“Tim bir nuk e shoqëroj dot në klasën e parë”, Veliaj mesazh nxënësve për vitin e ri shkollor: Një urim, një ndjesë dhe tre këshilla

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar me një letër fëmijëve që në 8 shtator pritet të nisin vitin e ri shkollor.

Ai kërkon ndjesë që projekti për drekën falas në institucionet arsimore nuk u arrit, por sipas tij kjo erdhi për shkak të izolimit të tij. Siç e quan Veliaj, ndalim i vullnetit të popullit.

Në letrën e tij kryebashkiaku u jep edhe tre këshilla fëmijëve teksa iu uron suksese.

Postimi i Erion Veliaj:

Një urim, një ndjesë dhe tre këshilla

Të dashur miqtë e mi, nxënës të Tiranës,

Prej dhjetë vitesh ju kam shkruar personalisht çdo shtator, për t’ju uruar sukses e mbarësi. Ndaj, edhe pse virtualisht, nuk doja të mungoja këtë vit për t’ju dhënë kurajo me një mesazh zemre.

Ky vit është posaçërisht i veçantë për mua, teksa edhe im bir shkon në klasën e parë. Edhe pse më është thyer zemra, pasi nuk mund ta shoqëroj në shkollë në ditën e parë, e di që edhe për shumë familje të tjera ka pasur sfida këtë vit. Por, kjo s’duhet të na heqë gëzimin e këtij fillimi të ri, shprese të re. Ndaj, nga zemra ju uroj sukses për vitin e ri shkollor 2025-2026.

Së dyti, një ndjesë të sinqertë. Ne kemi ndërtuar 50 shkolla të reja në Tiranë, totalisht europiane, dhe 110 kopshte e çerdhe të reja. Kjo më bën krenar për punën në bashki dhe për të gjithë ata që na kanë dhënë një dorë. Megjithatë, ndihem i keqardhur që u penguam në projektin tonë të drekës falas në shkolla – një ide që e kam dashur prej kohësh dhe që më në fund ishim gati ta implementonim. Dreka do ushqente fëmijët e Tiranës nga e majta dhe e djathta, vendalinjtë dhe të ardhurit. Ndalimi arbitrar i vullnetit të popullit për t’u qeverisur në bashki prodhon pasoja, ku projekti i drekës në shkolla është vetem njëri prej tyre. Megjithatë, përgjegjësia mbetet tek unë dhe do ta rikuperoj sa me shpejt që të mundem.

Dhe në fund, 3 këshilla që me shpresë do t’ua gjeni dobinë:

1.

Përqafoni dijen. Mësoni fort, lexoni shumë, kapni dijet, jo veç notat. Dija është e vetmja pronë që do keni gjithnjë me vete, dhe as e prish dot tërmeti, as përmbytet e as sekuestrohet. Është gjithmonë juaja dhe në dobinë tuaj.

Tiranën dhe kombin tonë mund ta çojnë përpara vetëm ata që shkëlqejnë në dije, ata që punojnë fort dhe sjellin risi, jo ata që pengojnë pa pushim. Qytetin në dritë e nxjerrin ata që ndjekin përpjekjet e mira, jo ata që përndjekin njerëzit e mirë.

Ndaj, bëhuni gjahtarë ideshë dhe jo gjahtarë njerëzish. Në një shoqëri demokratike, ku mund të jeni gjithçka, zgjidhni të jeni luanë dhe jo hijena.

Mësoni historinë për të mos e përsëritur atë! Lakojeni bukur gjuhën shqipe për ta përdorur si ilaç që shëron, jo si helm në rrjete e portale ndaj njëri-tjetrit. Thikat përdorini në një kurs gatimi, por kurrë në oborre shkollash ndaj shokut – brezi juaj nuk mund të jetë kopja e re e brezit të vjetër nga TV-të e një nate më parë. Përqafoni dijen miq, e ajo do t’ju nderojë.

2.

Përkraheni suksesin dhe mos i vajtoni stepjet e pengesat e përkohshme.

Nëse një nga shokët merr 10, bën një 3 pikësh apo fiton olimpiadën, gëzohuni të gjithë bashkë. E di që në shoqërinë tonë shpesh suksesi është një mëkat i pafalshëm, por ju jeni shpresë për një Shqipëri të re, ku solidariteti e mirësia e mund arrogancën e injorancën.

