Trump: Gjiri i Meksikës do të quhet Gjiri i Amerikës

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump të martën u tha gazetarëve se dëshiron të ndryshojë emrin e Gjirit të Meksikës në Gjirin e Amerikës.

Ai u ankua se Meksika po përfitonte nga Shtetet e Bashkuara për tregtinë dhe imigracionin.

“Ne do të ndryshojmë emrin e Gjirit të Meksikës në Gjirin e Amerikës”, tha Trump. “Sa emër i bukur. Dhe është i përshtatshëm. Është i përshtatshëm. Dhe Meksika duhet të ndalojë së lejuari miliona njerëz të derdhen në vendin tonë”, deklaroi Trump.

Trump i bëri komentet ndërsa u ankua se SHBA kishte një deficit të madh tregtar me Meksikën dhe Kanadanë. Ai ka ngritur shqetësime të ngjashme që nga fitorja e zgjedhjeve të nëntorit dhe u zotua të vendosë tarifa të larta për të dy vendet fqinje.

Si kryeministri kanadez në largim Justin Trudeau ashtu edhe presidentja meksikane Claudia Sheinbaum Pardo kanë folur me Trump në muajt e fundit rreth kërcënimeve të tij tarifore.

Trump të martën e quajti Meksikën si një “vend shumë të rrezikshëm” që drejtohej “në thelb nga kartelet”.

Ai sugjeroi që Kanadaja të bashkohej me SHBA-në pasi Trudeau njoftoi dorëheqjen e tij të hënën.

Gjiri i Meksikës, i cili mbulon më shumë se gjysmë milioni kilometra katrorë, u shfaq për herë të parë në hartat evropiane në vitet 1500.