Një ngjarje tragjike është shënuar në Argjentinë, ku mbeti i vrarë me plumb në kokë futbollisti 29-vjeçar Frederiko Potarski.
Mbrojtësi ishte pjesë e skuadrës Berazateguit, që militon në kategorinë e katër argjentinase, teksa për të fituar më shumë para punonte edhe si shofer.
Ai u zu në prite nga dy kriminelë, që tentuan t’i vidhnin makinën në San Justo.
Rezistenca i ka kushtuar shtrenjtë Potarskit, pasi kriminelët e kanë qëlluar me plumb në kokë.
Mbrojtësi i Berazateguit është dërguar menjëherë në spital, por mjekët nuk mund të bënin asgjë për t’i shpëtuar jetën.
Potarski iu bashkua Berazateguit janarin e kaluar pasi luajti te Almirante Broun dhe Liniers.