Reggio Emilia & Modena, Itali 4 aksidente të ndryshme në një shtrirje prej 5 kilometrash, njëri prej tyre masiv, ndërsa tjetri fatal, e që i kushtoi jetën një shqiptari. Të paktën 70 automjete të përfshira dhe me dhjetëra të plagosur. Ky është bilanci i situatës së krijuar një ditë më parë në autostradën A22, mes Reggiolo dhe Capri.
Viktima është Luçjan Marku, 43 vjeç, banues në Torrile të Parmës. Shqiptari, i cili ishte në drejtimin e një kamioni, humbi jetën pasi u përplas me një tjetër kamion.
Gjithçka nisi pak para orën 08:00 të mëngjesit të së hënës. Autostrada e mbuluar nga një mjegull që mediat fqinje e përshkruajnë si “mur”, e shndërroi rrugën në një grackë për shoferët.
Zyrtarisht autoritetet numërojnë 34 makina të përplasura, plus mjetet e tjera që shoferët e “zgjidhën” mes tyre në mënyrë miqësore. Në total përllogaritet që numri i makinave të cilat u përfshinë në aksidentin masiv dhe aksidentet e tjetra zinxhir të jetë mbi 70. Aksidentet shkaktuan një kaos të vërtetë paraditen e djeshme, duke i detyruar autoritetet që ta mbyllnin autostradën mes Capri-t dhe Nogarole Roça deri në orën 14:00.
Numri i të plagosurve është po ashtu i madh. 17 persona u dërguan me mjete të emergjencës, 2 prej tyre në gjendje të rëndë. Shumë të tjerë u paraqitën vetë në urgjencë, duke e çuar numrin e të plagosurve tek rreth 30.
Aksidenti i parë që ndodhi orët e mëngjesit, para orës 08:00, u shkaktua nga një kamion që transportonte bagëti të gjalla. Shoferi i mjetit të rëndë humbi kontrollin dhe përfundoi mes dy karrexhatave, në afërsi të Budrione di Carpi. Për mjetet që vinin nga pas, pamja e të cilëve ishte e kufizuar për shkak të mjegullës, parakalimi ishte i pamundur, por edhe frenimi në kohë… Për pasojë këtu ndodhi përplasja zinxhir e makinave, furgonëve e mjeteve të tjera të tonazhit të rëndë.
Me dhjetëra ambulanca shkuan në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve, por edhe patrullave të policisë. Tek ky aksidenti pati disa të plagosur rëndë, por fatmirësisht pa humbje jete.
Por nuk u ndal këtu. Pak kohë më pas, rreth orës 09:00, në afërsi të Rolo ndodhi një tjetër përplasje. I ngjashëm më të parin edhe këtu u përfshinë disa mjete, edhe të tonazhit të rëndë. Një person u dërgua me helikopter në spitalin e Bolonjës. Ai ndodhet në gjendje të rëndë. Dy të tjerë mbetën të plagosur po ashtu, por pa rrezik për jetën.
Në 09:55, po në Rolo, në përplasjen tjetër u përfshinë gjithashtu mjete të tonazhit të rëndë. Të plagosurit në këtë rast ishin dy, të cilët u dërguan në urgjencën e Capri-t.
Më i rëndi në mesin e aksidenteve ndodhi në Campogalliano, në një kohë kur mjegulla ishte larguar, por kaosi në rrugë vijonte.
Në orën 11:55 dy kamionë, njëri prej të cilëve drejtohej nga shqiptari Luçjan Marku, u përplasen me njëri-tjetrin. Shoferi i njërit prej tyre u nxor nga mjeti nga shërbimet e emergjencës dhe u ndërhy me helikopter nga Bolonja. Por tentativa për ta shpëtuar dështoi. 43-vjeçari shqiptar nuk mundi të mbijetonte dhe humbi tragjikisht jetën./tvklan.al
Një i ri shqiptar është akuzuar nga drejtësia britanike si autori i një vrasjeje me thikë në Enfield.
Mësohet se 21-vjeçari Kozma Papa ka qëlluar me thikë një 37-vjeçar po ashtu nga Shqipëria, i cili më pas ka ndërruar jetë edhe pse u transportua në spital në gjendje kritike.
Papa u arrestua nga oficerët britanikë në një makinë e cila u ndalua në Hertfordshire të dielën.
Sakaq, pritet që i riu të paraqitet në Gjykatën e Willesden e cila do të vendosë masën ndaj tij.
Ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka kontraktuar një kompani për lobim në Amerikë.
Gazetari Osman Stafa ka siguruar dokumentin për BalkanWeb.
Kujtojmë se pak ditë më parë Ahmetaj, tha se përplasjet e tij me kryeministrin Edi Rama kanë nisur herët, ndërsa akuzoi zëvendëskryeministren aktuale Belinda Balluku se përhapi konspiracionin se ia çoi dosjen Ilir Metës dhe ambasadës amerikane.
“Po qe se do të bëhet një hetim i vërtetë i vërtetë i inceneratorit të Tiranës, shqiptarët nuk do të habiten, por do të llahtarisen se deri ku do të shkojë. Sigurisht që SPAK-u nuk e bën këtë. Unë thashë “ndiq paranë”. Po të hetohet Tirana, do të shkojë shumë lart.