Rrëzimi nuk është e kundërta e suksesit, e as nuk zgjat pafundësisht. Jeta mund t’ju ulë në gjunjë dhe më poshtë se ëndrra juaj më e keqe – ja, më pyesni mua – por, nëse ngrihesh dhe ja kris vrapit sërish, më fort e më shpejt, e rigjen veten dhe vendin që meriton.

Dhe nëse shihni të tjerë që rrëzohen, mos iu gëzoni fatkeqësisë së tyre sepse padrejtësia diku, shpejt kthehet në padrejtësi kudo, ndaj fërkimi i duarve ndaj vuajtjes së tjetrit, as ju ndihmon, as ju nderon.

Përqafoni sukseset e njëri-tjetrit dhe jepini dorën shoshoqit për t’u ngritur më shpejt e avancuar më fort.

3.

Familja dhe miqtë nuk mund të zëvendësohen nga teknologjia. Përdorini mjetet digjitale, por mos harroni se jemi njerëz. Inteligjenca artificiale mund të zgjidhë probleme të matematikës apo t’ju kompozojë një këngë, por nuk ka empatinë e një shoku a një shoqeje që të përqafon, qan e qesh me ty, të ngre humorin kur pengohesh, të brohoret kur ringrihesh.

Kaloni kohë cilësore me familjet tuaja; nuk ka telefon, avatar apo chatbot që zëvendëson prindërit, gjyshërit, motrën e vëllain. Jeta nuk është e pafundme dhe as e parashikueshme, ndaj shijoni çdo moment e çdo mundësi për të qenë bashkë, biseduar, luajtur e udhëtuar.

Unë, si edhe ata, jam shumë krenar për ju. Në këto 10 vite që ju kam njohur – disa prej jush, që nga kopshti e gjer në gjimnaz, – kam parë te ju të ardhmen, dhe më është dukur e shkëlqyer. Kam parë shqiptarët e rinj plot mirësi, përulësi, dije, zell, të mençur e të dashur.

Forca pra, për një vit tjetër të shkëlqyer!

Ju dua shumë!

Lali Eri

“Një prokurori të SPAK i kërcënuan fëmijët në Gjermani”, Sula: Edhe Dumanit i kanë kërcënuar familjen

Deputeti demokrat, Dashnor Sula teksa komentonte vizitën e kreut të SPAK, Altin Dumani në SHBA, zbuloi se drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i është kërcënuar familja. Sula po ashtu zbuloi se një tjetër prokurori të SPAK i janë kërcënuar fëmijët që jetojnë në Gjermani nga krimi i organizuar.

“Zoti Dumani e ka thënë dhe në mes të Komisionit të Ligjeve kur e kanë pyetur nga mazhoranca nëse ndihet nga deklaratat e Sali Berishës. Ai ka thënë zero, sepse janë deklarata politike, të cilat ngelin në kuadrin politik. Sepse ka patur zero kërcënime nga Berisha apo familja e tij. Në një kohë kur ka patur shantazhe nga elementë të mazhorancës apo të krimit të organizuar në mënyre të drejtpërdrejte duke kërcënuar kreun e SPAK-ut, apo prokurorë të tjerë të SPAK-ut. Dhe një të cilin unë e njoh që i kanë kërcënuar edhe familjen e tij. Të mos e themi emrin tani, por është shumë afër zotit Dumani prokurori dhe krimi i organizuar ka kërcënuar fëmijët e tij në Gjermani. Në gjermani ia kanë kërcënuar dhe kjo është punë shumë e vështirë. Po është shumë e lehtë të dalësh nëpër media ta shash SPAK-un, prokurorin, gjyqtarin që kërcënohet nga krimineli që ka miliona euro pasuri”, zbuloi Sula.

Sula po ashtu e cilësoi Dumanin një njeri të ndershëm. Ai tha më tej se në trupën e SPAK një pjesë e mirë e prokurorëve janë figura me integritet, që e kryejnë me devotshmëri e përkushtim detyrën.

“Në këtë shtet SPAK-u ka integritet më të lartë, më të fortë se sa institucionet e tjera në Shqipëri. Është e tmerrshme kur opozita që duhet të ishte në krah të SPAK-ut, e quan atë organizatë kriminale. Po ju them nga përvoja personale, një pjesë të mirë që i njoh aty ke të bësh me burra me integritet, që janë të pa korruptuar, prokurorë, 1000 përqind. Dhe Altin Dumani po ta garantoj është njeri jashtëzakonisht i ndershëm dhe bravo i qoftë që nuk reagon se e kemi sulmuar me të gjitha format, nënë brez edhe nga mazhoranca dhe haptazi nga opozita. Dhe ai përsëri shikon të kryejë detyrën dhe nuk merret me to”, nënvizoi Sula.

