E rëndë në vend! I dëmtoi makinën motrës, hakmerret vëllai, plagos me thikë të riun

Një 35-vjeçar ka përfunduar në telashe me policinë, pasi akuzohet se ka plagosur në këmbë me thikë një të ri. Shkak është bërë fakti se ky i fundit i kishte dëmtuar makinën motrës së autorit të dyshuar.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. Q., 35-vjeç, banues në Berat, pasi ditën e djeshme, dyshohet se ka dëmtuar në këmbë, me mjet prerës (thikë), një 30-vjeçar.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e 30-vjeçarit, shtetasen R. M., pasi dyshohet se i ka dëmtuar automjetin motrës së shtetasit G. Q”, sqaron policia.

E rëndë në Itali, 41-vjeçarja bie nga kavo “zipline” dhe humb jetën në vend. Mbesat po e filmonin

Një 41-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e këputjes së rripave që e mbanin në kavon “zipline” nga ku po rrëshqiste në parkun Bitto në veri të Italisë.

Ghizlane Moutahir 41-vjeçe ka humbur jetën pasi ra prej një lartësi 20 meta pranë liqenit Como, në Itali.

Sipas raportimeve bëhet me dije se 41-vjeçarja, Ghizlane Moutahir, ishte në fund në fund të zbritjes së saj të shpejtë rreth 1.5 km të gjatë, por dëshmitarët thanë se nisi të shfaqte probleme dhe me pas ra nga rripat që e mbanin.

Grupe mjekësh nxituan për ti dhënë ndihmën e parë në vendngjarje por ishte e pamundur ta shpëtonin, ndërsa prokuroria tha se ka hapur hetime.

Dy mbesat e Moutahir, të cilat sapo kishin mbaruar zbritjen e tyre në të njëjtën linjë, po filmonin tezen që rrëshqiste me rreth 100 km në orë. Po ashtu qindra njerëz ishin dje në parkun “Fly Emotion”, i hapur në vitin 2011 që është një nga atraksionet kryesore turistike të zonës.

Rrëshqitja varur në kavon “zipline” është një nga atraksionet më të frekuentuara në luginën që përfshin Albaredo, San Marco e Bema. Moutahir po udhëtonte në seksionin mes Albaredo e Bema, dhe thuajse kishte ardhur në pikën e mbërritjes ku pësoi rënien fatale, thanë mediat.

E rëndë në Itali, 41-vjeçarja bie nga kavo

Ghizlane Moutahir

“Hetimet zbuluan se Moutahir kishte ndaluar pak para mbërritjes në fundin e ‘zipline’, kur nisi të lëvizte dhe këmbët i kishin dalë jashtë. Kjo bëri që ajo të humbiste ekuilibrin dhe të binte nga pajisja që e mbante, duke humbur jetën në vend. Gjithashtu është e mundur që ajo të ketë pasur një episod paniku apo ndonjë gjendje të papritur mjekësore, dhe ne po presim rezultatet e autopsisë”, tha policia.

Moutahir ishte me origjinë marokene dhe jetonte në qytezën fqinje Sant’Angelo Lodigiano. Ajo kishte ardhur me familjarët në park ndërsa bashkëshorti i saj Michele kishte ardhur me urgjencë kur mësoi për aksidentin.

Dyshohet se pas saj fshihet Shkëlzen Berisha, kulla “Mali i Tiranës” nën hetim për pastrim parash

Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka deklaruar se kulla “Mali i Tiranës” është duke u hetuar intensivisht nga SPAK dhe se ka dyshime për pastrim parash dhe shpërdorim detyre. 

Kujtojmë se kjo është kulla që ngjalli mjaft debate pak kohë më parë, pasi edhe opozita nuk e denonconte publikisht, ndërkohë gazetari Mero Baze hodhi akuza se pas saj qëndron edhe djali i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, nëpërmjet një biznesmeni. 

“SPAK po heton intensivisht për kullën “Mali i Tiranës”. Kam përgjigje zyrtare, ka hetim për pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Shumë çështje që nuk fliten, sepse janë në fillime, edhe unë has vështirësi për t’i raportuar. Të kesh fakte duhet punë titanike, e dini sa çështje mbulojmë. Kjo është një nga rastet që SPAK të na tregojë, nëse nuk është i ngecur në atë rrjetën e politikës dhe biznesit”, tha Lala. 

