E trishtë/ Ndahet nga jeta në moshën 64-vjeçare, gazetari dhe analisti i njohur, Artur Zheji

Gazetari dhe analisti i njohur, Artur Zheji, është ndarë sot nga jeta.

Ai ishte duke drekuar me bashkëshorten dhe djalin në një restorant në rrugën “Butrinti”, kur dyshohet se ka pësuar një arrest kardiak.

Zheji u transportua me urgjencë me autoambulancë drejt spitalit “Petro Nako” në Sarandë, por fatkeqësisht mbërriti atje i pa jetë.

Njoftimi i policisë:

Sarandë/Infomacion paraprak

Sot, rreth orës 16:10, në afërsi të rrugës “Butrinti”, shtetasi A. Zh., 63 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në një restorant dhe gjatë transportit drejt spitalit me autoambulancë, ka ndërruar jetë.

Vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

“Fëmija im më i vogël nuk e di si duken dhe çfarë shije kanë frutat”, banorët e Gazës në zi buke

Banorët e Rripit të Gazës kanë përshkruar efektet e urisë së rëndë në trupat e tyre, pasi raportit të mbështetur nga OKB-ja që konfirmoi për herë të parë urinë në territor.

Reem Tawfiq Khader, 41 vjeç, nënë e pesë fëmijëve nga qyteti i Gazës, tha për BBC-në: “Shpallja e urisë erdhi shumë vonë, por është ende e rëndësishme. Nuk kemi ngrënë asnjë proteinë për pesë muaj. Fëmija im më i vogël është katër vjeç. Ai nuk e di se si duken ose çfarë shije kanë frutat dhe perimet.”

OKB-ja thotë se Izraeli ka kufizuar ndjeshëm sasinë e ndihmës që hyn në Gaza, gjë që Izraeli e mohon.

Një tjetër grua 47-vjeçare, Rajaa Talbeh, nënë e gjashtë fëmijëve, tha se kishte humbur 25 kg në peshë. Ajo iku nga shtëpia e saj në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës një muaj më parë dhe tani jeton në një tendë të improvizuar pranë plazhit.

Ajo vuan nga intoleranca ndaj glutenit dhe tha se nuk mund të gjente më ushqim për të ngrënë.

“Para luftës, një organizatë bamirëse më ndihmonte të merrja produkte pa gluten, të cilat nuk mund t’i përballoja kurrë vetë. Që kur filloi lufta, nuk mund ta gjej atë që më nevojitet në treg, dhe edhe kur e gjej, nuk kam mundësi ta përballoj. A nuk mjafton të përballosh bombardimet e përditshme, zhvendosjen dhe të jetosh në një tendë që nuk na mbron as nga vapa e verës dhe as nga i ftohti i dimrit dhe tani edhe nga uria?”

Rida Hijeh, 29 vjeç, tha se pesha e vajzës së saj pesëvjeçare, Lamia, kishte rënë nga 19 kg në 10.5 kg.

Ajo tha se Lamia ishte e shëndetshme para se të fillonte lufta dhe nuk kishte pasur sëmundje të mëparshme.

“E gjithë kjo ndodhi vetëm për shkak të urisë. Thjesht nuk ka asgjë për të ngrënë fëmija. Nuk ka perime, as fruta. Tani, Lamia vuan nga ënjtje në këmbë, rënie të flokëve dhe probleme nervore. Ajo nuk mund të ecë. Shkova në shumë klinika, mjekë dhe spitale. Të gjithë më thanë se vajza ime vuan nga kequshqyerja. Por asnjëri prej tyre nuk më dha asgjë, as trajtim, as mbështetje”, tha ajo.

Izraeli gjithashtu mohon se ka uri në territor, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë që thonë më shumë se 100 grupe humanitare, dëshmitarë në terren dhe organe të shumta të OKB-së.

