Thyhen rregullat e para në Ferma Vip 2, ja dënimi që morën konkurrentët !

Ende pa u bërë 24 orë nga startimi i Ferma VIP 2, Alba Pllozhani ka thyer rregullat.

Fermerja ka gjetur një zarf, që ishte i ndaluar të lexohej nga të tjerët, veç Ronit. Ron Zaiti ishte me një mision të fshehtë nga Agai. Atij iu komunikua gjatë spektaklit të mbrëmjes se askush nuk duhet ta “rrëmbente” atë zarf, në të kundërt duhet të përgatiteshin për një dënim. E mesa duket Alba ka vendosur që ta marrë përsipër këtë sfidë nga Agai.

Në zarf thuhej: Për te qëndruar të lidhur me jetën e qytetit, Agai ka vendosur që të ju bëjë një sfidë në Arenë duke u veshur siç ju ka hije. Orari i nisjes është në orën 21:00, por me një kusht, që mos të harrojnë që janë në fermë dhe nesër kanë punët e fermës. Fermerja e ka ndarë këtë thyerje të rregullores vetëm me Big Mamën, teksa janë në pritje nga dënimi që do iu komunikohet.

Big Mama është shprehur se Alba do të dënohet individualisht, dhe sipas saj kjo nuk është një nisje e mirë në fermë.

‘Kontrata e fshehtë e Berishës me Chris LaCivita dhe lidhja me Greqinë’, Meçe: Ku u gjetën paratë për këtë lobim?

Analisti Arben Meçe ka ngritur dyshime mbi kontratën e Sali Berishës me strategun amerikan Chris LaCivita, duke e cilësuar atë si një akt të fshehtë me një faturë financiare ende të panjohur publikisht.

Ai theksoi se, ashtu siç ndodhi më parë me lobimet e Ilir Metës dhe Lulzim Bashës, edhe ky rast do të zbardhet në të ardhmen.

Meçe shprehu skepticizëm mbi rolin e LaCivita në fushatën e Partisë Demokratike dhe e cilësoi si një përpjekje për të ndikuar në politikën shqiptare, përfshirë edhe përpjekjet për të hequr statusin “non grata” të Berishës në SHBA. Ai sugjeroi se ky lobim është i lidhur me aleancën e Berishës me Greqinë.

Duke ironizuar punën e strategut amerikan, Meçe tha se deri më tani produkti i tij është “pjata me fasule e kandidatit të PD, Klevis Balliu”. Ai gjithashtu kritikoi procesin e primareve në PD, duke vënë në dukje se disa fitues, si Nallbati në Korçë, nuk janë përfshirë në listat për zgjedhjet e 11 majit.

Në fund, Meçe nënvizoi se transparenca mungon dhe se statusi i vërtetë i LaCivita në këtë proces mbetet i paqartë, duke e krahasuar atë me një “magjistar” që Berisha po përdor për të krijuar iluzione politike.

“Ku u gjetën paratë për këtë lobim? Ky fenomen del gjithmonë më pas, ka dalë edhe me rastin e Metës, me të Bashës, problemi është transparenca. Edhe kjo do të dali më vonë.

Ka një veprim demagogjik, me prezencën e një personi, që për mua nuk përfaqëson asgjë. Po bëhet demagogjia që erdhi Chris LaCivita dhe do ndryshojnë gjërat, si dhe lidhja e Berishës me Greqinë. Deri te heqja e non gratës Berishës në SHBA ka shkuar ky muhabet, për këtë është përdorur LaCivita. Ai flet për kontribut në PD pa deklaruar kontratën e fshehtë, kjo bie erë dhe po luhet një lojë e fshehtë. Çështja e LaCivita dhe aleanca me Greqinë e Berishës janë të lidhura bashkë. Shqiptarët ende nuk janë të bindur, çfarë është, lobist, konsulent, strateg apo magjistar? E fundit që ka mbet është ajo që thotë Berisha, se qenka magjistar. Nuk ia dimë statusin.

Produkti i parë i LaCivita ishte çuni i Fahri Balliut me pjatën e fasuleve. Kurse për listat mund të them a mund t’i bëjmë krahasimin e listave për deputetë të Lulzim Bashës në 10 vjet me ato të Berishës sot. Thuhet se u bënë Primare, po është turp, Primare ishin ato? E patë Korçën me Nallbatin, numër rekord votash në primare, kujt i mbushin mendjen këta, ku është ai?”, tha Meçe.