Gazetarja foli edhe për disa çështje të lidhura me politikën që SPAK po heton aktualisht. 

“Kemi hetimet për koncesionet në Shëndetësi. Janë 300 dëshmitarë vetëm te koncesioni i Check Up. Duhet një vit vetëm për të pyetur dëshmitarët.

Kemi një zv.kryeministër në arrati. Kemi kryetar bashkie në detyrë të thirrur. Nuk dua ta ndaj është Berisha, Meta apo Veliaj, por kur SPAK siguron prova, nuk duhet ndarë e majtë apo e djathtë. Nëse ka prova që i mbërthen, për mua janë në rregull.

53 kg kanabis në makinë, arrestohet korçari. Ja detajet

Qafë Thanë.

Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Restart”, për goditjen e një tjetër rasti të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Vihet në pranga 46-vjeçari, që dyshohet se do trafikonte me automjet lëndë narkotike, drejt Maqedonisë së Veriut.

Sekuestrohen 53.3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, një automjet dhe dy celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, pas një pune hetimore disamujore, të zhvilluar për goditjen e krimeve ndërkufitare, si dhe në vijim të zbatimit të masave në kuadër të planeve operacionale kombëtare ,”Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, në drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me DVKM Korçë finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Restart”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi:

-Elton Grabocka, 46 vjeç, banues në Korçë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, shërbimet e Policisë, gjetën në automjetin tip “Volkswagen” që ky shtetas drejtonte, 53.3 kilogramë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në pako. Sasia e drogës, e cila dyshohet se do të trafikohej në drejtim të Maqedonisë së Veriut, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me dy celularë dhe automjetin.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastito dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.

Ngjarje e rëndë/ Po kryenin punime në sistemin e kanalizimeve, ndërrojnë jetë 5 punëtorë

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Casteldaccia, në provincën e Palermos të Italisë, ku për pasojë kanë humbur jetën pesë punëtorë ndërsa një tjetër është në gjendje të rëndë në spital. Punëtorët vdiqën teksa po kryenin disa punime në një pusetë të sistemit të ujërave të zeza, ku u bllokuan nga një tym toksik.

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, disa nga punëtorët kanë filluar të ndihen të sëmurë, dyshohet për shkak të helmimit me sulfur hidrogjeni që shkakton acarim të rrugëve të frymëmarrjes dhe mbytje. Pasi punëtori i parë nuk ka dalë, të tjerët kanë hyrë për të kuptuar se çfarë po ndodhte.

Punëtori i shtatë, duke mos parë kolegët që të dilnin jashtë, ka ngritur alarmin.

“Nëse do të ishin marrë të gjitha masat e nevojshme, e gjithë kjo nuk do të kishte ndodhur”, tha komandanti i brigadës së zjarrfikësve të Palermos, Girolamo Bentivoglio Fiandra dhe konfirmoi se punëtorët kishin vdekur nga tymi i sulfurit të hidrogjenit dhe përjashtoi mundësinë që të kishte një shembje brenda kanalizimeve.

Rrëfimi tronditës i babait të Alma Arrazit: Çfarë u kanë parë sytë atyre fëmijëve! Vajzës i thosha “lëre dhe vazhdo jetën tënde”, por…

Voxnews.al sjell dëshminë tronditëse të babait të Alma Arrëzit, nëna e cila i dha fund tragjikisht jetës duke u hedhur nga ura e lumit Buna së bashku me tre fëmijët.

Teksa rrëfente mbi jetën e trishtë që kishte e bija, babai i Alma Bushati Arrëzi, Azem Bushati, sjell në vëmendje edhe detaje tronëditëse dhe prekëse.

“Sa e zgjuar ishte vajza ime. Puuuu sa e zgjuar. Veç ta kishe njohur… Por pati një fat të keq, shumë të keq”, shprehet ai.

Duke e përshkruar dhe treguar se përse kishte fat të keq, Azemi, nuk ngurron të tregojë edhe ato se çfarë kishte mësuar nga bëmat e brenda 4 mureve ku jetonte e Alma së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët e mitur.

“Vajza ishte larguar shumë herë nga ajo shtëpi. Unë e kam përkrahur, duke i thënë ik, nuk të do, lëre. Vazhdo jetën tënde. Por nuk ma dëgjoi fjalën se e donte shumë. Edhe mentaliteti. Nuk donte ta linte se më thoshte që nuk jemi nga ato familje ne. S’jemi mësuar lër një e merr një tjetër. Se histori të tilla nuk përfundojnë mirë”, theksoi ai.