“Plazhet e Ksamilit dhe Dhërmiut do t’i marrin në menaxhim bashkitë”- Rama paralajmëron: Ata që janë mësuar të dhunojnë, të mos marrin mundimin të aplikojnë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se plazhet e Ksamilit dhe Dhërmiut do t’i kalojnë tërësisht në menaxhim Bashkive.

Kreu i qeverisë u shpreh se shumë shpejt do të nxirret edhe plani i ri për bregdetin, duke shtuar se “me të gjitha bashkitë do të kuptojmë se cilat plazhe bashkitë do t’i marrin tërësisht”.

“Por dy janë të sigurta Ksamili dhe Dhërmiu”, deklaroi Kryeministri. Rama paralajmëroi gjithashtu se “ata të cilët janë mësuar të dhunojnë plazhet me shezlongë ngjitur me njëri-tjetrin dhe bishta çadrash të mos marrin më mundimin të aplikojnë fare”.

Edi Rama: Uroj të ketë dëgjuar kush duhet të dëgjojë, por do t’i ripërsërisim disa herë këto në mënyrë që ata të cilët janë mësuar të dhunojnë plazhet me shezlongë ngjitur me njëri-tjetrin dhe bishta çadrash të mos marrin më mundimin të aplikojnë fare.

Shumë shpejt do të nxjerrim të gjithë planin e ri për bregdetin dhe në bashkëpunim me të gjitha bashkitë do të kuptojmë se cilat plazhe bashkitë do t’i marrin tërësisht, por dy janë të sigurta Ksamili dhe Dhërmiu.

Shtohen TENSIONET / Emiratet e Bashkuara Arabe PARALAJMËROJNË Izraelin: Do kaloni vijën e kuqe nëse …

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë paralajmëruar Izraelin se aneksimi i Bregut Perëndimor të pushtuar do të kalonte një “vijë të kuqe” dhe do të minonte frymën e Marrëveshjeve të Abrahamit që normalizuan marrëdhëniet midis dy vendeve.

Një zyrtare e lartë e Emirateve, Lana Nusseibeh, tha se një veprim i tillë do të ishte kambana e vdekjes së zgjidhjes me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

Ministria e jashtme e Autoritetit Palestinez tha se mirëpriti qëndrimin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Qeveria izraelite nuk ka komentuar. Por komentet e Nusseibeh erdhën pasi Ministri i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, zbuloi një propozim për aneksimin e afërsisht katër të pestave të Bregut Perëndimor.

Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime që strehojnë 700,000 hebrenj që kur pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor – tokë që palestinezët duan, së bashku me Gazën, për një shtet të ardhshëm të shpresuar – gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967. Rreth 3.3 milionë palestinezë jetojnë përkrah tyre.

Vendbanimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Kroacia dhe Bosnja bllokuan pjeshkët me pesticide nga Shqipëria/ AKU: Produkti ishte vetëm për eksport

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar pas bllokimit nga Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina, të pjeshkëve me pesticide nga Shqipëria. Përmes një njoftimi AKU thekson se në Kroaci produkti ishte dërguar i gjithi për eksport dhe se nuk ishte shpërndarë në tregun vendas. Sipas njoftimit të AKU-së, sasia prej 5562 kg që u dërguan drejt Kroacisë është asgjësuar.

NJOFTIMI:

Më datë 22.08.2025, Shqipëria është njoftuar nga Sistemi RASFF, në kategorinë Njoftim për refuzim në kufi me numër reference 2025.6367 me temë: “Nikel në pjeshkë me origjinë nga Shqipëria”, të njoftuar nga Kroacia.

Nga analizat e kryera në shtetin kroat, është konstatuar prania Nikel mbi normën e lejuar. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, rasti i kaloi për ndjekje strukturave të Drejtorisë Rajonale të AKU Fier. U krye inspektim në OBU eksportues, ku rezultoi se nuk ka gjendje të produktit në magazinat e tij.

Subjekti disponon sistem gjurmueshmërie, ku u verifikua se produkti është dërguar i gjithi për eksport dhe nuk është shpërndarë në tregun vendas.