“Shkund” edhe listën e mbyllur/ Zbardhet mesazhi i Ramës për kandidatët: Asnjë të mos…

Gara mes kandidatëve për deputetë të listës së hapur duket se po shndërrohet në shqetësim për partitë e mëdha. Kjo pasi, diferencën mes kandidatëve e bën një votë më shumë e cila të çon në Parlament. Teksa jemi 42 ditë larg zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, kandidatët e të gjithëve krahëve të politikës po luftojnë për çdo votë.

Dhe kjo “luftë” në terren duket se ka shqetësuar kryetarin e PS dhe njëherazi kryeministrin Edi Rama. Rama u është drejtuar të gjithë kandidatëve përmes një mesazhi duke kërkuar që secili prej tyre të respektojë kufijtë e zonave elektorale të përcaktuara nga drejtuesi politik.

“Asnjë deputet s’duhet të hapë zyra te veta jashtë zonës së caktuar nga drejtuesi politik. Deputeti është i lirë të bëjë takime ku të dojë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të përdorë për takimet e tij strukturën. Struktura është në funksion të qëllimit të përbashkët, jo për t’u bërë tabelë qitje e çdo deputeti”, thuhet në mesazhin e Ramës.

Kreu i qeverisë i ka tërhequr vëmendjen edhe kandidatëve të listës së mbyllur të cilët në këto zgjedhje nuk e kanë të nevojshme të bëjnë fushatë për veten. Rama u kujton atyre se nuk duhet kurrsesi të kërkojnë vota për kandidatët e listës së hapur, por vetëm për PS-në, numrin 5.

“Të gjithëve duhet t‘u thonë tek vota preferenciale jeni të lirë! Po ashtu deputetët në listën e hapur nuk është mirë t’u kërkojnë kolegëve në listën e mbyllur vota në zonën përkatëse, pasi e para i vënë në pozitë të vështirë, e dyta i shtyjnë drejt prishjes së barazisë së garës dhe e treta i bëjnë të çorodisin strukturën””, vijon më tej mesazhi i Ramës.

Mesazhi i Ramës drejtuar kandidatëve të PS:

“Asnjë deputet s’duhet të hapë zyra te veta jashtë zonës së caktuar nga drejtuesi politik. Deputeti është i lirë të bëjë takime ku të dojë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të përdorë për takimet e tij strukturën. Struktura është në funksion të qëllimit të përbashkët, jo për t’u bërë tabelë qitje e çdo deputeti. Deputetët në listë të mbyllur nuk duhet kategorikisht të kërkojnë vota për asnjë deputet në listën e hapur, po vetëm për numrin 5. Të gjithëve duhet t‘u thonë tek vota preferenciale jeni të lirë! Po ashtu deputetët në listën e hapur nuk është mirë t’u kërkojnë kolegëve në listën e mbyllur vota në zonën përkatëse, pasi e para i vënë në pozitë të vështirë, e dyta i shtyjnë drejt prishjes së barazisë së garës dhe e treta i bëjnë të çorodisin strukturën”.

72 orë përgatitje për luftë/ A po kthehet nevoja për bunkerët e Enverit në Shqipëri?

BE-ja u ka kërkuar qytetarëve të saj që të grumbullojnë sa të munden ushqime dhe furnizime jetike, të cilat do t’i mbanin të sigurt për të paktën 72 orë, nëse ndodh kriza e luftës.

Paralajmërimi është bërë nga Komisioni Europian. E kur dëgjon thirrje të tilla pyetja që të lind është: Po në vendin tonë çfarë masash sigurie mund të merren në rast rreziku.

Sigurisht që mendja të shkon tek bunkerët, objektet e kudondodhura, pasojë e një projekti 10-vjeçar që filloi në ’75 dhe u mbyll në ’85. Rezultoi me ndërtimin e 174 mijë bunkerëve në të gjithë republikën e Shqipërisë.