Pse nisi përplasja? Goditja ndaj meje ka filluar herët. Unë kam pasur përplasjet e mia me kryeministrin. Disa serioze, disa politike, aq sa kuptohet e lejon të qenit i sjellshëm dhe rigoroz. Teoria e konspiracionit që unë kam dorëzuar dosjen tek Ilir Meta dhe ambasada amerikane është furnizuar nga Erion Veliaj dhe Belinda Balluku dhe unë nuk e besoj që Edi Rama e ka besuar sepse është më i zgjuar se kaq. Këtë e ka besuar Lefter Koka dhe Mirel Mërtiri.Dosja është hetuar nga KLSH dhe kjo u përdor si justifikim për të gjetur kokën e turkut. Unë nuk e besoj se Edi Rama e ka besuar këtë, por e ka përdorur këtë për t’i vënë tapë çështjes së inceneratorëve. Po të zbërthehet një nga nyjet e procedurës praktikisht nuk ka më pazëll për inceneratorin e Tiranës. Në shkurt të 2022, gjithë histeria e kësaj teorie të konspiracionit solli atë që praktikisht isha i bindur që marrëdhënia ime me kryeministrin kishte mbaruar. I kam kërkuar të largohem në shkurt 2022 dhe i kam kërkuar përballë që marrëdhënia jonë është përmbysur”, tha ai
Muaji shkurt parashikohet që të mbizotërohet kryesisht nga moti i thatë dhe me temperatura relativisht të ngrohta. Sipas meteorologes Lajda Porja e cila ishte ftuar në Tv Klan, 10 ditët e para nuk do të ketë reshje.
Lajda Porja: Shkurti ka startuar me mot të qëndrueshëm, do të jetë me mot të qëndrueshëm të paktën për 10-ditëshin e parë nuk ka sinjale për reshje. Këto retë dhe vranësirat që shikojmë tani do të largohen gradualisht, në mesditë do jetë diell, do ketë vranësira në pjesën e dytë të ditës. Nuk ka reshje sot, 18 gradë është, le të themi 3-4 gradë mbi. Edhe nesër, të paktën fundjava se dhe sot ka një rritje të lehtë, do të ndryshojnë edhe mëngjeset. Pra kemi rritje në vlerat minimale në zonat malore, më e ulëta është 0 apo -1 ekstremi, le të themi Bajram Curri më pas kalon në pozitive gjithë zona malore, Kukësi, Peshkopia, të gjitha zonat do jenë 2-3 gradë.
Një nga faktorët që ndikon në ndjesinë se është më ftohtë apo më ngrohtë nga sa janë temperaturat reale, është lagështira. Tirana është një nga qytetet me më shumë lagështi ndaj dhe mëngjesi ndihet më i ftohtë. Sa i përket reshjeve të dëborës, priten në pjesën e dytë të muajit dhe kryesisht në zonat malore. Fundjava e parë e muajit do të jetë në temperatura të larta përgjatë vijës bregdetare.
Lajda Porja: Ka sinjale në pjesën e dytë të shkurtit për reshje dëbore në zonat malore, në sasi të pakta le të themi, por presim që shkurti edhe nga ana klimatike le të themi do jetë i ngjashëm me shkurtin tipik, që nuk ka shumë reshje, nëse e krahasojmë me dhjetorin dhe janarin është shumë më i thatë. Sa i përket temperaturave, ka nisur me temperatura më të larta, pritet që pjesa e parë të jetë, ditën e diel do jetë 20 gradë.
Aldo: Sa re? Me të shkurtra!
Lajda Porja: 20 gradë këtë të diel në vijat bregdetare të ulëta, Vlora, Saranda, 19 Fieri, Lushnja, 18 Tirana, Durrësi, 18-19 gradë pra temperatura shumë të larta përgjatë kësaj fundjave.
Për ata që duan të shijojnë dëborën, mund ta gjejnë në malin e Korabit, Tomorrit dhe në Razmë. Java e ardhshme nis sërish me temperatura të larta dhe reshje kalimtare në fund të saj. Porja shton se do të ketë edhe një episod me të ftohtin polar.
Lajda Porja: Edhe java tjetër kështu do të nisë, me temperatura të larta. Në datën 10-11 ka reshje shumë të pakta dhe kalimtare, janë jo më shumë se dy ditë. Një episod të ftohtë do ta përjetojmë në pjesën e dytë të shkurtit i cili do të zgjasë jo më shumë se tre apo katër ditë, ku temperaturat mund të shkojnë sërish, në zonat malore e theksoj, -5 gradë apo -6. Pra një të ftohtë polar do ta përjetojmë edhe në shkurt.
Dimri do të marrë disa ditë prej pranverës ndaj marsi nuk do të jetë muaji kur mund të hiqni xhupat nga dollapi.
Lajda Porja: Dimri do të zgjasë, edhe kjo është interesante, do marrë ‘borxh’ nga pranvera deri nga data 20 mars. Pra nuk është çudi që ne të shikojmë edhe në mars dëborë. Duke qenë se në dhjetor kemi patur mot shumë të ngrohtë, pra do t’i plotësojë pa diskutim ditët e veta. Parashikohet që tiparet për nuancat e dimrit t’i kemi edhe në pranverë dhe kryesisht është marsi ai që do jetë të paktën deri nga data 20, mund të ketë një tjetër episod, por mund të ketë pa diskutim edhe dëborë në zonat malore kështu që deri në datën 20 mars nuk është se do jemi zyrtarisht në pranverë. Do futemi pak më vonë por do qëndrojmë më gjatë.
Banesa e një muzikanti të ri në Petralonë të Greqisë, ka rënë pre e vjedhjes. Por duket se këtë herë, hajdutët nuk kanë dashur të marrin vetëm sende me vlerë, por edhe të bëjnë një dush dhe të qethen.
I riu është shokuar kur ka parë shtëpinë e tij të kthyer përmbys, ndërsa kur shkoi në tualet, kuptoi gjithçka, hajdutët kishin përfituar të bënin edhe një dush.
“A lahen dhe rruhen hajdutët në shtëpinë tuaj”?- shkroi ai në “TikTok”.