Sasia prej 5562 kg pjeshkë janë dërguar drejt Kroacisë, ku dhe janë asgjëuar pas rezultatit të analizës laboratorike. Rasti iu referua dhe AKVMB për masa të mëtejshme. AKU ka bërë edhe njoftimin përkatës mbi rezultatet e verifikimeve në kategorinë e njoftimeve RASFF.

Luizi dhe Kiara ndajnë lajmin e madh, ja për çfarë bëhet fjalë

Luiz Ejlli dhe Kiara Tito vazhdojnë të jenë një nga çiftet më të ndjekura dhe të komentuar në botën e showbizit shqiptar.

Së fundmi Luizi ka ndarë një lajm të madh me ndjekësit përmes një postimi në Instagram.

Ai ka zbuluar se së bashku me Kiarën janë në përgatitje për një film të ri.

Sipas Luizit xhirimet pritet të nisin shumë shpejt dhe ai do të luajë një rol krejtësisht ndryshe nga ai që kishte në filmin e kaluar.

Detaje të tjera nuk janë bërë ende publike, por pritet që projekti të sjellë surpriza të bukura për publikun.

Tragjike në Tiranë/ Bie aksidentalisht nga ballkoni i banesës, humb jetën 40-vjeçarja

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku një grua ka humbur jetën pasi ka rënë nga ballkoni i banesës së saj.

Shtetasja A. S., 40 vjeçe, ka rënë rreth orës 23:30 në rrugën “Feti Gjilani”, dhe ka humbur jetën në vend.

Policia njoftoi se rënia e saj nga ballkoni ka qenë aksidentale.

Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar më tej rrethanat e incidentit.

“Me datë 03.09.2025, rreth orës 23:30, në rrugën “Feti Gjilani” aksidentalisht ka rënë nga ballkoni i banesës së saj shtetasja A. S., 40 vjeçe, e cila për pasojë ka humbur jetën”, njofton policia.

“Big Brother VIP Albania 5” po afron, këta janë emrat e mundshëm të konkurrentëve

Sezoni i pestë i “Big Brother VIP Albania” është pranë dhe tashmë kanë nisur të qarkullojnë emrat e parë të mundshëm që pritet të hyjnë në shtëpinë më të famshme në vend.

Bëhet me dije se disa personazhe të njohur të showbizit shqiptar janë kontaktuar për të qenë pjesë e këtij edicioni, mes tyre këngëtarë, aktorë dhe ish-konkurrentë nga programe të tjera televizive.

Edhe pse ende nuk ka një listë zyrtare nga Top Channel, në rrjet po përfliten disa emra që kanë gjasa të jenë pjesë e garës.

Disa prej tyre janë: Lore, Hilda Kertalli, Kleoniki Delijorgji, Roerd Toçe, Kostana Morava, Sara Hoxha, Vitmar Basha dhe Renee Reffo,

Si çdo vit, organizatorët po mbajnë sekret deri në fund përbërjen e plotë të kastit, për të shtuar kuriozitetin e publikut.

“Big Brother VIP Albania 5” pritet të nisë para muajit dhjetor, duke rikthyer emocionet dhe surprizat që kanë shënuar çdo edicion të kaluar.

Alarm shëndetësor/ Ekspertët paralajmërojnë rikthimin e sëmundjes vdekjeprurëse

Zyrtarët e shëndetësisë në Japoni kanë dhënë alarmin për shpërthimin rekord të një sëmundjeje të përhapur nga rriqrat (këpushat), e cila ka çuar tashmë në vdekjen e më shumë se 10 personave në vitin 2025 dhe është rikthyer frikshëm.

Siç raportohet nga mediat, deri në mesin e gushtit, 135 persona në Japoni ishin diagnostikuar me Sindromën e Etheve të Rënda me Trombocitopeni, ose SFTS, një sëmundje potencialisht fatale që transmetohet nga rriqrat. Kjo tejkalon rekordin e mëparshëm prej 134 rastesh vjetore në vitin 2023.

Shumica e rasteve të konfirmuara kanë ndodhur në pjesën perëndimore të vendit, me Prefekturën Kochi që kryeson me të paktën 14 raste. Sipas Institutit Japonez për Sigurinë Shëndetësore, nga 135 rastet e konfirmuara deri më tani këtë vit, SFTS ka marrë jetën e më shumë se 10 personave në Japoni.