Largime të tilla dhe mënyra se si Ergys Arrëzi e trajtonte, kanë shkaktuar padiskutim edhe trauma tek të vegjlit.

“Aq e trembur ishte vajza e madhe, saqë edhe ku e ëma shkonte në tualet, i rrinte pas derës, nga frika se mos i ikte. Kur dilte e ëma e shikonte në sy (ja kështu, në kokërr të syrit). Sikur i lutej që mos ik më. Ishte shumë e lidhur vajza e madhe me të ëmën. Booooo çfarë kanë parë ata fëmijë. Shpirti nuk më del rehat. Kam zemrën e operuar dy herë. Nuk ka kuptim më jeta ime.”

Nga thënie të tilla mësojmë edhe njëherë se përveç faktit që çifti ka pasur mosmarrëveshje, pasojat i kanë vuajtur edhe fëmijët. Të cilët për fat të keq, shpirtin e lanë në lumin Bunë, dorëpërdore me mamanë e tyre./VoxNews

“Përshëndetjet” e shqiptarëve në Selanikun e shekullit XVIII

Nga: Mark Mazower (Kapitulli “Shqiptarët” nga libri “Selaniku, qyteti i fantazmave: Të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë, 1430-1950”)

Ndërkohë, çrrënjosja e dhunës së jeniçerëve ishte shpesh më e vështirë sesa shërimi i një sëmundjeje. Shumë pashallarë, të paaftë për t’u mbështetur te trupat, që supozohej se ishin nën komandën e tyre, mbanin shpura të armatosura personale. Ata rekrutonin të rinj, kryesisht shqiptarë nga fshatrat e varfra malore, të cilët sollën me veto një qëndrim të dukshëm agresiv ndaj jetës. Një shekull më parë, një udhëtar osman, i kishte paralajmëruar të tjerët për mënyrën se si shqiptarët i përshëndesnin. Lista e tij përfshinte shprehjet e mëposhtme të përdorshme: “Ha mut!”, “Të qifsha nënën!”, “Të qifsha gruan!” dhe “Të pjerdhsha në vesh!”.

Selaniku shtrihej ndërmjet tokave jugore të Shqipërisë e Stambollit dhe në mesin e shekullit XVIII, disa mijëra shqiptarë punonin atje në hamame, si shitës boze, armëpunues, gurgdhendës apo roja. Disa të tjerë bënin punë sezonale si barinj ose tregtarë bagëtish. Pjesa më e madhe e personelit zyrtar mbështetej te ata që ofronin forcën, e cila u mundësonte pronarëve të tokave (ajanëve) në rajonet në veri të qytetit të fitonin gjithmonë e më shumë pushtet për vete. Për shembull një pronar i frikshëm i Doiranit, i cili kishte nën kontroll pjesën me të madhe të pashallarëve të Selanikut, arriti të nxirrte në fushë tre mijë shqiptarë kundër armiqve të tij – trupave yürük, që Porta e Lartë i kishte urdhëruar kundër tij. Në të vërtetë, shumë prej bejlerëve kryesorë në zonat e thella maqedonase ishin me origjinë shqiptarë.

Autoritetet osmane, që nuk kishin mendim të mirë për shtegtarët kishin shumë dyshime për shqiptarët (pavarësisht nga fakti se shumë prej zyrtarëve më të lartë ishin vetë me origjinë shqiptare). Në mënyrë të veçantë, në një Perandori që njihte vetëm dallimet e fesë, ata u dalluan nga emri, arnaut, dhe në vitin 1730 perandori urdhëroi që të gjithë shqiptarët myslimanë dhe të krishterë, të dëboheshin nga Stambolli.

Masa të tilla e intensifikuan problemin në provinca, duke rritur numrin e banditëve e të krimeve, ndaj dhe vëmendja e qeverisë u drejtua gradualisht drejt tyre. Pas luftës së gjatë me Rusinë, në mes të shekullit, pasi i shërbyen sulltanit në Peloponez, trupat shqiptare vazhduan plaçkitjen e tokave greke, derisa sulltan Abdylhamiti I, i mbështetur nga admirali i tij reformist, Gazi Hasan Pasha, vendosi të ndërmerrte veprime kundër tyre.