Të premten, Klasifikimi i Integruar i Fazës së Sigurisë Ushqimore (IPC) i mbështetur nga OKB-ja tha se kishte një zi buke “tërësisht të shkaktuar nga njeriu” në Qytetin e Gazës dhe zonat përreth tij.

Ai paralajmëroi se më shumë se gjysmë milioni njerëz në të gjithë Rripin e Gazës po përballeshin me kushte “katastrofike” të karakterizuara nga “uria, varfëria dhe vdekja”.

Më shumë se 62,000 njerëz janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi fushatën e tij ushtarake, në përgjigje të sulmit të udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1,200 njerëz dhe 251 të tjerë u morën peng.

Që nga fillimi i luftës, të paktën 271 persona, përfshirë 112 fëmijë, kanë vdekur nga “uria dhe kequshqyerja”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi.

“Unë jam 25 vjeçe dhe i dashuri im është 76… Ai është shpirti im binjak edhe pse kemi 51 vite diferencë” – Lidhja që ka ndezur debat

Një histori dashurie e pazakontë nga San Diego ka ndezur debat të madh në rrjete sociale. Diana Montano, 25 vjeçe, është në një lidhje me Edgar-in, 76 vjeç, dhe ndonëse diferenca e madhe prej 51 vitesh ka sjellë kritika të ashpra, ajo thotë se më në fund ka gjetur dashurinë e jetës.

Çifti u njoh në korrik 2024 përmes një miku të përbashkët dhe, sipas Dianës, “nga momenti i parë kishte shkëndija.”

Prej asaj kohe, ata janë të pandarë, por lidhja e tyre nuk ka kaluar pa vështirësi.

Që prej publikimit të fotove të tyre në rrjetet sociale, Diana është përballur me ofendime të rënda. “Disa më shkruajnë: ‘Shpresoj të vdesësh para tij’ apo ‘ka një vend të veçantë në ferr për ata që abuzojnë me të moshuarit’,” rrëfen ajo. Komente të tjera e kanë quajtur lidhjen “të neveritshme” apo “të frikshme”.

Por ajo nuk dorëzohet. “Na bën më shumë të qeshim sesa të mërzitemi. Njerëzit gjykojnë shpejt pa na njohur, por unë jam e lumtur dhe kjo është ajo që ka rëndësi,” thotë Diana, duke shtuar se përveç komenteve negative ka marrë edhe mesazhe mbështetjeje nga ata që admirojnë lidhjen e tyre.

Sfida më e madhe, sipas saj, ka qenë prezantimi i partnerit në familje dhe në shoqërinë e saj. “Ndryshe nga partnerët e shoqeve të mia që futen lehtësisht në grup, për të është më e vështirë për shkak të moshës dhe vendeve ku ne shkojmë,” tregon Diana. Ajo shton se në familje shpesh duhet të qëndrojë me të afërm më të moshuar që Edgar të ndihet i përfshirë, ndërsa një “barrierë gjuhësore mes brezave” e vështirëson komunikimin e tij me kushërinjtë më të rinj.

Disa të afërm madje i kanë thënë se po “shkatërron jetën e saj”, por ajo mbetet e vendosur: “Unë e di se jam e lumtur.”

Megjithëse ka diferencë të madhe moshe, Diana dhe Edgar ndajnë shumë pasione të përbashkëta: artin, teatrin, natyrën dhe udhëtimet. “Ne jemi aventurierë. Kemi bërë hiking, po planifikojmë ski dhe madje duam të hidhemi me parashutë,” thotë ajo. Sipas saj, Edgar është në formë më të mirë fizike se ajo, duke qenë se shkon tre herë në javë në palestër.

E vetmja gjë ku nuk përputhen është jeta e natës. Diana pëlqen klubet dhe baret, ndërsa ai jo, por gjithsesi është “shumë i hapur” për të marrë pjesë në aktivitetet që ajo do.

