Ushtria libaneze braktis bazat në kufi, hyrja e izraelitëve, “çështje minutash”

Ushtria libaneze ka evakuuar pikat e vëzhgimit në kufirin jugor të Libanit me Izraelin dhe është zhvendosur në kazermat në fshatrat kufitare, tha një burim libanez i sigurisë për CNN.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant u tha më parë krerëve të këshillave rajonale në Izraelin verior se “faza tjetër” e luftës së Izraelit kundër Hezbollahut “do të fillojë së shpejti”.

Deklarata vjen pasi ushtria izraelite shpalli një zonë të mbyllur ushtarake rreth tre qyteteve në veriun e largët në kufirin e saj me Libanin. Pritshmëritë janë të mëdha për një ofensivë të afërt tokësore në Liban.

Ndonëse disa raportime flasin se invazioni izraelit ka nisur tashmë, diçka e tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Sakaq, forcat libaneze kanë deklaruar se janë kundërpërgjigjur duke ‘gjuajtur me raketa pozicionet ushtarake izraelite në lartësitë e pushtuara të Golanit’.

Ata thanë se gjuajtën gjithashtu një raketë lundrimi me rreze të gjatë kundër anijeve në Kfar Giladi, një komunitet kooperativist rural i njohur si “kibbutz”, dhe thanë gjithashtu se kishin në shënjestër një vendbanim në Izraelin verior me një “salvo raketash”.

Në një deklaratë të veçantë, Hezbollahu tha se kishte lëshuar raketa “Fadi 1” në zonat në veri të Haifës.