“Mendoj që thirrjet janë në kuadër të një testimi dhe parapërgatitjeje të opinionit publik dhe qytetarëve për t’u përgatitur dhe institucioneve të çdo shteti për të marrë masa konkrete për çdo lloj situate, pandemi, tërmet. Por nuk duhet të harrojmë që dhe një luftë e mundshme mund të jetë afër dyerve të BE-së, kjo jo për të rritur nivelin e panikut, por për të treguar që duhet të jemi të gatshëm për të përballuar çdo lloj krize. 72 orë janë si një lloj kohe që nevojitet qoftë për institucionet, por qoftë për qytetarët, për t’u menaxhuar dhe për të ardhur ndihma të tjera nga vendet e paprekura, për të shpëtuar jetët njerëzore”, shprehet Faik Basha, ekspert për sigurinë.

Shqipëria çfarë masash duhet të marrë në këtë fillim përgatitjesh?

“Të gjitha institucionet përgjegjëse, duke filluar nga ekipet e emergjencave, nga ushtria, të fillojnë të bëjnë një plan strategjik për instruktimin e qytetarëve. Mendoj që shërbimi i detyruar ushtarak është një hap i marrë që do t’i vijë në ndihmë komunitetit dhe kjo do të ndihmojë në përballimin e emergjencave në mënyrë efikase, të shpejtë dhe me kosto më të ulët”, shprehet më tej ai.

Lista e Forbes, Samir Mane, i vetmi shqiptar që renditet në listën e njerëzve më të pasur të botës, ja pasuria e tij

5245

Sipërmarrësi i njohur, Samir Mane është shqiptari i parë që futet në listën e Forbes dhe përfshihet në listën e miliarderëve në të gjithë botën.

Revista prestigjoze ka vendosur në faqen e saj profilin e pronarit të Balfin Group, Samir Mane, i cili renditet si ndër miliarderi i 2356 në të gjithë botën. Në total në listën e miliardëve janë 3028 personalitete nga i gjithë globi.

Sipas Forbes, Samir Mane ka një kapital me rreth 1.4 miliardë dollarë.

Kujtojmë se Mane është themeluesi dhe presidenti i BALFIN Group, një konglomerat investimesh me qendër në Tiranë, Shqipëri.

Mane u largua nga regjimi komunist i Shqipërisë në 1991 dhe u transferua në Austri si refugjat.

Ai hapi dyqanin ‘Neptun’, një zinxhir dyqanesh elektronike në Shqipëri në vitin 1998 dhe u kthye në 2005 për të hapur qendrën e parë tregtare në vend.

BALFIN zotëron gjithashtu prona të paluajtshme në SHBA, Kanada dhe Austri si dhe parqe logjistike dhe një universitet privat në Shqipëri.

“Tik Tok” shikohet 3 herë më shumë, si u prit mbyllja e aplikacionit nga qeveria shqiptare

Vendimi i qeverisë për mbylljen e TikTok-ut ka shtuar dëshirën e shqiptarëve të harxhojnë më tepër kohë në këtë platformë.

Brenda pesë ditëve, numri i përdoruesve në TikTok është trefishuar. Sipas ekspertëve të IT, tashmë dëshira për të pasur këtë rrjet social ka përfshirë edhe ata që nuk e kishin më parë një të tillë, dhe kjo bëhet duke shkarkuar aplikacionin falas VPN.

Eksperti i IT, Tomi Kallaxha thotë: “Duke qenë se është folur kaq shumë për këto VPN dhe njerëzit i ka kapur dëshira për të aksesuar TikTok-un, që është bllokuar nga kompanitë telefonike, dhe në top dhjetë aplikacionet më të shkarkuara, gjashtë prej tyre janë VPN. Ndërsa në vendin e dhjetë është TikTok-u. Përderisa është në listën e top njëzetëshes, numri i përdoruesve vetëm në muajin mars është rritur me 60-80 mijë.

Por telefoni nuk përdoret vetëm për qëndruar në TikTok. Shqiptarët kanë shfaqur interes edhe për edukimin, sportin, bastet e palejuara dhe filmat serialë.

“Një fjalë kyçe shumë specifike që është tepër interesante është se vajzat po kërkojnë profesionet më të mira në teknologji informacioni. Kemi dhe shkarkim të madh të serialit ‘Adoleshenca’, dhe në fund, shqiptarët janë të pushtuar nga futbolli dhe bastet online”, shton Kallaxha.