Gjatë asaj kohe për konsullin francez në Selanik, ata ishin më shumë sesa thjesht një faktor ngacmues. Në të vërtetë, rreziku për vetë Perandorinë nuk mund të ishte më i madh se kaq. Ai i shkroi Parisit:

Të gjithë burrat me gjykim të shëndoshë shpresojnë që Kapedan Pasha të ndjekë shembullin e Topal Osman Pashës, i cili e mbuloi Shqipërinë me lumenj gjaku duke zbatuar urdhrat e sulltan Mahmutit në vitin 1731. Nëse kjo nuk ndodh, duhet të frikësohemi se ky komb, i cili është i madh dhe njëkohësisht shumë i varfër, do të shpërdorojë zakonin e tij të mbajtjes së armëve dhe do të bëhet i fuqishëm e i rrezikshëm për këtë Perandori. Të gjitha qytetet e hapura të Rumelisë janë të ekspozuara ndaj shkatërrimeve të tij, që mund ta çojnë atë te portat e Kostandinopojës, nëse ndonjë ambicioz do të dijë si të përfitojë nga numri, kurajoja dhe disiplina e natyrshme e këtij kombi.

Si rrjedhim, ne vitin 1779, admirali osman drejtoi një grup prej më shumë se tridhjetë mijë burrash kundër tyre. Rrugës për në Peloponez, në një operacion mbresëlënës, për sa i përket shpejtësisë dhe vendosmërisë brutale, ai vetë u preu kokën dy pronarëve shumë të mëdhenj tokash dhe vrau rivalët e tyre kryesorë. Në Kostandinopojë u dërguan 34 koka të prera dhe tokat e tyre iu shpërndanë pjesëtarëve të familjes Evrenos si dhe familjeve të tjera të rëndësishme. Hasan Pasha u dha dritën jeshile turqve dhe grekëve, që të ndërmerrnin çfarëdolloj veprimi që dëshironin kundër shqiptarëve që do t’i hasnin: vrasja e tyre nuk ishte krim. Në vazhdim të marshimit të tij, ai ekzekutoi çdo shqiptar që takoi, u vuri zjarrin manastireve ku fshiheshin ata dhe ofroi pesë zekinë për çdo kokë shqiptari që i dërgonin. Në Selanik, brenda pesë ditësh, guvernatori dëboi më shumë se katër mijë shqiptarë (në përkthimin shqip me gjasë gabimisht thuhet: 400 mijë), duke përfshirë disa qindra prej tyre, të cilët bënin pjesë në shpurën e tij, dhe lejoi të qëndronin vetëm disa banorë që ishin ngulur aty kohë më parë.

Megjithatë, kjo ishte një zgjidhje e përkohshme dhe nuk pati ndonjë rezultat që shqiptarët të pajtoheshin me sundimin osman. Shumica e tyre ishin myslimanë, por feja e tyre e përbashkët nuk mund të mposhtte përbuzjen që ata ndienin tashmë për turqit. «Shqiptarët nuk e njohin më autoritetin e Lartmadhërisë së Tij», – shkroi një vëzhgues disa vite më vonë – «dhe as atë të pashës së Selanikut, të cilin e konsiderojnë një armik të urryer». Në vitin 1793, pashai i Shkodrës mundi një ushtri osmane, kapi disa zyrtarë të lartë dhe i ktheu sërish pas me mjekra të rruara në shenjë përbuzjeje për sulltanin. Në Selanik, ata po shkaktonin sërish probleme. Kur pashai u përpoq të arrestonte një ngatërrestar të njohur, të quajtur

Alizotoglou, në vitin 1793, u zbulua se ai strehonte në shtëpinë e tij 130 persona të tjerë si vetja dhe i furnizonte me ushqime dhe armë. Pashai, pasi u bëri thirrje «të gjithë myslimanëve të vërtetë» t’i vinin në ndihme, përdori topa kundër shtëpisë së Alizotoglout, por kundërshtari i tij u largua nga qyteti, pasi mori pengje për sigurinë e tij dhe kërcënoi i rebeluar se do të kthehej me 2 mijë burra, nëse nuk i kërkohej falje zyrtare. Një dhjetëvjeçar më vonë, u nxor një urdhër tjetër sipas të cilit zyrtarët lokalë urdhëroheshin ta pastronin qytetin nga «një numër i panjohur shqiptarësh dhe të tjerë, të cilët i përkasin të njëjtës kategori, nuk po kryejnë ndonjë shërbim, nuk kanë asnjë profesion të saktë dhe që po grumbullohen pa ndonjë qëllim të caktuar».

