Avokati Romeo Kara ka treguar gjithashtu se frika nga prangat e drejtësisë është arsyeja që ka detyruar Metën të braktisë Berishën në planin e tij për të t’i shpëtuar SPAK me kartën e trazirave dhe kaosit. Kjo tërheqje sipas tij është taktikë nga Meta pasi ai e di shumë mirë që Berisha do të dështojë nga kjo lëvizje. Meta prej kohësh i është bashkangjitur Berishës në fatin e tij edhe pse nuk ka statusin e tij si person mbi ligjin.
“Ka qenë Berisha dikur që iu imponua me pushtetin e tij Gjykatës së Lartë për të shpallur të pafajshëm Metën, por sot ajo kohë ka perënduar, prandaj Meta si hesapxhi profesionist po bën një tërheqje taktike prej tij, gjë që përforcon idenë se Berisha do të jete i pasuksesshëm në tentativat e tij për mosbindje ndaj drejtësisë. Ilir Meta kurrë nuk i bashkëngjitet me dëshirë humbësit, në këtë rast Berishës.
Duke marrë parasysh që shumë shpejt do të kemi një komunikim akuze ndaj tij, gruas dhe bashkëpunëtorëve të tij për një sërë veprash penale tashmë nën hetim, mendoj se tani Meta ka vetëm një garë reale me Berishën, atë se kush do të shkojë i pari në bangën e të akuzuarve.
Për të mos i mbetur hatri asnjërit prej tyre do të sugjeroja që t’i arrestonin të dy në një ditë. Ky arrestim do të ishte plotësisht në “nderin” e tyre të rrufjanit politik. Haber më të mire për shqiptarët në këtë prag fundviti nuk do të kishte. Kjo gjë do t’i shërbente realisht edhe shëndetit të Metës tashmë të tretur nga tmerri pafund prej përballjes me drejtësinë. Tashmë ai e meriton sot më shumë se kurrë fundin e shumëpritur me tmerr”, nënvizoi juristi Romeo Kara.
Elsa Lila nuk mori asnjë çmim në “Festivalin e Këngës” dhe kjo ka ngjallur mjaft debat. Gazetarja Kozeta Kurti në një postim në Facebook u shpreh se Elsa mori atë çka meritonte nga publiku për “sjelljen e saj arrogante”.
Në këtë postim komentoi edhe aktori Jul Deda, i cili tha se nuk do ia uronte as armikut punën me Elsa Lilën.
Komenti i Julit: “Elsa ishte e vetmja performuese, qe pasi kendoi per here te pare, i tha publikut “shihemi ne finale . Me fal po nga e dinte ajo qe do dilte ne finale? Ajo sigurisht qe e dinte, por ne respekt te gares, te festivalit dhe mbi te gjitha ne respekt te publikut nuk mund te besh arroganten. Qe te mos i futemi pastaj kenges, se nuk jam specialist, por mua me erdhi pak a shume si nje pellitje e gjate…! Per ta mbyllur. Une kam punuar me ate vajze, kam prezantuar njerin nga festivalet….armikut nuk ja uroj te punoje me te…!”
Një 3-vjeçare po lufton për jetën në spitalin Rajonal të Fierit, pas aksidentit me shtatë të lënduar. Aksidenti i rëndë u regjistruar në aksin Levan-Tepelenë mbrëmjen e kësaj të shtune.
Sipas të dhënave, në mesin e të lënduarve janë dy fëmijë, 2 dhe 3 vjeç, teksa kjo e fundit raportohet të jetë në gjendje të rëndë për jetën. Vogëlushja ndodhet në sallën e operacionit, nën kujdesin e bluzave të bardha.
Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit me shtatë të plagosur, por grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave./
Ishte një javë para Krishtlindjes vitin e kaluar kur Serhiy Sydorenko iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në syrin e tij të djathtë. Një operacion i vështirë, por që nëse dilte me sukses do t’i jepte fund 30 dekadave verbëri për 56-vjeçarin.