Edhe pse ekspertët e IT bëjnë thirrje që përdorimi i VPN është i rrezikshëm dhe të dhënat e përdoruesve mund të hakerohen e më pas të keqpërdoren, kjo thirrje ra në veshë shurdhët, pasi para të dhënave ata preferojnë të argëtohen në TikTok.

Plakat e Prillit/ Parajmërimi i meteorologut: Pas tyre, do të ketë “shpërthim” të…

Ditën e sotme, gjatë një interviste në “Aldo Mornig Show”, meteorologu Hakil Osmani, shprehet se java e parë e prillit është parashikuar të sjellë episodin e parë të reshjeve.

Në zonat e thella malore, pritet rikthimi i reshjeve të dëborës, ndërsa në ultësirën perëndimore janë parashikuar temperatura deri në 23 gradë Celsius.

Era nuk do të jetë në parametra problematikë, pasi shpejtësia do të jetë 35-40 km/h dhe peshkarexhat do të mund të lundrojnë.

Përgjatë pjesës tjetër të prillit, Osmani tha se do të ketë ndryshime.

Java e parë do t’i lërë vend ditëve me mot më të mirë. Gjithsesi, mesi i muajt sjell sërish reshje sepse parashikohet fenomeni i njohur si “plakat e prillit”.

“Kemi një ndryshim pas kësaj jave, do të kemi 2-3 ditë me të cilat do të jemi me një mot më të mirë, më shumë intervale me kthjellime. Pritet të kemi një rritje të lehtë të temperaturave të ajrit, por ka sinjale që mesi i këtij muaji të sjellë plakat e prillit”, tha meteorologu.

Plakat e prillit parashikohen të jenë nga data 12-17.
Hakil Osmani: Do të jenë prezente nga mesi i prillit, do të sjellë ndryshim sa u përket kushteve atmosferike, do të kemi peezente reshjet.

Aldo: Po në fund të muajit do të rregullohet ndonjë çikë?

Hakil Osmani: Ka sinjale që pas plakave të prillit që janë nga data 12-17, do të kemi një 4-5 ditësh.

Aldo: Ka se janë edhe Pashkët.

Hakil Osmani: Është bereqet!

Aldo: Gjithmonë vrenjtet koha.

Hakil Osmani: Por në fakt, nga ana shkencore nuk është diçka faktike pse ndodh.

Aldo: Le që s’ka term njëherë, “plaka”, nga ana shkencore.

Hakil Osmani: Por nga ana faktike ndodh që çdo vit të jenë prezente në territorin shqiptar.

Pas plakave të prillit, Osmani thotë se ditët e mbetura priten me mot më të qëndrueshëm dhe temperaturat do të pësojnë rritje graduale.

“Sinjalet janë që pas kalimit të plakave të prillit, pas datës 17, sinjalet janë që të kemi një mot shumë më të qëndrueshëm, sigurisht që me ardhjen e afërt të muajit maj do të kemi një rritje graduale të temperaturave të ajrit.

Pritet që të kemi maksimume të cilat regjistrohen edhe në vlera 24-25 gradë Celsius që për muajin prill duhet thënë që janë temperatura reelativisht të larta. Nuk ekziston mundësia e patjes së një episodi ku do të kemi reshje të izoluara, por në pjesën më të madhe sinjalet janë që të kemi një mot më të qëndrueshëm”, përfundon meteorologu.

Lajm i mirë – Kartoni Jeshil vetëm 50 Euro në Maqedoni

Pas Malit të Zi, edhe “Kartoni Jeshil” 1-vjeçar me Maqedoninë e Veriut me çmim të reduktuar prej 50 Euro

Duke filluar nga data 1 Prill 2025, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të lëvizin drejt Maqedonisë së Veriut me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me afat 1-vjeçar, me çmim të reduktuar prej 50 Euro. Kjo është masa e dytë që ndërmerret në një hark të shkurtër kohor,  për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë  drejt vendeve kufitare, pas hyrjes në fuqi më 1 Shkurt 2025 të policës së sigurimit “Karton Jeshil” 1-vjeçar me Malin e Zi.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare, ka bashkëpunuar ngushtë me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS), për të lehtësuar lëvizjen e autoveturave me targa shqiptare drejt vendeve kufitare.

