“Po na vjedhin” – gazetari tregon çmimin e naftës në shtetet fqinje

Të rrojë nacionalizmi se as brekë në bythë nuk kemi

Njeriu në një moment duhet të ndalojë dhe reflektojë për ata çka ndodh përreth jetës së vet, për faktorët socialë dhe ekonomikë.
Këtë javë më rastisi të isha në Maqedoni e më pas Greqi. Sot u ktheva në Shqipëri.
Një nga gjërat që më bëri përshtypje, revoltoi por s’kam fuqi ta ndryshoj (veç të them ndonjë fjalë këtu) ishte çmimi i naftës në tre shtetet.

Në Maqedoni i hodha naftë në Ohër, ku çmimi ishte 69.5 denarë (1.13 euro). Në Greqi e mbusha sarbatorin në Kostur, ku çmimi i naftës ishte 1.58 euro. Në Shqipëri, një litër naftë kushton 179 lekë (1.8 euro)

Paga mesatare në Maqedoni është rreth 600 euro, paga mesatare (reale) në Shqipëri nuk shkon më tepër se 500 euro ndërsa paga mesatare në Greqi shkon rreth 1350 euro.

Çfarëdo lloj arsyeje (justifikimi) që autoriteti i konkurrencës dhe vet shteti shqiptar të nxjerrë për çmimin e naftës (e rritur për shkak të taksave dhe akcizave) është e papranueshme. T’i marrësh lekët nga xhepi një familje të thjeshtë shqiptare që sot e ka domosdoshmëri lëvizjen me automjet është kriminale. Të paktën unë e cilësoj kriminel atë që merr lekët nga xhepi im, teksa harxhoj me tepër se 350 mijë lek te vjetra naftë në muaj.

Ajo çka të irriton e të heq trurin është se 99% e popullit shqiptar e ble me këtë çmim, 1.8 euro ndërsa një pasanik me jaht mund të furnizohet në Shqipëri me 0.5 euro litrin.

Para se deputetët demokratë të fillojnë të mendojnë për aksionet opozitare (që leshtë do bëjnë, siç kanë bërë) e mazhoritarët që shumica janë sa për të ngritur kartonin, duhet të kuptojnë që monopolizimi i tregut të naftës ndikon drejtpërdrejtë në xhepin e çdo qytetari shqiptar.

Të paktën, në xhepin tim po futin duart!

(shkrimet e fundit të miat janë postuar në disa portale, këtë nuk pres ta postoni të dashur kolegë, u mirëkuptoj. Por u lutem ta shpërndajnë vetëm ata që e marrin naftën me 1.8 euro, të tjerëve u falet)

Fotoja numër 1 – Maqedoni
Fotoja numër 2 – Greqi
Fotoja numër 3 – Shqipëri

Historike / Granit Xhaka nominohet për Topin e Artë

Mesfushori me origjinë shqiptare nga Kosova, Granit Xhaka është nominuar për çmimin prestigjioz të Topit të Artë. Një arritje e jashtëzakonshme për futbollistin i cili zhvilloi një sezon fantastik me Bajern Leverkusen. 

Kjo është hera e parë që Xhaka është pjesë e listës së kandidatëve për këtë çmim të rëndësishëm në futbollin ndërkombëtar. 

Ceremonia e ndarjes së “Topit të Artë” do të mbahet më 28 tetor në Paris, ku do të mblidhen personalitete të njohura nga bota e futbollit për të nderuar më të mirët e vitit. 

Këtë vit, disa lojtarë të tjerë janë gjithashtu në garë për çmimin, duke përfshirë Vinicius Zhunior i Real Madridit, Rodri i Mançester Sitit dhe Xhud Bellingham, që të gjithë janë konsideruar si favoritë për të fituar Topin e Artë. 

Nomimi i Granit Xhakës është një dëshmi e suksesit të tij dhe ndikimit që ka pasur në fushë gjatë vitit të fundit, duke e bërë këtë një moment të veçantë për karrierën e tij dhe për tifozët e tij. 

