një apartament më të madh në Berlin. Dhe ne donim të ishim pranë familjes sonë”, shpjegon specialisti 38-vjeçar i IT-së. Ai shton se fakti që ai merr në shtëpi shumë më tepër nga rroga e tij gjermane në Bullgari sesa në Gjermani është një efekt anësor shumë i mirëpritur. “Në fund të fundit, është rreth 20 përqind më shumë”, thotë Radimir.
Pas tetë vitesh në Gjermani, Kristina Borisova tani jeton në bregdetin e Detit të Zi – me pagën e saj gjermane
Puna nga shtëpia si trend
“Vitet e fundit, kam konstatuar një trend të ri – gjithnjë e më shumë bullgarë të rinj dhe të arsimuar mirë po largohen nga Gjermania dhe po punojnë në distancë nga Bullgaria”, tha avokati Konstantin Ruskov për DW. Firma e tij ligjore këshillon punëdhënësit gjermanë, punonjësit bullgarë të të cilëve po kthehen në vendin e tyre të origjinës. “Në fillim të pandemisë COVID, kishim pesë klientë të tillë; sot kemi të paktën 80. Disa kanë vetëm një punonjës në Bullgari, të tjerë 20”, theksoi Ruskov.
Bullgarët po kthehen
Nuk ka statistika zyrtare që regjistrojnë numrin e saktë të këtyre të kthyerve bullgarë që punojnë nga shtëpia. Megjithatë, të dhënat nga Zyra Federale e Statistikave në Gjermani për vitin 2024 konfirmojnë një ndryshim të vogël: për herë të parë pas një kohe të gjatë, më shumë bullgarë emigruan nga Gjermania sesa imigruan për në Gjermani. Bilanci negativ i migracionit ishte minus 11,000 persona. Afërsisht 432,000 bullgarë jetojnë në Gjermani.
Të dhënat nga Instituti Kombëtar Bullgar i Statistikave tregojnë se që nga viti 2022, një numër gjithnjë e në rritje i bullgarëve janë kthyer në atdheun e tyre. Në vitin 2024, rreth 9,000 persona emigruan, ndërsa mbi 18,000 qytetarë bullgarë u kthyen në vend gjatë së njëjtës periudhë.
1500 Euro në muaj më shumë
Pas dhjetë vitesh në Mynih, Silvi Bojadzhieva është kthyer në Bullgari. Ekonomistja 34-vjeçare tani jeton në Sofje dhe vazhdon të punojë për punëdhënësin e saj gjerman. Ajo donte kryesisht të kthehej në Bullgari për arsye familjare. Dhe, siç i tha Silvi DW, “të fitosh një rrogë perëndimore në Bullgari ka përparësi të konsiderueshme”. “Arsyet për t’u kthyer në Bullgari janë shumë individuale – por për mjaft bullgarë të rinj, shumë të kualifikuar që ndërmarrin këtë hap, motivimi është kryesisht financiar”, thotë juristi Konstantin Ruskov.
“Kisha një klient 30-vjeçar që fitonte 8,000 euro bruto në Mynih. Pas të gjitha taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore, atij i mbesnin rreth 4,500 euro neto në grupin tatimor 1. Nga kjo shumë, ai ende duhej të paguante qira – dhe në një qytet si Mynihu, qiratë janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Në Bullgari, nga ana tjetër, aktualisht i kanë mbetur rreth 6,000 euro neto nga 8,000 eurot.”
Avantazhe edhe për punëdhënësin gjerman
Avokati thekson se zhvendosja e punonjësve u sjell dobi edhe kompanive gjermane: ato kanë kosto më të ulëta pagash për punonjësit e tyre në Bullgari sesa në Gjermani, pasi këta punonjës janë të siguruar përmes sistemit bullgar. “Për më tepër, këto kompani gjermane nuk kanë asnjë kosto investimi, sepse nuk kanë seli të regjistruar në Bullgari. Vetëm punonjësit janë të regjistruar atje”, shpjegon Ruskov.