Kur infermieret i hoqën fashat disa orë pas operacionit ai mund të shikonte vetëm dritë… dritë të bardhë dhe të dhimbshme, sikur dikush i kishte vënë një elektrik para syve. Infermieret i hodhën disa pika në sy dhe më pas i rilidhën fashat.
Disa orë më vonë, ia hoqën sërish dhe tashmë Serhiy mund të shikonte turbullt konturet e fytyrës së infermieres. Mëngjesin e ditës tjetër profesori që e kishte operuar e vizitoi dhe ia hoqi edhe njëherë fashat.
Kur një grua po ecte me një qen të vogël leshator, ai ndaloi ta shikonte. Ai kujtonte qentë që ruanin bagëtitë në rininë e tij, por nuk e dinte që njerëzit mbanin qenë të vegjël që për të dukeshin si lodra. Ai ishte ndër të tjera i magjepsur nga mënyra si visheshin njerëzit, nga ndërtesat dhe nga mënyra si dukeshin makinat në vitin 2022. Herën e fundit që kishte parë, shumica e makinave kishin qenë i llojit Lada.
Çifti e kapi trenin dhe kur arritën në Poznan kishte rënë darka. Në Poloni festimi kryesor ndodh në darkën e Krishtlindjes dhe kur arritën në shtëpi tavolina ishte shtruar me kujdes nga Marta, gruaja polake që i kishte pritur në banesë. E pranishme ishte edhe Margarita. Serhiy për herë të parë mund ta shikonte të bijën.
“Ishte një mrekulli Krishtlindjeje”, thotë ai, duke kujtuar atë darkë afro 1 vit më parë.
Serhiy dhe Tamara jetojnë ende në Poznan. Ai mban syze dielli. Ka ende nevojë për të kur del në dritë.
I lindur në Zhytomyr në një familje ushtarake sovjetike, Serhiy ishte një fëmijë sportiv, që u mor me xhudo në shkollë. Në të ardhmen ëndërronte të bëhej oficer ushtrie. Në moshën 18-vjeçare hyri në kolegjin ushtarak, por një incident atje e la të verbër. Ai refuzon të flasë për këtë.
“Këto gjëra janë më mirë të harrohen se të kujtohen, kështu ia kam dalë”, thotë ai.
As doktorët e tij nuk arritën ta kuptonin me saktësi se çfarë ndodhi, por vetëm se një shpërthim e la pa shikim. Nga syri i majtë mund të shikonte herë pas here hije të turbullta, ndërsa nga i djathti, asgjë.
Vitet e para ishin shumë të vështira. Serhiy u hoq nga kolegji dhe tashmë ëndrra e tij kishte përfunduar. Ai kishte nevojë për ndihmë që të realizonte edhe punët më të thjeshta. Rrugës iu krijua insomnia dhe kaloi periudha depresive. Është diçka që e mendon shpesh tashmë, pasi me mijëra ushtarë ukrainas kthehen nga fronti i luftës me lëndime serioze.
“Ata kanë nevojë për një mbështetje të mirë morale dhe psikologjike”, tha ai.
Meritën ua jep prindërve të vet që nuk e lanë të binte përtokë dhe të mos i kthehej alkoolit për të kaluar dhimbjen. Ai nisi të punonte në një akademi sportive në Zhytomyr, ku Tamara ishte studente. Asaj i pëlqeu fakti që ai nuk pinte dhe nisën të flisnin pas një pikniku në verë. Shpejt nisën të dilnin derisa në vitin 1991 u martuan. Në të njëjtin vit, Ukraina shpalli pavarësinë.
Një trajner lokal i xhudos i tha Serhiy-t për lojërat Paraolimpike dhe i sugjeroi që të merrej sërish me pasionin e fëmijërisë.
“Jetoja pranë stadiumit dhe shkoja atje me tren. Tamara më çonte. Kishte tre sesione stërvitjeje në ditë, kështu që nuk kisha kohë të stresohesha”, kujton ai.
