Një 85-vjeçar italian është përballur me një grabitje në shtëpinë e tij në Bergamo dhe ka plagosur me armë zjarri një nga hajdutët.
Episodi ndodhi mbrëmjen e së shtunës, më 27 prill , rreth orës 21:30, në lagjen periferike Longuelo. Hajduti i plagosur , një shtetas shqiptar 26 vjeç, është goditur nga plumbi në qafë, por nuk ndodhet në gjendje të rëndë. Pas ngjarjes, ai u arrestua nga policia pranë rezidencës së ish-financierit, me akuzën e grabitjes së rëndë. Pas marrjes së mjekimit të nevojshëm dhe daljes nga spitali, i riu është dërguar në burg.
Bashkëpunëtori i hajdutit të plagosur, gjithashtu një shtetas shqiptar 26 vjeç, është arrestuar nga policia pak orë pas ngjarjes. Të dy kriminelët tani janë të ndaluar, të akuzuar për grabitje të rëndë dhe kundërshtim ndaj një zyrtari publik.
Shqiptarët, të maskuar me kapuç, kishin hyrë në shtëpinë me tarracë të të moshuarit nga një derë në pjesën e pasme të cilën e kishin hapur me forcë me levë . Në momentin e grabitjes, pensionisti ishte në shtrat, duke parë televizor, ndërsa gruaja e tij në katin lart. Sipas dëshmive, ish-financieri e kishte armën të fshehur nën jastëk dhe nuk hezitoi ta përdorte për t’u mbrojtur, duke qëlluar ndaj hajdutëve që u larguan duke marrë me vete edhe çantën e burrit .
Ngjarja ka shkaktuar alarm të madh në komunitet dhe tashmë autoritetet po vlerësojnë gjendjen e ish-financierit, i cili posedonte rregullisht armën e zjarrit të përdorur gjatë ngjarjes.