250 vite Ιarg Shqipërisë, υαzhdon të ruajë traditat dhe gjυhën shqipe në MoΙdavi

Një hartë e Shqipërisë është e vendosur në hyrje të një restoranti në Chişinău në Moldavi.

Nuk është rastësisht aty. Gjergji, ka jetuar gjithë jetën e tij në Moldavi, por siç mund ta kuptoni dhe emri, është me origjinë shqiptare. Ai tregon se kanë kaluar 250 vite, qëkur paraardhësit e tij u larguan nga Shqipëria.

“Jam shqiptar, ne themi që gjaku nuk bëhet ujë. Apo jo? Jam shqiptar, patriot i Shqipërisë, jam krenar që jam shqiptar,” – u shpreh Gjergji.

Ai vazhdon të jetë “fanatik” i origjinës së tij. Duke mos dashur të humbasë asnjë gjurmë nga traditat e vendit të tij, ka ndërtuar një restorant shqiptar në kryeqytetin moldav.

“Kam një ide. Dua që veshjet tradicionale shqiptare me manekin t’i vendos këtu në anë,” – tregoi ai.

“Moldavët thonë sa mirë, pëlqejnë kuzhinën shqiptare, ushqimet e Shqipërisë dhe të Ballkanit, kënaqen kur vijnë këtu në lokal,” – shtoi Gjergji.

Dashuria për vendin e tij, është si vera. Sa më shumë të qëndrojë larg Shqipërisë, aq më shumë shtohet malli për të.

“Çdo vit pushimet i bëj në Shqipëri. Shëngjin, Sarandë, Vlora, Durrësi, gjithë bregdetin, familja çdo vit më pyesin dhe u them do ikim në Shqipëri. Këtë vit do shkojmë në Vlorë dhe në Shëngjin,” – u shpreh Gjergji.

Ai ka krijuar familjen e tij në Moldavi. Dëshira për t’i mësuar shqipen fëmijëve është e madhe.

“Kanë mësuar shumë pak, dinë anglisht dhe më thonë ‘babi na lër se flasim anglisht, s’ka problem’. Unë dua të mësojnë shqip,” – tregoi Gjergji.

Ketë muaj kombëtarja e futbollit shqiptar do të luajë kundër Moldavisë. Midis dy zgjedhjeve të vështira, Gjergji nuk nguron me përgjigje, ai bën tifo për Shqipërinë.

Gjergji do të vazhdojë të jetë një ambasador i kulturës shqiptare në Moldavi me restorantin e tij, duke qenë kështu një shembull për atdhedashurinë për gjithë shqiptarët në botë.