Ndër të tjera ai synonte të ndihmonte sa më shumë me punët e shtëpisë, teksa pranon se ka thyer shumë sende teksa ndihmonte që t’i lante. Në vitin 1996, ai nisi të trajnohet me skuadrën kombëtare të Ukrainës në xhudo dhe nisi të udhëtonte për sfidat e para ndërkombëtare. Në vitin 2000 dhe 2004 ai doli i katërti, ndërsa në 2008 fitoi medaljen e bronztë.
Një tjetër moment i madh në karrierën e tij ishte fitorja në vitin 2003 me xhudistin britanik Simon Jackson duke fituar kampionatin e botës të Federatës Ndërkombëtare të Sporteve të të Verbërve.
Xhudo e ndihmoi Serhiy-n që t’ia dilte fizikisht dhe psikologjikisht me mungesën e shikimit. E ndihmoi si të rrëzohej i sigurt, një aftësi e nevojshme në rrethanat e tij dhe e ndihmoi që të largonte ndjenjën e të qenit vulnerabël, një nga efektet më të vështira të verbërisë.
“Një herë kur unë dhe gruaja ime po ecnim një person na doli përpara, një burrë i madh që kishte pirë. Ai nuk donte të na linte të kalonim dhe shtyu Tamarën. Iu hodha dhe ai përfundoi duke fluturuar në asfalt”, tregon ai.
Serhiy e dinte se kishte një shans për një operacion që t’i kthente shikimin, por nuk kryhej në Ukrainë. Më pas ndodhi pushtimi rus. Nuk donte të ikte nga shtëpia, por e bija ishte e tmerruar nga sirenat që paralajmërojnë sulmet dhe kështu familja vendosi të udhëtonte në Poloni. Ishte një vendim që me kalimin e kohës çoi në kthimin e shikimit të tij.
Kornea është një membranë transparente në formë kubi. Ajo mbron pjesën tjetër të syrit dhe duhet të jetë transparente në mënyrë që rrezet e dritës të depërtojnë dhe të godasin retinën. Nëse kornea e humb transparencën një person nuk mund të shohë më.
Në rastin e Serhiy-t nxehtësia dhe kimikatet në shpërthim kishin shkaktuar inflamacion të madh dhe në kornenë e tij ishte formuar një shtresë e trashë enësh gjaku.
“Kur i ekzaminova për herë të parë sytë e tij, pashë një palë perdesh të rënda”, thotë Profesor Edward Wylęgała. Ai është kreu i klinikës së oftalmologjisë në Universitetin Mjekësor të Silesisë.
Menjëherë thotë se e kuptoi që Serhiy mund të përfitonte nga një implant artificial i korneas. Kjo metodë është zhvilluar në vitin 1960 nga Claes Dohlman në Shkollën Mjekësore të Harvardit dhe kornea e Bostonit u aprovua nga FDA në SHBA në vitin 1992 si një alternativë për pacientët që nuk ndërmarrin dot procedurat e transplantit standard të korneas.
Dohlman, tashmë 102 vjeç, refuzoi që ta shiste idenë e tij për qëllime komerciale dhe Shkolla Mjekësore e Harvardit mbetet prodhuesi i vetëm i kornesë së Bostonit. Në vitin 2010 pas shumë lutjesh, profesori polak e bindi Dohlman që të dhuronte 5 pajisje në spitalin e tij. Tashmë në Poloni zhvillohet rreth 100 operacione në vit duke përdorur kornean e Bostonit.
Që prej operacionit gjithçka ka marrë një dimension të ri vizual për Serhiy-n. Ai u kthye bashkë me gruan në Zhytomyr, disa ditë për të vizituar nënën e moshuar, djalin dhe vëllain me të vogël që po lufton me ushtrinë ukrainase. Vizita përkoi me disa sulme me raketa në qytet duke e bërë rikthimin të hidhur. Megjithatë pati shanse të shihte shumë miq të vjetër.