Ai tha gjithashtu, se hajdutët i kanë marrë disa pajisje që ai përdor në muzikën e tij, me vlerë qindra euro.
Cansu Dere i ka uruar ditëlindjen të atit. Eysan’ e njohur sipas serialit Ezel, ka zbuluar se prejardhjen e ka shqiptare nëse bazohemi në urimin që i ka bërë babasë.
“I dashur baba. I forti baba. Sot është ditëlindja jote. Së bashku edhe shumë vite të lumtura. Ti bëhu shumë i fortë, gjithmonë qëndro afër nesh. Shqiptari inatçor”, ka qenë urimi i aktores.
“Canım babam. Güçlü babam.. Bugün doğum günü.. Birlikte nice sağlıklı, mutlu yıllarımız olsun.. Sen hep güçlü ol, hep yanımızda ol, inatçı arnavut.
Ndryshe, sipas biografisë së aktores, Cansu ka lindur në Turqi ndërsa prindërit në Greqi.
Pak kush nuk do të mbetej i habitur nga njëpohim i tillë.
Në ditët e sotme, nënvizohet “shkencërisht” mendimi i “historianëve”, se arbërorët në Greqi, janë popullsi e ardhur dhe tashmë e asimiluar. Bile po të kërkoni në Google në zërin “Arvanitas” në kreun “histori”, do të lexoni se ka mendime të historianëve, që i quajnë pasardhës të grekëve origjinal, të cilët vetëm “intermediately”(për një farë kohe) u shqiptarizuan.
Admirali Pavlos Kountouriotis – Presidenti i parë i shtetit grek, arvanitas. Hero kombëtar i shtetit grek dhe i zgjedhur president 2 herë rrjesht. Sot,po bëhen përpjekje për të na bindur, se edhe në jugun e Shqipërisë, jeton një shumicë e «popullsisë autoktone greke».
Atëhere studiuesi Aristidh Kola guxon të thotë atë, që pak kush, jo vetëm në shtetin helen por as edhe në Shqipëri, nuk ia nxe goja : « Në se i nxjerrim jashtë këta arvanitas, nuk do të mbetet asgjë nga grekët dhe Greqia ! »
Ku qëndron e vërteta?
Studiuesi i shkencës së Historisë, Marc Bloch, në veprën e tij « Mjeshtria e Historianit » shprehet : «Qytetrimi ynë do të ketë kryer një përparim të pamatë, ditën kur fshehja, e ngritur në metodë veprimi…do t’ia lëre vëndin shijes së informimit » (f84M.B. ) Atëhere rruga më e mirë, është t’iu drejtohemi fakteve historike. Ja ç’farë faktesh na vijnë nga udhetare, studiues, bashkohës të shekujve të fundit….
“ Ceva (studiues arvanitas në “Historia e Tebës”):”Dihet se gjatë dhe pas luftës kombëtare deri në 1880, në Atikë dhe qytetet e Megarës e Athinës flisnin shqip, dhe pak njerëz dinin dhe flisnin greqisht. ” (f164A.K.)
“…E gjithë Greqia më 1850 fliste shqip. Shateaubriand, Lamartini, Edmond About dhe të gjithë ata, që e kanë vizituar Greqinë atë kohë, të gjithë pa përjashtim kanë shkruar se në të vërtetë, duhet të cilësohet si Shqipëri” (f.213R.A.)
“ – Asgjëkundi gjetkë, më tepër se sa në mbretërinë greke s’flitet gjuha shqipe, kërkund s’rrjedh kaq gjak shqiptari, sa në damarët dhe arteriet e kësaj popullate. Në Greqi shqiptari është në atdheun e tij (f7K.K.)
“…që nga epoka e lashtë deri te Pavarsia e Greqisë më 1821-30 të erës sonë, nuk ka pësuar në këtë vënd asnjë ndryshim…greqishtja njihej dhe flitej vetëm nga një pakicë tepër e vogël (f. 272-273R.A.)
« Parlamenti Kombëtar i Greqisë në Argolide me mbretin Otton më 1832 dhe gjatë një dhjetvjeçari bisedonte në gjuhën shqipe, ndërsa rendi i ditës hartohej greqisht » (f 6K.K.)
« Deri në vitin 1912, admirali Pavlo Kullurioti, Presidenti i parë i Republikës greke, jepte urdhëra në gjuhën shqipe. (f 538A.K.)
Gjenerali Theodoros Pangalos – Presidenti i dytë i shtetit grek, arvanit.
Mund të rendisim edhe shumë dëshmi të tjera në këtë drejtim.
Këto dëshmi, jo vetëm që nuk përmënden nga ana e historiografisë sonë, por shpesh nga akademikët dhe sidomos « analistët » dhe « gazetarët »(pa përgjithsuar), janë quajtur si «nacionalizma, qe ju ka ikur koha në shek XXI».
Por si u arrit, që kjo shumicë shqipfolëse, të kthehej në minorancë?
Kjo u bë realitet, për shkaqe të politikës ndërkombëtare. Më 3 shkurt 1830, Kongresi i Londrës krijon një mbretëri të ashtuquajtur greke.
Vetë Anglia, qysh më 1830, nuk donte që mbretëria e re të kapërcente malin Parnas. Kjo, thoshte ajo, pasi nuk ka Grekë më pertej. Nga Parnasi në Pind, banorët janë pothuaj të gjithë Shqiptarë dhe Vllehë. Meqë raca greke, ose e greqizuar, nuk i kalonte 350 mijët, u pa e udhës që kjo mbretëri e vogël të shtrihej deri në Pind, dmth deri në gjirin e Prevezës dhe të Lamisë „(f435Zh.F.)
