Ka ndërruar jetë 5-vjeçari, i cili u godit nga një skaf në plazhin e Potamit, në Himarë.
Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00.
Shtetasi A. T., duke drejtuar një mjet lundrues tip skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe për pasojë ka goditur një fëmijë rreth 5 vjeç.
Për shkak të dëmtimeve të marra, 5-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë dhe po kryhen procedurat për arrestimin e tij.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë vetëm 2 ditë më parë, policia tha se ka intensifikuar monitorimet e bregdetit për të mbajtur nën kontroll mjetet lundruese që janë shqetësim për pushuesit.