“Në kokën e time imagjinoja si dukeshin në fëmijëri, por sigurisht që nuk duken aspak ashtu tani. Nuk mendoj se do kisha njohur ndonjërin prej tyre po t’i shihna në rrugë”, thotë ai.
Personi tjetër që ka vështirësi të njohë është vetja e tij. Kur shikon në pasqyrë, shikon fytyrën e një 56-vjeçari që e shikon. Herën e fundit që u pa në pasqyrë ishte 19 vjeç. Tashmë ai mund të dalë xhiro në Poznan vetëm, pa ndihmë. Duket se deri tashmë bashkë me Tamarën ia kanë dalë që të përballojnë këtë ndryshim dramatik në jetën e tyre.
“Jeta ime është më e lehtë tashmë”, thotë ai.
Këtë darkë Krishtlindjesh familja do të ulet sërish në tavolinën e Martës në Poznan. Serhiy shpreson se së shpejti do të ndërmarrë një tjetër operacion për të rikthyer plotësisht shikimin në syrin e majtë. Megjithatë ai po shikon gjëra të reja. Së fundmi bëri një udhëtim në Sopot, bregun e Detit Baltik dhe ishte i mahnitur. Ka notuar më parë në oqean në Brazil dhe Australi, por nuk e ka parë ujin.
Disa mëngjese ai zgjohet duke pyetur nëse e gjitha është një imagjinatë. Shpejt ngre dorën e djathtë. Aty ka një shenjë të madhe nga lindja e vajzës që pëlqen ta fërkojë për fat të mirë. Kur e sheh atë qetësohet. Ende mund të shohë. “Është ende një surprizë për mua çdo ditë”, thotë ai.
Fundjavë e begatë për kuqezinjtë, ku bie në sy shpërthimi i sulmuese në prag të festave të fundvitit. Arbnor Muja vijon paraqitjet e mira në kampionatin belg me Antverpin, ku edhe sot e ka gjetur rrugën e rrjetës.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare sapo ka gjetur golin në ndeshjen ndaj Uesterlo, ku në minutën e parë shtesë të pjesës së parë ka kaluar Antverpin në avantazh dhe pjesa e parë u mbyll në shifrat 1-0
Dy shqiptarë janë dënuar me burg nga autoritetet britanike, pasi u kapën në flagrancë në një ‘shtëpi bari’.
Bëhet fjalë për shtetasit e identifikuar si Zenel Sulaj, 30 vjeç dhe Sali Kadria, të cilët u gjetën brenda një banese, ku ishin të kultivuara 680 bimë kanabisi, me vlerë totale 700 mijë paund.
Bimët e kanabisit ishin kultivuar ndarazi në 3 dhoma. Dy nga tre dhomat përmbanin 169 rrënjë, ndërsa e treta përmbante 344 rrënjë.
Ndërsa impiantet e vendosura për rritjen e kanabisit u vlerësuan të kishin një vlerë deri në 716,100 paund.
Kur policia hyri brenda ‘shtëpisë së barit’, dy shqiptarët tentuan të arratiseshin, por pa sukses.
Gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Cardiff Crown, Sulaj deklaroi se nuk ishte në gjendje të punonte ligjërisht në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të qëndrimit të paligjshëm në vend dhe mungesës së dokumentacionit.
Mbi shqiptarin tjetër, Sali Kadria, rëndonin një sërë akuzash të tjera.
Kadria më parë ishte dënuar për ngacmim seksual të një vajze të mitur, në vitin 2020, ndërsa tani, ai pritet të gjykohet gjithashtu për përfshirjen e tij në një fabrikë kanabisi në pronën industriale Boëen në Bargoed, e cila u zbulua se përmbante rreth 400 bimë kanabisi.
Sulaj u dënua me 14 muaj burg, ndërsa Kadria me 6 muaj burg. Dy shqiptarët pritet të sillen në Shqipëri, ku edhe do të vuajnë dënimin
Edhe pse në mediat sociale përflitej se fituesja e Festivalit të Këngës në RTSH ishte paracaktuar, dhe ajo ishte Elsa Lila, në fakt kjo e fundit doli pa asnjë çmim.