Graniti fitoi Bundesligën me Bajer Leverkusenin pa pësuar asnjë humbje, po ashtu shtoi DFB Pokal dhe Superkupën e Gjermanisë. 

Bora Zemani bën ndryshimin e madh në pamje, ja si duket moderatorja e njohur (FOTO)

Gjatë viteve të fundit, Bora Zemanin e kemi parë brune, me flokë të kuqe, kur tonet e qershisë u bënë tendenca e padiskutueshme e vjeshtës, por këtë herë, me një ndryshim të madh.

Por së fundmi ajo është shfaqur me një ndryshim në pamje.

Bora ka zgjedhur një nuancë më të ëmbël, si një të mesme të artë mes brunes dhe biondes, por kjo vetëm në fotot e para. Në përfundim të procesit, ajo na ka treguar se është bërë bionde.
 
Moderatorja ka bërë një grim të lehtë, ku në pah bien mollëzat e saj me një blush ngjyrë pjeshke e buzët që shkëlqejnë dhe në fakt, mund të themi se deri më tani, nuk kemi gjetur një ngjyrë që nuk i shkon Borës.

Bora Zemani

Berisha mbledh Kryesinë e PD, paralajmëron me mospjesëmarrje në zgjedhje nëse nuk formohet qeveri teknike

Sali Berisha ka është “rikthyer” sot në selinë e Partisë Demokratike, pas një kohe të gjatë, duke përdorur teknologjinë nga arresti i shtëpisë.
Berisha ka mbledhur Kryesinë e PD-së, pasi gjykata i riktheu atij vulën dhe logon e kësaj force politike.

Në fjalën e tij, Berisha e vuri theksin te zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, teksa tha se qëllimi i PD-së është të kthejë votën e lirë te qytetarët. Berisha paralajmëroi me mospjesëmarrje në zgjedhje, nëse nuk krijohet një qeveri teknike për zgjedhjet e 2025-ës.

Sipas tij, nuk ka asnjë shans që zgjedhjet të jenë të drejta dhe të ndershme me Edi Ramën.

“Partia Demokratike ka si alternativë mospjesëmarrjen në zgjedhje, e cila është e garantuar në statutin e saj. Edi Rama do të festonte me një vendim të tillë. Por detyrimi ynë absolut është kthimi i votës së lirë te shqiptarët, dhe ky kthim realizohet vetëm me largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike”, tha ndër të tjera Berisha.

Berisha gjithashtu tha se vjeshta nuk do të karakterizohet nga protestat masive, por shtoi se deputetët duhet të qëndrojnë pranë çdo qytetari që kërkon të përfaqësohet dhe t’i dëgjohet zëri.

Presidenti i Venezuelës zhvendos Krishtlindjen në 1 tetor

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro ka vendosur të afrojë festën e Krishtlindjes në 1 tetor.

Lideri 61-vjeçar i shtetit në Amerikën Latine, fitoi pak ditë më parë mandatin e tij të 3-të 6 vjeçar, pavarësisht pretendimeve të shumta për manipulim të procesit zgjedhor.

Në një intervistë televizive, ai nuk e fshehu gëzimin për fitoren në zgjedhje, duke thënë se do të firmosë një dekret për ta zhvendosur festën e Krishtlindjes në 1 tetor.

“Është shtator dhe tashmë ka aromë si Krishtlindje. Kjo është arsyeja pse këtë vit, në homazh për ju, në mirënjohje ndaj jush, unë do të dekretoj që Krishtlindjet të sillen në 1 tetor”, tha Maduro gjatë një daljeje televizive të hënën.

Kjo nuk është hera e parë që Maduro ndryshon datën e Krishtlindjeve që kur mori frenat e vendit me shumicë katolike nga Hugo Chavez në vitin 2013. Ai e bëri një gjë të tillë gjatë pandemisë së Covid-19, por duke e zhvendosur vetëm me disa ditë.

Krishtlindja festohet në 25 dhjetor, kur mendohet se është edhe data e lindjes së Krishtit.