Brenda Bashkimit Evropian, marrëdhënie të tilla punësimi janë të rregulluara në mënyrë të shkëlqyer, thekson avokati: “Regjistrimi është i thjeshtë dhe i lirë. Disa dokumente duhet të lëshohen në Gjermani, gjë që mund të zgjasë disa javë, pastaj gjithçka trajtohet shumë shpejt në Bullgari.”
Sipas Ruskov, motivimi kryesor për kompanitë gjermane për të lejuar që punonjësit e tyre të zhvendosen në vendin e tyre të origjinës është mbajtja e punonjësve, veçanërisht e rëndësishme kjo duke pasur parasysh mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani.
Megjithatë, Kristina, Radimir dhe Silvi rrëfejnë edhe se ndikimi i pagave të tyre gjermane është zvogëluar disi kohët e fundit. Çmimet në Bullgari, veçanërisht në Sofje, janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, para se Bullgaria të bashkohej me Eurozonën. “Disa gjëra, si veshja dhe ushqimi, janë edhe më të shtrenjta në Bullgari tani sesa në Gjermani”, ankohet Kristina. Por të tre theksojnë gjithashtu se u mungon rregulli dhe pastërtia e Gjermanisë, si dhe kujdesi i mirë mjekësor.
Rikthim në Gjermani?
Por a do të kthehen ndonjëherë ata në Gjermani? Kristina e ka të qartë, ajo dëshiron të qëndrojë përgjithmonë në Bullgari. Kurse Radimiri mund ta imagjinojë të kthehet në Gjermani, nëse situata politike në vend do të përkeqësohej. Atij i “mungon rregulli dhe praktikaliteti gjerman.”
As Silvi nuk e përjashton largimin përsëri nga Bullgaria, pasi është e shqetësuar për situatën politike në vend. Në dhjetor, protesta të shumta rrëzuan qeverinë. Shkaku ishin rritjet e planifikuara të taksave në projektbuxhetin për vitin 2026. Ekonomistja është e sigurt: “Nëse barra tatimore dhe kontributet e sigurimeve shoqërore në Bullgari rriten pa një rritje përkatëse të shërbimeve dhe infrastrukturës, kjo do të çojë në një rënie të ndjeshme të cilësisë së jetës”, thotë ajo./DW
Një 15 vjeçar është sot në jetë falë ndihmës së shpejt që i kanë dhënë disa qytetarë të rastit, të cilët e kanë parë pa ndjenja dhe menjëherë telefonuan urgjencën mjekësore në numrin 127, përcjell newsbomb.al.
Nga ana tjetër e telefonit, është bërë menjëherë nisja e ekipit mjekësor me autoambulancë drejt vendit ku është raportuar ngjarja, si dhe për të fituar më shumë kohë, qytetarët janë udhëzuar për të bërë masazh kardiak.
Kur Njësia e Koordinimit 127 mori telefonatën për një të ri pa ndjenja, çdo sekondë kishte vlerë, ndaj personeli nisi menjëherë udhëzimet për T-RKP (Reanimacion Kardio-Pulmonar Telefonik).
Qytetarët në vendngjarje nuk u trembën të ndihmojnë dhe filluan masazhin kardiak, ndonëse nuk e dinin nëse po e bënin perfekt, ama ndoqën këshillimin telefonik dhe e ia dolën.
Dhe kjo mjaftoi për të mbajtur gjallë shpresën. Kur mbërriti ambulanca me ekipin mjekësor nga Spitali i Traumës, zemra e të riut ende kishte një shans. Pas defibrilimit dhe reanimimit, zemra rifilloi të rrihte, raporton newsbomb.al.
15 vjeçari u dërgua më pas në QSUT për trajtim të mëtejshëm dhe raportohet se gjendet në reanimacion. Në këtë moment, Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore bën me dije se i riu gjendet i intubuar dhe me parametra hemodinamik stabël.
Urgjenca falenderon qytetarët që dhanë ndihmën e parë në vendngjarje dhe ekipit mjekësor mbështetës për profesionalizmin në kryerjen e detyrës. Ekipi ndërhyrës në këtë rast ishte: Mjek: D.H. Infermier: E.Gj. Shofer: R.D.