Sa i përket së ardhmes, ajo nuk shqetësohet për faktin që partneri i saj është shumë më i madh. “Nëse në një moment do t’i duhet kujdes i veçantë, do të angazhohemi bashkë. Nuk është diçka që më tremb,” shprehet Diana.

Ajo e mbyll rrëfimin e saj me një deklaratë të fortë: “Edgar më sjell versionin më të mirë të vetes dhe unë atij. Ai është i pjekur, i duruar dhe më kupton. Kam gjetur shpirtin tim binjak – nuk ka njeri në moshën time që të jetë si ai.”

Galeria fotografike (

1 / 7

)

Vrasësi shqiptar ‘lutet’ nga burgu britanik: Më ktheni në Shqipëri, këtu është ushqimi i keq

Një i burgosur shqiptar, i dënuar për vrasje në Mbretërinë e Bashkuar, ka publikuar video të shumta në rrjetin social TikTok nga qelia e tij në burgun HMP Manchester, duke kërkuar të transferohet në Shqipëri për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Eugert Merizaj, 32 vjeç, u dënua në maj të vitit 2022 me 32 vite burg për vrasjen me armë zjarri të trafikantit rival të drogës, Hemawand Ali Hussein.

Pavarësisht ndalimit të përdorimit të pajisjeve celulare në burgjet britanike, Merizaj ka arritur të publikojë rregullisht video në rrjete sociale, madje edhe të transmetojë live duke luajtur lojëra online për shpërblime financiare.

Në videon e fundit të shpërndarë këtë muaj, Merizaj ankohet për kushtet në burg dhe shpreh dëshirën për t’u transferuar në Shqipëri, për të qenë më pranë familjes dhe për të shmangur, sipas tij, “ushqimin e tmerrshëm” të burgut britanik.

“I kam bërë të gjitha aplikimet. Më duket se ata që vuajnë dënime të përjetshme nuk po lëvizin fare,” shprehet Merizaj në klip.

Marrëveshja për transferimin e të burgosurve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë ka hyrë në fuqi në maj 2023. Ajo synon të kursejë para publike duke lejuar transferimin e të gjithë shtetasve shqiptarë të dënuar me mbi katër vjet burg, për të vijuar vuajtjen e dënimit në atdhe.

Megjithatë, procesi ka shënuar vonesa të ndjeshme. Sipas burimeve nga Shërbimi i Burgjeve të Shqipërisë, deri tani janë realizuar vetëm dhjetë transferime të të burgosurve shqiptarë nga burgjet britanike.

Horoskopi për ditën e sotme, e Shtunë 23 Gusht 2025

Dashi

Nëse flisni shumë mund të ketë komplikime, sidomos në dashuri, ku fundjava do të jetë e vështirë. Parashikohet që të ketë debate. Mund të ndiheni të demotivuar nga sjelljet tuaja, kështu që mundohuni që të rigjeni entuziazmin. Po ashtu mundohuni që të rrini me miq që i keni përzemër dhe mos u pushtoni nga nervozizmi.

Demi

Ju pret një ditë pozitive, ku do të ketë shtysa të rëndësishme lidhur me çështje që i keni përzemër. Mund ta përballoni situatën me më shumë qetësi. Vetëm gjendja fizike nuk do të jetë shumë e mirë. Me afrimin e mbrëmjes dhe me kontaktet që do të keni me njerëz që i doni, situata do të përmirësohet.

Binjakët

Do të keni mundësi për të pasur kontakte të reja, edhe pse në dashuri do të ketë jo pak tensione. Jeni jo pak të lodhur, por pavarësisht kësaj ky është një moment i mirë për të bërë atë që doni. Do të jeni më të hapur me të tjerët në sferën sentimentale, veç nuk duhet ta teproni me ankesat, sidomos ndaj njerëzve të cilët tashmë i keni larg.