Janë disa faktorë, që e bënë gjuhën greke, gjuhë zotëruese të popullsisë në Jugun e Gadishullit Ballkanik mbas shekullit të XIX.
Faktori i parë ka qenë politika shfarrosëse që u ndoq ndaj popullsisë shqipfolëse, duke shfrytezuar besimin fetar.
– Lufta e nisur në vitin 1821 me synimin për t’u çliruar nga sundimi osman, u shndërrua në një luftë civile, e drejtuar kundër shqiptarëve musliman. Por ngjarjet e atyre viteve treguan, se nuk u kursyen nga kjo fushatë, as edhe shqipfolësit ortodoks.
– Së dyti, marrëveshja me Turqinë për shkëmbimin e popullsisë muslimane (turke) në shtetin helen, me ate greke (ortodoksë) në Turqi. « Popullsitë e reja hynë gjatë periudhës së krijimit të shtetit grek si dhe pas vitit 1922 (bëhet fjalë për shkëmbimin e popullsisë turke të Greqisë me popullsine greke të Turqisë. Në 1922-in sipas marrëveshjes dy palëshe ku 1 3000 000 banorë erdhën në Greqi dhe 500 mijë “turq” ikën në Turqi.
Pas 1922, vijnë në Greqi popujt grekë të Azisë së Vogël, të cilët sjellin zakone dhe tradita të reja në Greqinë deri atëhere të mbizotëruar nga arvanitasit (f 351 A .K.) Shumë shqiptarë muslimanë, duke i etiketuar si “turq”, para dhe mbas Luftës së II-të Botërore, u zbuan me dhunë nga tokat e tyre, drejt Turqisë dhe vendeve të tjera përreth.
– Dhe së treti, përpjekjet për mosarsimimin në gjuhën e vatrës, e popullsisë shqipfolëse dhe lufta psikologjike që i bëhej asaj.
Një nga mjetet, për të shuar gjurmët e banorëve autoktonë shqipfolës, ka qënë edhe ndërrimi i emrave të fshatrave dhe qyteteve. Kjo u ligjërua me vendimin e Komisionit e Ndërrimit të Emrave e të fshatrave, i krijuar nga qeveria fashiste e Metaksait më 1936.
« Ja çfarë emrash shqip kanë patur deri në shekullin 19, katundet rreth Dodonës: Adrimisht, Bonile, Breshta, Brianishte, Burdar, Cakrovisht, Cuke, Dober, Frashtan, Gardhiq, Godist, Gramos, Kluboshar, Labçisht, Lozesht, Mushar, Mush, Pine, Perat, Perlep, Rrapçisht, Sul, Shotishte, Tishte, Velçisht, Vranje,Vraste etj. (Mexhit Kokalari« Republika » 7.01.2010)
Gjithashtu u ndalua vënia e emrave shqiptarë.
Deri para disa dekadash, në fshatrat arvanitase të Biotisë (dhe në pjesën tjetër të Greqisë) ekzistonin sa e sa emra helenë (arbërorë) si p.sh. Platon, Pindar, Epaminonda, Pelopida, Pluton, Aristidh, Themistokli dhe më pas u ndaluan pagëzimet me kësisoj emrash dhe u zëvëndesuan me emra hebraikë si: Joanis, Thomas, Jakovos, Maria etj (f 522A.K.)
Për të shuar çdo gjurmë të kësaj “shumice shqipfolëse”, shumë figura të njohura të periudhave, që nga lashtësia dhe deri në shk 19, që kanë bërë historinë e Greqisë, në tekstet historike paraqiten me origjinë të ndryshuar. Këto falsifikime e kanë zanafillën që në periudhën bizantine e deri në ditët e sotme.
“Shumë shpesh ka ndodhur që grekët t’i përvetsonin emrat e personazheve të shquara dhe t’iu shtonin një emër tjetër të gjuhës së tyre të gjinisë mashkullore” (f281N.V.)
Në Simpoziumin për periudhën fanariote, zhvilluar më 21-25 tetor1970 mbajtur në Selanik nga D.Soutzo, familja thesprote Gjika, emërtohet si familje princërore greke e Vllahisë dhe Moldavisë (f136P.P). Kohët e fundit u bë përpjekje e organizuar dhe perfundimisht e dështuar që të provohej se të gjithë këta heronj arvanitas (Kolokotrone, Grive, Andruce madje dhe Suliote) ishin vllehë! » (f480A.K.)
Ndryshimi i etnisë u është bërë jo vetëm figurave të shquara historike, por edhe fiseve të tëra shqipfolëse. Fisi i famshëm i suliotëve nga historiografia helene paraqiten si grekë. Për të fshirë faktet historike, metoda e ndjekur ka qënë ajo e zhdukjes së dokumentave të shkruara.
Nga fisi i gegëve thuhet se vijnë shumica e farave suliote dhe kjo do të ishte një pikëpamje e sigurtë, sikur qeveritarët me Maurin dhe Papakostën nuk do të digjnin arkivin e farës suliote të Boçarëve, që deri atëhere (1832) e ruante si një send të shenjtë Noti Gj. Boçari në Amfisë. (f 258A.K.)
Po sa është popullsia arbërore sot në shtetin Grek ?
Sipas Aristidh Kolës, Arvanitasit që ndodheshin në Greqinë e 1922, përbënin shumicën epopullsisë greke (f397 A.K.) Ndërkohë që sipas të dhënave greke ,më 1928 vetëm 18, 773 qytetarë e quanin veten shqipfolës.
Historiani Sherif Delvina shprehet :Nuk bej gabim të them se janë rreth 2-3 milionë arvanitas në Greqi.