Bazuar në vendimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve (BSHS), qytetarët shqiptarë mund të pajisen tashmë në të gjitha pikat e shitjes së shoqërive të sigurimit me policën e sigurimit “Karton Jeshil” për autovetura me vlefshmëri 12-mujore, me çmim 50 Euro, e cila mbulon territorin e Maqedonisë së Veriut. Ky vendim mbështet lëvizjen e qytetarëve duke ulur kostot dhe nxitur shkëmbimet ekonomike me fqinjin tonë juglindor.

Shoqëritë e sigurimit do të ofrojnë në të gjitha pikat e shitjes policën e sigurimit “Karton Jeshil” për autovetura me afat vlefshmërie 1-vjeçar për Maqedoninë e Veriut, për Malin e Zi, si dhe do të vijojnë të ofrojnë edhe “Kartonin Jeshil” me afat vlefshmërie 15-ditor me çmim 15 euro.

“Kartoni Jeshil” është një dokument sigurimi ndërkombëtar, që mbulon përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve me targa shqiptare në rast aksidenti gjatë qarkullimit jashtë territorit të vendit.

Po tentonte t’i arratisej policisë, reperi i njohur humb jetën në aksident

Reperi i njohur, Young Scooter, 39 vjeç ka humbur jetën pas një aksidenti kur u përpoq të arratisej nga policia në Atlanta. Sipas autoriteteve, ai pësoi një lëndim të rëndë në këmbë gjatë përpjekjes për të kaluar gardhin dhe vdiq më pas në spital. Vdekja e tij u konfirmua nga zyra e ekzaminuesit mjekësor të qarkut Fulton. Aksidenti fatal për të ndodhi ditën e tij të lindjes, kur policia u përgjigj ndaj një raporti për të shtëna në një shtëpi në William Nye Drive SE.

Pas mbërritjes së oficerëve, dy burra u larguan nga shtëpia, dhe njëri prej tyre kërceu gardhin në përpjekje për të ikur. Policia theksoi se lëndimi i Bailey-t ka ndodhur gjatë arratisjes dhe nuk ishte shkaktuar nga oficerët, shkruan The Guardian. Bailey u dërgua menjëherë në spitalin Grady Marcus për trajtim, por pas disa orësh vdiq nga plagët e tij. Shkaku i vdekjes do të përcaktohet pas autopsisë. Young Scooter ishte një figurë e njohur në skenën e hip-hop-it, duke bashkëpunuar me emra të njohur si Future, Waka Flocka Flame, Kodak Black dhe Rick Ross.

Gruaja tenton të hapë derën e avionit, piloti bën ulje emergjente

Fluturimi Bali-Melburn bën ulje të detyruar pas tentativës së një pasagjereje për të hapur derën e avionit.

Një fluturim i kompanisë ajrore “Jetstar”, me mbi 200 pasagjerë nga Bali, Indonezi drejt Melburnit, Australi, u detyrua të kthehej mbrapsht pasi një pasagjere tentoi të hapte një derë të avionit mbi Oqeanin Indian. Incidenti ndodhi të hënën mbrëma, më 31 mars, dhe kompania e konfirmoi ngjarjen në një deklaratë të martën.

“Bëri veprime të papranueshme dhe u tregua agresive ndaj ekuipazhit,” tha Jetstar, duke sqaruar se pasagjerja u nxor nga avioni nga autoritetet lokale në Bali pas uljes.

Sipas një videoje të publikuar në rrjetet sociale, gruaja në pjesën e pasme të avionit arriti të ngrinte dorezën e derës, por një sinjal alarmi njoftoi ekuipazhin në kohë. Të dhënat nga Flightradar24 tregojnë se avioni u kthye rreth një orë pas nisjes.

Jetstar theksoi se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit është prioriteti i saj kryesor dhe se sjellje të tilla nuk do të tolerohen. Incidentet me pasagjerë problematikë janë rritur vitet e fundit, me raste ku pasagjerët kanë hapur daljet e emergjencës, kanë sulmuar ekuipazhin ose kanë detyruar ulje emergjente.

Në vitin 2023, një burrë hapi derën e një avioni të Asiana Airlines pak para uljes, ndërsa një tjetër u arrestua në SHBA pasi hapi një derë dhe sulmoi një anëtar të ekuipazhit gjatë fluturimit. Autoritetet ajrore po marrin masa më të ashpra për të parandaluar raste të tilla.