Mediat: SPAK ka nisur hetim pasuror për Fondacionin e Liri Berishës

SPAK, i cili muaj më parë nisi hetimet për origjinën e pasurive të gjithë familjes Berisha, po heton edhe fondet dhe pasuritë e paluajtshme të Fondacionit për Fëmijët Shqiptarë, organizatës joqeveritare të themeluar nga Liri Berisha.

Sipas shqiptarja.com, SPAK po analizon të ardhurat dhe shpenzimet e fondacionit, (zyrtarisht dedikuar për ndihmën e fëmijëve autikë), përfshirë donacione dhe blerje. Ndër të tjera, hetimi po prek edhe fondet e investuara për blerjen e një vile të Fondacionit në zonën e ish-liqenit të Farkës e cila përdoret si seli e biznesit.

Fondacioni i Liri Berishës është përmendur në disa kronika të mediave në të kaluarën, pasi u zbulua se gjatë një darke bamirësie të organizuar në Tiranë në kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha, biznesmenë të ndryshëm blenë vepra arti me çmime shumë të larta të nxjerra në shitje në ankand nga Fondacioni. Ndër të tjera është blerë një pikturë për 100 mijë euro. Çmimi i paguar e kalonte shumë herë vlerën reale të punimeve dhe që atëherë dyshohej se ato blerje ishin maskuar në formë bamirësie, por që në të vërtetë ishin “dhuratat” e paguara për fondacionin Liri Berisha, të cilat më pas bashkëshorti ia ktheu me tendera dhe favorizime të tjera politike.

Tashmë SPAK po heton për herë të parë pasqyrat financiare të Fondacionit, si dhe pjesën tjetër të pasurive të familjes. Në qendër të hetimit financiar janë dhjetëra toka dhe apartamente në pronësi të vajzës së tij Argitës dhe dhëndrrit të tij Jamarberit dhe djalit të tij Shkëlzenit. Llogaritë e tyre rrjedhëse, kreditë bankare, faturat, konsulencat, shpenzimet jashtë dhe natyrisht vila luksoze e Gjirit të Lalzit në qendër të një operacioni misterioz pronash të paluajtshme që ndodhi në të njëjtën periudhë kur Sali Berisha i dha leje ndërtimi ndërtuesit që po bënte resortin dhe vilën që më pas u bë pronë e tyre.

Hetimet pasurore për familjen Berisha, të cilat asnjë autoritet shtetëror nuk ka guxuar t’i kryejë ndonjëherë në të kaluarën, nisën pasi SPAK nisi procedimin penal për korrupsion dhe pastrim parash lidhur me privatizimin e ish-Klubit sportiv Partizani për të cilin Sali Berisha dhe dhëndri janë ende në arrest shtëpie./shqiptarja.com

Shpat Kasapi do të jetë pjesë e BB VIP 4?

I ftuar mëngjesin e sotëm në “Wake Up” ka qenë artisti i mirënjohur Shpat Kasapi. Gjatë intervistës së tij ai është vënë paksa në “siklet” nga një pyetje e bërë prej moderatorëve të cilët e kanë “ngacmuar” duke i thënë “Përse nuk bëhesh pjesë e “BBV”?”Ai është shprehur se po të njëjtën pyetje merr dhe nga persona të tjerë sidomos në palestër të cilët “e shtyjnë” që artisti të jetë pjesë e këtij reality show pasi në fund të fundit nuk ka asgjë për të humbur

Por çfarë mendimi ka Shpati për këtë? Ja ç’thotë ai:“Po pse jo ma kanë thënë shumë njerëz! Sidomos aty në palestër dhe unë i them “unë kërkoj mendimin tënd pse e thua të futem”. E më thonë “ke 20 vite karrierë, s’ke çfarë humb”, edhe unë i them “epo votomë! Do mem pa aty? Votomë!”

“Tani bënë dasmë, jemi sh okuar”, e afërmja e familjes për vrasjen e 62-vjeçarit: Enverit i vdiq gruaja, s’kemi dëgjuar konflikte

Kushërira e viktimës ka folur për mediat, pas krimit horror të ndodhur në Shënavlash.

