Një gjyqtare 35-vjeçare dhe nëna e saj 66-vjeçare u rrëmbyen dhe u mbajtën peng për rreth 30 orë në zonën më të gjerë të Grenoble të francës, përpara se të liheshin të lira.
Sipas raportimeve nga e përditshmja franceze Le Parisien, rrëmbimi ndodhi natën nga e marta në të mërkurë, rreth orës 03:00 të mëngjesit, në banesën e gjyqtares në Saint-Martin-le-Vinoux, në juglindje të Francës.
Autorët dyshohet se i futën dy gratë në bagazhin e një automjeti, ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën gjurmë gjaku. Partneri i gjyqtares, drejtues në një kompani që vepron në fushën e kriptomonedhave, nuk ndodhej në banesë në momentin e rrëmbimit.
Dy gratë u gjetën të premten në mëngjes në Bourg-lès-Valence, rreth 100 kilometra larg vendit ku u rrëmbyen. Ato u zbuluan të lidhura brenda një garazhi, pasi një fqinj hapi qepenin pasi dëgjoi zhurma të dyshimta.
Të dyja kishin plagë dhe u dërguan në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa deri tani nuk është bërë asnjë arrestim.
Sipas një burimi policor, autorët dyshohet se kanë kërkuar shpërblim në bitcoin, me vlerë rreth 1.6 milionë euro. Deri më tani nuk dihet nëse shpërblimi është paguar.