Si vendbanime të tyre tashmë njihen Beotia, Atika, Eubea, Morea e zona të tjera që megjithëse flasin shqip, nuk kanë të drejtë të kenë as edhe një shkollë për mësimin e gjuhës së tyre. Punë të madhe ka bërë At Anton Belushi, studimet dhe kërkimet e të cilit për arbëreshët e Helladhës, mund të themi pa ndrojtje, se janë një enciklopedi e popullsisë etnike dhe kompakte arbërore në Greqi. Atje dhe sot gjenden më tepër se 600 komunitete arbërore . (« Lidhja » nr.25 v1991)
Sipas të dhënave po të vitit 1991, shteti Grek njihte një shifër prej 50 mijë shqiptarofolës duke harruar sigurisht regjistrimin mbi baza etnike të popullsise, si dhe emigrantët e pas viteve 90. Në paraqitjen e librit të Thanas Moriatit, ishte edhe deputeti i Pasokut ,arvanitasi Teodor Pangallos, i cili tha: “Arvanitasit nuk mund t’i shtypte kush në Greqi, pasi ata udhëhiqnin Greqinë, ishin gjeneralë, kryeministra, presidentë dhe pronarë të kryeqytetit. Por vetë ata e “gëlltitën” të shkuarën e tyre ,sepse në mënyrë fanatike qenë të bindur se ishin grekë, dhe me ndihmën e mësuesve arritën ta zhduknin gjuhën arvanitase…” .Edhe në ditët e sotme, arbërorët përbëjnë një numër të rëndësishëm të popullsisë në shtetin helen.
Shumë prej tyre as që e dinë etninë e tyre të origjinës. Për këtë qëllim, ka vetëm një mjet: Të njihet e vërteta HISTORIKE ! /usalbanianmediagroup.com/
Johan Fon Hahn,njihet edhe për vëllimin Griechische und Albanesische Märchen (Përralla greke dhe popullore shqiptare), Lajpcig 1864, dhe ka shkruar për punën që ka bërë me ekspeditat e tij në Ballkan, Reise von Belgrad nach Salonik.Ekspedita e 1863-shit rezultoi me një koleksion prej pesëdhjetë fotografish të cilat janë ndër më të hershme të bëra ndonjëherë në rajonin e Ballkanit.
Johan Fon Hahn, dijetar gjerman (1811-1869) konsiderohet zakonisht si babai i studimeve të albanologjisë.
Ai ka punuar për autoritetet ligjore të Mbretërisë së porsakrijuar të Greqisë. Nga 1843-1847, ai përfaqësoi konsullatën prusiane në Athinë , dhe pastaj transferohen si zëvendës konsull në konsullatën austriake në Janinë, ku ra në kontakt me shqiptarët dhe filloi të mësonte gjuhën shqipe. Hahn e vizitoi tre herë Shqipërinë gjatë viteve të qëndrimit të tij në Janinë dhe mbledhur më shumë informacione mbi historinë shqiptare ,filologjisë dhe folklorit.
Materialet i botoi në tri vëllime Albanesische (Studime shqiptare), Jena 1854, më të cilat ai hodhi themelet për studime shqiptare multi- disiplinore.
Ai njihet edhe për vëllimin Griechische und Albanesische Märchen (Përralla greke dhe popullore shqiptare), Lajpcig 1864, dhe ka shkruar për punën që ka bërë me ekspeditat e tij në Ballkan, Reise von Belgrad nach Salonik (Udhëtim nga Beogradi në Selanik ), Vjenë 1861 , dhe Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar ( Udhëtimi nëpër rajonin e Drinit dhe të Vardarit), Vjenë 1867, 1869.
Udhëtimi i fundit nga gushti deri në nëntor të vitit 1863 ka qenë kur Hahn dhe shokët e tij nisen nga Durrësi dhe Shkodra në bregdetin e Adriatikut deri në lumin Drin duke shkuar për në Prizren në Kosovë, përmes Maqedonisë perëndimore dhe pastaj poshtë lumit Vardar në Selanik (Selanik) në Detin Egje. Interesat e tij për Shqipërinë dhe Ballkanin jugperëndimor ishin të një spektri të gjerë..
Në rrjedhën e këtij udhëtimi përveç kërkimeve etnografike, ai ndoshta padashur hodhi themelet e historisë së fotografisë në Ballkanin jugperëndimor, shkruan Elsie, transmeton KultPlus.
Ekspedita e 1863-shit rezultoi me një koleksion prej pesëdhjetë fotografish të cilat janë ndër më të hershme të bëra ndonjëherë në rajonin e Ballkanit. Në fillim të viteve 1860, Hahn kishte filluar përgatitjet për ekspeditën deri në lumin Drin, ku ai vuri në dukje se : është më pak i njohur nga të gjithë lumenjtë e Evropës, megjithëse derdhet në Adriatik dhe është vetëm dhjetë milje nga kufiri jugor të perandorak në territorin (Austro – Hungarez)…
Më 23 qershor 1863, Hahn i shkroi Akademisë së Shkencave në Vjenë, duke kërkuar një fotograf kompetent që ta shoqëronte dhe bënte fotografi të qyteteve dhe të terrenit malor. Akademia propozoi njëzet e pesëvjeçarin Josef Széleky dhe i vuri në dispozicion fondet e duhura për ekspeditën.
Dr.Jozef Sekeli (1838-1901) lindi në Sümeg pranë liqenit Balaton në Hungarinë perëndimore dhe u shkollua në Szombathely. U diplomua në Universitetin e Vjenës për master në farmaci dhe në vitin 1862 u lauerua me doktoraturë në kimi. Ai dha mësim në universitet për një farë kohe, por pastaj hapi një studio në Heinrichshof pranë Operës së Vjenës. Ai u bë një fotograf profesionist dhe reputacioni i tij u rrit shumë. Në vitin 1867 ai fitoi çmimin e bronztë në Panairin Botëror në Paris (ndoshta me fotografitë e Shqipërisë), dhe në 1878 ai fitoi një medalje argjendi në Paris.