Gaforrja

Ju pret një e shtunë shumë interesante në sajë të ndikimit të Hënës në shenjën tuaj. Jeni shumë të pasionuar ndaj të tjerëve dhe fati do ju prijë. Edhe sfera sentimentale do të jetë tejet e favorshme. Gjithashtu mundohuni që të gjeni stimujt e duhur brenda vetes pasi keni nevojë për emocione të vërteta.

Luani

Në dashuri do të merrni konfirmime të rëndësishme, ndonëse sfidat nuk do të mungojnë. E shtuna do të jetë mjaft e veçantë, ndaj mundohuni që të mos debatoni sidomos me të lindurit e shenjës së Dashit dhe Demit. Lëreni veten të rrëmbeheni nga ndjenjat, pa menduar për pasojat. Humbja e kontrollit ndonjëherë mund të dhurojë kënaqësi.

Virgjëresha

E shtuna do të jetë më e mirë, pasi do ju lejojë që të ktheni në plan të parë raportet me të tjerët. Në dashuri gjërat do të përkeqësohen, për shkak të keqkuptimeve me të cilat do të përballeni. Ndikimi i kundërt i Venusit, do të shkaktojë mjaft konfuzion dhe ende nuk do arrini që t’iu besoni njerëzve që keni përreth. Përmirësimi do të nisë vetëm pas tre ditëve.

Peshorja

Mundohuni që të mos humbni qetësinë. Pavarësisht ndikimit të Hënës në shenjën tuaj, lodhja do të ndihet. Ndoshta jeni të zhgënjyer nga sjellja e një personi të cilin e ndjeni të largët. Nëse do ju bëhet një ftesë pranojeni dhe mundohuni që të rigjeni qetësinë.

Akrepi

Kjo fundjavë do të jetë shumë pozitive sidomos në sferën sentimentale. Ndikimi i Hënës do të ngjallë erosin dhe pasionin, duke përjetuar emocione të bukura. Me njeriun e zemrës jini vetvetja dhe mos krijoni probleme aty ku nuk ka.

Shigjetari

Lidhjet e dashurisë duhen jetuar me kujdes. Momentalisht asgjë nuk iu bën që të ndiheni mirë. Një moment reflektimi mund t’iu bëjë shumë mirë.

Bricjapi

Hëna do të ketë ndikim të kundërt në shenjën tuaj. Të lindurit e shenjës së dashit dhe gaforres, nuk do të jenë në harmoni. Do të ndiheni disi dembelë, por bëni mirë që të mos përhumbeni nga rrjedha juaj normale.

Ujori

Duhet të rikuperoni energjinë, pasi kjo fundjavë është ideale sa i takon ndjenjave. Mundohuni që të përgatiteni ndaj të papriturave. Nëse dashuria nuk shkon ashtu siç duhet, kjo ndodh edhe për fajin tuaj, shkruan noa.al. Mundohuni që të bëni diçka më shumë dhe rezultatet nuk do të mungojnë.

Peshqit

Do të jeni mjaft tërheqës dhe gjithashtu edhe më sensual. Në dashuri do të keni rikuperim terreni. Fundjava është shumë interesante ku ndikimi i favorshëm i Hënës do të sjellë një sërë dobish si dhe mundësinë për të jetuar një histori të re dashurie.

Momenti prekëse/ Shqiptari gjen vajzën e tij pas disa vitesh falë një emisioni televiziv gjerman

Një histori prekëse e një shqiptari ka marrë vëmendje e mediave gjermane. Shqiptari Kadri Mahmuti, u bë baba në Paris në vitin 1979, por kur vajza e tij Hamide ishte vetëm dy vjeç, nëna e saj vendosi të shpërngulej në Portugali dhe nga ky moment babi nuk e takoi më të bijën.

Por falë një emisioni gjerman dhe i njohur si “Bitte melde dich” të Julia Leischik Kadri Mahmuti ia doli të bashkohej me vajzën e tij.