Dhe, ashtu siç e kishte parashikuar konsulli francez, shumë drejtues shqiptarë u bënë një kërcënim serioz për Perandorinë. Në fillim të shekullit XIX, Mehmet Aliu, një ushtar shqiptar nga Kavalla, u bë sundimtar i Egjiptit, themelues i një dinastie mbretërore dhe krijues i një perandorie jetëshkurtër në Afrikë e në tokat arabe. Më pranë atdheut ishte Ali Pasha – «Bonaparti mysliman», siç e quante Bajroni – i cili sundoi në gjithë bregdetin perëndimor të Ballkanit nga kalaja e tij në Janinë. Thirrja e tij mbërriti deri në portat e Selanikut dhe manastiret aty pranë zbuluan se ai ofronte një mbrojtje më të mirë kundër banditëve, sesa vetë guvernatori i qytetit, duke u dhënë atyre shënime të shkruara me dorë në «greqishte shumë të keqe», në «një copë letër katrore shumë të pistë», ku kërcënonte me ekzekutim çdo turk që keqtrajtonte murgjit. Ky ishte një pasha shqiptar, i cili ndërtonte shtetin e tij dhe po ofronte mbrojtje për të krishterët e rajonit, sigurinë e të cilëve sulltani nuk mund ta jepte më. Brishtësia e shtetit osman nuk mund të paraqitej më qartë se kaq.

Në vitin 1912 Shkupi ka qenë me 80 për qind shqiptarë

Dokumente të ndryshme statistikore japin të dhëna interesante për përbërjen e popullsisë në Shkup. Sipas një dokumenti të Ministrisë së Punëve të Jashtme(MPJ) të Italisë, në vitin 1912 Shkupi kishte 50 mijë banorë, prej të cilëve 40 mijë ishin shqiptarë, katër mijë bullgarë dhe 150 serbë dhe të tjerë, shkruan e përditshmja Lajm.

Historiani Skënder Asani, i cili e ka gjetur këtë dokument gjatë studimit nëpër arkivat e ndryshme thotë se ky dokument tregon qartë se Shkupi ka pas shumicë absolute shqiptare.

“Menjëherë pas okupimit të Shkupit nga serbët në vitin 1912, serbët menjëherë kanë nisur jetësimin e projektit të tyre ku përmes reformës agrare kanë sjellë kolonë nga ‘shumadia’ dhe brendia e Serbisë dhe mes dy luftërave botërore ndjeshëm e kanë ndryshuar strukturën e popullsisë, por deri në vitet 1943 – 1944, Shkupi sërish ka qenë i dominuar nga shqiptarët”, thotë Asani.

Sipas të njëjtit dokument gjatë luftës së dytë botërore Shkupi ka pësuar një ngritje të madhe të popullsie, gjegjësisht në Shkup dhe rrethinë kishin ardhur mbi 40 mijë kolonë. Në dokumentin e MPJ-së italiane thuhet se në vitin 1943 – 1944 Shkupi numëronte 87 mijë banorë, prej të cilëve 33 mijë ishin shqiptarë.

“Edhe pse ishin sjellë kolona të ndryshme, Shkupi në atë periudhë sërish dominohej nga shqiptarët. Dihet fort mirë se në periudhën e pas luftës së dytë botërore u shfrytëzua momenti i depërtimit të shqiptarëve, gjegjësisht marrëveshja jugosllavo – turke për ti shpërngulur shqiptarët nga trojet etnike dhe një masë e madhe e shqiptarëve të Shkupit, sidomos rrethinës u shpërngulën në Turqi”, thotë Hasani, duke shtuar se më pas është shfrytëzuar edhe tërmeti i Shkupit i vitit 1963.

Hasani sqaron se pas kësaj tragjedie natyrore në Shkup u sollën maqedonas nga Egjeu dhe sllavë nga Evropa lindorë të cilët ngritën në mënyre enorme popullatën sllave në Shkup dhe nga këto politika shqiptarët janë dëmtuar në masë të madhe në përbërjen e popullsisë.

“Faktografia historike dhe statistikore tregon se deri në vitin 1963 Shkupi ka pas shumicë shqiptare. Pas kësaj tragjedie, nëpërmjet projekteve të ndryshme, shqiptarët nga shumicë absolute bëhen pakicë në Shkup”, thekson Asani.