Ekspeditat e Hahn-it nisën nga konsullata e tij në ishullin e Siros, Egje, derisa zbarkoi në Durrës, më 12 gusht 1863. Atje ai vuri re se: “Qyteti nuk ka ndryshuar që prej vizitës sime të fundit, trembëdhjetë vjet më parë, nuk ka as pesëdhjetë banorë më shumë. “Ai udhëtoi duke kaluar lumin Erzen, Ndroq dhe pastaj shkoi drejt veriut duke ecur përgjatë ultësirës bregdetare për në Shkodër.
Këtu më 31 gusht 1863, ai u takua me Sekely-n e ri dhe togerin e marinës Hermann von Spaun (1833-1919 ) të cilët kishin arritur nga Tivari. Gjithashtu me grupin ishte edhe miku i vjetër i von Hahn-it , Dr Auerbach , i cili kishte shërbyer nga 1845 e këtej , si mjek i familjes së beut të Vlorës, si dhe prifti françeskan, Angelo Bardhi. Sekely ishte në Shkodër dhe bëri 8 foto shumë spektakolare.
Pa asnjë dyshim ato ishin të parat që ishin marrë ndonjëherë nga qyteti i Shkodrës dhe kështjella e tij e madhërishme. Nuk vonoi shumë dhe për ekspeditën u caktuan dy varka për të shkuar deri në lumin Drin, duke kaluar Dejën, Vjerdhën , Shurdhën, Komanin (që ka dy fotografi) dhe Dukagjinin.
Lumi sa vinte ngushtohej e ngushtohej dhe u bë e pamundur që të lundrohej më tej. Sekeli, i cili kishte pajisje të rënda me vete ishte i detyruar të kthehej pas dhe niset në Shkodër me anije, kurse pjesa tjetër e anëtarëve të ekspeditës vazhdoi udhëtimin e tyre përgjatë luginës. Grupi u ribashkua në Prizren, i cili në atë kohë ishte qyteti më i madh në Shqipëri. Prizreni kishte një total mbi 46.000 banorë, prej të cilëve 36.000 myslimanë, 8.000 bullgarë dhe vllehë, dhe 2.000 katolikë. Ai kishte jo më pak se njëzetë e gjashtë xhami, si dhe dy kisha ortodokse dhe një katolike. Shkodra, Durrësi dhe Vlora ishin fshatra krahasuar me të.
Në fillim të shtatorit 1863, Sekeli bëri pesë fotografi të Prizrenit. Duke lënë pas Prizrenin, ekspedita u kthye në Drinin e Zi duke avancuar drejt jugut deri në Dibër. Në këtë rajon, i cili gëzonte një reputacion të dyshimtë, nuk kishin qenë kurrë më parë. Hahn shkruan: “Ashtu siç ishin ne të huaj, ashtu ishte kur u ulëm Lugina e Drinit të Zi midis qytetit të Dibrës dhe pikës ku dy degëve e tij bashkoheshin.
Aty pretendohet të jetë një shpellë kusarësh dhe ndaj ajo është shmangur në këtë mënyrë nga fqinjët e saj. “Hahn ka kaluar nëpër rajon pa vështirësi, por ai nuk mund të kuptonte shqipen që flitej nga vendasit. Pasi mbërriti në Dibër më 21 shtator 1863, Sekely bëri vetëm dy fotografi, sepse gjatë kësaj kohe ishte duke luftuar me “makinën fotografike” dhe kutinë e pllakave që kishte sjellë me vete.
Ai kishte nevojë për më shumë kohë, ku i duhej plot një orë e gjysmë për të marrë një pamje shumë romantike të një shkëmbi masiv. Duke ikur nga Dibra ata vazhduan rrugën drejt Strugës në liqenin e Ohrit. Hahn-i ishte i hipnotizuar veçanërisht nga liqeni dhe shqoi trembëdhjetë lloje të ndryshme të peshkut në të.
Ata vizituan manastirin e Kalishtës në qytetin e Ohrit me shumë kisha të bukura ortodokse të saj, dhe natyrisht më në fund edhe të famshmin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, Manastirin e Shën Naumit në jug të liqenit. Von Hahn dhe grupi i tij qëndruan gati dhjetë ditë në Ohër, dhe Sekely kishte kohë të mjaftueshme për të fotografuar.
Fotografia e tij e Shën Naumit duket të jetë fotografia e vetme e manastirit, para se ai të shkatërrohej në pjesën më të madhe nga zjarri në vitin 1875. Prej Ohrit grupi vazhdoi rrugën për në Liqenin e Prespës dhe të avancoi në drejtim të lindjes, pikërisht aty ku dukej Manastiri ( Bitola). Kishte ardhur tetori.
Manastiri ishte një qytet i madh dhe aty ishte kampi ushtarak i rajonit. Kështu Hahn u mirëprit nga gjenerali osman Faik Pasha, i cili kishte studiuar në Vjenë. Sekely ishte në gjendje që të merrte edhe disa fotografi interesante të një formacioni ushtarak osman përpara kazermave të tyre të mëdha, të ndërtuara në vitin 1839.
Nga Prilepi, ata udhëtuan mbi lumin Vardar për në Veles, ku gjetën një anije dhe mund të lundronin nëpër portën e hekurt të jugut (Demir Kapi ) deri Selanik në detin Egje. Pesë fotografitë të tjera janë marrë atje. Nga Selaniku Hahn dhe Sekely vazhduan rrugën në drejtim të lindjes të Trojës, në Azinë e Vogël.