Emisioni “Bitte melde dich” të Julia Leischik, prej vitesh ndihmon njerëzit të ribashkohen me familjarë të humbur.

Arrestohet vajza e këngëtares Eli Fara

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë arrestuar Roxhensa Kapurani, 39 vjeçe, e njohur edhe me emrin Marina Fara, vajza e këngëtares së njohur Eli Fara.

Arrestimi është bërë ditën e djeshme pas një kontrolli fizik të ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, ku iu gjet një sasi e dyshuar lënde narkotike, kokainë. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

Ndërron jetë djali i reperit të njohur shqiptar

Dhimbje e madhe për familjen e reperit shqiptar Marin, i cili ka njoftuar në rrjetet sociale se ka humbur djalin e tij të porsalindur.

Artisti ka bërë me dije përmes një postimi prekës në rrjete sociale se djali i tij i porsalindur ka ndërruar jetë.

Në statusin e tij, Marin shprehet se kjo ishte menduar të ishte një lajm i gëzueshëm për ardhjen në jetë të vogëlushit, por fatkeqësisht jeta ka marrë një kthesë të dhimbshme për familjen e tij.

“Disa njerëz vetëm ëndërrojnë engjëj, por ne patëm nderin të mbanim një në krahët tanë,” shkruan ai, duke shprehur tronditjen dhe pikëllimin e madh që po përjetojnë.

Reperi thekson se këto ditë kanë qenë tepër të vështira për të dhe partneren e tij Alba, por megjithatë po përpiqen të gjejnë forcë duke u mbështetur tek dashuria e ndërsjellë dhe tek përkrahja e miqve e familjarëve. Ai falënderoi të gjithë ata që u janë gjendur pranë në këtë periudhë të errët të jetës së tyre.

Marin dhe Alba janë prindër të tri vajzave: Milana, Melody dhe Marina, të cilat janë gëzimi dhe forca e tyre e përditshme.

Humbja e djalit ka lënë një plagë të madhe në zemrat e tyre, por çifti shprehet se do të vazhdojnë të ecin përpara me besimin se një ditë do ta takojnë sërish engjëllin e tyre në parajsë.

“Deri sa të shihemi përsëri, engjëlli ynë, do të na mungosh çdo ditë,” përfundon mesazhi i reperit, i shoqëruar me fjalë ngushëllimi për bashkëshorten e tij, të cilën e quan “njeriu më i fortë dhe gruaja më e mirë që ka ekzistuar ndonjëherë.”

Ngushëllime të sinqerta për familjen e Marin dhe Albës në këtë periudhë të rëndë dhimbjeje. /Prive By Liberta Spahiu

Shoku i tij shqiptar u vra në Belgjikë, Van Damme shpreh ngushëllimet dhe bën simbolin e shqiponjës (Video)

Aktori i njohur Jean Claude Van Damme ka shprehur hidhërimin e tij për vrasjen e Ndue Mylyshit disa ditë më parë në Belgjikë.

Në një postim prekës nga një spital në Francë, ku tha se ndodhej pas një operacioni në shpinë, Van Damme, ngushëlloi familjen e mikut të tij Ndue Mylyshi, i njohur edhe si Noel. Madje u çua edhe në këmbë e bëri simbolin e shqiponjës.

“Sapo kam humbur një mik të madh, Noel Mylyshi, nga Shqipëria. Do të doja të shprehja ngushëllimet e mia familjes së tij”, thotë Van Damme në video.

https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FJCVDworld%2Fvideos%2F4185404045073744%2F&show_text=0&width=269

Të dielën në mbrëmje, në lagjen Itterbeek të Anderleht në Belgjikë, u vra 61-vjeçari shqiptar Ndue Mylyshi, i njohur si “Noel”. Ai ishte pronar i kafenesë “Maison Haute” dhe një apartamenti sipër saj që e kishte dhënë me qira.