Ministria e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies u ka kërkuar banorëve dhe vizitorëve të marrin masat e duhura paraprake ndërsa kalojnë kohë jashtë. Këto përfshijnë mbulimin e lëkurës së ekspozuar duke veshur mëngë dhe pantallona të gjata për të parandaluar pickimet e rriqrave, të cilat janë rruga kryesore e infeksionit.
Pse është shqetësuese një shpërthim i Etheve të Rënda me Sindromë Trombocitopenie?

Rriqrat mund të jenë mjaft të zakonshëm në mjedise natyrore, si dhe në zona me bar të tokës bujqësore dhe rekreative. Aktiviteti i këtyre parazitëve historikisht ka qenë më i larti nga pranvera në vjeshtë. Megjithatë, rritja e temperaturave globale, si dhe ndryshimet e lidhura me to në popullatat e kafshëve të mundshme pritëse, mund të zgjerojnë stinët dhe habitatet mikpritëse për rriqrat, duke rritur kështu rrezikun e infeksionit.

Simptomat e zakonshme të SFTS përfshijnë ethe, të përziera, diarre dhe të vjella. Rastet më të rënda mund të çojnë në gjakderdhje të brendshme, simptoma neurologjike dhe dështim të shumë organeve.

Fillimi i sëmundjes dhe shkalla e lartë e vdekshmërisë prej rreth 10 deri në 30 përqind, mund të jetë një sfidë për sistemet e kujdesit shëndetësor. Megjithatë, diagnoza e hershme dhe trajtimi efektiv, siç është me ilaçe antivirale, mund të parandalojnë potencialisht ndërlikimet më serioze.

Fatkeqësisht, aktualisht nuk ka vaksina për të parandaluar infeksionin SFTS tek njerëzit. Megjithatë, studiuesit kanë punuar në disa vaksina kandidate që janë aktualisht në zhvillim. Kjo përfshin studime mbi vaksinat e vektorit viral dhe ARNi-së.

Ulet ‘qepeni’ i shtëpive të barit/ Operacion i Agjencisë Britanike të Krimeve zhvillon bastisje, gjenden para dhe…

Oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) në Britaninë e Madhe kanë zhvilluar një sërë bastisjesh në Birmingham dhe Dudley, duke shkatërruar disa “shtëpi bari” dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme droge dhe para cash.

Sipas komunikatës së NCA-së , operacioni ishte pjesë e një hetimi më të gjerë për krimin e organizuar dhe emigracionin ilegal. Në një nga shtëpitë e kontrolluara në Corser Street, Dudley, oficerët gjetën afër 80 bimë kanabisi, me një vlerë rreth 80 mijë paund.

Gjatë bastisjeve në disa adresa të tjera në Birmingham, u arrestuan gjithsej gjashtë persona. Në një banesë në Cornbrook Road u ndalua një 34-vjeçar shqiptar, ndërsa një 29-vjeçare dhe një 21-vjeçar u ndaluan për shkelje të ligjit të emigracionit. Në të njëjtën shtëpi u sekuestruan rreth 50 mijë paund cash dhe 20 kilogramë kanabis në papafingo.

Në një tjetër bastisje në Fountain Road, një 31-vjeçar u arrestua për kultivim kanabisi, konspiracion për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe pastrim parash. Ai dyshohet se ka lidhje me shqiptarin 34-vjeçar të ndaluar më parë.

‘Goditja’ më e rëndë erdhi në Warstone Lane, ku u zbulua një sasi prej dy kilogramësh kokainë. Dy të rinj, 23 dhe 25 vjeç, u arrestuan nën akuzën e posedimit të drogës së klasit A me qëllim shitje.

Në një adresë tjetër në Pumphouse Way u gjetën pajisje për kultivimin e drogës në një kasolle në oborr, ndonëse në vendngjarje nuk kishte persona të pranishëm.

Shefi i degës së NCA-së, Saju Sasikumar, tha se kultivimi i kanabisit dhe krimi i emigracionit janë shpesh të lidhur ngushtë, ku persona që ndodhen ilegalisht në vend shfrytëzohen dhe detyrohen të punojnë për të shlyer borxhet e udhëtimit. “Kjo është një goditje e rëndësishme për grupet kriminale të përfshira dhe për rrjetet e shpërndarjes në rrugë,” u shpreh ai. Operacioni u realizua në bashkëpunim me Policinë e West Midlands, përkatësisht Njësinë për Luftën kundër Kanabisit.