Rreziku nga sulmi në zemër, kjo është mosha kur nis kthesa tek burrat

Një studim i ri i kryer nga studiuesit amerikanë, ka nxjerrë në dritë gjetje shqetësuese lidhur me shëndetin kardiovaskular te meshkujt.

Sipas të dhënave të publikuara në “Journal of the American Heart Association”, pika e kthesës ku rreziku i sulmit në zemër fillon të përshpejtohet te burrat është mesi i të 30-ave.

Kjo moshë konsiderohet kritike, pasi shënon fillimin e një divergence të madhe midis burrave dhe grave në lidhje me shëndetin e zemrës. Studimi, i cili ndoqi mbi 5.000 persona për rreth 34 vite, tregoi se pabarazitë e para nisin konkretisht në moshën 35-vjeçare.

Ndryshimi kryesor vjen nga sëmundja koronare e zemrës (CHD), e cila është shkaku kryesor i infarkteve.

Sipas studimit, burrat arrijnë nivele të larta rreziku rreth shtatë deri në dhjetë vjet më herët sesa gratë.

Ekspertja Alexa Freedman thotë se ndonëse 35 vjeç mund të duket si një moshë e re, sëmundjet e zemrës zhvillohen në heshtje gjatë dekadave.

Faktorë si tensioni i gjakut, kolesteroli, pirja e duhanit dhe aktiviteti fizik luajnë një rol kyç, por edhe pas rregullimit të këtyre faktorëve, burrat mbeten më të rrezikuar. Kjo sugjeron se hormonet seksuale dhe gjenetika luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në këtë dallim gjinor.

Mesazhi kryesor i studiuesve është i qartë: parandalimi duhet të nisë herët. Duke qenë se burrat kanë më pak gjasa se sa gratë që të kryejnë kontrolle mjekësore të rregullta, ky studim bën thirrje për një ndryshim të qasjes.

Inkurajimi i vizitave parandaluese që në moshën 30-vjeçare mund të ndihmojë në identifikimin e hershëm të faktorëve të rrezikut dhe në zbatimin e strategjive që shpëtojnë jetë në planin afatgjatë.