Që të dy, Sekeli dhe Johann Georg von Hahn ishin të vetëdijshëm për kontributin historik të kësaj ekspedite. Ai realizoi fotografinë më të mirë që askush nuk e kishte bërë në këtë fushë “Për fat të keq, botimi i fotografive qëlloi të ishte tepër i shtrenjtë për Akademinë e Shkencave të Vjenës dhe ata i kishin hequr nga botimi Hahn-it një raport të ekspeditës në vitet 1867 dhe 1869. Rezultati ishte që koleksioni i Sekelit që bëri fotografitë më të hershme të ndërmarra ndonjëherë në Ballkanin jugor ra në harresë.
Në vitin 1889, trembëdhjetë prej fotografive u shfaqën në vëllimin Makedonien und Alt – Serbien (Maqedoni dhe Serbia e Vjetër) nga Spiridion Gopçeviqi (1855-1936), por ata nuk iu atribuuan Sekelit dhe u lanë pa datuar. Pas kësaj ,koleksioni u zhduk për më shumë se një shekull, për t’u rizbuluar në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë në vitin 2000 nga Mark Cohen. Fotografitë e Jozef Sekelit të Ballkanit Jugor në vitin 1863 në të vërtetë janë të një rëndësie të madhe historike dhe artistike.
Me përjashtim të një portreti të vetëm të rebelit Hamzë Kazazi (1834-1903) të bërë nga Marubi në Shkodër në vitin 1858, ato janë fotot e para të bëra për Shqipërinë./koha.net/
Në valën e dëbimeve, kur refugjatët iknin maleve apo fshiheshin shpellave që të mos i rrihte era, shqota e shiu, më kujtohej legjenda për emrin e Bjeshkëve të Nemuna. Legjenda thotë se një nënë me dy fëmijë (burrin ia vranë hordhitë turke), mori ikën drejt Bjeshkëve të Nalta, sipër Rrafshit të Dukagjinit. Me fëmijë për dore, nuk u kujtua për sende të tjera, koha nuk priste, ushtarë të armikut mund t’i kapnin.
E frikësuar nga ndjekësit, e pikëlluar për vrasjen e burrit, kthente kokën prapa me dy jetimë. Në largësi shquhej shtëpia e saj që i dilte flaka. Një pikëllim i pakufishëm ia mbuloi fytyrën, ia nxiu sytë. Ec e ec e ujë askund. Sa më shumë që ngjitej, bjeshkët lartësoheshin, sa më shumë përpiqej t’i shmangej diellit, masa e zjarrtë bëhej më e pamëshirshme, skuqte e digjte si saç. Dhe ata shpejtonin, sa më larg ushtarëve turq.
Dielli i korrikut vazhdonte t’i përvëlonte, etja i kishte molisur nënë e fëmijë. Vijat e ujit në këtë kohë, në të dy krahët sipër burimit të Drinit shterojnë, bora që dikur rrinte deri në fund të gushtit, për dreq, atë ditë korriku kur u duhej kalamajve të nënës së ve, kishte shkrirë në luginat më të fshehura nga dielli përvëlues.
“Nanë, du ujë!” kërkonte me ngulm djali i vogël, sepse urinë e harruan nga vapa e madhe e lodhja edhe më e madhe. Po ujë s’kishte askund. “Nanë, t’lutem, ni pikë uj!” e përgjëronte vogëlushi, pa e kuptuar se kjo gjë nuk ishte në vullnetin e nënës së gjorë. S’gjendej askund pikë uji sa t’ua njomte buzët e përthara. S’kishte një copë reje në qiell që do ta fshihte diellin të mos përvëlonte. Nëna e hutuar përpiqej ta ngushëllonte të voglin me fjalë, i madhi nuk bëzante, megjithëse shkrumbi iu bë një pëllëmbë mbi buzë, thotë legjenda.
“Tash e gjajmë ujin, drita e syve të mi, edhe pak! Gurrat e Bardha nuk janë larg”, përpiqej t’i jepe zemër nëna e shkrumbuar nga vapa e pikëllimi. Kaluan Gurrat e Bardha, por uji nuk rridhte as për ilaç, u ngjitën Malit të Thatë, vija uji askund. Kopetë e deleve me barinj si t’i kishte lëshuar toka a ngrënë ujku, kambana nuk jehonte në tërë Bjeshkët e Nalta, sikurse quheshin dikur. Njeri të gjallë mbi faqe të dheut.
Fëmijët u lodhën, buzët iu ngjitën nga shkrumbi, forcat u shteruan, nuk mund të flisnin nga etja e nga lodhja, nisën të përpëliteshin, flisnin përçart. Nënën e mbërtheu kulmi i dëshpërimit. Lotët nuk i rridhnin që t’ua njomte buzët kalamajve, shihte e dëshpëruar se si po i shuheshin dy engjëjt para syve. Por më parë se t’i kapte agonia, para se t’ua bënte gjamën, ajo mallkoi në kulm të zemërimit: “Hej, moj bjeshkë, kurrë mos paçi ujë! Flaka u daltë! Ju shitoftë reja!” Dhe ra shakull në tokë mbi kalamajtë që po i kalonin çastet e fundit të agonisë.
Legjenda nuk e thotë ç’u bë me nënën e dy fëmijët. Nuk e thotë as a vdiqën apo i shpëtoi mrekullia.