Ai sqaron se Shkupi që nga Iliria e deri në fund të perandorisë osmane ka qenë me shumicë absolute shqiptare.

“Gjatë periudhave të ndryshme kohore me plane dhe projekte të caktuara sllavët janë munduar ta thyejnë këtë nyjë të shqiptarëve në Shkup që ti realizojnë projektet e caktuara serbe e më vonë maqedonase që të mos lidhen shqiptarët me kontinuitetin historik dhe të shkatërrohet mbamendja historike”, thotë Asani.

Dokumenti i MPJ-së italiane me të dhëna statistikore do të botohet së shpejti në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht. 19

Banorët e Atinës ishin pellazgët që ndërtuan murin !

Athina ! Banorët e Atinës ishin pellazgët që ndërtuan murin ! Se një këtë qytet sedi sod a egziston ky murë por hartat e kanë në arhiva .

Harta e marë nga arhiva që dëshmojn këtë .

Viti 1750-1850

Libri : Comennts on the Aeshylus

Gjuha e Dodonës ishte gjuha Pellgasëve , prandaj gjuha shqipe moderne ( Arnaut- Skiptar ) eshtë përfaqsuesi më i mire i gjuhës së Pellgasëve !

E gjithë Epiri Chaeonia- Molosët fliste gjuhën Dodone kjo është gjuhë shumë e përafërt me gjuhën shqipe , kjo është zona e Skiptarit !

Atika Athina , Peleponozi banohej nga Pelgasët , Pelgasët i mësuan si bëhen statujat e Hermesit .

Gjuha Pellazgjike ishte gjuhë barbare për helenët , helenët flisnin gjuhë tjetër !

Biblioteka e Universitetit të Harvardit !

E përktheu nga anglishtja në shqip :

Luljeta Rakipi. !

Rrëfimi i Herbert: Shqiptarët të bukur, inteligjentë, trima, besnikë, por..…

Ky është një përkthim i pjesshëm nga libri ‘A record of eastern travel’ (Një shënim nga udhëtimi në Lindje) i autorit Aubrey Herbert, mikut më të madh të shqiptarëve, i cili në këtë vepër paraqitet me pseudonimin e tij Ben Kendim

Libri është botuar në vitin 1923 dhe kjo pjesë paraqet një shënim të shkurtër të historisë shqiptare që mbërthen periudhën e kohës otomane e deri në pavarësi. Në mënyrë interesante, shkrimi është thjeshtësuar më qëllim që të lexohet dhe kuptohet nga publiku i gjerë.

Shqipëria

‘Ne nuk duam rrugë në vendin tonë për shkak se rrugët çojnë në okupim, eksploatim dhe në humbje të trashëgimisë sonë’, thanë shqiptarët.

‘Shumë mirë’, tha Stambolli, ‘nuk do të keni rrugë’.

‘Ne nuk duam as shërbim ushtarak për shkak se ne të gjithë kemi lindur të lirë, pa marrë parasysh a jemi katolikë, ortodoksë apo myslimanë’, thanë shqiptarët me vendosmëri të madhe.

Edhe me këtë kërkesë Porta u pajtua, kurse shqiptarët me të madhe iu bashkuan Armatës turke si vullnetarë.

‘Ne nuk i duam gjykatësit turq’, deklaruan shqiptarët.

‘E tash, mos e teproni’, tha Porta. ‘Mos shkoni aq larg pasi kjo çështje e prek thellësinë e shtetit. Pranojeni këtë kompromis. Lejoni gjyqtarët turq dhe ne ju premtojmë se ata nuk do ta gjykojnë askënd’.

‘Në rregull’, thanë shqiptarët.

Regjimi i vjetër në Turqi ka qenë i gatshëm që ta pranojë lirinë dhe lejen për ta aprovuar anarkinë në Shqipëri e cila në atë kohë ka qenë shërbëtore e dobishme e perandorisë. Është e drejtë të thuhet që ligji turk nuk ka sunduar askund në malet e Shqipërisë, edhe pse me ngadalësi është vendosur në qytetet si Shkodra, Elbasani dhe Janina.

Shqiptarët janë dhe gjithmonë kanë qenë dashurues të mëdhenj të tokave dhe shkëmbinjve të tyre dhe për sistemin e jetës që kanë ndërtuar. Ka qenë sistem i rëndë, por i përshtatej popullit; secili njeri ka qenë polic i mjaftueshëm i vetvetes kurse hakmarrja ka qenë ligji i tyre i pranuar.