Konflikti nisi mes tij dhe qiramarrësit, i cili jetonte në katin e tretë dhe që më herët atë ditë ishte dëbuar nga apartamenti. Qiramarrësi e kishte kërcënuar se do të kthehej atë mbrëmje pas grindjes. Rreth orës 20:30 u dëgjuan katër të shtëna në kafene. Noeli u dërgua në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.

Policia arrestoi autorin e dyshuar dhe përjashtoi pistën e trafikut të drogës, duke dyshuar për konflikt personal.

Miq dhe banorë të zonës e përshkruajnë viktimën si një njeri të mirë dhe të gatshëm për të ndihmuar. Shumë prej tyre shprehën dhimbjen dhe ngushëllimet për familjen në rrjetet sociale.

VIDEO

Arrestimi i Ramadan Zotos në Korçë, policia jep detaje: Iu gjetën 4 pistoleta, dron dhe 600 fishekë luftarakë

Policia ka dhënë detaje të reja në lidhje me arrestimin e shtetasit Ramadan Zoto sot në Korçë.

Uniformat blu bëjnë me dije se gjatë arrestimit, Zotos iu gjetën dhe sekuestruan 4 pistoleta, të gjitha me karikator me fishekë, dhe 1 automatik), një pjesë mekanizmi për silenciator, një dylbi për përdorim në kushte të errësirës, një dron dhe rreth 600 fishekë luftarakë.

Po ashtu uniformat blu bëjnë me dije se u vu në pranga edhe shtetasi me iniciale A. I., 50 vjeç, banues në Fier, i cili e fshihte dhe e strehonte.Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Stuhia”, nga strukturat e hetimit të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje.

Vihet në pranga 43-vjeçari i shpallur në kërkim, pas lokalizimit në Korçë, i cili, në muajin korrik, në Sarandë, tentoi të vriste me armë zjarri dy shtetas, në një lokal.

43-vjeçari, në momentin e ndalimit, ishte i armatosur me armë zjarri, me fishek në fole, gati për qitje.
Në pranga edhe një shtetas që e strehonte në qytetin e Fierit dhe e ndihmonte t’i shmangej Policisë, i shpallur më herët për armëmbajtje pa leje, po në kuadër të këtij operacioni.

Sekuestrohen gjatë operacionit gjithsej 5 armë zjarri (4 pistoleta, të gjitha me karikator me fishekë, dhe 1 automatik), një pjesë mekanizmi për silenciator, një dylbi për përdorim në kushte të errësirës, një dron dhe rreth 600 fishekë luftarakë.

Në vijim të veprimeve operacionale bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 17.07.2025, në lagjen nr. 3, Sarandë, ku pas një konflikti për motive të dobëta mbetën të plagosur me armë zjarri 2 shtetas, shërbimet e DVP Vlorë, konkretisht strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit:

•R. Z., alias R. C., 43 vjeç, banues në Sarandë, ndaj të cilit, me vendimin e datës 24.07.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në momentin e arrestimit, në qytetin e Korçës, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, gati për qitje.

Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga edhe shtetasi A. I., 50 vjeç, banues në Fier, i cili fshihte dhe strehonte shtetasin R. Z.

50-vjeçari ishte shpallur më herët në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, pasi falë informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe punës së strukturave të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, në vijim të veprimeve operacionale për finalizimin e këtij operacioni, u ushtrua kontroll konkretisht në banesën e shtetasit A. I., në qytetin e Fierit, ku dyshohej se fshihej shtetasi i kërkuar R. Z.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë banesë u gjet dhe u sekuestrua një arsenal armësh dhe sendesh të tjera, konkretisht: 3 armë zjarri pistoleta, të gjitha me karikator me fishekë, një armë zjarri automatik, një pjesë mekanizmi për silenciator, një dylbi për përdorim në kushte të errësirës, një dron dhe rreth 600 fishekë luftarakë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.https://youtu.be/CFs3T83WFRE