Legjenda thotë se mallkimi i nënës i zuri të gjitha bjeshkët sipër Dukagjinit, në të dy anët e Drinit të Bardhë. Nama e nënës u rri kërcënueshëm edhe sot. Bjeshkët e Nemuna u dogjën nga zjarri i mallkimit, reja shkreptin ndonjëherë në qiell të kthjelltë, duke djegur pyje të tëra. Gur mbi gur nuk mbetën. Të mbërthen angështia kur i shikon mijëra hektarë të djegur, brinjë të bjeshkës që dalin në sipërfaqe, gërgja që shkëlqejnë në diell. Mallkimi i ndjek këto bjeshkë: zjarret përsëriten çdo vit, në të njëjtën kohë, në të njëjtin rrugëtim të nënës: sa herë nisin të këndellen bimësia e filizat e hollë, bie një rrufe dhe i djeg filizat e bredhave e të çetinave.
Asnjëherë nuk ma tregoi gjyshja fundin e nënës me fëmijë, legjenda nuk e thotë a shpëtuan apo vdiqën. Ata morën rrugën e përjetësisë, por sigurisht si fëmijë nuk ma thanë fundin tragjik, sepse përrallat e legjendat gjithherë duhej të përfundonin fatlumësisht.
Megjithatë në Bjeshkët e Nemuna, më thoshte gjyshja, është një muranë, shkëmb i skalitur, ku shihet nëna me dy kalamajtë, më bohçe e me pagur uji. Barinjtë kur kalojnë pranë shkëmbit, e derdhin një curril uji, që t’ua njomin buzët nënës e kalamajve.
Një motërzim serb shumë më i vonshëm, ka një legjendë tjetër për mallkimin e Bjeshkëve të Nemuna. Sipas kësaj legjende kur ushtria serbe pasi pësoi disfatë nga malësorët e Rugovës e burrave të Dukagjinit, me të ngjitur bjeshkëve, dielli i pamëshirshëm i dërmoi përfundimisht. Gushti me vapë, ushtria e shkalafitur serbe, që i kishte zënë gjaku i të pafajshmëve, ranë shakull në gërxhe. Legjenda e tyre, e sajuar nga kronistët ushtarakë, thotë se gjenerali i tyre klithi: “Qofsh e mallkuar!” (Prokleta da si) . Në gjuhën e tyre “Prokletije”, d.m.th. “Të mallkuarat”.
Në hartat gjeografike mbi pesëdhjetë vjet ishin të shënuara të dy emërtimet.
Më iku nga përfytyrimi nëna me dy kalamajtë që përpëliteshin për një pikë uji, u zhduk vapa e gushtit, që nisi të më djersinte në fundmars. Pamjet e tjera e mbulonin të parën, fërfëlliza e zëvendësoi diellin saç. Turma të mëdha refugjatësh mbulonin rrugën gjarpërore nga Burimi i Drinit deri në Qafën e Malit, sipër Kullës, nëpër Bjeshkët e Nemuna. Shpërngulja e njerëzve më dukej si në ëndërr. Kllapia nuk më shqitej. Më fanitej sikur ata po ktheheshin me zhurmë. Zhurmën e dëgjoja nga furriku im. Ikën të heshtur e kokulur, ktheheshin triumfalisht.
Nuk dua ti jap pergjigje (do u kushtoj vetem pak rradhe per korrektesi) kerrkujt aq me pak gazetes me te madhe ne Maqedoni “Dnevnik” qe serishmi edhe pas emisionit per qytetin e Manastirit me ka sulmuar ne faqet e saj te para. Sipas saj une vij ‘’verdalle’’ duke kerkuar gjurme shqiptare ne Manastir…
Atehere… Ptolemeu, Straboni, Tit Livi, Plini ashtu si te gjithe autoret e tjere antike shkruajne se Lynkestet jane fis Ilir. Edhe historiani i famshem grek Tukididi flet per Arabeun Ilir si mbret i fisit ilir te Lynkesteve. Po ashtu te gjithe autoret antike pranojne se Euridika nena e Filipit te dyte eshte nga ky fis ilir. Qyteti jo me kot quhet Heraclea Lynkestis, sepse banoret ishin pikerisht Lynkestet. Flet vete emri per identitetin e tij.
Qe Manastiri ka qene kryeqender e levizjes Kombetare Shqiptare kete e tregojne faktet se pikerisht ne kete qytet u themelua Komiteti per Lirine e Shqiperise me ne krye Bajo Topullin, Halit Berzeshten, Sejfi Vllamasin, Fehim Zavalanin, Gjergj Qiriazin, Jashar Bitincken etj. Jo me kot ne kete qytet u mbajten dy Kongrese te Alfabetit nje ne vitin 1908 dhe nje tjeter ne vitin 1910. E pikerisht ne kete qytet mori jete ai i sotem i gjuhes Shqipe.
Eshte fakt qe patriotet shqiptare kishin nje bashkepunim te jashtezakonshem ne kete qytet me patriotet vlleh . Te dyja palet I lidhte ashtu siç edhe ne Shqiperi nje fije e padukshme. A nuk eshte Pito Guli apo shqiptarçe Pjeter Guri nje djal i nje babai shqiptar dhe nje nene vllehe ?
Statistikat e rregjistrave te Perandorise Osmane japin te dhena se Manastiri ka patur mijera shqiptare Myslimane dhe mijera shqiptare Ortodokse. Ku humben keta ? Si mundet ne nje qytet ku shqiptaret ishin shumice sot te perfundojne me pak se 3 apo 4 perqind. Te tjeret ku shkuan ? Hotelet dhe hanet, shtepite, lagjet, toponimia etj a nuk tregojne per popullesine shqiptare ne kete qytet e po ashtu ne rrethinat e tij ?
Kaq mjafton asgje me shume. Jam i hapur per debat, bisedime, konsultime, perballje provash me kedo, ne Shkup apo Tirane. Historine nuk e bej une, e kane bere shume autore te tjere. Une s’kam frike nga e verteta ! Shkruan Marin Mema