Gazetarja Kozeta Kurti ka bërë një postim të shkurtër ku shkruan se Elsa Lila mori atë që meritoi nga publiku duke e quajtur sjelljen e saj skenike “arrogante”.
“Elsa Lila mori nga publiku atë që meritoi: shpërblimin për sjelljen skenike arrogante ndaj publikut, leksionet që dha dhe kohën televizive që vodhi në mënyrë të padrejtë! Suksese në jetë dhe më gjerë”, shkruan gazetarja Kozeta Kurti.
I riu shqiptar është zhdukur prej kohësh, dyshohet se kontaktet e tij të fundit me familjarët dhe miqtë kanë qenë me 18 dhjetor.
Një 17-vjeçar shqiptar ka humbur kontaktet me familjen dhe nuk ka ende asnjë gjurmë prej tij.
Bëhet me dije se i riu është identifikuar si Almaro Pjetri, me trup të hollë e flokë të shkurtër e të errët, për herë të fundit ka qenë i veshur me xhinse të zeza, xhaketë të zezë dhe një çantë. Pjetri është lokalizuar për herë të fundit në Canvey, Angli.
I riu shqiptar është zhdukur prej kohësh, dyshohet se kontaktet e tij të fundit me familjarët dhe miqtë kanë qenë me 18 dhjetor.
Policia bën thirrje për ndihmë në gjetjen e menjëhershme të tij.
“E keni parë Almaro Pjetrin, 17 vjeç, i cili ka humbur nga Canvey? Almaro përshkruhet si i bardhë, me trup të hollë, me flokë të shkurtër të errët. Ai për herë të fundit është parë i veshur me xhinse të zeza, një pallto të zezë dhe një çantë. Ne jemi të shqetësuar për të dhe duhet ta gjejmë për t’u siguruar që është mirë.
Kushdo që ka ndonjë informacion për vendndodhjen e tij është i lutur të telefonojë në numrin 101, duke përmendur incidentin 1203 të datës 8 dhjetor”, thuhet në njoftim.
Një nënë 32-vjeçare në Alabama solli në jetë dy vajza binjake. Por ajo çka e bën të rrallë lindjen e Kelsey Hatcher nga Alabama është se foshnjat u zhvilluan në dy mitra të ndryshme.
Mjekët e kanë quajtur, shtatzëni “një në një million”.
Procesi i lindjes zgjati afro 20 orë. Vajzat përshkruhen si binjake vëllazërore, me ditëlindje të veçanta. 32-vjeçarja ka lindur me dy mitra, një gjendje e quajtur didelfia e mitrës. Rreth 1 në 2000 gra që lindin me mitër të dyfishtë.
Studimet vlerësojnë shanset e shtatzënisë si kjo,një grua me dy mitra që mban një fëmijë në secilën prej tyre në të njëjtën kohë, në rreth 1 në 1 milion në popullatën e përgjithshme, megjithëse është e pamundur të dihet me siguri me diçka kaq të rrallë.
Hatcher kishte rreth shtatë herë më shumë mundësi për të fituar një jackpot dhe rreth 131 mijë herë më shumë mundësi të goditej nga rrufeja në një moment të jetës së saj, se sa të mbetët shtatzënë në të dyja mitrat.
Në vitin 2019, një mjek në Bangladesh i tha BBC-së se një grua kishte lindur binjakë pothuajse një muaj pasi lindi një fëmijë të parakohshëm në mitrën e saj tjetër.
Një 42-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi ka tentuar të grabisë në një banesë në fshatin Nartë. Gjithashtu 42-vjeçari me iniciale F. G. është autori i dyshuar i vjedhjes në 2 banesa të tjera.
Sipas asaj që njofton policia është sekuestruar një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e cila iu gjet 42-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.