Atë që Evropa do ta etiketonte si hakmarrje, shqiptarët e kanë quajtur drejtësi. Nga pikëpamja e vendeve të civilizuara, Shqipëria ka qenë vend pa ligj. Megjithatë, krimet e vogla që në Evropën Perëndimore i stërngarkojnë kronikat e gazetave, policinë dhe gjykatat, në Shqipëri kanë qenë shumë të rralla.

Ka shumë për t’u thëne për ligjin shqiptar. E vërteta, kurajoja dhe besueshmëria kanë qenë kualitete të këtij populli që i ka kultivuar me zell dhe ky fakt ka qenë i njohur në tërë Lindjen e Afërt.

Rojtarët e bankave, që nga Kajroja e deri në Greqi dhe nga Stambolli në Jerusalem, kanë qenë shpesh shqiptarë. Shkelja e besimit apo vjedhja e parave nga shqiptarët në këto pozita përgjegjëse ka qenë aq e rrallë sa që praktikisht është e panjohur.

Shqiptarët posedojnë edhe një kualitet të papërshkrueshëm. Ata kanë një sharm të llojit të tyre dhe një atraktivitet magjie për vendin e tyre e cila gjë lë përshtypje të përhershme të shumica e atyre që kanë qenë në Shqipëri.

Në pamje dhe me trup shqiptarët e veriut e rivalizojnë çdo racë të Evropës.

Në ditë pazari në Shkodër, në kohët e shkuara, njeriu mund të shihte malësorët thatanikë me kokë gjysmë të rruar dhe me sytë e tij të pa pushuar që ndahen në mes interesimit për mallrat e tregut dhe kujdesit të tensionuar për mundësinë e ekzistimit të ndonjë armiku në afërsi.

Gratë e kanë një lezet që nuk ua shijojnë dy veta dhe që janë po ashtu ndryshe nga çdo racë tjetër. Ato duken sikur Madona që kanë zbritur poshtë nga malet me borë.

Por, inteligjenca dhe shpejtësia e mendjes së burrave të maleve është më interesante se bukuria e rrallë që kanë gratë e tyre.

Në vitin 1880 z. Goschen dhe Lordi Edmund Fitzmaurice hartuan një memorandum për formimin e një Shqipërie autonome. Kufijtë që ata i propozuan dallojnë gjerësisht nga të sotmit pasi që ata përfshinë rrafshin e Kosovës, vilajetin e Shkodrës, qytetin e Janinës dhe pjesë të vilajetit të Manastirit.

Ata kanë qenë njerëz të paanshëm, kurse propozimi i tyre kishte për qëllim arritjen e paqës. Propozimet e tyre nuk u miratuan.

Gjatë shekujve kur Turqia e dominoi Ballkanin ndjenja kombëtare ka qenë e mbështjellë dhe e pa ushqyer në tokat e sundimit të saj. Bullgarët kanë fjetur pa ëndrra, kurse serbët vetëm nga ëndrra e mbajnë në mend madhështinë e së kaluarës.

Aspiratat e grekëve kanë qenë të kufizuara vetëm në një rreth të vogël të inteligjencës së tyre. Në Shqipëri nuk ka pasë dyshime dhe as ëndrra për arsye se populli kurrë, as për një qast, nuk e ka humbur dijen për vërtetësinë e racës së vet.

Shpirti i bashkimit ka lundruar për një kohë të gjatë mbi ujë, por ende nuk e ka gjetur varkën e saj.

Para se vendi të arrinte qëllimin e përbashkët të artikuluar është dashtë të kalojë nëpër një përvojë të zjarrit. Gjatë tërë dimrit të viti 1912 malazezët kanë qenë të angazhuar në punë propaganduese në drejtim të malësorëve në veri.

Një komision nën udhëheqjen e Adil Beut dhe i shoqëruar nga z. Robert Graves ka shkuar nëpër Shqipëri me qëllim që të eliminoj problemet që shkaktonin fermentim. Në Shkodër Adil Beu e emëroi Hysen Riza Pashën për vali dhe komandant ushtarak të qytetit të cilin ai menjëherë filloi ta fortifikojë.

Misioni ka qenë më shumë se një herë nën zjarr gjatë udhëtimit dhe dështoi të arrinte sukses. Shumë shpejt shpërtheu revolta shqiptare në Kosovë nën udhëheqje të Isa Boletinit.