E afërmja e familjes: Tani bënë dasmë u kënaqëm, dy çuna i ka në Itali, një është kthyer. Jam shokuar, s’ka pasur konflikte, s’kemi dëgjuar gjë. Enverit i vdiq gruaja, u martua sërish,. Mori një grua shtëpiake. Dëgjuam që ka humbur, sikur Ka vjedh 75 milionë lekë në shtëpi.

Vodhi disa celularë në dhomat e pacientëve në spitalin e Vlorës, e pëson keq 38-vjeçari

Vodhi disa celularë në dhomat e pacientëve në spitalin e Vlorës, e pëson keq 38-vjeçari
Një 38-vjeçar është arrestuar këtë të mërkurë, pasi ka vjedhur 4 celularë në dhomat e pacientëve gjatë natës në spitalin e Vlorës.

Ngjarja ka ndodhur më datë 31 gusht.

“Vodhi 4 celularë në dhomat e pacientëve në spitalin e Vlorës, gjatë natës, identifikohet dhe arrestohet 38-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se në dhomat e pacientëve në spitalin e Vlorës, ishin vjedhur disa celularë, kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe, bazuar në pamjet filmike dhe në provat e tjera të siguruara, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Storm 24”. Si rezultat, u bë identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit 38 vjeç, banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 38-vjeçari, më datë 31.08.2024, gjatë natës, ka vjedhur 4 celularë të pacientëve që merrnin mjekim në spitalin e Vlorës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.

20 vite nga Shqipëri-Greqi 2-1. Ndeshja perfekte e kombëtares kuqezi, që asnjë shqiptar nuk e harron kurrë (video)

4 shtator 2004 – 4 shtator 2024. Sot mbushen 20 vite nga fitorja historike 2-1 e Shqipërisë ndaj Greqisë, asokohe e sapo shpallur kampione e Europës. Me siguri, kjo është ndeshja që asnjë shqiptar nuk e harron kurrë. Kombëtarja helene, e drejtuar nga Otto Rehagel nuk u mposht dot nga gjigantët e Europës, në finalet e atij Europiani të zhvilluar në Portugali.

Ndalesën e parë e pësoi në stadiumin “Qemal Stafa”, nga kuqezinjtë tanë, 2-1, ku goli i Ardian Aliajt ishte për “kornizë”, i bukur edhe goli i Edvin Muratit. Tirana u “përmbyt” me ngjyrat kuqezi, e tëra, pas atij suksesi të jashtëzakonshëm e të paharrueshëm.

Ajo ditë u përmblodh të nesërmen me titullin tejet pikant të gazetës më të madhe sportive të kohës në Shqipëri: “Europë, ja se si mundet Greqia”! Po kaq pikant baneri i tifozëve kuqezinj: “Këtu nuk është Portugali”.

Nuk harrohet dot kurrë “Qemal Stafa” i stërmbushur, teksa Shqipëria niste fushtatën e kualifikueseve të Botërorit 2006, duke pritur në shtëpi kampionët e freskët të Europës.

Golat për Shqipërinë do t’i shënonin Murati që në minutën e 3-të, pas një gabimi në mbrojtjen greke, ndërsa më pas, Adrian Aliaj, me një goditje spektakolare thuajse mesi i fushës, do të dyfishonte epërsinë që në pjesën e parë. Atmosfera në kryeqytet ato ditë ka qenë elektrizuese dhe kujtohet me nostalgji nga çdo njeri që ka qenë brenda atyre festimeve.

Gjatë festimeve të shqiptarëve në Greqi mbeti i vrarë një djalosh 20-vjeçar, i quajtur Gramoz Palushi. Ai ishte duke festuar së bashku me miqtë e tij emigrantë në Zakinthos, kur u sulmua për vdekje nga grekët e irrituar. Një ngjarje e dhimbshme, e cila ka bërë bujë atë kohë dhe ka trazuar marrëdhëniet mes dy shteteve.