Armët shqiptare triumfonin gjithkah. Shqiptarët e morën në posedim Shkupin dhe e mbajtën pjesën më të madhe të veriut ku unë kam pas fat t’i shoh incidentet të cilat do t’i përshkruaj në një kapitull tjetër. Porta e kuptoi se duhet të arrij marrëveshje.

Shqiptarëve ju premtua autonomia e cila do ta përfshinte vilajetin e Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe pjesë të atij të Manastirit. Ky koncesion erdhi me vonesë.

Kjo i dha arsye agresionit të Aleancës Ballkanike e cila nuk e dëshironte një Shqipëri të pavarur.

Nuk nevojiteshin sytë e profetit për të parë ndarjen e Shqipërisë që ishte rezultat i fitores së Aleancës Ballkanike. Ismail Bej Qemali erdhi në Vlorë në gusht 1912, para shpalljes së luftës nga shtetet ballkanike dhe që në fillimt të luftës ai u kthye në Stamboll.

Ai u kthye sërish në Vlorë dhe e shpalli pavarësinë e Shqipërisë duke e ngritur flamurin kombëtar me 28 nëntor 1912.

Qemali i lajmëroi Fuqitë të cilët nuk treguan ndonjë vëmëndje.

Grekët, të ngjallur nga lindja e shtetit të ri shqiptar, i morën gjërat në duar të tyre dhe e bllokuan Vlorën, selinë e qeverisë së përkohshme anëtarë të së cilës ishin Dom Nikollë Kaçorri, Mufid Bej Libohova dhe Mithat Bej Frashëri.

Në vitin 1913, delegacioni shqiptar, i udhëhequr nga Ismail Bej Qemali, që përbëhej nga Mehmet Bej Konica një mysliman nga jugu, Filip Noga një katolik nga veriu, imzot Fan Noli një ortodoks nga Ibriktepe dhe Faik Bej Konica i cili përfaqësonte emigrantët shqiptarë nga Amerika në kuadër të federatës së Vatrës, erdhën në Londër për t’i paraqitur kërkesat e tyre në Konferencën e Ambasadorëve.

Me 6 mars 1913, mbreti Gjorgj i Greqisë u vra në Selanik, kurse mbreti Konstantin erdhi ne fron. Ndërkohë, lufta shkonte keq për turqit: Selaniku u mor gati pa u shkrepur asnjë plumb; Adrianopoli [Edrene] bëri rezistencë heroike; Manastiri ishte ende i rrethuar.

Në Shkodër Hysen Riza Pasha u vra pasi që doli nga shtëpia e Esat Pashës ku kishte ngrënë darkë. Në Ballkan ka qenë zakon për nikoqirin që të dërgonte një apo dy njerëz të armatosur me fenerë për ta përcjellë mysafirin në shtëpi pas darkës. Hysen Riza Pasha u largua i vetmuar nga shtëpia e Esat Pashës.

Riza Pashën e sollën përsëri në shtëpi të Esat Pashës disa minuta para se të vdiste. Bounuo kim yapdi – ‘kush e bëri këtë’? – e kishte pyetur Esat Pasha. Sen bendenü bilirsin – ‘ti e di më mirë se unë’ – kishte thënë Hysen Riza dhe kishte vdekur.

Pastaj, Esat Pasha e mori komandën dhe bëri marrëveshje me serbët. Kritikët e tij kanë thënë se financat kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe se atij [Esat Pashës] ju premtua edhe principata e Shqipërisë së mesme.

Ai marshoi nga Shkodra me 23 prill. Fuqitë refuzuan ta njohin okupimin malazez të Shkodrës dhe admirali Cecil Burney shkoi në qytet si kryesues i forcës ndërkombëtare me 13 maj kur malazezët u detyruan të evakuonin qytetin.

Kështu ndodhi që Shqipëria, duke qenë e para në luftë për liri, në llogari të saj e hapi rrugën për ekspansionin e shteteve të tjera ballkanike.

Aletatë Ballkanikë e pushtuan Shqipërinë si miq dhe si çlirimtarë, por mbetën aty si posedues dhe si trashëgimtarë. Shqipëria ka qenë si Samsoni në Tempullin e Gazës. Ajo [Shqipëria] e rrëzoi Perandorinë Otomane dhe mbi kokën e saj ranë ngrehurinat./Telegrafi/